Çështja e investiguar/Avokatët e qeverisë ne gjyqin me CEZ: Meta mori ryshfet për tenderin nga biznesmeni

1
131

 

ilir metaSipas investigimit, rezulton se kompania “DIA” e mbledhjes së borxheve, me pronar Ismailajn, i ka dhënë ryshfet Kryeparlamentarit

 

Ish-kryeministri dhe kreu aktual i Parlamentit, Ilir Meta, akuzohet se ka marrë ryshfet nga Debt International Advisory, DIA, një kompani mbledhjeje borxhi që ka hedhur në gjyq OSHEE-në në Gjykatën e Arbitrazhit në Vjenë. Detajet e akuzave kanë rrjedhur pasi DIA hodhi në gjyq kompaninë e shpërndarjes së energjisë elektrike për prishje kontrate, duke kërkuar 130 milionë euro në vitin 2013, kohë kur kjo e fundit quhej CEZ Shpërndarje dhe ishte nën pronësinë e gjigantit çek të energjisë, CEZ Group.

Sipas një kërkese për t’i hedhur poshtë akuzat e ngritura nga DIA, një kopje e së cilës është siguruar nga BIRN, zyra ligjore e OSHEE-së, Clifford Chance, pretendon se Meta ka qenë një nga përfituesit e pagesave prej miliona eurosh, të përfituara nga kompania e mbledhjes së borxheve prej CEZ Shpërndarje gjatë viteve 2010 dhe 2011. Pronari i DIA-s, Kastriot Ismailaj, është në arrest, i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrim, i dyshuar se ka orkestruar një skemë mashtruese të mbledhjes së borxheve të CEZ-it, në bashkëpunim me ish kreun e bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, Josef Hajsek. Skema erdhi në jetë pasi CEZ grup bleu 76 për qind të aksioneve të shpërndarësit të energjisë elektrike OSSH në vitin 2009 dhe duket se kishte për qëllim të influenconte në mënyrë të paligjshme politikanët shqiptarë si dhe Entin Rregullator të Energjisë Elektrike, ERE.

Sipas dokumentit të hartuar nga Clifford Chance, DIA përfitoi 1.48 milionë euro në 2010 nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e borxhit të kompanisë. Kjo pagesë besohet se u përfitua nga DIA për të influencuar një vendim të ERE për uljen e çmimit me të cilin KESH ia shiste energjinë elektrike CEZ Shpërndarje. Arbitrariteti i vendimit të marrë nga ERE vlerësohet t’i ketë kushtuar furnitorit publik të energjisë elektrike, dhjetëra miliona euro në humbje, të cilat janë mbuluar nga buxheti i shtetit.

I kontaktuar nga BIRN nëpërmjet një zëdhënësi, Meta nuk i komentoi akuzat që janë artikuluar nga Clifford Chance në gjyqin e arbitrazhit. Kryeministri Edi Rama gjithashtu nuk iu përgjigj pyetjeve nëse qeveria kishte informacion për akuzat e pretenduara kundër kreut të parlamentit.

 

Ryshfete për politikanët

Sipas dokumentit të protokolluar nga Clifford Chance në gjykatën e arbitrazhit më 30 qershor 2015; DIA ka përfituar në total 4.5 milionë euro nga CEZ Shpërndarje, gjatë një periudhe gati një vjeçare nga Nëntori 2010 deri në tetor 2011. Këto para u paguan nga CEZ Shpërndarje për një raport të pavlerë për identifikimin e debitorëve, si dhe si një parapagesë për kostot operative të DIA për mbledhjen e borxhit. “Brenda transfertave [përfituesve] të lekëve që DIA mori nga CEZ Shpërndarje ishin… politikanë të rëndësishëm shqiptarë, përfshirë një ish kryeministër i proceduar për korrupsion… si dhe një zyrtar i ERE”, – shkruan Clifford Chance në ankimimin e saj në gjykatë.

