Shqipëri – Vatikan, 24 vjet marrëdhënie

0
163

 

87 shtator 1991, një deklaratë e zyrës së shtypit të Selisë së Shenjtë në Vatikan komunikon: “Selia e Shenjtë dhe Republika e Shqipërisë, me dëshirën për të pasur marrëdhënie të ndërsjella miqësore, vendosën bashkërisht të lidhin ndërmjet tyre marrëdhënie diplomatike, në nivelin e Nunciaturës Apostolike nga ana e Selisë së Shenjtë dhe në nivelin e Ambasadës nga ana e Shqipërisë”.Nunci apostolik i ngarkuar në Shqipëri, kardinali indian Ivan Dias, komenton: “Kjo është dita që na e dhuroi Zoti: të gëzojmë në të!”

 

7 shtator 1991 – 7 shtator 2015, 24 vjet marrëdhënie miqësie, 24 vjet raporte diplomatike me Selinë e Shenjtë.  Madiat vatikanase nuk e ndalojnë asnjëherë së kujtuari përvjetorët simbolikë të një populli që duhej të shpresonte.

E shpresa i dërgoi mijëra shqiptare në brigjet e Gadishullit Apenin, në shtetin që mban brenda kufijve të tij shtetin më të vogël në botë, Vatikanin. Komuniteti i shumtë shqiptar në Itali me një dekret të firmosur më datë 1 gusht 2004, nga famulltari i Selisë së Shenjtë për Dioqezat e Romës, kardinal Camillo Ruini, mund të mblidhet, të lutet, të zhvillojë aktivitete pastoriale në kishën Shën Gjoni i Malvës në Romë. Është kisha e parë italiane që i besohet ekskluzivisht komunitetit emigrant shqiptar, një vend kulti mikpritës, i mjaftueshëm në hapësirat e tij, një pasuri e vërtetë arti, siç e dëshmon dhe historia antike e saj: “Vendi ku pelegrinët më të pambrojtur gjejnë në zemër të Romës, strehim e mbrojtje”. Dhe Kisha Shën Gjoni i Malvës, kisha e shqiptarëve në Itali gjendet në Trastevere, vërtetë në zemër të Romës.

Trastevere është një nga lagjet me karakteristike te kryeqytetit italian, Romë. Udhë rrugica, sheshe, të gjitha me historinë e emrit që mbajnë, me kuriozitete legjendat e një Rome antike shtrirë përtej lumit Tever, ashtu siç emri i kësaj mëhalle romane merr nga latinishtja trans tiberum (përtej Teverit). Bukuria e saj ka joshur çdo epokë, ndarë e rrethuar anekënd nga pjesa tjetër e Romës me bordura të larta sa gjysma e një trupi human, ndërtuar qysh në ‘800 për të mbrojtur banesat nga përmbytjet e lumit. Banorët e saj konsiderohen roman doc, njerëz që në folklorin popullor njihen si kokëfortë, krenarë, origjinalë, karaktere që ndoshta bordurat mbrojtëse kanë mundur t’i konservojnë më mirë shpirtin romak. Mes rrugicave të kësaj lagjeje, ndër dyqane, punishtet artizanale e lokalet karakteristike, pak hapa nga skenografia që ofron Teveri, gjendet Kisha Shën Gjoni i Malvës apo e quajtur ndryshe kisha e shqiptarëve. Është mjaft antike, sa thuhet se për herë të parë është përmendur në një shkresë papale të Callisto II, në shekullin XII. Në fasadën e saj shtrihet basorelievi i Virgjëreshë Maria me dy shenjtorët Gjon Batisit e Gjon Evangjelisti. Brenda saj shtrihet një kryq grek, plot vepra arti të ‘700 e mbi të gjitha një kupolë hemisferike me bukuri hyjnore. Këtë kishë më 7 shtator të vitit 2006, pra dy vjet më vonë pas dekretit që e ligjëron si kishë ekskluzive të emigrantëve të krishterë të shqiptarëve, e 15 vjet pas vendosjes së marrëdhënieve diplomatike mes Shqipërisë e Vatikanit, e vizitoi dy vite më parë ai që konsiderohet krahu i djathtë i Papa Françeskut, bashkëpunëtori më i ngushtë i tij, sekretari i Shtetit te Vatikani, kardinali im zot Petro Parolin dikur nënsekretari i shtetit të Vatikanit për marrëdhëniet me vendet e tjera ka mbajtur një nga fjalimet që mbahet mend gjatë në kujtim të përvjetorin të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike me Shqipërinë:

