Debati/A ka qenë Kuteli oficer i nazizmit?!

0
183

 

images7

 

 

Dy letra për Lasgush Poradecin, çfarë po ndodhte në Stalingrad?!

Violeta Murati

A është dënuar Mitrush Kuteli në diktaturë për shkak të “mobilizimit” në Frontin e Lindjes apo ka versione të tjera të heshtjes së tij?! Dy letra midis dy bashkëvendësve, Lasgushit dhe Kutelit, në fillim të viteve `40, sillen si argument për t’u zbardhur nga trashëgimtarët e shkrimtarit për të rrëzuar versionin që qarkullon në librat e Kadaresë: se Kuteli ka marrë “pjesë në betejën e Stalingradit, si oficer i ushtrisë gjermane”. Ndonëse familjarët kanë treguar se i kanë dërguar një letër Kadaresë, në fillim të `90-ës, për të ndrequr pasaktësitë, ata përsëri këmbëngulin se ky shkrimtar ka vazhduar me të pavërteta edhe tani, më 2015.

Pas çlirimit, Kuteli dënohet me dy vite burg, por shkrimtarë të rëndësishëm, zyrtarë të kohës, edhe sot, shkruajnë të pasigurtë në bëri një apo dy vjet burg?! Kuteli heshti dhe u mor vetëm me përkthime në diktaturë, iu ndalua botimi! Ai u fshi nga lista e shkrimtarëve, ashtu si shumë të tjerëve pas `45-ës.

Trashëgimtarët për herë të parë ndalen në këto momente, duke dhënë versionin e tyre mbi këto ngjarje të jetës së shkrimtarit. Atalanta, Doruntina dhe Pandeli Pasko në librin “Netë moldave” japin në parathënie e tij dëshminë e tyre, çfarë ka ndodhur me “njollën e errët” kur Kutelit iu edha akuza si “armik i popullit” dhe u dënua “për agjitacion e propagandë”, ndërsa ngrihen nën zë akuza politike, mirëfilli.

Personazhi që i adresohen drejtpërdrejt është shkrimtari Ismail Kadare, të cilin e rëndojnë me akuzën se ka thënë të pavërteta për jetën e Kutelit, të lidhura me momentet që kanë vendosur fatin e tij në diktaturë. Arsyeja pse janë përgjigjur tani, në një libër për të atin, si duket kanë ngacmimin, si shkak, nga dy botime: eseistika “Ardhja e Migjenit në letërsinë shqipe”, si dhe libri i fundit i Kadaresë, “Mëngjeset në kafe Rostand”, me pretendimin se edhe pas diktaturës ky shkrimtar ka bërë të njëjtat “gabime”, si shkrimtarët zyrtarë të kohës, duke mos saktësuar të dhënat mbi jetën e Kutelit, që i kushtoi ndalimin e së drejtës së botimit.

Ndërsa një numër më parë gazeta “Standard” solli dëshmitë e trashëgimtarëve dhe rrëfimet e tyre mbi jetën e Kutelit, e sidomos për të dhënë fakte mbi përfshirjen ose jo në Frontin e Lindjes ose, siç e thonë, në përndjekjen që mendojnë se u bë “fantazma e Stalingradit”, po në librin e vogël “Netë moldave”, botojmë sot edhe dy letrat e rëndësishme midis Lasgushit dhe Kutelit.

Dy letrat e mëposhtme, që Kuteli ia dërgon Lasgush Poradecit, ndonëse janë pjesë e veprës së katërt, të korrespodencës së dy shkrimtarëve (AlbPaper, Tiranë, 2010, f. 193), ato përsëri risillen nga trashëgimtarët për të treguar të kundërtën zyrtare të kohës së diktaturës, version i artikuluar nga Kadare.

“Kemi përfshirë këtu edhe dy letrat dërguar bashkëvendësit të tij, poetit Lasgush Poradeci. Në të parën, në maj 1941, Kuteli shkruan se ka ndërmend të kthehet në vendlindje. Nga e dyta, në janar 1942, mësojmë se ka qenë i mobilizuar, por tashmë ndodhej në Bukuresht”, – shkruajnë në parathënie të “Netë moldave”. Ky është moment që trashëgimtarët thonë se nga shkrime të familjarëve është mësuar se rrugëtimin drejt frontit Kutelit ia pati ndërprerë jo ndonjë çudi a mrekulli, por një telegram i dërguar drejt Bukureshtit nga Korça, ku ai njoftohej për sëmundjen e rëndë të së ëmës në Pogradec. Si duket, dy letrat e mëposhtme përkojnë me këtë ngjarje, që referuar këtij versioni, heq nga kurrizi i Kutelit “rëndesën” e një akuze politike.