Ilir Meta është i vetmi ish-kryeministër shqiptar që në dy dekadat e fundit është proceduar penalisht për korrupsion. Në shkurt të vitit 2011, ai u akuzua nga Prokuroria e Përgjithshme për korrupsion aktiv, pas publikimit të një videoje nga emision “Fik Fare”, ku dëgjohej të diskutonte një pagesë prej qindra mijëra eurosh me ish-ministrin e Ekonomisë, Dritan Prifti. Akuza kundër tij u hodh poshtë në janar të viti 2012 nga Gjykata e Lartë. Emri i Ilir Metës është lakuar si i lidhur me aferën e CEZ edhe nga ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ, Jozef Hejsek. BIRN ka lexuar një kopje të dëshmisë së tij, dhënë për çështjen e arbitrazhit, ku Hejsek thotë se Meta, në kohën kur ishte ministër i Jashtëm, ka negociuar që çekët e CEZ-it të punonin me Ismailajn, duke e prezantuar biznesmenin si njeriun që kishte mbështetjen e qeverisë shqiptare. Një akuzë e ngjashme është bërë kundër Metës në vitin 2011 dhe nga ish-ministri i Ekonomisë dhe nënkryetari i LSI-së, Prifti. Në një intervistë në “Top Channel”, Prifti është shprehur që Meta kishte udhëtuar për në Republikën Çeke për të negociuar kontratën për Ismailajn, “një person me dosje”. Ideja ishte që CEZ kishte 200 milionë euro borxhe të pambledhura dhe, nëse ai i mblidhte ato, “merrte gjysmën”, shtoi ai. Clifford Chance shkruan që hetimi i Prokurorisë shqiptare për Ismailajn vazhdon dhe se “skema e tij mund të ekspozojë rastin më të madh të korrupsioni dhe mashtrimit në Shqipëri”. Megjithatë, studioja ligjore që përfaqëson interesat e shtetit shqiptar shprehet se edhe pse tashmë nën arrest, “Ismailaj ka akoma shumë miq brenda qeverisë shqiptare”.

Korrupsioni masiv

Sipas Clifford Chance, përpara se marrëdhënia midis CEZ Shpërndarje dhe Ismailajt të prishej në vjeshtën e 2011, biznesmeni shqiptar arriti të influencojë të paktën një vendim të dyshimtë të Entit Rregullator të Energjisë. Ky vendim u mor nga ERE në dhjetor të vitit 2010, pasi DIA ishte paguar 1.48 milionë euro nga CEZ shpërndarje, në tre pagesa prej 485,000 euro për raportin fals të identifikimit të debitorëve. “Pagesa u zgjodh të ishte më pak se 500,000 euro, në mënyrë që të shmangte aprovimin e Këshillit Mbikëqyrës të kompanisë”, – shkruan Clifford Chance. “Raporti i identifikimit të borxhit, një dokument pa asnjë vlerë për CEZ Shpërndarje, u dorëzua në Mars 2011, katër muaj pasi u paguan 1.48 milionë euro”, – shtoi ajo.

Vendimi i marrë nga ERE në dhjetor të vitit 2010 ulte çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 27 për qind; nga 2.03 lek në 1.48 lek. “Dëmi i shkaktuar në kompaninë shtetërore dhe të subvencionuar KESH nga ky vendim arbitrar vlerësohet në më shumë se 30 milionë dollarë”, argumenton Clifford Chance. Studio ligjore nënvizon gjithashtu që ne verën dhe vjeshtën e 2011, Ismailaj pati mosmarrëveshje me bashkëpunëtorët e tij se si do të ndaheshin paratë e përfituara në mënyrë të paligjshme nga CEZ Shpërndarje. CEZ e prishi marrëveshjen me DIA në tetor 2011 dhe në korrik të vitit pasues, ERE e rriti përsëri çmimin e shitjes së energjisë nga KESH tek CEZ me 48 për qind. (shkrim investigues nga BIRN në “reporter.al”, titulli redaksional)

 

Box

Skema mashtruese e mbledhjes së borxheve që u kushtoi miliona euro shqiptarëve

 

