Pack: Rama futi kriminelët në Parlament e bashki. Ja pse Merkel s’i kushtoi vëmendje në Vjenë

0
123

 

 

dorispack

 

Në një prononcim pas mbledhjes së Asamblesë Politike të Partive Popullore Evropiane,‏ eurodeputetja Doris Pack, një ndër deputetet më të vjetra si të PE-së ashtu edhe të CDU-së së Merkel-it, tha se mazhoranca qeverisëse përfshiu në Parlament dhe në bashkitë e vendit personat e inkriminuar. Po ashtu, ajo komentoi edhe “largësinë” mes kreut të qeverisë dhe Kancelares në samitin e Vjenës, ku tha se nuk mund të flitet për një histori dashurie, pasi Merkel ka shumë punë dhe nuk mund ta takojë Kryeministrin në mënyrë të veçantë.
Ju keni qenë shumë kritike në asamblenë politike për situatën në Shqipëri. Pse?
Mjafton të shohësh realitetin. Ka persona që nuk kanë asnjë vlerë për të mbajtur poste në Shqipëri dhe socialistët u kanë dhënë poste publike. Ka kryebashkiakë që rezultojnë të akuzuar dhe ndoshta të gjykuar për çështje kriminale në të shkuarën. Në këtë legjislaturë të Parlamentit shqiptar ka shumë persona që kanë një të shkuar kriminale. Nuk bëhet kështu politika. Qytetarët humbasin një gjë të shtrenjtë, besimin.
Për këtë arsye mbështes zotin Basha, i cili e ka denoncuar këtë situatë. Zoti Rama është një regjisor i mirë. Ai di si të prezantohet të dhe të shpërqendrojë vëmendjen, duke bërë të harrohet se ç’ka bërë nga mbrapa. Është ai që i ka vënë këta njerëz në këto poste dhe ka mbrojtur të tilla kandidatura. Për këtë arsye, u shpreha me tone kritike në Asamblenë Politike dhe thashë që duhet ndihmuar zoti Basha për luftën e tij për një politikë të pastër, për një Shqipëri të denjë.

Pra, për ju ka një lidhje të pushtetit të krimit gjatë kësaj qeverisjeje?
Po, qytetarët e dinë dhe ambasadorët e BE-së në Shqipëri duhet ta dinë. Ata duhen të jenë shumë më precizë mbi këto fakte dhe t’ua raportojnë ato kryeqyteteve të tyre. Prandaj, nuk mjafton që e thotë vetëm zoti Basha këtë. Mund të thuhet që këto denoncime vijnë nga opozita. Por çështja është se nuk është vetëm opozita që i njeh këto fate. Qytetarët vetë i njohin mirë. Ndaj, zoti Basha meriton mbështetjen tonë.

Sipas jush, rritja e azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani shpjegohet me përkeqësimin e situatës në vend?
Po. Basha u është referuar shifrave në rritje të azilkërkuesve shqiptarë në Gjermani. Shtrohet pyetja: Përse? Ekziston një klimë shumë e vështirë për personat që nuk janë në të njëjtat në parti në pushtet apo që nuk ndajnë të njëjtat qëndrime me pushtetin. Ndaj, Basha duhet mbështetur, por jo për një çështje solidariteti midis partive tona politike, por për një politikë serioze dhe të qartë për Shqipëri. Nëse do të kishte persona me të shkuar kriminale në gjirin e demokratëve, unë do ta kisha denoncuar me të njëjtën forcë. Por deri tani, më rezulton, që personat me të shkuar kriminale gjenden në gjirin e socialistëve.