 

***

 

Lasgush Poradeci

Rruga e Shëngjergjit nr. 5

Tiranë Albania

Bukuresht 29 maj 1941

 

I dashur Llazar

Letrën e mora. Fort më hidhëroij pushimi i Mëmës s’atë të dhemshur. Kështu është jeta. Lotë e dhembje. Si ka qenë në fillim. Të jesh i lumtur se e pate parë shpesh në vitet e fundit. E se ka një varr ku munt të gjunjëzosh

Jam mirë. Shkruajm në drejtimin e vjetër – pa as një titull, përveç emrit. Dëshëroj të nisem që të shoh vendin t’im. Ç’u bë libra që pregatitnje? A munt të të dërgoj dorëshkrime nuvelash për do një të përkohëshme?

Me dashuri Kuteli

 

 

Egregia Signior Dott Lasgush Poradeci

Profesore Tirana

24 janar 1942, Bukuresht

 

I dashur Llazar,

Letrën t’ënde të shkrojtur në Poradec më 23 të korrikut 1941 e mora sot më 22 janar 1942. S’di as unë ku munt të kish ngecur, si ngjan dendur në rrethana të jashtëzakonshme, si këto t’onat. Unë jam mirë: dimëroj. T’a këndova me gëzim vjershën “Durimi”. Më pëlqen alternanca e tetë dhe pesë rrokjeve. Kjo i jep intensitet dhimbjes së brendshme. Prej shumë kohe, në arratime të reja e të vjetra, nuk pata dëgjuar e folur shqip…

Ja po të dërgoj edhe unë një vjershë t’imen. Pa fjalë se poezija nuk është fusha ime. Ti fort mirë e di. Po, janë rrethana kur edhe korbi- jo vetëm bilbili 0 ndjen shtytjen e brendëshme, të buçasë. Se zëri i tij nuk i ngjan erës së temjanit pot ë katranit, kjo është e vërtetë.

“Vdekja ime” është një farë “elegjije” ose “vajë” si thua tinë. Masa: tetë e gjashtë rrokje që munt të pasqyrojë më mirë regëtimet e shpirtit. E shkrojta në Tetor 1941, kur marshoja për në ballin e luftës (këtë punë ti lipset t’a mbash për vete, të pa thënë, – nuk është mirë t’a dijë as Nëna as Babaj, e asnjeri!)

Dy sende m’a patnë turbulluar, asohere, shpirtin: malli i tronditshëm i vendit, i baltës s’onë, edhe dhembja e Nënës. Nga shtatë strofat, një është për hyrje, tri për tokën, tri për Nënën.

Ti po t’a gjesh të udhës mund t’a shtypësh pa asnjë shpjegim mi rethanat që të shkrojta.

Më duket se kam disa dorëshkrime proze, të vjetra. Po të gjej rast, do të t’i dërgoj. Dua të shtyp së shpejti (dorëshkrimi është afron gati) një volum të vogël me folklore “Cantece si descantece din moldova mica – Transnistria” të mbledhura prej meje përtej lumit Nistër.

Edhe njëherë, përsëri, të lutem që prindërit nuk lipset të dinë se isha edhe unë përtej. Tjatër herë të kam për të shkruar, ty, rethanat.

Me dashuri, yti – Dhimitraq

 

Po të vdes në dhe të huaj

-Shorte mërgimtari-

Të m’a bëni varrin t’im,

Ku do bje së pari

 

E një grusht nga balta jonë,

-Dhe nga dheu i vetë-

Të më sillni e t’a vini

Drejt në zemr e shkretë.

 

Do më çlodhet q’asohere

Trup i rraskapitur

Ky trup që kaqe dëshirime

M’a patnë zhuritur

 

Se kjo balt e vendit t’onë

Mallet do m’i shuaj,

S’do më duket fort i rëndë

Po ky dheu i huaj…

 

Pa të vini të m’i thoni

Nj’asaj Nënës s’ime:

Zi mos qajë, zi mos mbajë

Po asnjë thërrime;

 

Se m’i lumtur jam i fjetur

Se sa i mërguar,

Mot pas moti arratije

Zemër copëtuar.

 

Pa fytyr’ e saj e tretur

-Që e kam ikonë-

Lart mi varr do më qëndrojë

Sot e përgjithmonë…

Mitrush Kuteli

Ukrainë, Tetor 1941.

 

 

Box gri

 

Kuteli dhe “Netë moldave”?!

