Standard.al

Ambasadorit Donald Lu:Reforma në drejtësi nuk mund të bëhet me ata që dhunuan të drejtat dhe liritë e njeriut në diktaturë!  “Të jesh luftëtar i së vërtetës dhe i së drejtës në një vend ku sundojnë gënjeshtra dhe padrejtësia është një detyrë fisnike e njerëzore.

0

 

downloadPolitika, shtypi, ndërkombëtarët dhe gjithë opinioni po presin me të drejtë që sistemi në drejtësi t’u nënshtrohet reformave demokratike që kërkon standardi i një shoqërie të lirë si dhe një ndër kërkesat më imediate të Bashkimit Evropian ndaj Shqipërisë. Deklarata të pafund po dëgjojmë se reforma në drejtësi është e domosdoshme dhe jetike për një sistem të pakorruptuar të drejtësisë, por si dhe qysh do të bëhet kjo reformë, asnjë nuk jep përgjigje të saktë, me të cilët duhet ta pranojë shoqëria këtë reformë; se reformat në një vend të lirë bëhen për t’i shërbyer shoqërisë dhe jo pushtetit politik. Ky sistem drejtësie që kemi tani, para 11 vitesh, në 2004, u aprovua nga kjo mazhorancë që ishte në pushtet atë vit. U tha se këtë sistem e ka aprovuar dhe miratuar Komisioni i Venecias me “Profesorin e madh të drejtësisë shqiptare si përfaqësues i Shqipërisë në atë Komision, autorin e kushtetutës diktatoriale të vitit 1976”. Ç’ndodhi mbas aprovimit në Parlamentin e majtë të vitit 2004!? I gjithë sistemi i drejtësisë u bë monopol i prokurorëve, gjyqtarëve, të cilët i kanë shërbyer me një zell diktaturës dhe që kanë dënuar e dhunuar të drejtat dhe liritë e njeriut, që kanë dënuar qytetarët kundërshtarë të diktaturës, që kanë dënuar pronarin dhe i ka konfiskuar pronën, që kanë dënuar oponencën. Hetues, gjyqtarë, prokurorë të makinerisë së krimit i kemi sot të instaluar në të gjitha institucionet e shtetit dhe që kanë bërë ligje t’i ruajnë këto vende me afat kohor 5-vjeçar e 9-vjeçar dhe marrin paga të majme nga taksapaguesit shqiptarë. A u përgjigjen kërkesave dhe kohës për të bërë reformë në drejtësi këta juristë të diktaturës komuniste staliniste? Të njëjtët ekspertë dhunues të të drejtave dhe lirive të njeriut në diktaturë shfaqen sot për të bërë reformën në drejtësi. A meritojnë këta që të emërohen në organet e gjyqësorit shqiptar? Ajo që të tërheq vëmendjen është fakti se shumica e gjyqtarëve apo hetuesve të ish-diktaturës kriminale të komunizmit stalinian shqiptar, gjatë 25 viteve të pluralizmit, jo vetëm nuk patën kurajën apo ndërgjegjen qytetare t’u kërkonin falje mijëra qytetarëve që i dënuan si kundërshtarë të diktaturës apo se mbronin të drejtat dhe liritë e njeriut, por me hipokrizinë tipike të një mentaliteti utopist thonë se ne zbatuam ligjin.