“Është nder e gëzim për mua të marr pjesë në këtë takim, që synon të përkujtojë vendosjen e marrëdhënieve diplomatike ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë, e të përfaqësoj Seksionin e Marrëdhënieve me Shtetet të Sekretarisë së Shtetit, i cili – siç e dini – ka pikërisht për detyrë ‘të favorizojë marrëdhëniet, sidomos ato diplomatike, me shtetet e me subjektet e tjera të së drejtës ndërkombëtare, si edhe të trajtojë punët e përbashkëta për promovimin e së mirës së Kishës e të shoqërisë civile’ (Pastor Bonus, neni 46, 1°). Falënderoj ambasadorin e nderuar, dr. Zef Bushatin, për ftesën dhe përshëndes miqtë e shquar, duke filluar nga zoti Ministër i Punëve të Jashtme të Shqipërisë.
Komunikata për shtyp e 7 shtatorit 1991 thoshte: Selia e Shenjtë dhe Republika e Shqipërisë, me dëshirën për të pasur marrëdhënie të ndërsjella miqësore, vendosën bashkërisht të lidhin ndërmjet tyre marrëdhënie diplomatike, në nivelin e Nunciaturës Apostolike nga ana e Selisë së Shenjtë dhe në nivelin e Ambasadës nga ana e Shqipërisë’. është formula e zakonshme, që përdor Selia e Shenjtë për të shpallur vendosjen e marrëdhënieve diplomatike, por jo i zakonshëm ishte interesi, që e shtynte Selinë e Shenjtë të bënte atë hap.
Një interes i diktuar, para së gjithash, nga marrëdhëniet shekullore me popullin fisnik shqiptar, që kur, në shekujt e parë të krishterimit, lindën bashkësi të krishtera në Shqipëri e, kur, pas ndarjes së Perandorisë romake nga ana e Dioklecianit, perandor me origjinë shqiptare, u ngritën shumë dioqeza. Këto marrëdhënie kanë kaluar faza të ndryshme gjatë historisë, që nga bashkëpunimi konstruktiv – si të mos kujtojmë këtu Gjergj Kastriotin Skënderbeun, mbretin më të madh shqiptar, ‘atletin e Krishtit’, që mbajti marrëdhënie të ngushta e të frytshme me Papët e Romës? – e deri në çastet e tensionit të dhimbshëm, por kurrë nuk u këput filli i artë i fesë dhe i lidhjes me Kishën e Romës të shumë shqiptarëve, mbetur në atdhe ose shkuar gjetiu (mendoj veçanërisht për bashkësitë arbëreshe në Italinë jugore), (shih Gjon Pali II, Fjalimi para ambasadorit të parë të Shqipërisë, 22 prill 1993).
Një interes, që u gjallërua pastaj nga kushtet në të cilat gjendej atëherë vendi, i sapodalë nga gjendje të vështira politike, viktimë e të cilave kishte mbetur për shkak të një regjimi të frymëzuar nga një ideologji totalitare dhe antifetare (Gjon Pali II, ib.), sprovuar nga ‘vite mundimesh të vërteta’, që kishin shkaktuar çarje të mëdha në indin shoqëror, duke ndikuar thellësisht në sjelljet e në ndërgjegjet (Gjon Pali II, Fjalimi i mbërritjes në Shqipëri, 25 prill 1993), vend i sapokthyer në gjirin e familjes së madhe evropiane (Gjon Pali II, Fjalimi para Trupit Diplomatik, 11 janar 1991).
Më shumë se për interes, do të guxoja të flisja për dashurinë e Selisë së Shenjtë ndaj Shqipërisë, që duket qartë, për shembull, në çdo rresht të fjalimeve që Shërbëtori i Zotit [atëherë nuk ishte shpallur akoma i Lum], Papa Gjon Pali II – i nderuar qoftë kujtimi i tij – shqiptoi gjatë vizitës apostolike të 25 prillit 1993. I paharrueshëm është mesazhi që la në çastin e nisjes: “U shtoftë gjithnjë e më shumë harmonia e bashkëjetesës ndërmjet jush. Duhet mësuar arti i dialogut dhe i dëgjimit, edhe kur kjo të lodh. është çmimi i lirisë, sekreti i përparimit të vërtetë moral e qytetar. Shqipëri, qëndro në lartësinë e kësaj sfide të madhe historike!”
Shqipëri, ji në lartësinë e kësaj sfide të madhe historike! Me marrëdhëniet diplomatike, Selia e Shenjtë synoi të ecë krah për krah me këtë vend për t’iu përgjigjur si duhet kësaj sfide jo të lehtë. “Çfarë ofron Kisha? – pyeste Gjon Pali II – Në dialogun dypalësh me qeveritë, ajo vë në dispozicion kontributin e një institucioni, që mban në plan të parë vlerat më të larta të njeriut e që nuk mund të ndjehet i huaj ndaj çdo problemi, që debatohet në çdo kontekst shoqëror” (ib.). E ambasadorin e parë të Shqipërisë, Papa e siguronte: “…Kisha Katolike impenjohet të japë kontributin e saj për ndërtimin e Shqipërisë së re. Drejt këtij qëllimi synojnë marrëveshjet e bashkëpunimit, që ajo dhe shteti mund të nënshkruajnë lirisht, duke ruajtur plotësisht autonominë e ndërsjelltë dhe qëllimet e tyre specifike”.
Kanë qenë, besoj unë, 15 vjet sintonie e bashkëpunimi në rritje. Fryt i pjekur i tyre është Marrëveshja ndërmjet Selisë së Shenjtë dhe Republikës së Shqipërisë për rregullimin e marrëdhënieve të ndërsjella (23 mars 2002), zbatimi besnik i së cilës dhe zhvillimet e mëtejshme nuk mund të bëjnë tjetër, veçse të përforcojnë e të promovojnë, me frymë miqësore, marrëdhëniet ekzistuese (shih Preambulën).