Parathënia është: “Fantazma e Stalingradit dhe Mitrush Kuteli”. Këtu sqarohen nga trashëgimtarët disa anë të errëta që lidhen mes Kutelit dhe Kadaresë, po sidomos në hapjen dhe njohjen e shkrimtarit. Botimi “Netë moldave” ishte përfshirë brenda librit “Rrëfime me të gjallë e me të vdekur”, për të cilin Kuteli i pati drejtuar më 19 nëntor 1945 një letër Ministrisë së Kulturës, ku kërkonte një “autorizim” për ta shtypur. Në fakt, tregimi “Netë moldave”, siç bëhet me dije në parathënie, është botuar së pari në mars 1944, në revistën “Kritika” të Arshi Pipës. Një “ngjarje pa ngjarje” në dimrin e vitit 1941, kur Kuteli ndodhej në Ukrainë që sipas trashëgimtarëve ishte i mobilizuar në trupat rumune që u dërguan në frontin rus. Në parathënie të “Netë moldave”, sqarohet se ishte mobilizimi i detyruar, pasi Kuteli jetonte e punonte në Rumani si shtetas rumun.

Shënime dhe kujtime nga muajt e këtij mobilizimi, familjarët shënojnë se kishte botuar që më 1943 si tituj më vete ose teksa shkruante për Kosovën, për Taras Shevçenkon, apo kur i paraqiste lexuesit këngë popullore. “Kutelit as nuk i shkonte në mend ta fshihte këtë episode të jetës së tij, aq më pak të kishte frikë se kjo një ditë mund t’i kthehej në akuzë politike: historitë e luftës ishin ende të gjalla dhe njihej mirë dënimi i njerëzve “të padëshiruar” me dërgim në frontin e luftës. Për çdo qytetar kjo ishte fatkeqësi, ndërsa në raste si rasti i Kutelit, ishte ndëshkim: ai, dr. Pasko, drejtor i Bankës Kombëtare në Bukuresht, u kishte bërë rezistencë projekteve në favor të kapitalit gjerman e në dëm të pasurisë vendase në Rumani: për këtë miqtë i kishin thënë të bënte kujdes, mbasi i kishin hapur një skedë të zezë në Gestapon e Vjenës” (Kuteli, letra drejtuar bashkëshortes (Testamenti), Hylli i Dritës, nr. 3-4, 1994, f. 74).

Trashëgimtarët e Kutelit ndalojnë në këtë çështje, duke e paraqitur ndoshta si argumentin kryesor për përndjekjen e shkrimtarit në diktaturë, ku shënojnë se “dy vite pas luftës, “mobilizimin e detyruar” filluan t’ia përflisnin (jo ballazi) si “angazhim në luftë”, në krahun e forcave gjermane që sulmuan Bashkimin Sovjetik”. Shtojnë se e bënë edhe pjesë të “Rojës së hekurt”, një fakt që e kundërshtojnë, se Kuteli s’kishte asnjë lidhje.

Madje, këmbëngulet me bindje përse i ka ardhur “dënimi” Kutelit, se “duke mos gjetur dot një element për të fajësuar në veprimtarinë praktike si ekonomist apo si publicist e shkrimtar, e sulmuan jo për një veprim të tij, po për një pësim!”

Në “Netët moldave”, trashëgimtarët hedhin mendimin, ndoshta për herë të parë, se kjo akuzë vinte nga rrethet letrare. Me këtë akuzë argumentojnë si nisi “heshtja” ndaj Kutelit, refuzimi. Rasti është kur iu kërkua Kutelit të hartonte një tekst të lëndës së folklorit për Institutin e Folklorit që pritej të ngrihej, ku i kishin ofruar të angazhohej si pedagog. Familjarët tregojnë se Kuteli e punoi dhe e dorëzoi tekstin, por kaluan muaj dhe përgjigje s’mori.

 

 

 

Info/kult

 

Dy botime të reja të veprës së Edith Durhamit

 

 