Dokumente të siguruara nga BIRN tregojnë se ish-kreu i bordit të drejtorëve të CEZ Shpërndarje, dega e grupit CEZ në Shqipëri, Josef Hejsek, dhe biznesmeni shqiptar, Kastriot Ismailaj, janë organizatorët e një skeme mashtruese të mbledhjes së borxheve e cila i kushtoi kompanisë miliona euro. Skema u shfaq pasi grupi CEZ bleu një paketë dominuese aksionesh të kompanisë shqiptare të shpërndarjes së energjisë elektrike OSSH, më 2009, dhe duket se kjo skemë synonte të ndikonte politikanët shqiptarë dhe Entin Rregullator të Energjisë, ERE, përmes ryshfeteve. Gjithsesi, skema shkoi keq pasi Ismailaj, pronari i Debt International Advisory (DIA), partneri i CEZ për mbledhjen e borxheve në Shqipëri, futi në xhep paratë e kontratës pa bërë asnjë punë reale. Skemat e Ismailajt besohet se kanë shkatërruar marrëdhëniet mes CEZ dhe qeverisë shqiptare, e cila në janar 2013 i hoqi CEZ Shpërndarje licencën, duke praktikisht e shtetëzuar atë. CEZ për rrjedhojë nisi proces arbitrazhi kundër Shqipërisë për dëmet. Mosmarrëveshja u zgjidh më vonë pasi Tirana, nën presion nga Republika e Çeke lidhur me statusin e vendit kandidat për anëtar në BE, i pagoi CEZ-it 95 milionë euro për të rimarrë pronësinë e kompanisë. Ismailaj, i cili ndërkohë është arrestuar i akuzuar për pastrim parash dhe mashtrime të rënda, ka hedhur gjithashtu në arbitrazh CEZ Shpërndarje, tashmë nën pronësinë e qeverisë dhe e emërtuar OSHEE. Ai po kërkon 130 milionë euro dëmshpërblim për prishje të njëanshme të kontratës në një çështje që mbetet pezull në Qendrën Ndërkombëtare të Arbitrazhit në Vjenë. Dokumente të siguruara nga BIRN tregojnë se kur CEZ nënshkroi kontratën me DIA, Ismailaj sakaq qe nën hetim në Shqipëri për pastrim parash.

 

 

Kryeministria: Avokatët e huaj të qeverisë nuk e kanë përmenduar asnjëherë emrin e Metës

Kryeministria reagoi dje pa publikimit të lajmit lidhur me çështjen e mbledhjes së borxheve nga CEZ dhe implikimit të kryeparlamentarit. Sipas zyrës së shtypit, asnjë nga avokatët e huaj të qeverisë në arbitrazhin me CEZ nuk kanë përmendur asnjë herë emrin e kryetarit të Kuvendit.  “Pas publikimit të sotëm të një artikulli në portalin reporter.al, Drejtoria e Komunikimit pranë Qeverisë shqiptare, sqaron se: Në datën 27 Gusht 2015, rrjeti investigativ BIRN ka kërkuar një koment të Kryeministrit të Republikës lidhur me disa pretendime, të pashoqeruara me fakte, që gazetarja ngrinte për Kryetarin e Kuvendit. Për të verifikuar pretendimin e BIRN, zyra e Kryeministrit i është drejtuar zyrës së Avokates së Shtetit, e cila është vënë në kontakt me studion ligjore Clifford Chance. Përfaqësuesi i studios ligjore, z. Tim Schreiber ka kthyer këtë përgjigje: Ndryshe nga ajo që disa gazetarë duket se pretendojnë, OSHEE në deklarimet e çështjes në arbitrazh kundër DIA Ltd. nuk ka përmendur emrin e zotit Ilir Meta si përfitues i transfertave bankare apo ndonjë praktike tjetër korruptive që lidhet me marrëveshjen për mbledhjen e borxheve mes OSHEE dhe DIA Ltd”, thuhej në deklaratën e zyrës së shtypit të Kryeminsitrisë.