Cilin ligj zotërinj? Ligjin e dhunës, ligjin e torturës, të internimit, të mohimit të të drejtave njerëzore!? A nuk janë këta prokurorë dhe gjyqtarë, të cilët e zhvilluan inkuizicionin edhe më me shumë mizori sesa në kohën e feudalizmit mesjetar? Me ç’të drejtë morale këta juristë leninistë marrin përsipër të bëjnë drejtësi në një kohë ata nuk janë në gjendje të gjykojnë pozicionin e tyre përballë historisë dhe shqiptarëve që edhe sot e kësaj dite vuajnë bëmat e tyre apo mos vallë duhet që edhe brezat që vijnë të vuajnë bëma akoma më të thella po prej tyre. Kur dëgjojmë në media, zoti Ambasador Donald Lu se drejtësinë në Shqipëri po e bëjnë ata që dështuan në vitin 2004, se për hirë të së vërtetës po ai komisionerë politikë militantë ekstremistë të së majtës janë paraqitur edhe në këtë komision ekspertësh. Kryetari i Komisionit të Ligjeve, një politikan që ka qenë i angazhuar në poste ideologjike të diktaturës, duke i shërbyer diktatorit të cilin e përqafonte në mitingjet dhe ndihej krenar për besueshmërinë që kishte ndaj tij, deklaron në media se politika nuk ka dorë në reformë, por janë ekspertët ata që po e përgatitin. Gënjeshtër dhe hipokrizi e tij dhe e Kryeministrit Rama që e kujton reformën si një aksion të diktaturës në shërbim të pushtetit të tij absolut dhe jo reformë ligjore në shërbim të shoqërisë dhe sistemit demokratik.

Dhe kjo më kujton mallkimin e Amosit në Biblen e Vjetër: “Ju (sundimtarë) urreni çdo njeri që kundërshton padrejtësinë, cilindo që flet të vërtetën e plotë para gjykatësit. Ju keni shtypur të varfrin dhe keni grabitur djersën e punës së tij. Ju persekutoni njerëzit e mirë, ngopeni me bakshishe dhe përbuzni të varfrit sa herë që ata kërkojnë drejtësi…”

Përndjekja politike është një realitet i gjallë i krijuar prej tyre dhe kjo nuk duhet të harrohet madje as nga ata vetë. Mendoj se duhet të jemi tepër të kujdesshëm në përzgjedhjen e juristëve, të cilët do të mandatohen për bërjen e drejtësisë në këtë vend. Është kohë e ndryshimeve të mëdha dhe të domosdoshme. Është koha e përfundimit të një tranzicioni të gjatë dhe të lodhshëm dhe ky përfundim i tranzicionit duhet të jetë edhe një kohë e përfundimit të reformës në sistemin gjyqësor në të gjitha aspektet e tij, moral, profesional dhe mental. Nuk mund të luftohet korrupsioni në drejtësi, për aq kohë sa gjykatat nuk do të jenë në nivelin e një gjykate bashkëkohore, me anëtarë, të cilët të jenë njerëz të shquar dhe të ndershëm trima e kurajoz dhe të mos tronditen nga telefonatat e Kryeministrit apo të Kryetarit të Parlamentit… Juristët, të cilët vijnë nga diktatura, nuk ma do mendja t’i plotësojnë të paktën këto kritere dhe ajo që është më e keqe akoma nuk mund të luftojnë korrupsionin, se korrupsioni është mentalitet dhe pjellë e diktaturës.

Institucionet ndërkombëtare lëshojnë alarmin se gjyqësori shqiptar është nga më të korruptuarit në Evropë. Këto sinjale alarmuese janë shumë shqetësuese për shoqërinë shqiptare. Duke ndjekur me shumë vëmendje zhvillimet politike në Shqipëri, por në veçanti zhvillimet që ndodhin në sistemin e drejtësisë, mendoj se me sistemin e drejtësisë duhet të punohet më shumë dhe shumë seriozisht.

Drejtësia dhe vetëm drejtësia do të garantojë demokracinë dhe rregullat e saj. Prandaj, me dhimbje konstatoj se po bëhet pak për të mos thënë aspak për të ngritur një gjyqësor të pavarur dhe profesionist në Shqipëri. Ende vazhdohet të promovohen ish-gjyqtarë të diktaturës, ata që ligjëruan luftën e klasave dhe dhunuan të gjitha parimet e drejtësisë. Dhe qëllimi i këtyre eksperteve nuk është ligji për drejtësinë, por zëvendësimi i juristëve të vjetër me pinjollët e tyre, siç kanë bërë me politikën në këtë 25-vjeçar. Shembulli më i keq ishte se për 10 minuta mblidhet Komisioni i Ligjeve dhe Parlamenti për Shkollën e Magjistraturës vetëm që atë institucion ta drejtonte një besnik ideologjik i së majtës me mbështetjen politike të diktaturës dhe nga këto veprime jo të ligjshme heshti edhe opozita, heshtën mediat dhe sot ky është në komisionin e ekspertëve që na e paraqesin para publikut si të pavarur. Parlamentarët tanë nuk kanë parasysh faktin se:

Të jesh gjyqtar do të thotë në radhë të pare të jesh një njeri me parimet më të larta dhe me një figurë të pastër e me një ndërgjegje të paprekur nga veset e diktaturave apo të korrupsionit.

