Gjermania korrigjon shifrat e azilantëve shqiptarë, janë 60 mijë jo 28 mijë

0
137

Thomas de Maiziere

 

Gjermania korrigjon shifrën e emigranteve shqiptarë që kanë kërkuar azil në këtë vend gjate këtij viti. Ministri i Brendshëm gjerman Thomas de Maiziere deklaroi në një intervistë për televizionin “ZDF” se numri i tyre është 60 mijë. Shqiptarët renditen në vendin e dytë, pas sirianëve në listën e azilkërkuesve. Gjermania po përballet me një fluks të lartë emigrantësh dhe 40 për qind e azilkërkuesve vijnë nga vendet e Ballkanit Perëndimor. Ndërkaq, në ditët e para të shtatorit do të riatdhesohen një numër i konsiderueshëm i shtetasve shqiptarë, të cilëve u është refuzuar kërkesa për azil në Gjermani. Kthimi i emigrantëve ka nisur që në datën 2 shator, ku dy avionë sollën në aeroportin e Rinasit rreth 340 qytetarë që u rikthyen vullnetarisht. Ndërkohë që në ditët në vazhdim pritet të riatdhesohen rreth 40 azilkërkues, edhe këta të kthyer vullnetarisht nga Gjermania pasi ju refuzua kërkesa për azil. Gjithashtu, Ambasada Gjermane në vendin tonë njofton se do të ketë kthim të shqiptarëve nga Gjermania edhe në datat 9 dhe 10 shtator, por që ende nuk është bërë i ditur numri i qytetarëve që do të riatdhesohen.

 

 

Hetimi

 

Pas sekuestrimit, prokuroria kërkon

nga Dash Gjoka burimin e të ardhurave

 

Biznesmeni i njohur në dy dekada si i forti i Shijakut është në liri, pasi gjykatat shqiptare, ajo e Shkallës së Parë në Durrës, e Apelit e më pas Gjykata e Lartë refuzuan kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e tij drejt Italisë

 

Përballja e radhës e biznesmenit Dashamir Gjoka me drejtësinë shqiptare, i cili aktualisht është i lirë, është ajo e deklarimit të burimit të pasurisë së tij dhe justifikimi i saj me fatura apo transaksione bankare. Dy ditë më parë Prokuroria e Krimeve të Rënda bëri publik vendimin e sekuestros të pasurisë përrallore të Dashamir Gjokës mes të cilave 26 mijë e 300 m2 katrorë pasuri e paluajtshme si dhe një sërë biznesesh përfshi supermarket, resort e bar kafe. Ky vendim erdhi pas dyshimeve se biznesmeni mund të ketë vendosur këtë superpasuri nga aktiviteti i shfrytëzimit të prostitucionit në Itali, shtet ku edhe është dënuar. Aktualisht biznesmeni i njohur në dy dekada si i forti i Shijakut është në liri pasi gjykatat shqiptare, ajo e Shkallës së Parë në Durrës, e Apelit e më pas Gjykata e Lartë refuzuan kërkesën e prokurorisë për ekstradimin e tij drejt Italisë ku ai rezulton të jetë i dënuar me 7.5 vite burg.

 

Si u konfiskua pasuria?

Gjoka u prangos 2 vite më parë pas një kërkesë të palës italiane për ekstradimin e tij, pasi kishte një tjetër procedim në gjykatën e Monzës për dhunë seksuale, armëmbajtje, e vepra të turpshme. Kjo kërkesë nuk u ekzekutua asnjëherë pasi gjyqësori shqiptar në të tre shkallët e tij ka refuzuar ekstradimin dhe pse Prokuroria e Durrësit e lejoi atë. Pas kësaj, në zbatim të ligjit Antimafia ka nisur hetimi pasuror për Dashamir Gjokën, i cili tashmë duhet që para drejtësisë shqiptare të justifikojë pasurinë e tij e cila në mungesë të burimeve të ligjshme sipas akuzës do të kalojë në fazën e konfiskimit. Sipas akuzës, Gjoka rezulton si kreu i një organizate të trafikut të prostitucionit në Itali dhe pasurinë e vendosur në Shqipëri dyshohet se kanë ardhur nga aktivitet i paligjshëm i shfrytëzimit të prostitucionit në zonën e Milanos dhe Puglias.

 

Pasuria e sekuestruar

Prokuroria për Krime të Rënda, në zbatim të ligjit “Antimafia”, ka vendosur sekuestro për mbi 11 mijë metra katrorë truall dhe ndërtime, përfshirë biznese, si edhe për rreth 15.300 metra katrorë tokë bujqësore, të regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, nga Shijaku, Durrës, i hetuar për “Pastrimit të produkteve të veprës penale”. Fillimisht, Prokuroria ka marrë miratimin e Gjykatës për Krime të Rënda për vendosjen e sekuestros preventive ndaj këtyre pasurive.

