Në bazën amerikane të Fort Dix kërcehet Napoloni /Glodiana Zeqo nga baza e njohur amerikane, specialist në “zyrën e luftës”

0
163

20150609090838157646

 

Fort Dix është një ndër bazat më të mëdha ushtarake në SHBA. Ajo mban me krenari emrin e gjeneralmajorit John Adams Dix, një veteran i Luftës Civile dhe funksionar i lartë. Si një bazë trajnimi ajo është tepër e njohur për përgatitjen e ushtarëve të dërguar në misione të ndryshme që nga koha e luftës në Vietnam e deri te misionet në Afganistan e Irak.

 

Kadetët shqiptarë

 

Pikërisht ajo do të ishte dhe shtëpia e kadetëve shqiptarë, që do të trajnoheshin për 3 muaj për t’u diplomuar oficerë, duke shënuar kështu herën e parë të pranisë së ushtarakëve shqiptarë aty, në historikun e saj gati njëshekullor (është themeluar si bazë në vitin 1917). Viti 1978 shënon momentin e parë të hyrjes në këtë bazë të një rekruteje femër, kurse kadetet e para shqiptare janë pikërisht vajzat e kontingjentit “Black Eagle 001”, ku bën pjesë edhe nëntogerja Zeqo. Andaj kur ajo flet për këtë përvojë të sajën, sytë i ndritin nga entuziazmi. Si në një panoramë filmike sjell në vëmendjen tonë emocionin që ndjeu kur hyri në dyert e bazës. Ajo i ngjante një qyteze gjigante. Me një rregull që binte menjëherë në sy e mbi të gjitha me një mikpritje që u ndie që në ditët e para. Por tashmë ajo së bashku me grupin ndodheshin në një bazë stërvitore, ku duhej shumë punë për të përmbushur qëllimet. Ditët e vështira, shumë herë më të vështira nga ato që kishte parashikuar, filluan shpejt. Stërvitjet ishin të gjata, tepër të lodhshme, në të njëjtat kushte me kolegët meshkuj të grupit. Oraret tepër të gjata. E megjithatë, rregullat ishin të pacenueshme. Kështu kujton momentin e parë kur ishte në një prej stërvitjeve të gjata e të stërmundimshme, që i krahason të afërta në kufijtë e torturës, urdhrin që kishin marrë për ndërprerjen e saj pasi ishte koha e drekës. Ky ishte mësimi i parë që mësoi në Fort Dix. Gjithçka në ushtri bëhet me komandë dhe me përpikmëri. Nuk mund të vazhdohej një stërvitje në kufijtë e urisë. Një tjetër element i rëndësishëm që sjellë ndërmend është ai njohjes së kulturave të ndryshme, i modeleve kulturore që përcaktojnë edhe sjelljen. Me humor tregon faktin se gjatë trajnimit në Nju Xhersi e ushtroi detyrën e komandantes së togës për 1 muaj rresht. Ushtrimi i kësaj detyre për një kohë të gjatë e konsideron edhe si një “ndëshkim”, por edhe si vlerësim. Shpeshherë gjatë stërvitjes i ndodhte të debatonte me eprorët, sigurisht duke zbatuar të gjitha rregullat etike, e për këtë shpirt rebel, duket se e drejtoi togën më gjatë se të tjerët. Edhe kjo hynte te ajo që konsiderohej përgatitje psikologjike, pasi përgatitja e kadetëve bëhej sikur të ishin në kushtet e luftës.

 

Vështirësitë e kursit dhe momentet e bukura
Të gjithë ata që kanë ndjekur specialen e përgatitur në dhjetor të 2014-ës nga gazetari i “Top Channel”, Muhamed Veliu, për diplomimin e 24 oficerëve shqiptarë nga Garda e Nju Xhersit, mund të sjellin në mendje një intervistë të Stephanie Shillaber-it. Në rrëfimin e saj ajo flet për oficeren shqiptare guximtare që nuk u tërhoq nga marshimi i gjatë prej 16 km, pavarësisht nga dëmtimi i këmbës dhe ngarkesa e pajimeve. E pikërisht kjo oficere ishte nëntogere Zeqo. Është tepër modeste kur ia kujtojmë këtë episod. Madje, përpiqet t’i shmangë detajet, por në fakt stërvitja ishte në kushtet ekstreme të saj. Në mbarim të marshimit iu drejtua një ndër ushtarakëve më me përvojë të bazës që i trajnonte, rreshterit Mattheyw Kryscnski, me fjalët: “You can’t smoke me anymore”. Sigurisht kjo ishte një ndër batutat e Klodit, që di të sfidojë edhe çastet e stërmundimit fizik, me një humor që buronte nga gëzimi i arritjes së detyrës. Gjithë toga nuk mund të mos qeshte me shpirtin e saj plot humor dhe askush nuk mund të ankohej se marshimi ishte i vështirë. Kush ka parë filmin e famshëm të Hollivudit “Ufficiale e gentiluomo”, figura e rreshterit Foley është ndër më “të urryerat”. Dhe në fakt tregon Klodi ky është edhe misioni i Black Cats (instruktorëve), që të matin qëndrueshmërinë e kadetëve në kushtet e tejskajshme të fizikut e psikologjisë. Fillimi të huton, pohon ajo, por pak nga pak kupton se ata janë aty, jo të të dëmtojnë, por të të ngrenë lart si lider dhe planizues misionesh. Me teorinë e tyre të prekjes së fundit dhe pastaj ringritjes, ajo ka kuptuar se nuk ka “lumturi pa vuajtje”. Madje në këtë pikë gjithë kohën e stërvitjes së saj në Fort Dix parapëlqen ta krahasojë me Mitin e Sizifit.