Ata që zhvilluan luftën e klasave nuk mund të udhëheqin drejtësinë, pasi ata nuk i njohin parimet e barazisë dhe të ligjshmërisë; edhe nëse i kanë mësuar gjatë viteve të demokracisë, e kanë të pamundur që t’i zbatojnë, për shkak të ndërgjegjes së tyre. Ulpiani, një jurist i vjetër romak, thoshte: tri janë parimet e drejtësisë: Të jetosh me nder, të mos i bësh dëm tjetrit dhe t’i japësh gjithsecilit atë që i takon.

Nëse drejtësia sot ka probleme dhe është më e kritikuara, ne duhet të pranojmë pikësëpari se ajo përballet në radhë të parë me një krizë të thellë morale brenda radhëve të saj, pasi parimi i barazisë, i konkurrencës së ndershme, i promovimit mbi bazën e vlerave dhe aftësive profesionale. Shoqëria shqiptare duhet ta dijë që kjo krizë nuk do të eliminohet kurrë, për aq kohë sa në radhët e gjyqësorit shqiptar do të vazhdojë të sundojë mentaliteti diktatorial i përqendrimit të kompetencave në duart e një grupi tepër të ngushtë dhe të dyshimtë njerëzish, që kartën e juristit e përdorin në mënyrë ideologjike apo më keq akoma për afera korruptive. Politika ka përgjegjësinë ligjore, institucionale, por edhe historike për t’i dhënë fund mentalitetit komunisto-diktatorial dhe influencave të atyre që pengojnë konkurrencën e ndershme dhe promovimin mbi bazën e aftësive profesionale të gjyqtarëve, në mënyrë që edhe Shqipëria të jetojë me të vërtetën dhe drejtësinë si të gjithë popujt e tjerë të Evropës Perëndimore.

E papranueshme për një sistem demokratik t’i heqësh kompetencat Presidentit dhe të mos pranosh konsulencën e këtij organi kushtetues e drejtues të vendit, të mos marrësh parasysh mendimin e klasës së të përndjekurve politikë, që fatmirësisht sot i ka kapacitetet në radhët e saj për të dhënë kontributin në këtë reformë jetike për demokracinë. Kjo s’është as më shumë e as më pak, vetëm diktaturë në një sistem të brishtë demokratik. Parlamenti duhet të ketë në konsideratë edhe rezolutën e fundit të Këshillit të Evropës për dënimin e krimeve të komunizmit, e cila u drejtohet të gjitha vendeve të Evropës Lindore për të nxjerrë përgjegjësit e krimeve gjatë kohës së komunizmit. Kjo rezolutë duhet të jetë udhërrëfyese për reformën në drejtësi. Zoti Ambasador Lu, në procedurën e ligjit të dëmshpërblimit, të përndjekurve politikë që duhet të dorëzojnë dokumentacionin, është dhe një kopje vendimi e gjykatës që i ka dënuar gjatë diktaturës dhe në këto vendime do të shikosh me qindra emra gjyqtarësh dhe prokurorësh që sot janë në drejtimin e gjyqësorit shqiptar dhe fatkeqësisht edhe në komisionin e “ekspertëve të pavarur” të trumbetuar nga kjo mazhorancë, i kanë emrat në vendimet që i kanë dënuar dhe masakruar këta qytetarë që ishin kundërshtarë të regjimit. Prandaj, zoti Ambasador, ka ardhur koha, që ju si një mik dhe përfaqësues i shtetit më demokratik në botë që e doni vendin dhe popullin tim, të ndërhyni për të ndaluar katastrofën që duan të bëjnë këta “ekspertë” dhe komisioni politik i Parlamentit për reformën në drejtësi. Reforma të jetë bashkëkohore dhe t’i shërbejë shoqërisë sonë të traumatizuar nga diktatura komuniste. Ju, zoti Ambasador Lu, duhet të na ndihmoni që me reformën në drejtësi të jenë konkurrues bij dhe bija të shtresës më fisnike të kombit, të cilët janë të arsimuar dhe të vetëdijshëm për t’i shërbyer kombit me integritet dhe ndërgjegje kombëtare, siç janë të përndjekurit politikë që përfaqësojnë mbi 30% të shoqërisë shqiptare. Ata që vuajtjet e diktaturës i kthyen në paqe dhe jo të ngelet drejtësia monopol i ideologëve të diktaturës që kanë kapur politikën dhe ekonominë në këtë vend.