 

Por nuk duhet harruar shugurimi në Shkodër, në vitin 1993, i ipeshkvijve të parë shqiptarë të kohëve të reja nga ana e Gjon Palit II, i cili, në muajt e fundit të papnisë, riorganizoi rrethet kishtare të vendit, ndërsa Ati i Shenjtë Benedikti XVI, nga ana e tij e në muajt e parë të papnisë, emëroi katër ipeshkvij në Shqipëri. Dua të kujtoj edhe vizitën zyrtare në vend të Shkëlqesisë së Tij, imzot Lajolo, Sekretar për Marrëdhëniet me Shtetet, nga 22 deri më 25 prillin e këtij viti [2006], gjatë së cilës u takua me autoritetet më të larta të shtetit; e së fundi, faktin se Prefekti aktual i Kongregatës për Ungjillëzimin e Popujve ka qenë nunc në Shqipëri – një nunc që s’është harruar – gjë që përbën një lidhje më shumë me Selinë e Shën Pjetrit.
Shqipëria e sotme sheh drejt Evropës, duke u përpjekur të përmirësojë ekonominë e të promovojë impenjimin më rrënjësor ndaj punës serioze e ndaj respektit për ligjin. Selia e Shenjtë bashkëndan e mbështet aspiratat e ligjshme të popullit dhe impenjohet, sidomos përmes institucioneve edukative dhe asistenciale të Kishës lokale, e cila mbahet me punën e përbashkët të bijve të saj shqiptarë e të misionarëve, të ofrojë kontributin më të madh të mundshëm, që shpresat e këtij vendi të rinjsh të shndërrohen në një të ardhme më të mirë, të denjë për traditën e tij të madhe historike”. Imzot Pietro Parolin, Romë 7.9.2006

 

 

Box gri

 

Nis takimi “Lutja e Paqes”, 4 mijë klerikë në Tiranë

Ka nisur në Tiranë takimi ndërkombëtar i dialogut mes besimeve dhe kulturave “Paqja është gjithmonë e mundur”. Takimi zgjat tri ditë, me një sërë aktivitetesh, ku do të diskutohet mbi besimet, kulturat dhe mundësitë për paqe në botë. Ky takim ndërkombëtar, që për nga numri i të ftuarve dhe pjesëmarrësve është dhe aktiviteti më i madh ndërkombëtar që është mbajtur ndonjëherë në vendin tonë, u hap me një ceremoni të posaçme mbajtur, në Pallatin e Kongreseve.

