Kuqezinjtë kanë qenë të pafat, pasi janë ndëshkuar në minutat e fundit nga goli e Miguel Velosos
Jurges Veizaj
Të pafat. Ky është përkufizimi më i mirë që mund t’i vendosnim kombëtares kuqezi në ndeshjen e djeshme ndaj Portugalisë. Një sfidë e interpretuar mjaft mirë nga tanët, por luzitanët të ndihmuar dhe nga historia arritën që të shënonin në minutën e parafundit duke i dhënë fund gjithçkaje. Një rezultat i cili nuk i shkon për shtat lojës që u bë, por futbolli është një sport që i rezervon këto surpriza të hidhura dhe duhen pranuar si të tilla. Pjesa e parë nis me një lojë të ekuilibruar nga të dyja kampet teksa përpiqen që të dalin në lojën e tyre. Kuqezinjtë duken të motivuar dhe ushtrojnë presing në sekondat e para të sfidës. Megjithatë, Portugalia rikuperon terren dhe fillon të dalë përpara, duke u treguar mjaft e rrezikshme me Ronaldon në minutat 12 dhe 13. “Topi i Artë” shmang bukur dy lojtarë dhe godet fuqishëm nga jashtë zone, por grushton Berisha në goditje këndi. Sërish Ronaldo që i afrohet golit pas goditjes nga këndi. Portugezi gjendet i lirë në zonë dhe godet, por topi përplaset në shtyllë dhe përfundon jashtë. Pas këtyre episodeve, Shqipëria has vështirësi në kontrollin e topit dhe e dorëzon shumë lehtë. Portugezët sulmojnë vazhdimisht, por për fat të mirë porta e Berishës qëndron e paprekur në 45 minutat e para të sfidës. Ndërsa në pjesën e dytë do të ndryshonte edhe rrjedha e lojës. Do të ishin djemtë e De Biasit ata që do të bënin presionin. Në minutën e 55-të do të vinte edhe ndryshimi i Abrashi me Bashën që do të sillte ndryshime në organizimin e lojës. Ndërsa në krahun tjetër Santos përgjigjet me ndryshimin e Bernardo me Quaresmën. Loja zhvillohet më mirë në mesfushë për të tanët dhe ka më shumë qartësi në lojën që duhet të bëhet. Duke parë këtë De Biasi vendos të hedhë në lojë Roshi për të shtuar sulmet nga krahu dhe për ti dhënë shpejtësi skuadrës. Rasti më i mirë për Shqipërinë do të vinte në minutën e 74-të. Rasti më i mirë për Shqipërinë, Cikalleshi godet nga jashtë zonës dhe topi devijohet duke u përplasur në shtyllë, aty përpiqet dhe Roshi, por pengohet dhe nuk arrin të godasë. Fati me portugezët kësaj radhe. Ndërkohë që pak më vonë do të vinte edhe shansi i artë për Portugalinë. Në minutën e 80-të Eliseu del i vetëm përballë portës dhe tenton parabolën, por fati e ndihmon Berishën dhe topi del jashtë. Në fund italiani zëvendëson edhe Cikalleshin me Balajn për të provuar shanset e fundit, por që vështirë të depërtohet në zonën luzitane. Në minutën e parafundit do të vinte edhe goli i portugezëve. Quaresma kroson drejt zonës. Veloso kërcen mbi të gjithë dhe shënon duke mposhtur Berishën. Festë në kampin portugez ndërsa te kuqezinjtë shihet dëshpërimi. Ndeshja mbyllet me fitoren e portugezëve që marrin kështu tri pikët dhe blindojnë vendin e parë.
Box
Tifozët portugezë vishen me qeleshe
Tifozët portugezë kanë zgjedhur një mënyrë shumë të mirë se si të mos ngacmohen nga tifozët. Ata kanë veshur fanellat kuqezi dhe kanë vendosur qeleshe në kokë dhe dallimi i tyre i vetëm nga tifozët shqiptarë ishte se në duar mbanin flamurët e Portugalisë.
Box
Xhaka: Ky është futbolli, përpiqemi për ndeshjet e tjera
Mesfushori Xhaka është shprehur pas ndeshjes se është i dëshpëruar për rezultatin, por që në fund duhet të pranosh edhe që mund të ndëshkohesh. Një ndër lojtarët më të mirë në fushë gjithashtu tha se shpreson që në sfidën ndaj Serbisë të fitojnë për të marrë pikët e nevojshme që duhen për t’u kualifikuar direkt.
Cana: Do të ringrihemi
Një humbje e hidhur në fund. U shfaq i zhgënjyer pas përfundimit të ndeshjes kapiteni Lorik Cana, i cili vlerësoi Portugalinë, por mbrojtësi përgëzoi edhe lojtarët kuqezinj. “Me skuadra të tilla duhet të dish se nëse ul përqendrimin, ndëshkohesh. Kështu na ndodhi dhe ne. Bëmë një lojë dinjitoze, duke rrezikuar disa herë. Në pjesën e dytë u shfaqëm të rrezikshëm. Duhet ta marrim si një mësim për të ardhmen. Gjendja ime? Nuk isha në 100% të formës”. Cana bëri edhe një premtim: “Në tetor do të vijmë edhe më në formë. Do të tentojmë ta çojmë kombëtaren aty ku meriton të jetë. Do të jemi të fokusuar te ndeshja me Serbinë dhe Armeninë. Ato gabime për sa i përket pjekurisë do t’i përmirësojmë. Do të ngrihemi pas kësaj humbjeje. Kemi shumë gjëra për të përmirësuar, pasi kemi fatin në dorë”.
Shkurte
Mexes drejt Fiores në janar
Fiorentina do të provojë përsëri që të nënshkruaj me mbrojtësin e Milanit, Philippe Mexes. Francezi ishte afër të kalonte në Firence në ditën e fundit të afatit kalimtar, por ishte pikërisht presidenti i kuqezinjve, Silvio Berlusconi, që e bllokoi këtë transferim. “La Nazione” shkruan se skuadra nga “Artemio Franchi” do të provojë sërish në dimër të arrijë marrëveshje me lojtarin francez. Mexes ka kontratë me Milanin deri në qershor të viti 2016 dhe nuk është një lojtar që pëlqehet shumë nga trajneri i ri kuqezi, Sinisa Mihajlovic. “Viola” pritet të përfitojë nga kjo dhe të nënshkruajë që në janar me 33-vjeçarin.