Mendoj se një kërkese e tillë duhet të kihet në konsiderate nga Ju, si mbrojtës i lirive dhe demokracisë zoti Lu, pasi shoqëria shqiptare është më e masakruara nga diktatura komuniste.

Mendoj se duhet të respektohen të drejtat e gjithkujt në këtë shoqëri, por historia jep gjithmonë një këshillë të vogël me një filozofi të madhe: Gabimet nuk duhet të përsëriten”.

Sistemi i drejtësisë në Republikën e Shqipërisë duhet të pastrohet nga njerëzit, të cilët e zhvilluan inkuizicionin përtej kufijve mesjetarë dhe duhet të pasurohet me juristë profesionistë, me integritet të lartë moral dhe profesional, në mënyrë që ajo të jetë në krye të një sistemi, tek i cili shqiptarët duhet të kenë shumë besim. Shqipërisë nuk i mungojnë njerëzit e ndershëm dhe profesionistë. Papa Gjon Pali i Dytë, ky gjigant i rrëzimit të diktaturave komuniste, na mëson: Aty ku nuk ka drejtësi, nuk ka paqe… dhe ne kemi nevojë për drejtësi, që të mbrojmë paqen e arritur mbas 45 viteve diktaturë.

Besim Ndregjoni, aktivist i të drejtave dhe lirive të njeriut

 

 

 

Fq9

 

Problematikat e arsimit parauniversitar me ndarjen e re te territoriale

 

Dr. Ndriçim Mehmeti

 

 

Sikundër është bërë e njohur, tanimë vendi ynë ka një ndarje të re territoriale me vetëm 61 bashki dhe asnjë komunë. Ndarja e re territoriale, përpos shqetësimeve në fusha të ndryshme të shërbimit që i takojnë pushtetit vendor, krijon një problematikë të rëndësishme në mënyrën e administrimit të arsimit parauniversitar. Bashkitë e reja e shtrijnë territorin e tyre e si rrjedhim i kësaj edhe juridiksionin e tyre, në një territor më të gjerë se ai i mëparshëm. Për pasojë edhe detyrimet e tyre janë shumë herë më të mëdha në raport me arsimin parauniversitar se më parë.

 

Si do të rregullohen raportet e bashkëpunimit institucional mes drejtorive arsimore rajonale (DAR) dhe zyrave arsimore (ZA) me bashkitë e reja?

 