Ceremonia u hap nga Hilde Kieboom nga Komunieti Sant’Egidios dhe në të përshëndetën Kryeministri Edi Rama, ministri i MSR-­së, Blendi Klosi. Gjithashtu, në këtë ceremoni të pranishmëve ju drejtua me një mesazh zanor edhe Papa Françesku.

Ndërkohë që përveç klerikëve, pjesëmarrës në këtë takim do të jenë edhe 4 ish­-presidentët e Shqipërisë, Alfred Moisiu dhe Bamir Topi dhe Sali Berisha, si edhe Presidenti aktual, Bujar Nishani.

Në aktivitetin “Lutja e Paqes 2015” janë ftuar të marrin pjesë rreth 4000 persona, mes të cilëve krerë të besimeve fetare botërore (katolikë, ortodoksë, protestantë, myslimanë, hebrenj, zoroastrianë, sikh, budistë dhe shintistë), nga Italia, Gjermania, Franca, Belgjika, Iraku, Izraeli, India, Rusia, Indonezia, Qipro, Japonia, Kina, Australia, e shumë vende të tjera nga Europa, Afrika, Azia e Amerika Latine. Po ashtu janë ftuar të marrin pjesë edhe personalitete të shquara të politikës, personalitete të larta të të gjitha besimeve fetare, historianë, filozofë, ekspertë të zhvillimeve ndërkombëtare, përfaqësues të botës akademike, gazetarë, teologë, shkrimtarë të njohur.

Gjithashtu, në “Lutjen për Paqe 2015” janë të ftuar rreth 400 personalitete politike dhe jo vetëm, mes tyre: zv.presidenti i Parlamentit Europian, ministri i Jashtëm italian, ministri italian i Drejtësisë, Sekretari i Përgjithshëm “Besime për Paqen” Japoni, zv/ministri i Bashkëpunimit dhe Zhvillimit nga Gjermania, ministri i Punëve të Jashtme nga Salvadori, ish-­president i Komisionit Europian, Romano Prodi, etj. Gjatë tri ditëve të këtyre aktiviteteve do vijnë edhe dëshmi konkrete nga vendet në konflikt si Siria, Iraku, Nigeria, Mindnao (Filipinet) dhe Libia.

 

 

(Tri kolona anash gri)

 

Rrëfimi i rrallë i Pjetër Pepës/

Kur Vatikani shihej si “ofiçinë spiunësh”

 

 

Bisedoi: Violeta Murati

Pjetër Pepa, ambasadori i parë rezident i Shqipërisë në Vatikan, në një nga intervistat e tij, ka kujtuar momentet e misionit të tij në Selinë e Shenjtë, takimet me Papën, në një kohë kur ishte sëmurë rëndë dhe i kërkonin dorëheqjen. Një pamje nga diplomati shqiptar se si funksionon diplomacia e Vatikanit dhe lidhjet e Papa Gjon Palit të Dytë me Shqipërinë, përshtypjet e tij në vizitën e parë pas rënies së diktaturës në ‘90-ën. Ndërsa e sjellim këtë intervistë për homazh të studiuesit të dosjeve të diktaturës dhe pritjes së vizitës së dytë të Papatit të Vatikanit të konfirmuar më 21 shtator

Dasmë në luftë… la krisma e kasaphanë në Shqipëri dhe shkoi drejt Vatikanit, ku iu ngjit një apartamenti katërkatësh, përballë me një diplomat të harruar nga Zaireja, një vendi në fund të botës ku veç luftë mbante mend e qeveria nuk ekzistonte.

