Erion hajde na bëj fresk në urbanë, se plasëm!

0
174

 

Erion Veliaj

Se do të rikthehej vapa, temperaturat e larta si të korrikut në këto ditë askujt s’ia merrte mendja, me gjithë parashikimet e sigurta. Por këto si duket nuk e morën seriozisht urbanët e kryeqytetit të cilët në gjithë këto ditë kanë stakuar kondicionerët. Është linja e Kombinatit. Më e gjata në kryeqytet, më me nam të keq. Prej vitesh frika e njerëzve në këtë linjë është hajdutëria. Të vjedh dhe fatorinoja, guxojnë të thonë disa. Madje jemi ndodhur në një situatë të tillë, kur janë mbajtur peng pasagjerët për hajdutin. Por ferri në këtë linjë është edhe shpejtësia e autobusit, a thua se njerëzit janë thasë me patate. Frenime të dhunshme, shpejtësi frenetike, tejmbushje me njerëz… ja pse ankohen njerëzit. Ka pasur raste plot që fëmijët e vegjël, 2-vjeçarë, u kanë rënë nga duart prindërve nga frenimi i beftë i Kombinatit, e pleq janë rrëzuar përtokë, e njerëzit si domino kanë shkuar kurriz pas kurrizi. Përveç një shërbimi këtij shërbimi skandaloz urban ku njerëzit shtypen e shtyhen, si gjithnjë këtyre ditëve të “paparashikuara” i shtohet edhe vuajtja e vapës. Kundërmimi i djersës, freskuese që tunden me sa fuqi t’ju hajë krahu zonjave, dhe zërave të trashë të burrave që ankohen nuk ua mbush mendjen shoferëve e fatorinove sa për t’u freskuar.

Hasija që bën rrugën e Kombinatit çdo ditë, pasi punon kamieriere në qendër të Tiranës, shfryn me zë të lartë. Dhe një burrë rreth të 50, pa grindavec, tekanjoz bërtet dhe hap me inat dritaren e autobusit. Fatorino si në çdo urban shkon duke shtyrë sa majtas djathtas e duke shkelur këmbë pasagjerësh për të mbledhur paratë, por njëkohësisht duhet të merret dhe me ankesat e pasagjerëve. Në fakt çfarë kemi vëzhguar në gjithë këto ditë të nxehta dhe që të vjen habi është se fatorinot përgjigjen sikur të jenë pronarë autobusi. U kthehen njerëzve me zë të lartë, se aq fuqi kanë kondicionerët, duke shpjeguar se ka shumë njerëz në autobus. Në fakt këto janë të njëjtët autobusë që ishin përgjatë gjithë verës, e mund të udhëtojë të paktën në pak fresk. Por jo si e këtyre ditëve. As si në propagandën e Erionit, kryebashkiakut të ri, që reklamonte xhirot në urbanë të kryeqytetit për të dëgjuar hallet. Pasagjerët e autobusit e kujtonin këtë histori, që nuk ka mbushur muajin. “Do thërrasim Erionin të udhëtojë me ne, të na freskojë urbanin, se plasëm”, thërrasin më rebelët në autobus. Por nxitimi i fatorinove për të bërtitur, madje një prej tyre, dje në mesditë iu kthye një mesgruaje, mjaft të shëndoshë, se nëse kishte shkollë do ta kuptonte pse nuk kanë fuqi të punojnë kondicionerët. Disa prej tyre i drejtonin njerëzit për te shoferi.

Në kryqëzimin ku po merr rrugë unaza e re, dhe tani është një katrahurë betoni, e shtëpi të vogla të pista, të romëve, pranë semaforit, drejtohemi për në Yzberisht, ku zbresin gjithmonë një lukuni njerëzish, pasi kjo zonë tashmë është e populluar jashtë mase. Por nga rruga kryesore e deri tek fundi i pallateve, në dy korsi, sidomos në mbrëmje, kjo bëhet e rrezikshme. Trotuare tepër të ngushta, ku shpesh njerëzit detyrohen të zbresin në xhade, pa drita, errësirë e plotë – e bëjnë këtë segment në këmbë me mjaft vështirësi. Ndonëse kjo anë ka linjën e Yzberishtit. Autobusi qarkullon çdo gjysmë ore. Deri tek “21 Dhjetori” ecën mjaft ngadalë, ndërsa në kthim merr vrull të madh, pothuaj “pa frena” për të zënë orarin e gjysmës së orës. Por njerëzit në këtë linjë nuk ankohen nga kjo. Linja nuk ka abone. Qytetari paguan 30 lekë, por nuk merr biletë. Pra, janë para që shkojnë direkt në xhep të pronarit, askund e llogaritur se duhet të deklarojë. Por këtë linjë e mbrojnë shoferët. Edhe fatorinot. Ata rrinë gjithë kohën duke numëruar paratë. Bileta s’ka, abone jo.

Një mbrëmje, njërit prej shoferëve të Yzberishtit i thamë një tufë ankesash për autobusët e kësaj linje. Nisen nga 9-katëshet, me pak njerëz, por në mbrëmje mbyllet herët, edhe pse ajo zonë vitet e fundit ka një popullsi të dendur. Kësaj “ankese” shoferi i thotë: Kaq do pronari. Ankohemi prapë, këtë herë për biletën, abonetë të paktën. Shoferi përgjigjet: I do paratë në dorë pronari.

Me këto ankesa s’ka të krahasuar përballë gjendjes mizerabël ku janë autobusët e Yzberishtit. Të palarë, zhul, erë e rëndë. Sediljet janë të nxira nga pisllëku, me copa që mbajnë erë llumi dhe të bëra lyrë-lyrë. Shoferi thotë: Nuk munden të blejnë të tjerë autobusë, i lajmë, po janë shumë të vjetër.

Por, prapë njerëzit hipin për në Yzberisht, është nga zonat e reja në Tiranë, më të populluarat.

“Aman më liro rrugën, se sot është dita e fundit, mundësi e fundit e fatorinos. Mund ta pushojnë nga puna, sepse ka prerë vetëm gjashtë bileta, e kanë paralajmëruar”, -bërtiste shoferi, dy ditë më parë, në telefon, ai i linjës së uzinës “Dinamo”. Këta kanë më pak pasagjerë, funksionojnë edhe me abone, më lirë se të tjerat, pasi të çon deri në qendër. Kjo linjë i ka autobusët e pastër, por sediljet kanë copa gjithë zhul, të grisura. Vonohet ca në stacione, pasi linja e Kombinatit dhe ajo e Yzberishtit ia marrin pasagjerët. Edhe në to ka temperature të larta, që durohen prej qytetarëve të urtë të kryeqytetit. Tani pasagjerët e dijnë, se nuk ishte fresku i korrikut që e bënin pak shumë pak, udhëtimin komod në urbanë, as ajo e kryebashkiakut që reklamonte se po udhëtonte me hallet e tyre. Njerëzit të paktën tani e kanë modelin e protestës, sarkazmën: Erion hajde na bëj fresk në urbanë, se plasëm!

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here