 

Në Fort Dix mes kulturave të ndryshme

 

Nëse në ambientet e stërvitjes qëndrimi me eprorët ishte tepër serioz, gjithçka jashtë bazës ia linte vendin humorit, shëtitjeve të përbashkëta, njohjes së kulturës dhe traditës amerikane, një shoqërie sa të hapur, aq edhe demokratike. E konsideron veten me fat, jo vetëm sepse u stërvit në një bazë kaq të rëndësishme, por edhe sepse si pjesë e këtij projekti pati rastin të mund të shihte disa nga qendrat kryesore të SHBA-së. Ekskursionet në Nju Jork, Filadelfia, Uashington i kanë lënë gjurmë të pashlyeshme. Kurse nga udhëtimet më të bukura mban atë të Gettysburg-ut, aty ku u shënua dhe beteja më e përgjakshme e Luftës Civile mes Jugut e Veriut. Në këtë rrëfim ajo nuk harron të përmendë mbrëmjet klasike “Dining in” në bazën Fort Dix. Edhe këtu surprizat nuk mungojnë. Këto mbrëmje për vetë natyrën ushtarake dhe praninë e ushtarakëve priren të jenë tepër klasike, po si duket grupi i kadetëve shqiptarë e “prishi” këtë rregull. Ata përcollën për herë të parë në historikun e bazës një copëz kulturë dhe etnofolk shqiptar, si Napoleon i famshëm. Moment ky që gjeti pasqyrim edhe në revistën e bazës. Dhe jo vetëm vallja e famshme folkut, por edhe tiparet me të mira të kadetëve shqiptarë gjetën pasqyrim e morën vlerësimin maksimal. Mes tyre edhe Klodi, që me humor konsiderohej në kohën e lirë nga eprorët e saj të kursit “si një legjendë, që do të mbahej mend në Fort Dix”. Kurse ajo nuk ngurron të shprehet se instruktorët dhe gjithë stafi i bazës nuk dallonin thjesht për të qenët profesionistë, por mbi të gjitha për vlerat e tyre njerëzore. Ndihet me fat për miqtë e kolegët e rinj që njohu.

 

Specialiste në “zyrën e luftës”

 

Sot Klodi është oficere e diplomuar. U nis nga Shqipëria me një diplomë civile dhe u kthye me një diplomë ushtarake. Momenti i diplomimit bënë pjesë pa dyshim në një ndër çastet më të lumtura të saj. E ka vështirë ta shprehë me fjalë krenarinë që ndien tek sheh se tashmë gjurma e saj si oficere po ravijëzohet përkrah asaj të gjyshit e babait. Kjo është përvoja më e bukur e saj jetësore deri në këtë çast. Detyra që ushtron është ajo e specialistes së Operacioneve, në bazën e Farkës. Një bazë shumë e rëndësishme për misionet që kryen dhe e vetmja e kësaj natyre në vendin tonë. Ndihet tepër e vlerësuar për pozicionin që ka, pasi ka të gjithë mundësinë që të mund të zbatojë në praktikë njohuritë e marra gjatë kursit në Nju Xhersi. Zyra e saj mund të quhet në miniaturë “një zyrë lufte”, me planizimin e fluturimeve, planizimin e stërvitjes etj. Mjedisi i punës jo vetëm është stimulues, por është vazhdimësi e formimit të dijeve si oficere, pasi bashkëpunon me kolegë me përvojë dhe të trajnuar gjithashtu. Por ajo që vlen të admirohet tek kjo oficere e re është këmbëngulja e saj për t’u përsosur çdo ditë. Nëse dikush tjetër do të kishte marrë “pushime të gjata” nga orët e stërvitjes apo kurset, kjo nuk vlen për të. Në qershor ajo iu bashkua një tjetër kursi trajnimi, kursit bazë të oficerëve dhe nënoficerëve, të cilin e përfundoi me sukses, në mesin e gushtit. Kur e pyesim se çfarë planesh ka për të ardhmen, ajo buzëqesh dhe thotë: “T’i shërbej me besnikëri vendit tim”. Kjo oficere e re sapo e ka nisur rrugëtimin e saj. Edhe në hierarkinë e gradave sapo ka hedhur hapat e parë. Por pikërisht në sfidën gjinore ku lidershipi në ushtri nuk njeh gjini, për rastin e Klodit dhe shumë vajzave dhe grave të tjera vlen të kujtojmë fjalën e ministrit të Mbrojtjes znj. Kodheli: “Nuk do të largohem pa firmosur ose, më mirë, pa propozuar për gradimin gjeneral një grua”. Dhe për të arritur deri këtu, edhe nëntogerja Zeqo ka dhënë kontributin e saj, si pjesë e Forcave të Armatosura, duke e mbajtur me krenari uniformën e oficeres, një uniformë që meriton respekt e dashuri.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here