Tamam si Shqipëria, veçse ne ishim djali i përkëdhelur, i egërsuar ndaj Selisë së Shenjtë. Në këto kushte, Pjetër Pepa nuk do të guxonte më 1997 të ngulte as flamurin shqiptar në ballkon. Shqiptarët ishin bërë tmerr për italianët. Ndërkohë që Pepa ishte emëruar diplomati i parë shqiptar, rezident në Vatikan, shkodran, që kishte kryer studimet për stomatologji, autor i më shumë se 100 botimeve shkencore, propagandistike e monografike. Rrengu që i dha koha “e detyroi” Pepën të hynte në rekordet e diplomacisë në Vatikan. Për pesë muaj, kthehet sërish në Shqipëri. Arsyeja vinte nga politika shqiptare, ku Papa shfaq hapur preferencën e tij për Sali Bershën, nga mikpritja që iu bë në Shqipëri, pas shembjes së diktaturës. Më poshtë botojmë të plotë, për herë të parë në median e përditshme, rrëfimin e të ndjerit Pjetër Pepa mbi aventurën në Vatikan, si e vlerësoi Papa politikanët shqiptarë dhe talenti i çuditshëm i njeriut të Selisë së Shenjtë, memoria. E sjellim këtë intervistë si çastin e parë të shkeljes së Papës në Shqipëri, si dhe kur më 21 shtator 2014, ishte ardhja për të dytën e herë në një moment tjetër historik të Papës së Vatikanit, tani në krye Françesku. Është një nga rastet e historisë kur rilidhja me Vatikanin bëhet pas mohimit 45-vjeçar dhe persekutimit të kishës nga regjimi komunist, për të cilën Pepa na ka lënë botime e dëshmi të bollshme arkivore për t’u studiuar.

 

Keni qenë diplomat i parë shqiptar në Vatikan. Ç’do të thoshte për historinë shqiptare ky përfaqësim i parë rezidencial?

Natyrisht mund të fillohet pak para se të shkoj në Vatikan, sepse dihet që marrëdhëniet me Vatikanin kanë qenë mjaft të traumatizuara qysh në vitin 1945, kur Nunci Apostolik i Vatikanit përjashtohet si “person non grata”. Që nga ai vit, për politikën shqiptare Vatikani nuk ka qenë gjë tjetër veçse një ofiçinë spiunazhi, janë pushkatuar pa farë klerikët, sepse të gjithë kanë thënë “Rroftë Krishti mbret, rroftë Shqipëria, trupin e lëmë këtu shpirtin e kemi tek Papa”. Natyrisht gjithë janë quajtur nga politika shqiptare si spiunë të Vatikanit dhe kjo ka shkuar rreth 45 vjet derisa më në fund me përpjekje të mëdha të Vatikanit u rivendosën marrëdhëniet, me kthesën që filloi në vitin 1990. Është për të vënë në dukje që ndërsa Papa Gjon Pali i Dytë, duke qenë nga një shtet i diktaturës siç ishte Polonia e deshi shumë Shqipërinë, e deshi shumë popullin shqiptar, siç deshi dhe lirinë e popujve që vuanin nën diktaturën komuniste. Kështu që ai punoi shumë në këtë drejtim. Janë katër pesë momente kur ai ka drejtuar lutjen për popullin shqiptar, i cili po vuanin shumë, kur klerikët pushkatoheshin për besimin, për fenë. Ndërsa ne, nuk lenim blasfemi pa folur kundër tij, Papa erdhi e puthi tokën shqiptare, falet si miku me mikun me gjithë popullin shqiptar. “Ju dua shumë, kam ardhur të mbjell dashurinë mes jush”, ky është prolog i tij në çdo kohë. Pas këtij kalvari, përfundimisht rivihen marrëdhëniet diplomatike. I pari që erdhi në Shqipëri dhe që hapi rrugën e Vatikanit ishte indiani, nunci apostolik Ivandias, i cili kishte punuar disa kohë në zyrat e Vatikanit, madje kohët e fundit emri i tij doli dhe si kandidat për Papë, nëse nuk do ishte dikush nga Italia apo Evropa.