Sipas jush, pse Angela Merkel nuk i kushtoi shumë vëmendje Ramës gjatë samitit të Vjenës? Pse nuk e takoi Ramën?
Kancelarja Merkel ka punë të tjera për të bërë. Nuk bëhet fjalë për një histori dashurie këtu. Ajo është shumë e zënë dhe nuk ishte e nevojshme që të takonte në mënyrë të veçantë Ramën. Kjo shihet kështu në Shqipëri, në fakt, dhe jo në kryeqytetet e tjera. Dhe kjo, sepse Rama thotë që ai dhe Kancelarja gjermane formojnë një çift, sigurisht jo në dashuri, por që kanë afrimitet dhe vlerësojnë njëri-tjetrin. Unë shpresoj që Angela Merkel të shohë problemet në Shqipëri dhe që t’ia thotë Ramës. Dhe për këtë arsye, Basha duhet të dëgjohet dhe mbështetet nga liderët e Partisë Popullore Evropiane, sepse Shqipëria po vuan. Nuk është Partia Demokratike që po vuan, është Shqipëria që po vuan, me një situatë të keqe për të cilën sapo folëm.

 

 

Reagimi

Braçe: Turp e faqja e zezë, Pack me dëshirë të zjarrtë për të qenë ngucur-ngucur të rinjve

 

Deputeti socialist Erjon Braçe reagoi dje ndaj deklaratave të eurodeputetes Doris Pack, duke e akuzuar këtë të fundit se i shërben Partisë Demokratike. Me një ironi të fortë Braçe tha se Pack para se të kritikojë PS-në dhe Ramën për kriminelët duhet të flasë për kryedemokratin Basha, i cili, sipas tij, ka një dosje në prokurori. “Më kish malli për Doris Pack!! Sapo e pashë, ishte shëndoshë e mirë, pak më e moshuar, por me dëshirën e flakte, atë te zakonshmen e te njohur tashme ne këto ane, për te qene pranë apo ngucur ngucur te rinjve!! Këtë here ka Bashen! Përtej kësaj me kish marre malli për te folurën e saj; Është kështu, ndoshta mund te mos jete kështu por patjetër qe është ashtu!! Turp e faqja e zeze dhe ankohem për simotrën e saj Saliun pastaj. Pasionare Doris; Meqë fole për pushtetarë te akuzuar, ndoshta edhe te dënuar por ndoshta edhe jo te dënuar, por kriminele me Ramen, me lejo te të them: Çuni te cilit i dole për zot sot, tamam ai Lulzimi i krehur e vajisur, është i akuzuar zyrtarisht nga Prokuroria e Republikës, i pagjykuar, për shkak se ishte me raport mjekësor deri ditën qe rimori imunitetin, por me siguri keqbërës dhe me çështje te pambyllur! E dine te gjithë këtë përveç teje! Ti a e kupton ç’do te thotë kjo? Tani beje atë thirrjen proletare për te mbrojtur Lulzim Bashen!”, – shkruante deputeti socialiste në rrjetin social FB.

 

 

Kundërpërgjigjja për deputetin e PS-së

PD: Tartabiqi politik Braçe u bë oturaku i Ramës, s’është më shumë se kanal i ujërave të zeza

 

Pas reagimit të deputetit socialist e menjëhershme ishte dje edhe kundërpërgjigjja e demokratëve, të cilët, përmes një deklarate për shtyp, akuzuan Braçen si një person të nënshtruar dhe të përdorur nga Kryeministri Rama. “Erjon Braçe pranoi sot të bëhet oturaku i Edi Ramës për të sulmuar zonjën e nderuar Doris Pack. Erjon Braçe, ky kanal i zakonshëm i ujërave të zeza, u trazua sot nga deklaratat fisnike të zonjës Pack që ishin në favor të Shqipërisë dhe të ardhmes së saj evropiane. Zonja Pack denoncoi kriminalizimin e pushtetit dhe lidhjet e tij me personat me precedentë penal, foli për fakte të njohura botërisht, duke i bërë shërbim demokracisë dhe vendit. Por nuk kanë si t’i pëlqejnë të tilla qëndrime madhore një tartabiqi politik, që është zëdhënës zyrtar i një prej bandave më famëkeqe, si ajo e Lushnjës. Qëndrimet kundër krimit në pushtet prishin rehatinë e braçeve e pusetave të tjera të mazhorancës, por janë qëndrime në krah të Shqipërisë e shqiptarëve, në krah të ëndrrës sonë të përbashkët evropiane”, – thuhej në deklaratën e PD-së.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here