I pari është “Twenty Years of Balkan Tangle” (Njëzet vjet ngatërresa ballkanike) nga Edith Durham – një ribotim i veprës së autores së madhe angleze nga viti 1920, që Elsie e ka përfshirë në kolanën e re të botimeve “Albanian Studies”. Në gjuhën angleze sapo janë publikuar dy botime të reja të veprës së Edith Durhamit me temë Shqipërinë dhe shqiptarët, nën editimin e Robert Elsie-t. I pari është “Twenty Years of Balkan Tangle” (Njëzet vjet ngatërresa ballkanike) nga Edith Durham – një ribotim i veprës së autores së madhe angleze nga viti 1920, që Elsie e ka përfshirë në kolanën e re të botimeve “Albanian Studies”. Po në këtë kolanë është përfshirë edhe “High Albania” (Shqipëria e Epërme) e Durhamit – një ribotim i veprës së autores së madhe angleze, të cilin Elsie e cilëson si libri më i mirë për Shqipërinë! I dyti është “Albanian Studies”: “The Burden of the Balkans” (Barra e Ballkanit) nga Edith Durham – një ribotim i veprës së autores së madhe angleze nga viti 1905 – Libri është për udhëtimin e Durhamit në Maqedoni për të ndihmuar viktimat e kryengritjes, dhe për udhëtimin e saj në Shqipërinë e Jugut në vitin 1904.

 

 

Një poet arbëresh në Muzeun arkeologjik të Durrësit

 

Muzeu arkeologjik i Durrësit ka mikpritur këto ditë poetë dhe artdashës, të cilët ishin pjesë e promovimit të vëllimit me poezi malli “Vulë uji”, nga autori arbëresh Zef Kjaramonte.

Poeti që jeton dhe punon në Palermo është më shumë i njohur si studiues i Europës Juglindore dhe si autor i vëllimeve “Ne vijmë nga Shqipëria”, “Toka e Kostandinit: Bizantinë, Arabë, Normanë dhe Shqiptarë” etj. Veprimtaria, ku merrnin pjesë letrarë dhe intelektualë vendas, shtetas italianë me banim në Durrës, klerikë, u moderua nga violinistja e njohur Nevila Kalaja dhe poetja vlonjate dhe pedagoge në katedrën e letërsisë shqipe të Universitetit “Aleksandër Moisiu” Durrës Alisa Velaj. Kritiku Piero Longo shkruan në hyrje të librit se ai është “thuajse një biografi sintetike në vargje, ku historia personale, dashuria, përditshmëria dhe kujtesa e së kaluarës përbëjnë një humus poetik që kthehet në një këngë”. Autori është mjaft i njohur edhe për leksionet dhe seminaret në Universitetet e Selanikut dhe Prishtinës, si dhe për referimet e shumta në Itali, Shqipëri, Kosovë, Francë, Mal i Zi dhe Maqedoni. Muzeu arkeologjik i Durrësit ka një përvojë të mirë në organizimin e aktiviteteve muzikore, ndërsa kjo është hera e parë që ai mirëpret një veprimtari letrare – poetike.g.kabashi

 

 

Tri çmime për filmin “Ballkoni”, në Los Angeles

 

Ishte i nominuar për shtatë çmime dhe arriti të fitojë tre prej tyre. Ky është suksesi i fundit i filmit “Ballkoni”, që ka qenë pjesë e Festivalit të Filmit “Cinerockom”, në Los Angeles.

Sevdai Radogoshi, që ishte njëri nga të nominuarit e këtij festivali po qëndron në Los Angeles dhe për KultPlus ka treguar për sukseset e fundit të filmit “Ballkoni”. “Filmi “Ballkoni”, është shpërblyer me tre çmime dhe ishte fantastike”, ka thënë Radogoshi i cili edhe nëpërmjet fotografive ka treguar se dy çmime të arta i janë ndarë filmit “Ballkoni”, një për filmin më të mirë dhe tjetri për regjinë më të mirë, që i takon regjisores, Lendita Zeqiraj. Kurse çmimi i platinit ka shkuar për aktorin e këtij filmi, Arben Bajraktaraj.

Radogoshi më pas ka treguar se përpos çmimeve, filmi është pritur shumë mirë edhe nga publiku. “Jam befasuar për këtë arritje të filmit “Ballkoni”, sepse konkurrenca ka qenë shumë e madhe”, ka thënë ai duke shpjeguar se përgjatë kësaj gare ka pasur shumë emocione.

“Pasi isha përfaqësues i filmit, ishte një emocion i veçantë, pasi të gjithë aktorët e filmave të shumtë dhe të regjisorëve të famshëm botërorë më uronin për çmimet e filmit “Ballkoni””, ka thënë ai, duke treguar se është shumë i kënaqur me pritjen që i është bërë atje, duke specifikuar edhe kujdesin nga ana e drejtorit të festivalit, Gabriel Schmidt.

“Ishte një aventurë e mirë, dhe kjo falë punës së mrekullueshme të regjisores Lendita Zeqiraj”, ka thënë Radogoshi duke mos harruar të falënderojë edhe krejt ekipin e filmit, film i cili po vazhdon të shpërblehet në festivale të rëndësishme ndërkombëtare.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here