 

 

 

Çështja e CEZ-it

 

Basha: Meta të japë dorëheqjen, Llalla të nisë hetimet ndaj Kryeparlamentarit se mori ryshfet

 

Kreu i PD-së: Faktet janë tronditëse, avokatët e huaj të qeverisë që mbrojnë çështjen e OSHEE-së në arbitrazh me CEZ-in deklaruan se kanë prova që Meta ka marrë ryshfet nga kompania e mikut të tij

 

Gëzim Salu

 

Kreu i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, kërkoi dje dorëheqjen e Kreut të Kuvendit, Ilir Meta, duke e akuzuar këtë të fundit se ka marrë ryshfet nga miku i tij biznesmen lidhur me mbledhjen e borxheve të energjisë nga kompania CEZ. Përmes një konference të posaçme nga selia blu, kryedemokrati duke iu referuar shkrimit investigues në media, deklaroi se avokatët e huaj të qeverisë kanë pranuar vetë në gjykimin e arbitrazhit mes OSHEE dhe CEZ se kanë prova se Kryeparlamentari është i përfshirë në këtë çështje. “Faktet janë tronditëse dhe të publikuara tashmë në media. Avokatët e huaj të qeverisë shqiptare që po mbrojnë çështjen e OSHEE në arbitrazh, kanë deklaruar se kanë prova që Ilir Meta ka marrë ryshfet nga kompania e mikut të tij, Ismailaj, person që gjendet aktualisht nën arrest për pastrim parash, ndërtim skeme mashtrimi dhe korrupsion. Kompania DIA e Ismailajt u krijua enkas për këtë biznes, për të mbledhur borxhet e CEZ, sipas Agjencisë së njohur BIRN, me lobimin e drejtpërdrejtë të Ilir Metës, i cili shkoi edhe në Pragë në zyrat qendrore të kompanisë çeke, për të ndikuar në kontraktimin e firmës në fjalë. Avokatët e qeverisë shqiptare kanë zbuluar se firma e mikut të kryetarit të Kuvendit ka përfituar miliona euro, dhe një pjesë të parave e ndante me Ilir Metën”, – tha Basha.

 

Qëndrimi

Sipas kryedemokratit, faktet e publikuara flasin për një dosje të plotë dhe një çështje mjaft serioze. “Siç shprehet avokatja e qeverisë shqiptare Clifford Chance, hetimi mund të zbulojë skemën më të madhe të korrupsionit dhe mashtrimit në Shqipëri. Korrupsioni, marrja e ryshfetit, përvetësimi i miliona eurove është kthyer në normë sjellje e Ilir Metës dhe Edi Ramës, është bërë zakoni i tyre. Por kjo është e papranueshme për ne, është e papranueshme për qytetarët shqiptarë”, – deklaroi Basha. Në këtë kontekst, shefi i opozitës i kërkoi kryeprokurorit Llalla të nisë hetimet ndaj Kreut të Kuvendit për marrje ryshfeti. “Jam sot këtu për t’i kërkuar prokurorit të Përgjithshëm të Republikës, të nisë një hetim të shpejtë e serioz ndaj Ilir Metës, i cili akuzohet se ka marrë ryshfet nga kompania DIA, kompani që ishte kontraktuar nga CEZ, nën ndikimin e Ilir Metës për mbledhjen e borxheve të energjisë. Ne nuk do të lejojmë që korrupsioni e ryshfeti të sundojnë vendin”, – pohoi ai. Më tej Basha tha se Meta ia ka dalë ti shpëtojë drejtësisë më parë për akuza shumë të rënda duke ndikuar sipas tij te hetimet dhe duke i paracaktuar konkluzionet e hetimit me pushtetin e tij. “Ndaj, Partia Demokratike, dhe unë, kërkojmë sot dorëheqjen e menjëhershme të Ilir Metës nga posti i tij, dorëzimin para drejtësisë pa imunitet, pa pushtetin e numrit dy të vendit. Largimi i tij nga detyra është një parakusht që çështja të zbardhet e plotë. Të shkojë para drejtësisë e të japë llogari për akuzat, si qytetar i thjeshtë. Barazia para ligjit do të arrihet me çdo çmim. Drejtësia do të vendoset me çdo mjet. Nëse Ilir Meta e ortaku i tij Edi Rama do tentojnë sërish manipulimin, do të përballen me forcën e qytetarëve të bashkuar”, – theksoi kreu i PD-së Lulzim Basha.

