“Rruga e paqes”, punimet nuk nisin para vitit 2017  

0
146

 

 

208-06m– Kosova pret të finalizohet vendimi për kalimin me pagesë të Rrugës së Kombit, për të shqyrtuar edhe ajo mundësinë e një mase të ngjashme

Ndërkohë që Prishtina merr 40 milionë euro për hekurudhat, Shqipërisë nuk i jepet asnjë qindarkë për sektorin në grahmat e fundit

 

Ervin Kaduku

 

Punimet për vazhdimin e autostradës “Ibrahim Rugova” deri në kufi me Serbinë në Merdar nuk pritet të nisin deri më 2017, raportoi televizioni shtetëror i Kosovës KTV. Kjo, për faktin se deri në fund të vitit të ardhshëm do t’i duhet Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim ta bëjë studimin e fizibilitetit dhe të dalë me përfundimet se si duhet të bëhet rruga.

Ministri i Infrastrukturës, Lutfi Zharku, i ka thënë KTV-së se pavarësisht nga vendimi, qeveria është më shumë e vendosur që deri në Merdar të jetë autostrada. Ai ka bërë të ditur se zotimi i BE-së mbetet që t’i japë Ballkanit Perëndimor 1 miliard euro deri më 2020, por vetëm në ato projekte ku shtetet do t’i kenë të siguruara financat për realizim të projektit.

Sa i përket hekurudhës, Zharku ka deklaruar se Kosova tashmë e ka zgjidhur problemin e financimit për rehabilitimin e saj.

Për këtë vit, sipas tij, janë ndarë nga Banka Evropiane për Investime 39 milionë euro për këtë projekt.

Sa u përket planeve të qeverisë shqiptare që ta bëjë hyrjen në autostradën e kombit me pagesë, Zharku ka thënë se Ministria që e drejton ka vendosur të presë se si do të ecë projekti, e pastaj të marrë një vendim. Megjithatë, një vendim për këtë çështje nuk pritet të ndodhë të paktën në një periudhë afatshkurtër.

 

Hekurudha

Ndërkohë që Evropa nuk dha asnjë qindarkë për shtetin shqiptar, rrjeti hekurudhor i të cilit është praktikisht në grahmat e fundit dhe do të kishte nevojë urgjente për fonde të konsiderueshme, që buxheti ynë nuk i ka, në të kundërt, Brukseli hap qesen për Kosovën, që tashmë ka një rrjet relativisht të mirë dhe funksional hekurudhash. Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim njofton se ka ndarë një kredi prej rreth 40 milionë eurosh për të financuar modernizimin e infrastrukturës hekurudhore të Kosovës, thelluar integrimin rajonal dhe për të forcuar zhvillimin ekonomik të vendit. Ky është transaksioni më i madh i BERZH-it në Kosovë deri më sot dhe investimi i parë i bankës në sektorin e transportit të vendit. Projekti do të përmirësojë lidhjen midis rrjetit hekurudhor të Kosovës dhe rrjetit evropian përmes korridorit VIII dhe korridorit të X-të në Maqedoni në jug të vendit dhe kufirin serb në veri.

Modernizimi i infrastrukturës së transporteve është përparësi e BERZH-it në Ballkanin Perëndimorë për të ndihmuar përmirësimin e rrugëve tregtare dhe zhvillimin e një bashkëpunimi më të fuqishëm ndërkufitar.

Kredia për Infrastrukturën e Hekurudhave të Kosovës (Infrakos), do të sigurojë fonde për të përmirësuar vetëm lidhjen hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës, e njohur si rruga hekurudhore 10. Ajo është 148 kilometra e gjatë dhe e ndarë në tri seksione: seksioni jugor Fushë Kosovë – Maqedoni; pjesa qendrore Fushë Kosovë-Mitrovicë; dhe pjesa veriore e Mitrovicës deri në kufirin me Serbinë. Kredia do të përdoret për rehabilitimin dhe modernizimin e këtyre seksioneve në faza të veçanta.

Bashkë me BERZH-in, projektin është duke e ndihmuar edhe Banka Evropiane e Investimeve. Projekti përfiton edhe nga mbështetja e rëndësishme e Bashkimit Evropian dhe paratë e për përgatitjen dhe zbatimin e projekteve nga kuadri investues për Ballkanin Perëndimor.

