PD pranohet si anëtare me të drejta të plota në PPE, Basha: BE kërkon dekriminalizimin Kreu i PD-së: PPE mbështet aksionin opozitar kundër zhbërjes së standardeve demokratike

0
67

 

Basha me DaulGëzim Saliu

Partinë Demokratike e Shqipërisë u pranua dje si anëtare me të drejta të plota nga Partia Popullore Evropiane. Kreu i PD-së, Lulzim Basha, e konsideroi këtë vendim si vlerësim nga grupi më i fuqishëm i Bashkimit Evropian dhe mbështetje për aksionin opozitar të Partisë Demokratike për kundërvënien ndaj zhbërjes së standardeve demokratike të shtetit ligjor. “Është një vlerësim nga grupi më i fuqishëm i Bashkimit Evropian. Partia Popullore numëron Presidentin e Komisionit Evropian, Presidentin e Këshillit Evropian, grupin më të madh parlamentar në Parlamentin Evropian, numrin më të madh të komisionerëve në Komisionin Evropian, pra është një vlerësim nga grupi më i fuqishëm politik i Bashkimit Evropian. Prej sot Partia Demokratike është anëtare me të drejta të plota i këtij bashkimi politik, i Partisë Popullore Evropiane. Së dyti, është një mbështetje për aksionin opozitar të Partisë Demokratike për kundërvënien ndaj zhbërjes së standardeve demokratike të shtetit ligjor, për luftën pa kompromis kundër inkriminimit të politikës dhe korrupsionit që janë shkaqet kryesore të krizës ekonomike të thellimit të varfërisë dhe papunësisë dhe humbjes së perspektivës për shqiptarët”, – tha Basha.

 

Dekriminalizimi dhe azilkërkuesit

Për kreun e PD-së test kryesor për klasën politike në vend dhe mazhorancën në veçanti është dekriminalizimi për të cilën theksoi se opozita është e vendosur ta bëjë edhe përkundrejt mungesës së vullnetit të Ramës dhe Metës. Në këtë kontekst Basha bëri të ditur se të premten PD do të çojë ligjin për dekriminalizimin në Parlament, duke theksuar nga ana tjetër se për reformën në drejtësi është i rëndësishëm vullneti që duhet të tregojë shumica për konsensus. “Ne jemi të angazhuar të qëndrojmë fuqimisht të përkushtuar në vlerat tona për një drejtësi të pakorruptuar, për përjashtimin e gjyqtarëve të korruptuar nga sistemi por ama një drejtësi të pakapur, se turpi i Shqipërisë sot është një Shqipëri e kapur, janë gjyqtarët e kapur që marrin vendime që u diktohen në telefon nga Edi Rama dhe Ilir Meta, dhe nga kjo sigurisht vendi nuk sheh asnjë të mirë, sheh e do të shohë vetëm të këqija. Megjithatë, testi fondamental i reformës në drejtësi dhe i çdo reforme duke përfshirë dhe hapat që duhen hedhur për të rikthyer besimin në zgjedhje të lira dhe të ndershme, që u plagosën rëndë më 21 Qershor nga dyshja Rama-Meta, është dekriminalizimi. Demokratë, kristiandemokratë dhe socialistë në Parlamentin Evropian kërkojnë dekriminalizimin e politikës shqiptare, i gjithë opinioni publik shqiptar, të djathtë, të majte e të pa parti kërkojnë dekriminalizimin e politikës. Opozita e ka këtë një betejë kryesore. Të vetmit që heshtin dhe refuzojnë ta bëjnë këtë janë dyshja Rama-Meta”, – theksoi Basha. Ndërkohë sa i përket numrit të lartë të azilkërkuesve, kreu i opozitës tha se edhe BE është e ndërgjegjshme se vjen nga keqqeverisja. “Qëndrimet e europarlamentarëve dhe zyrtarëve të lartë të BE-së janë të qarta. Ata identifikojnë si shkaqe kryesore të fluksit të azilkërkuesve nga Shqipëria drejt Gjermanisë dhe vendeve të tjera të BE-së keqqeverisjen e cila përbëhet nga kolona kryesore siç është inkriminimi i pushtetit, korrupsioni galopant i shtrirë në të gjitha nivelet e qeverisjes siç citojnë dhe raportet evropiane dhe amerikane dhe papërgjegjshmërinë, padrejtësinë dhe arbitraritetin në hapat dhe aksionet e ndërmarra nga qeveria”, – pohoi kryedemokrati Basha.

 

 

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here