 

Reagimi i LSI-së

Vasili: Meta e ka tejkaluar me kohë planin e dorëheqjeve, e drejtë e Bashës të japë dorëheqjen

 

Kryetari i grupit parlamentar të Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili, reagoi dje ndaj deklaratës së kryetarit të Partisë Demokratike lidhur me çështjen e CEZ-it duke theksuar se është e drejtë e Bashës dhe cilido tjetër si ai që të ja dorëheqjen. “Z. Meta e tejkaluar me kohë planin e dorëheqjeve. Është e drejtë e z. Basha dhe cilido tjetër si ai që të japë ose jo dorëheqjen. Vërtetësia e shpifjeve të tilla është si vërtetësia e sondazhit të SOROS-it në vitin 2013”, – theksoi Vasili. Në vijim të deklaratës së tij, kryetari i grupit parlamentar të LSI-së theksoi se çdo kërkesë e opozitës që do të bëhet në rrugë zyrtare do të trajtohet me prioritet në Kuvendin e Shqipërisë.

 

Djali i ish-kryeministrit

Shkëlzen Berisha: Rama i ngushton lakun Metës

 

Djali i ish-kryeministrit Berisha, Shkëlzen Berisha, reagoi dje mbi lajmin sipas së cilit Kryeparlamentari ka marrë ryshfet nga miku i tij biznesmen lidhur me borxhet e mbledhur nga CEZ. Sipas Berishës, kjo është thjesht një taktikë e Kryeministrit Rama për t’i ngushtuar siç tha ai “lakun”, Kryeparlamentarit Meta. “Rama i ngushton lakun Metes. Avokatet e Rames akuzojne publikisht Meten se ka marre miliona dollare rryshfet nga CEZ. Kesaj here akuzat nuk vijne nga opozita, media apo deputete “plangprishes”, por nga avokatet e paguar nga qeveria shqiptare per t’i perfaqesuar ne procesin e arbitrazhit kunder mikut te Metes, Kastriot Ismailit. Nuk eshte e veshtire te kuptohet ne cfare shteti jetojme kur avokatet e qeverise akuzojne ne procese arbitrazhi kryetarin e parlamentit per vjedhje miliona eurosh, ndersa pajtimtari i tyre qeveris vendin me te akuzuarin nga vete ai per vjedhje. Sidoqofte mos u hutoni nga keto “cikerrima” dhe largqofte harroni kuponin tatimor kur blini akullore”, – shkruante Shkëlzen Berisha.

 

box

Më parë çështja “Doshi”

Kërkesa e dytë e PD-së për dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta

 

Edhe pse për katër vite kanë bashkëqeverisur së bashku, duket se PD dhe LSI në këto dy vite pushtet të së majtës janë larguar shumë nga njëra-tjetra. Partia Demokratike kërkoi dje për herë të dytë dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta pas publikimit në media të asaj që cilësohet si aferë me mbledhjen e borxheve të CEZ-it. Përpara kësaj çështjeje e cila pritet të ndezë debatin mes palëve politike në ditët në vijim, PD ka kërkuar dorëheqjen e Kreut të Kuvendit për çështjen “Doshi”. Deputeti i qarkut të Shkodrës deklaroi kohë më parë se Kryeparlamentari kishte urdhëruar vrasjen e tij dhe të deputetit demokrat Mhill Fufi. Në atë kohë PD reagoi fort lidhur me këtë çështje dhe kërkoi me ngulm dorëheqjen e Kryeparlamentarit Meta. Ndërkaq ky i fundit pasi theksoi se dorë të lirë në këtë çështje duhet të kenë hetime e Prokurorisë theksoi se nuk mund të jepte dorëheqjen për akuza të pavërteta dhe trillime të një deputeti që po bënte lojën e opozitës. Pas hetimeve rezultoi se çështja ishte titulluan nga deputeti shkodran dhe ai që cilësohej si “ekzekutori” i tij. Por ndërsa drejtësia dha mendimin e saj për këtë çështje, PD theksoi se ishte pikërisht Kryeparlamentari që duke mbajtur rolin e numrit dy të pushtetit në vend presionoi sistemin e drejtësisë dhe ndikoi sipas selisë blu tek një hetim i varur politikisht. U desh më shumë se një muaj, pas protestave në sheshe, debatesh të shumta në Parlament si edhe në komisione parlamentare që kjo çështje të kalonte më pas në qetësi duke i lënë vend debatit të zgjedhjeve vendore që u zhvilluan në 21 qershor.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

1 COMMENT

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here