Nënpresidenti i parë i BERZH-it, Phil Bennett, tha se “infrastruktura bashkëkohore dhe e zhvilluar mirë e transporteve është thelbësore për zhvillimin e qëndrueshëm ekonomik. Jemi krenarë që rruga hekurudhore 10 e Kosovës është projekti ynë i parë në transportet e vendit. Rehabilitimi i linjës së vetme hekurudhore ndërkombëtare të Kosovës, është jetike për integrimin e mëtejmë të vendit në tregjet rajonale e ndërkombëtare. Lidhjet e përmirësuara të transporteve do të ndihmojnë shumë tregjet dhe bashkëpunimin rajonal e pan evropian”.

“Ky është një projekt më përparësi të lartë për Kosovën, meqë modernizimi i linjës hekurudhore do të sjellë përfitime të shumanshme politike dhe ekonomike për vendin. Ky është një hap shumë i rëndësishëm drejt përmirësimit të lidhjeve tregtare kombëtare e ndërkombëtare dhe rritë efikasitetin dhe cilësinë e transportit të njerëzve dhe mallrave”, – tha ministri i Financave të Kosovës, Abdullah Hoti, gjatë ceremonisë së nënshkrimit të marrëveshjes në selinë e BERZH-it në Londër.

Linja hekurudhore 10 e Kosovës është pjesë e rrjetit kryesor hekurudhor të Ballkanit Perëndimor, një zgjatje e rrjetit transportues transevropian, që është pjesë e synimeve të Bashkimit Evropian për të nxitur lidhjet e transporteve në rajon.

BERZH-i filloi të investonte në Kosovë që në vitin 1999. Deri tani, banka ka nënshkruar 39 projekte me një vlerë prej 124 milion eurosh.

Kosova u bë pjesë e BERZH-it në dhjetor të vitit 2012. Sikurse duket qartë, vetëm 3 vjet pas anëtarësimit në BERZH, Kosova arrin të marrë fonde për infrastrukturën e saj, ndërkohë që Shqipëria ka një histori tashmë shumëvjeçare me këtë institucion bankar, por preferon të mbajë hekurudhat në një gjendje të mjeruar. Ose janë evropianët që nuk pranojnë të diskutojnë për rigjallërimin e tyre.

———

 

 

Aksioni

Kriza e doganës vështirëson jetën e kultivuesve të duhanit

 

Sektori i Antikontrabandës doganore ka “sulmuar” kultivuesit e duhanit në zonën e Gurit të Zi në Shkodër, duke synuar të bllokojë problemin drejtpërsëdrejti te prodhimi dhe duke shkaktuar telashe për fermerët që kanë kultivuar këtë bimë prej shekujsh.

Përgjatë 30 viteve të fundit, Ndoc Gjoni, 60 vjeç, nga fshati Gajtan i Komunës Gur i Zi në Shkodër, ka kultivuar duhan dhe e ka tregtuar atë duke e shitur te pikat e grumbullimit ose drejtpërsëdrejti në treg. Tregtimi i duhanit të hapur është i zakonshëm në Shqipëri dhe përgjatë dekadave të fundit ka qenë i toleruar, pavarësisht se është një aktivitet i paligjshëm. Por jo më. Pak ditë në parë, Gjoni humbi një sasi duhani që po e çonte në treg bashkë me peshoren. Atij i erdhi surprizë kur punonjës të antikontrabandës doganore, i konfiskuan duhanin që po shiste.

“Kanë ardhë dhe më kanë marrë kandarin, duhanin që kisha, dhe kur i kërkova llogari se ku po e çojnë, më bërtitën duke thanë se është i shtetit”, – thotë Lazër Paloka, një kultivues tjetër duhani nga kjo zonë. Palokës i konfiskuan pak ditë më parë 50 kilogramë duhan.

“Asht ba e frikshme me shit duhan”, – tha Gjoni.

Qeveria shqiptare është në vështirësi për shkak se të ardhurat e saj buxhetore janë shumë më të ulëta se sa pritshmëritë ndërsa rritja e akcizës së cigareve nga 90 në 110 lekë për paketë ka sjellë rënie të importeve të ligjshme dhe rrjedhimisht, rënie të të ardhurave në vend që të sillte rritje.

Kompanitë e importit të cigareve thonë se pjesa e tregut që disponohej prej tyre më herët është zvogëluar pasi gjithnjë e më shumë shqiptarë i drejtohen duhanit të hapur të pataksuar në vend që të shpenzojnë 200 apo 300 lekë për një paketë importi.

Duhani i hapur i prodhuar nga fermerët vlerësohet se mbulon 20 deri në 30 për qind të të gjithë konsumit. Teorikisht, ky duhan duhet t’i nënshtrohet taksimit të rëndë në masën 4500 lekë për kile akcizë dhe 20 për qind TVSH mbi çmimin final. Por në fakt, ky duhan tregtohet për 1500-2000 lekë për kile nëpër tregjet e fshatarëve në të gjithë Shqipërinë. Qeveria ka ndërmarrë më herët hapa për të kontrolluar importin e letrës së gatshme që shërben për prodhimin e cigareve me shpresë se do të ulë konsumin e pataksueshëm të duhanit.