Në aktet e administruara në Prokurorinë e Përgjithshme, të mbërritura nga autoritetet italiane, rezulton se shtetasi Dashamir Gjoka është dënuar nga Gjykata e Apelit të Milanos më datë 29.11.2007 që është bërë përfundimtar më datë 7.10.2009, me 7 vjet e 6 muaj burgim për veprat penale të organizatës kriminale që synon shfrytëzimin e prostitucionit dhe të tjerë. Episodet për të cilat është deklaruar fajtor dhe dënuar shtetasi Dashamir Gjoka, kanë ndodhur në periudhën 1999 deri në vitin 2003. Në këto episode, shtetasi Dashamir Gjoka del si drejtues i organizatës që vepronte në Milano e Puglia, dhe që merrej që me futjen në mënyrë klandestine në territorin e shtetasit Italian të grave me origjinë nga Evropa Lindore, me qëllim prostituimi në formën e detyrimit, favorizimin dhe shfrytëzimit të prostitucionit.

Sipas informacionit të autoriteteve italiane, ky shtetas rezulton si drejtues i organizatës në fjalë dhe të hollat e siguruara nga ky aktivitet kriminal merreshin dhe i dërgoheshin atij në Shqipëri (Dashamir Gjokës). Ky i fundit, sipas provave në gjykim, me të ardhurat e marra kishte blerë disa prona në Shqipëri.

Po ashtu, në vitin 2013, ndaj këtij personi kishte edhe një urdhër arresti nga Gjykata e Monxas/Itali datë 9.2.2002 për kryerje të veprave penale “Dhunë seksuale”, “Akte të turpshme”, “Grabitje në rrethana rënduese”, “Mbajtje armësh zjarri”. Mbi bazën e këtyre vendimeve të gjykatës, shtetasi Dashamir Gjoka është shpallur në kërkim ndërkombëtar nga Interpol Roma/Itali dhe më datë 7.6.2013 është arrestuar për efekt ekstradimi.

Procesi për lejimin e ekstradimit është zhvilluar në tre shkallët e gjyqësorit në Shqipëri, të cilat kanë refuzuar kërkesën për ekstradim të Prokurorisë së Durrësit (si prokuroria kompetente, për shkak të vendbanimit të personit të hetuar).

Paralelisht me shqyrtimin gjyqësor për ekstradimin e tij në Itali, Prokuroria e Durrësit ka nisur hetimin për veprën penale të “Pastrimit të produkteve të veprës penale”, për të verifikuar burimin e pasurive të tij, për të cilat kishte dyshime se ishin krijuar nga aktiviteti i paligjshëm në Itali. Fillimisht, me kërkesë të Prokurorisë, në dt. 17.3.2015, gjykata e Durrësit ka vendosur sekuestro preventive ndaj pasurive të tij. Por më pas, po kjo gjykatë, në dt. 30. 6.2015, ka urdhëruar heqjen e sekuestros preventive për pasuritë e shtetasit Dashamir Gjoka.

Në vijim, Prokuroria e Durrësit ka deleguar aktet e procedimit për hetimin pasuror pranë Prokurorisë për Krime të Rënda, e cila është kompetente për zbatimin e ligjit “Antimafia”. Në bazë të këtij ligji, personi nën hetim duhet të justifikojë ligjshmërinë e burimit të pasurive të tij.

Për këtë arsye, me kërkesë të Prokurorisë për Krime të Rënda, Gjykata për Krime të Rënda ka vendosur sekuestro preventive për pasuritë e regjistruara në emër të shtetasit Dashamir Gjoka, si më poshtë:

1”.Kompleks Shërbimesh “Gjoka”, me sipërfaqe ndërtimore prej 6949 m2, nga e cila sipërfaqe ndërtimi 2012.7 m2, si dhe sipërfaqja prej 4286.47 m2 shërben për ushtrimin e aktivitetit e përbërë konkretisht;

objekt i ndarë në 3 kate – me emërtim “Supermarket, Bar Restorant, Motel”;

objekt dy kate – me emërtim “Disko Bar, Palestër, Sall Lojrash”;

objekt një kat me emërtim “Bar Kafe“-; pishinë;

objekt qendër sportive (Motel 2 dhoma);

objekt Qendra Sportive, Kalçeto;

objekt magazinë një kat.

  1. Pemishte+trual+ndërtesë me sipërfaqe 1800 m2, e ndodhur në Sallmone, Xhafzotaj.
  2. Tokë arë me sipërfaqe 5090 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak.
  3. Tokë arë me sipërfaqe 5520 m2 e ndodhur në Sallmone, Shijak.
  4. Tokë arë e ndodhur në Qerret Katund i Ri me sipërfaqe 1546 m2.
  5. Ndërtesë +truall me sipërfaqe 1247 m2 truall e ndërtesë 230 m2, e ndodhur në Sallmone, Shijak, (në të cilën është ngritur një godinë shërbimi dy kate+bodrum, sipërfaqe bodrumi 147 m2, sipërfaqe kati 710 m2).
  6. Tokë arë me siperfaqe 3110 m2, e ndodhur ne Sallmone, Shijak.
  7. Pasuria me sipërfaqe 928 m2, (brenda të cilës ndodhet një ndërtim 160 m2, dhe truall 400m2).
  8. Tokë arë me sipërfaqe 3700 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
  9. Tokë arë me sipërfaqe 1980 m2, me adresë Sallmone-Xhafzotaj.
  10. Shoqëria “Gjoka“ sh.p.k.,së bashku me të gjithë asetet e saj.
Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here