Standard.al

Rama kërcënoi mediat / PD publikon dëshminë e oficerit Zagani: Ministri, i lidhur me bandat e drogës, të largohet

0

 

 

zagani-per-tahirin, intervista e publikuar nga PD“Mbyllja e gojës së medias nga qeveria është një akt i rëndë që duhet denoncuar me forcë, PD në krah të gazetarëve”

 

Gëzim Saliu

 

Partia Demokratike publikoi dje nga selia blu dëshminë e plotë të oficerit Zagani përmes së cilës akuzohet ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, për lidhje me bandat e trafikut të drogës. Deputeti Genc Pollo theksoi se përmes kësaj videoje bëhet e qartë akuza për ministrin, i cili, sipas tij, lejonte të afërmit e tij të transportonin në mënyrë të lirshme lëndë narkotike nga vendi drejt vendeve të BE-së. Një nga dëshmitë më tronditëse të kohëve të fundit, të oficerit të lartë të Antidrogës, Zagani, që flet për lidhjet e ministrit të Brendshëm me bandat e trafikut të hashashit, heroinës e kokainës, u ndërpre me dhunë nga qeveria. Oficeri i lartë i Antidrogës, që ka marrë vlerësime gjatë punës së tij nga partnerët e vendeve fqinje, ka konstatuar banda që transportonin tonelata me drogë, që ishin të mbrojtura, të paprekshme, sepse kishin lidhje me Saimir Tahirin. Ishin të afërm të tij dhe përdornin edhe mjetet e tij private”, – theksoi Pollo.

 

“Ministri të ikë”

Duke iu referuar dëshmisë së oficerit, PD theksoi se provohet se ministri Tahiri është i lidhur tërësisht me bandat e drogës dhe për këtë ai duhet të largohet nga detyra, duke iu nënshtruar hetimit. “Kjo ishte dëshmia e oficerit të lartë të Antidrogës Zagani, i cili në punën e tij shumëvjeçare në Policinë e Shtetit ka pasur bashkëpunim të mirë dhe ka marrë vlerësime pozitive nga policitë partnere të vendeve fqinje. Kjo është një dëshmi që provon atë që është thënë prej muajsh në mënyrë të përsëritur dhe me forcë nga Partia Demokratike ndaj dhe Partia Demokratike dhe opozita kërkon tashmë me zë edhe me të fortë mbas kësaj dëshmie që Saimir Tahiri të largohet nga ministër i Brendshëm dhe t’i nënshtrohet hetimit penal”, – theksoi Pollo. Ndërkaq, në selinë blu u transmetua e plotë videoja e intervistës me oficerin Zagani, pasi, sipas autorit të saj, gazetarit Çollaku dy mediat, me të cilat ishte lidhur për të publikuar intervistën, “News 24” dhe “Gazeta shqiptare” u shantazhuan nga pushteti dhe nuk paraqitën pjesën e dytë dhe të tretë të intervistës. Lidhur me këtë PD theksoi se mbyllja e gojës së medias nga qeveria është një akt i rëndë që duhet denoncuar me forcë. “Kjo pjesë thelbësore e dëshmisë së oficerit u ndërpre nga kërcënimet e qeverisë, të Edi Ramës e Saimir Tahirit ndaj stafit dhe pronarëve të televizionit “News 24”. Autori i intervistës e botoi më pas të plotë në rrjetet sociale. Partia Demokratike është në krah të dhe në mbështetje të gazetarëve, televizioneve, portaleve dhe të gjitha mediave që duan të japin të vërtetën për publikun e tyre, për lexuesit dhe shikuesit. Edhe kur ato bien në shantazh, edhe kur ato në një moment mund të çedojnë, ne përsëri do ti përkrahim që të jenë një kanal i së vërtetës për publikun e tyre. Është rast i paprecedent, ndaj sërish apeli për të tërë ata që kanë në mision të punës së tyre të përditshme lirinë e fjalës dhe lirinë e medias, lirinë e gazetarëve për të dhënë në publik gjetjet e tyre, të ngrenë zërin dhe të provojnë që janë për atë që janë”, – theksoi deputeti demokrati.

 

 

Komisioni Evropian merr masa kundër azilkërkuesve, Shqipëria do të shpallet vend i sigurt origjine

 

Komisioni Evropian pritet të shpallë ditën e mërkurë Shqipërinë si vend i sigurt origjine, krahas shteteve të tjera të Ballkanit Perëndimor. Lajmi u bë i ditur në të përditshmen “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, e cila u referohet deklaratave të zyrtarëve në Bruksel. Të mërkurën, Komisioni do të publikojë listën e shteteve, që do të konsiderohen vende të sigurta origjine nga të gjitha vendet anëtare. Krahas vendeve të Ballkanit Perëndimor, në listë do të përfshihet edhe Turqia. Sipas “Frankfurter Allgemeine Zeitung”, për të parën herë lista do të zgjerohet edhe me vende jashtë Evropës. Ndër to pritet të jenë edhe Bangladeshi, Pakistani e Senegali. Gjermania e ka ndërmarrë prej vitit të kaluar, një hap të tillë me vende ballkanike, si Serbia, Maqedonia e Bosnje-Hercegovina. Përfshirja e Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi është aktualisht në diskutim, në rangjet e brendshme politike, shkruan e përditshmja gjermane. Shpallja si vende të sigurta origjine do të përshpejtonte kthimin prapa të azilkërkuesve nga këto vende, të cilët emigrojnë në vendet evropiane për arsye ekonomike, çka nuk përbën motiv për azil. Pasi Komisioni Evropian të publikojë listën, do të jetë Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut që do të vendosë për rastet kur azilkërkuesve nga vendet e konsideruara të sigurta, mund t’u jepet e drejta e azilit. Komisioni Evropian shkruan në arsyetimin e tij se raste të tilla të izoluara ka në Shqipëri dhe përmend ato të gjakmarrjes, dhunës familjare apo diskriminimin e pjesëtarëve të pakicave etnike si rasti i komunitetit rom.

 

 

Marrëveshja

Panariti në Ukrainë, eksportuesit shqiptarë, procedura të thjeshtuara tregtare

 

Ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti, zhvilloi dje një vizitë në rajonin e Kharkivit të Ukrainës, ku arriti të nënshkruante një marrëveshje. Sipas kësaj marrëveshjeje, prodhimet shqiptare të fruta-perimeve tashmë do të tregtohen edhe në Ukrainë, pasi eksportuesit shqiptarë do të kenë procedura të thjeshtuara tregtare dhe fitosanitare. “Prodhuesit shqiptarë të frutave dhe perimeve janë të gatshëm të eksportojnë prodhimet e tyre në tregjet e Ukrainës dhe prania ime këtu, synon ta përshpejtojë këtë proces nëpërmjet nënshkrimit të marrëveshjeve për lehtësimin e procedurave tregtare dhe fitosanitare”, – theksoi ai. Ndërkaq, një grup zyrtarësh dhe biznesesh bujqësore të Ukrainës pritet të vizitojnë së shpejti Shqipërinë për lidhje të marrëveshjeve në fushën e import-eksporteve bujqësore midis dy vendeve.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.