Gjatë ditëve të fundit, antikontrabanda doganore ka shënjestruar pikërisht prodhuesit dhe tregtuesit e vegjël të duhanit ndërkohë që pak ditë më parë, në Shkodër u zbuluan punishte të mirëfillta për grirjen, prodhimin e cigareve si dhe të paketave të plota. Drejtoria e Përgjithshme e Doganave njoftoi se “në zonën e Shkodrës, janë identifikuar dhe janë kryer procedurat përkatëse për 10 pika grirësish industrialë të duhanit, 2 baza mekanike të cilat prodhojnë makineri industriale për grirjen e duhanit, linja prodhimi duhani të paketuar të falsifikuar dhe 1 linjë prodhimi cigaresh të falsifikuara”.

Ndërkohë, për fshatarët e zonës së Gurit të ZI në Shkodër, situata është bërë e rëndë. Për këtë zonë të varfër të Shqipërisë, duhani është i vetmi produkt i vlefshëm për shitje në treg.

Shuk Marku nga fshati Sheldi thotë se fushata e qeverisë e ka zënë në befasi.

“Ne s’na ka paralajmëru kush mos më mbjedh duhan përkundrazi në fushatë na kanë thanë me rrit sipërfaqen edhe më shumë, ndërsa tash na e sekuestrojnë, kur ne i bëjmë gjithë atë mund. E në fund na e grabisin”, – tha ai.

Partitë politike shqiptare kanë folur shpesh gjatë fushatave elektorale për duhanin duke premtuar ndihmë për standardizimin e prodhimit dhe shitjen e rregullt të tij te grumbulluesit për prodhim cigaresh apo për eksport, por fshatarët shpesh mbeten pa blerës me shumicë dhe rrjedhimisht i drejtohen shitjes te konsumatorët.

Banorët e Gurit të Zi shprehen se duhani është e vetmja kulturë që toka e tyre prodhon, ndërsa shteti me këto aksione po merr edhe kafshatën e fundit.

“Gajtani prodhon vetëm duhanin nuk ka asnjë kulturë tjetër me të cilën mund të jetojnë. Kjo qeveri po na zhvesh krejt, po na grin ekonomikisht, s’po na len me jetu. Qeveria t’na gjej pikën e grumbullimit që duhanin ta shesim dhe t’mos na e grabisin”, – thotë Ndoc Gjoni.

Gjatë vitit të kaluar, çmimi i shitjes së duhanit ra ndjeshëm, aludohet për shkak se fshatarët e rritën prodhimin në pritje të blerësve nga jashtë të premtuar gjatë fushatës elektorale të vitit 2013.

Gjatë vitit 2013, vlerësohet se në Shqipëri u prodhua rreth 2800 tonë duhan, nga i cili, 1200 tonë u eksportuan ndërsa pjesa tjetër u konsumua në vend. Çmimi mesatar i eksportit të duhanit për vitin 2003 qe 400 lekë për kilogramë nga 447 lekë për kg që qe në vitin 2012, sipas të dhënave të Ministrisë së Bujqësisë.

Familjet në zonën e Gurit të Zi arrijnë të marrin deri në 6 kilogramë duhan të tharë për dynym tokë ndërsa çmimi i shitjes me pakicë mund të arrijë në 1500-2 mijë lekë për kilogramë.

 

(Marrë nga agjencia investigative ballkanike BIRN)

————-

 

 

Veprat penale, kryesojnë krimet kundër pronës

 

Krimet kundër pronës zënë përqindjen më të lartë në strukturën e kriminalitetit në Shqipëri. Referuar strategjisë së re të rendit publik, në periudhën 2010-­2014 veprat penale kundër pronës zënë 30 për qind, të ndjekura nga krimet kundër personit me 17 për qind dhe veprat penale në sigurinë rrugore me 10 për qind. Sa i përket veprave penale në fushën ekonomike, ato zënë 9 për qind të strukturës së kriminalitetit në Shqipëri. Për vitin e kaluar, në strategji evidentohet se intensifikimi i luftës kundër kriminalitetit dhe paligjshmërisë, si dhe rritja e besimit të publikut ndaj policisë, ka çuar në një shtim të evidentimit të veprave penale me 27%. Rritja më e madhe u përket fushave të pastrimit të parave me 187.3 për qind, veprave terroriste me 77.2 për qind, krimeve kompjuterike me 62.9 për qind, korrupsionit me 160.8 për qind, drogave me 12.4 për qind dhe trafiqeve të paligjshme me 14.7 për qind.