Në nenin 28 të ligjit 69/2012, “Për arsimin parauniversitar në Republikën e Shqipërisë”, njësitë arsimore vendore, veç garantimit të sigurisë, rikonstruksionit e ndërtimit të godinave shkollore, kanë për detyrë regjistrimin e nxënësve të shkollës në arsimin parauniversitar. Në nenin 28, pika 3, thuhet shprehimisht: “Njësia bazë e qeverisjes vendore, në bashkëpunim me njësinë përkatëse arsimore vendore dhe institucionet arsimore publike, është përgjegjëse për regjistrimin e nxënësve në shkollat publike të arsimit të detyrueshëm me kohë të plotë”. Njësia bazë vendore që në këtë rast është Bashkia e Tiranës, me cilën njësi përkatëse arsimore vendore do të bashkëpunojë për regjistrimin e fëmijëve me Drejtorinë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë apo me Drejtorinë Arsimore Rajonale të qytetit Tiranë? Po për identifikimin e godinave që duhen riparuar, që duhen dezinfektuar, ngrohur, ruajtur nga dëmtimet, sigurimin e jetës së mësuesve dhe nxënësve? Po kështu ndodh edhe në territore të tjera të vendit, për të cilat natyrisht duhet pritur janari e tutje për të marrë në dorë aktet nënligjore. E deri atëherë do të shohim kryetarin-bojaxhi që lyen të njëjtin kopsht që është ristrukturuar në Laprakë këtu e dy muaj më parë, por që nuk e di sa nxënës, sa fëmijë janë të regjistruar në territorin e tij, pasi dihet të bashkëpunojë me dy drejtori e ndoshta më tepër për t’i marrë vesh? Si do të bëhet, fjala vjen, që fshatrat që iu hoqën Kamzës, e për rrjedhojë nuk janë më nën juridiksionin e kësaj Bashkie, me cilën njësi vendore do të bashkëpunojnë për punët e arsimit? Në këtë kolaps janë futur edhe veprimtari të tjera të detyrueshme ligjërisht për pushtetin vendor, në fushën e arsimit parauniversitar. Po e njëjta gjë ndodh me bashkitë e reja të krijuara nga ndarja territoriale. Fjala vjen, Bashkia e Finiqit, me një shtrirje të gjerë territoriale, do të bashkëpunojë njëkohësisht me ZA Delvinë e Sarandë apo me njërën prej tyre për problemet në administrimin e objekteve shkollore e jo vetëm? Prej datës së fillimit të shkollës na ndajnë shumë pak ditë. A i ka Bashkia e Tiranës dhe 60 të tjerat listat e nxënësve në nevojë, nxënësve të shkëlqyer në mësime për t’i mbështetur financiarisht? A i kanë njësitë e qeverisjes vendore në dorë listat e mësuesve që kanë nevojë për zhvillim profesional në përputhje me kërkesat e dërguara nga DAR/ZA, si një detyrim i nenit 28 të ligjit 69/2012? A janë njohur njësitë e qeverisjes vendore me kërkesat për pajisjen e institucioneve arsimore me mjetet mësimore, si një detyrim i nenit 28 të ligjit 69/2012? Prej dy vitesh, Ministria e Arsimit dhe Sportit i ka bishtnuar kërkesës së nenit 31 të ligjit 69/2012 për ngritjen e këshillit vendor të arsimit parauniversitar. MAS nuk ka nxjerrë aktin nënligjor që përcakton kriteret e përzgjedhjes së anëtarëve të këtij këshilli. Po kështu, kryetarët e këshillave të qarkut janë ata që duhet të nxitin MAS të kryejë detyrën e harruar prej dy vitesh, e për të cilën askush nuk merr përgjegjësi. Edhe pse viti shkollor është në prag të hapjes, ky organ nuk është krijuar, ashtu sikundër nuk është konstituuar as Këshilli Kombëtar i Arsimit Parauniversitar. Që të dy këta organizma do të ngrihen vetëm kur MAS dhe kryebashkiakët e rinj të mazhorancës të jenë të sigurt se shumica në këta këshilla do t’u takojë atyre.

 

Përse ka më shumë rëndësi aksioni kundër zhulit, urinës, karkalecave dhe insekteve sesa mbarëvajtja e arsimit parauniversitar?