Kjo për faktin se India ka pasur shumë thirrje ka pasur shumë thirrje meshtare kohët e fundit, dhe ky duke qenë arqipeshkvi i Bombeit ishte një ndër kandidatët e mundshëm. Ambasadori i parë për Shqipërinë, ishte Vili Kamsi, nga Shkodra, historian. Por ai nuk ishte ambasador rezident. Ai rrinte në Shkodër dhe shkonte e vinte sa herë kishte ftesa dhe ceremoni në Vatikan. Kështu që më ’97 menduan që të më dërgonin mua si ambasador rezident.

 

Pas këtyre arsyeve historike të shkëputjes së gjatë që patëm me Selinë e Shenjtë, cilat ishin rrethanat që ju u gjendët në Vatikan?

Në librin e kujtimeve të mia e kam përcaktuar si dasmë në luftë. Mirëpo është e paramenduar se si mund të bëhet një dasmë e tillë. Kështu ishte dhe vajtja ime në Vatikan. E para, qëndrova shumë pak kohë, duke thyer rekordet e Ginesit për idiotësinë shqiptare. Nuk mund të mendohet në Vatikan që të shkelen kaq keqas rregullat. Ne i shkelim, shqiptarët janë mësuar me këtë, aq më tepër po të kemi parasysh vitin ‘97. Sapo shkova, në janar, një muaj e shumë do të prisja sepse Papës i kishte rënë një grip dhe për këtë arsye i kishte ndërprerë takimet. Pastaj futesh menjëherë në regjimin për parapërgatitjet e Pashkëve dhe më 1 mars, kam bërë dorëzimin e letrave kredenciale. Para se të hyja shoqëruesi pyet siç është norma, me kortezi se mos kisha emocione dhe natyra ime, meqë disa vite i kisha kaluar në parlament, nuk kishte shenja të tilla.

Papritur më njoftuan, se në Vlorë, atë natë ishin vrarë nëntë vetë. Kjo më ra si dush djersitjeje, ata i kishin marrë vesh para meje. Më pas erdhi Otranto, mbytje e vrasje të tjera të njëpasnjëshme nga Shqipëria. Kështu që, në këto rrethana m’u desh jo vetëm për të kryer ceremoninë e kortezisë ndaj detyrave si shtet, ndaj Vatikanit që është korrekt për gjithçka. Por, më pas m’u desh të adaptoja dhe një hyrje apartamenti, për ta bërë ambasadë në kushtet kur këtej qeveritë jepnin dorëheqjen dhe gjendja në Shqipëri ishte në shtetrrethim.

Në Itali, kjo përcillej me artikuj, me tituj bombastikë: “Një vend në flakë”, ndërsa paralel do të kërkoja të vihej faksi, telefoni etj., etj. Ndërsa italianëve u kishte hyrë tmerri nga shqiptarët, unë isha në një ndërtesë katërkatëshe, ku në katin e tretë të saj nuk guxoja as të ngrija flamurin. Mezi mora leje të vija flamurin tek ballkoni, se për tabela nuk bëhej fjalë, pasi kishin alergji për shqiptarët e ‘97-ës. Në aspektin politik ishte një gjurulldi e tmerrshme ku “BBC”, “Deutsche Ëelle” villnin veç vrer, ku jepnin ato skenat makabre të Vlorës, kur po mbytnin njerëz. Pra, në këto rrethana duhej të ruaja dhe moralin. Unë isha krejt i vetëm, sa i habita të gjithë.

 

Si funksiononte Vatikani, pse ka gjithë këtë potencial dhe fuqi jo vetëm politike?

Në këtë mes ndodh kjo: meqë shtetet kanë politikat e tyre, ambasadat, ministritë e jashtme, kuptohet se ato kanë pajtimet dhe mospajtimet e tyre, miqtë dhe armiqtë. Vatikani duke qenë një institucion më tepër shpirtëror se sa politik, me dy mijë vjet traditë, ka për princip bazë – dashurinë, jo fitoren apo politikën. Ai i shtyn kombet në pajtim, tek ai duam mbështetje ndërmjetësim dhe shpesh herë hyn në ndërmjetësim dhe në mes dy armiqve. Kjo u pa qartë tek Papa, që ka takuar kundërshtarët absolutë. Papa shkon tek Fidel Kastro por shkon dhe tek Bushi. Aty ku armiqësitë janë të thelluara, të mëdha, Vatikani është balsami që ruan ekuilibrat gjithmonë duke qenë qetësuesi shpirtëror, pa baza ushtarake. Dhe në këtë aspekt është më i shtrirë dhe më i hapur. Por, duke pasur dhe traditën dy mijë vjeçare është tepër korrekt, i ka të përsosur strukturat e funksionimit. Kur shkova atje, para se të takoja Papën, ata kishin një vend të caktuar për ambasadorin që nuk i është dorëzuar akoma kredencialja. Ato i bëjnë të gjitha lëvizjet me respekt. Derisa u zëvendësova kisha vendin tim prapa aty, nuk të hiqnin.