——-

 

 

Dogana e përbashkët Kosovë-Shqipëri, në territorin shqiptar

 

Kosova dhe Shqipëria do të kenë më së fundmi doganën e tyre të përbashkët. Komisioni Evropian më 16 gusht ka hapur tenderin për ndërtimin e kësaj dogane, që do të jetë në territorin e Shqipërisë. Lajmin e ka bërë të ditur për “Kohën ditore” kryetari i degës së Doganës së Morinit, Edvin Kepi.

Dogana e përbashkët do të jetë në territorin e Shqipërisë dhe kostoja e ndërtimit dhe e pajisjeve të saj do të shkojë deri në 2.3 milionë euro. Ndërtimi i kësaj dogane do të financohet nga Komisioni Evropian, por bashkëfinancues do të jenë edhe qeveria e Shqipërisë dhe ajo e Kosovës.

Projekti për ndërtimin e doganës së përbashkët është hartuar nga një studio projektuese italiane dhe një ndihmë të veçantë në këtë projekt ka dhënë edhe misioni PAMECA (Misioni i Asistencës Policore të Komunitetit Evropian në Shqipëri). “Ndërtimi i doganës së përbashkët në territorin e Shqipërisë është arritur pas 10 takimesh të përbashkëta me palën e Kosovës”, – thotë Edvin Kepi, kryetar i degës së Doganës së Morinit.

————

 

 

Paundi britanik pëson humbje të vlerës

 

Paundi britanik po përballet me serinë më të keqe të humbjeve të tri viteve të fundit. Ditën e premte, monedha britanike mbylli humbjen më të madhe në seri kundrejt dollarit amerikan, që prej krizës financiare globale të vitit 2008. Sipas ekspertëve, tatëpjeta e paundit vjen si pasojë e ngadalësimit të ekonomisë globale dhe asaj britanike, por edhe si pasojë e mendësisë së investitorëve për të përjashtuar mundësinë e rritjes së normave të interesit nga ana e Bankës së Anglisë në terma afat­shkurtër. Vetëm gjatë javës që lamë pas, paundi britanik u zhvlerësua me 0.7% kundrejt monedhës së përbashkët evropiane. Rrëshqitja 5-­javore kundrejt euros është më e madhja që prej muajit korrik të vitit 2013. Ndërkohë, ekonomistët parashikojnë një normë të pandryshuar interesi, në 0.5% edhe gjatë takimit të ardhshëm të Bankës së Anglisë. Ndërhyrja, me shumë gjasa do të fillojë që prej tremujorit të parë të vitit të ardhshëm. Normat e interesit pranë niveleve minimale vazhdojnë që prej vitit 2009. Nga 9 anëtarët e bordit drejtues të Bankës së Anglisë, vetëm njëri prej tyre është në favor të rritjes së menjëhershme të normave.

======

 

 

Studimi: Ekonomia globale përballë rrezikut të staniacionit

 

Ekonomia globale gjendet përballë një rreziku të madh, atë të staniacionit shekullor, dhe për të shmangur diçka të tillë nevojitet një mix politikash që nxisin rritjen. Në këtë përfundim arrin një raport i fundit i konfindustrisë italiane. Raporti thekson gjithashtu faktin se rritja e ekonomisë globale është më ngadaltë se ajo e viteve të kaluara si dhe më e ngadaltë se pritshmëritë. Projeksionet aktuale flasin për një rritje në 3.2% gjatë vitit aktual, si dhe 3.6% gjatë viti të ardhshëm. Këto norma janë shumë larg ritimit të rritjes së periudhës para krizës, kur ekonomia globale rritej me një hap prej 5.1%. Gjatë katër viteve të fundit, projeksionet e rritjes globale janë rishikuar vazhdimisht në rënie. Ngadalësimi i rritjes ekonomike tashmë është një fenomen i përbashkët, por që prek më shumë tregjet në zhvillim. Që prej fillimit të krizës, perspektivat e rritjes janë ulur me gjysmë pikë përqindje në vendet e zhvilluara, nga 2.6% në vitin 2008, në 2.1% në vitin 2015. Ndërkohë, në tregjet në zhvillim, rënia është thuajse me 2 pikë përqindje, nga 7% në vitin 2008, në 5.1% aktualisht. Raporti i konfindustrisë thekson gjithashtu se efektet e krizës ekonomike mbi investimet, tkurrjen demografike dhe mbi prodhimin janë ende mjaft të pranishme.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here