 

Ka më shumë rëndësi “aksioni kundër papastërtisë, objekteve të zëna, rrugëve me karrige, gjaku i kafshëve i përzier me baltë e zorrë të palara” sesa arsimi parauniversitar? Natyrisht që jo. Mirëmbajtja e godinave arsimore, ngrohja, siguria, garantimi i kushteve higjeno-sanitare, regjistrimi i fëmijëve etj. nuk bëhen me aksion, por me një punë të mirëprogramuar. Këto detyrime ligjore kërkojnë marrje përgjegjësie dhe bashkitë nuk mund t’i kalojnë me një lyerje muri, vendosje jeleku fosforeshent apo dalje përpara mediave me një kaskë punëtori. Ato duan harmonizimin dhe mirëfunksionimin e strukturave. Duke shpejtuar për të “bërë punë të mira”, vërehen shkelje të hapura të ligjit. Një tabelë në shkollën “4 Dëshmorët” në qytetin e Tiranës, paralajmëron rikonstruksion të pjesshëm të godinës dhe vendosjen e sistemin ngrohës. Afati 4 muaj. Në tabelën që mban logon e Bashkisë nuk ka as datë të shënuar të fillimit të punimeve, as datë përfundimi. Nuk përshkruhet as çfarë nënkuptohet me rikonstruksion të pjesshëm. E gjithë godina, zyrat e drejtuesve të shkollës, tualete, palestra? Asgjë prej tyre. Natyrisht nuk është harruar të shkruhet shuma e lekëve që do të harxhohen për këtë qëllim. Krejt e kundërta ndodh me të gjitha ndërtimet apo rikonstruksionet, të cilat japin specifikime të sakta të datës së fillimit dhe mbarimit të rikonstruksionit. Në këtë rast nuk është parë e arsyeshme të shkruhen edhe për një fakt shumë të rëndësishëm: Prej ditësh që u vendos tabela, nuk ka shkelur në shkollë më këmbë punëtori.

Shqetësimi për braktisjen e detyrimeve të pushtetit vendor ndaj arsimit bëhet edhe më real, po të kemi në konsideratë se para pak ditësh, kryeinspektori i Shëndetësisë, Eltar Deda, paralajmëroi kryetarët e rinj të bashkive për mungesën e kushteve të përshtatshme higjeno-sanitare në institucionet shkollore të arsimit parauniversitar. Bashkitë duhet të fillojnë nga a-ja, që është sigurimi i minimumit të kushteve higjeno-sanitare, garantimit të sigurisë në shkolla dhe mjediset që u takojnë atyre, kushteve të konvikteve që do të mirëpresin nxënësit, sigurimit të ngrohjes për dimrin, që do pak javë të trokasë në zonat verilindore e juglindore e më pas në gjithë Shqipërinë. Por duket se këto nuk janë përparësi të disa bashkive të reja ose së paku kjo është përshtypja që na japin kronikat televizive të çdo dite. Dhe kjo mungesë vëmendjeje ndaj arsimit parauniversitar është më se e natyrshme dhe e qëllimshme njëkohësisht. Vëmendja është përqendruar në ristrukturimin e administratës për të lehtësuar largimin e punonjësve, në hartimin e listave të njerëzve që do të largohen dhe atyre që do të punësohen, në ruajtjen e balancës sipas përqindjeve të fituara ose jo në zgjedhje. Disa bashki të udhëhequra “prej njerëzve të veprimit aktiv”, që për zanat kanë të shesin sapunin për djathë, janë nën ethet e aksionit kundër zhulit, vendosjes së çezmave publike, hapjes së pishinave popullore, zgjerimit “të veprimtarisë sociale”, duke dorëzuar apartamente për të pastrehë e për humbësit e shtëpive në piramida a loto e kështu me radhë. Për arsimin ka kohë. Viti do të fillojë tani e do të mbarojë hyyyy, në muajin qershor. Deri atëherë, vëmendja më e madhe duhet të jetë përqendruar tek aksioni i informalitetit, pastaj i shpartallimit të “bandës në sistemin gjyqësor”, pastaj në legalizimin e kanabisit, rekrutimit të mësuesve sipas përkatësisë partiake, ndryshimi i drejtorëve që nuk na dhanë votat e duhura ose u bënë shumë kohë si drejtues e me radhë. Për detyrimet ndaj arsimit parauniversitar, në përputhje me ligjin, mund të mendojmë në pranverën e ardhme, e sigurisht në vitin shkollor 2016-2017, që rastësisht përkon me vitin elektoral.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.