 

Me sa thuhej, vizitat e politikanëve shqiptarë tek Papa kanë qenë mjaft intensive në vitin ‘97. Sa i njihnin ata rregullat dhe protokollin e Vatikanit?

Si gjurulldia që po ndodhte në Shqipëri edhe politikanët shqiptarë vinin në Vatikan pa dërguar asnjë protokoll. Jo vetëm Bashkim Fino, por dhe shtatë a tetë politikanë nuk dërgonin asnjë shkresë lajmëruese për vizitën. Spartak Ngjela, në atë kohë ministër i Drejtësisë, mbeti jashtë dhe ishte një hall i madh, sepse kishte një neglizhencë të tmerrshme për të respektuar protokollin e Vatikanit. Mirëpo, ata kanë organizim, bëjnë ceremoni, të japin dhurata, të respektojnë krejt ndryshe. Po kështu kanë mbetur jashtë dhe Frrok Çupi dhe Preç Zogaj, të cilët hynë brenda vetëm pasi i shpjegova shefit të protokollit se këta ishin dy katolikë që kishin mbetur pas 50 viteve mallkim. Shpesh zyrtarët e Vatikanit mbeteshin ngushtë nga kjo ngutja e papërgjegjshme e politikanëve shqiptarë. Politikanët tanë bënin gafa në këtë drejtim, ndërsa Vatikani kishte kulmin e përsosmërisë dhe korrektesës. Ata pa lajmëruar nuk prisnin askënd.

 

Ju thatë se në Vatikan mbërrinin informacionet shumë shpejt dhe në mënyrë të çuditshme për Shqipërinë, për gjëra që as ju si ambasador nuk kishit dijeni. Kjo vinte nga vëmendja dhe interesi direkt i Papës?

Për të qenë të saktë ata kanë një institucion kaq të ngritur, aq të kulturuar, aq të stërvitur sa kjo nuk ka të bëjë vetëm për vëmendjen ndaj Shqipërisë. Kur duhet korrektësia historike, lajmet, kronikat apo ana shkencore etj, Vatikani u jep rëndësinë e veçantë, është zanati i tyre. Ata e kanë Shqipërinë si të hapësh dritaren për të parë, aq më tepër një vend si yni ku interesat janë të mëdha, sepse rrezikon shumë duke parë si vend që ka vuajtur, po ashtu e shohin si portë mes Lindjes e Perëndimit, duke gërshetuar interesa politike, me ashpërsinë e tyre të herë pas hershme… të gjitha këto e bënin Shqipërinë të ishte djali më i përkëdhelur. Pastaj, ne, ishin si struci; kokën e kishim brenda në Shqipëri, e të tjerat i kishin krejt jashtë. Nuk ishte zor të kuptoje kur vriteshin njerëzit këtu. Përmes Bunës patën pushkatuar Dom Dedë Malaj, sepse përmes këtij lumi pat nxjerrë një gyp hekuri informacione për torturën. Pra, lajmet filtroheshin, jepeshin, ndërsa ne nuk i shihnim. Ata dinin gjithçka ndodhte në Shqipëri, në orë, sekondë, e minutë; se si vriteshin e dënoheshin nga diktatura, si po vriten e kur po vriten edhe tani. Madje ata kanë heshtur për një periudhe kohe, e kanë lënë në qetësi situatën se e donin se do t’ia shikonim sherrin, do acaroheshin marrëdhëniet, dhe mund të binin në situatë jo të zakonshme.

*Ribotim, fragmente nga intervista e plotë me Pjetër Pepën, ambasadorin e parë shqiptar në Vatikan

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here