Standard.al

Shuhet albanologu Stipçeviq / Aleksandër Meksi: Duhet nderuar përpara të tjerëve që nxjerr politika e ditës

0

Albanologu dhe ilirologu i shquar kroat, Arbnesh i Zarës, Aleksandër Stipçeviq, është ndarë dje nga jeta, në moshën 85-vjeçare. Shprehin ngushëllime historian dhe studiues, si botuesi ekskluziv “Toena”. Prof. Aleksandër Meksi, për “Standard”: “Stipçeviq duhet nderuar përpara të tjerëve që nxjerr politika e ditës”; ndërsa Akademia jonë e Shkencave ka injoruar njoftimin e ndarjes nga jeta të albanologut, duke mos lëshuar asnjë deklaratë ngushëllimi në media, ashtu sikurse ka bërë në rastet më të afërta me akademikët e Kosovës

 

stipcevic

Albanologu dhe ilirologu i shquar kroat, Arbnesh i Zarës, Aleksandër Stipçeviq, dje, është ndarë nga jeta, në moshën 85-vjeçare. Është konsideruar si një prej studiuesve dhe albanologëve më të shquar në arenën ndërkombëtare, ardhur nga Shkodra më shumë se tre shekuj më parë, origjinë të cilën miqtë e tij thonë se e shprehte gjithmonë me krenari.

Prof. Stipçeviq është i njohur gjerësisht edhe në Kosovë e Shqipëri, në rrethet kulturore, shkencore e akademike, por edhe si autor i mjaft veprave të botuara në shumë gjuhë të botës.

Nga më të njohurat e më të rëndësishmet vepra të tij janë edhe ato të botuara në gjuhën shqipe nga “Toena”, “Ilirët – historia, jeta, kultura, simbolet e kultit” (2002), një nga botimet më të rëndësishme ilirologjike edhe për mbrojtjen me argumente shkencore të tezës se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve. “Historia e librit” (Toena, 2005) është një tjetër botim në shqip, ku Aleksandër Stipçeviq njihet nga studiuesit e pakët në botë që shkroi një libër për librin, historinë dhe rëndësinë e librit gjatë rrjedhave të historisë njerëzore dhe zhvillimet e tij në të gjitha epokat.

“Stipçeviq ishte një atdhetar e albanolog i shquar që punoi për të ndriçuar historinë e ilirëve dhe shqiptarëve. Ai dhe vepra e tij zënë një vend të shquar në kulturën shqiptare dhe duhen nderuar përpara shumë të tjerëve që nxjerr politika e ditës. Kujtimi i tij qoftë i paharruar”, – ka thënë dje për “Standard” profesor Aleksandër Meksi.

Ndërsa, në raste të tjera ka reaguar për mediat, dje, Akademia jonë e Shkencave nuk lëshoi asnjë deklaratë ngushëllimi. Madje, nga kontaktet me zyrtarë të saj, ndonëse ngjarja është përhapur qysh në orët e para të mëngjesit të djeshëm, në Akademinë tonë ka mbërritur pasdite vonë. Ky është një injorim politik që i bëhet këtij studiuesi të Ilirisë dhe lidhjes me shqiptarët, por nga ana tjetër ngushëllimet sidomos në rrjetet sociale është hedhur nga botuesi i tij në Shqipëri, Irena Toçi.

“Kush e ka njohur nga afër prof. Aleksandër Stipçeviqin do të ruajë gjithmonë në kujtesën e tij njeriun energjik, të kudondodhur, shumë miqësor, gjithmonë entuziast e gazmor, gjithmonë i vëmendshëm e i interesuar kur flitej e bëhej fjalë për Shqipërinë, shqiptarët kudo që ndodhen, dhe në mënyrë të veçantë për historinë dhe prejardhjen e tyre dhe shtrirjen në Ballkan.

Të paharruara do të mbeten takimet tona me prof. Stipçeviqin në këto dy dekadat e fundit në Tiranë, Zagreb e Ulqin në takimet për promovimin e botimeve të tij në shqip, por edhe në shtëpinë e tij në Zagreb, në mikpritjen e tij mbresëlënëse dhe të zonjës Stipçeviq, e cila nuk ndahej asnjëherë prej tij në udhëtimet brenda dhe jashtë Kroacisë”, – ka shkruar botuesi i “Toenës”, njëkohësisht si shprehje e ngushëllimeve. – Shumë gjëra për ilirët nuk i dimë ende, shumë gjëra të panjohura i fshehin ende mjaft vendbanime të pastudiuara dhe nekropolet ilire, shumë fakte të njohura duhet të vlerësohen shkencërisht. Megjithatë, na është dukur se lënda ekzistuese dhe rezultatet e arritura deri tani bëjnë të mundur që të jepet një pamje e përafërt, ndonëse jo edhe definitive, për të kaluarën dhe kulturën e këtij populli të lashtë të Ballkanit, i cili në këto troje jetoi më gjatë se të gjithë popujt e tjerë të njohur”.

Ndërsa ka qenë një nga ngjarjet më të rëndësishme shkencore dhe kulturore paraqitja e librit të sapobotuar për ilirët në Zagreb, në mjediset e Akademisë së Shkencave të Kroacisë.

Stipçeviq gjithnjë ka preferuar, në çdo rrethanë politike, të pohojë pa drojë prejardhjen e tij shqiptare. “Kam dëshirë të flas shqipen që di nga të parët e mi”.

Aleksandër Shandri ka studiuar arkeologjinë dhe ka drejtuar një varg institucionesh e projektesh që lidhen me bibliotekat, historinë e librit, botimet enciklopedike etj., deri në Akademinë e Shkencave në Zagreb. Që nga viti 1987 është profesor ordinar në Fakultetin Filozofik të Universitetit të Zagrebit, ku mban kursin e historisë së librit, sociologjisë së librit dhe bibliografisë. Është autor i një numri të madh veprash për ilirët dhe historinë e librit: “Historia e ilirëve”, “Arti i ilirëve”, “Simbolet e kultit te ilirët”, “Bibliografi për ilirët”, “Historia e librit”, “Censura në biblioteka”, “Interpretime albanologjike” etj. Më shumë se dyzetë e pesë vjet emri i tij identifikohet me rezultatet më të reja të studimeve ilire.

 

 

 

Box gri

 

Një intervistë e kohëve të fundit për studimet e tij mbi ilirët, aq shumë të debatuar si një çështje politike

 

 

Ilirët, çështje politike?! Stipçeviq përgjigjet

 

Tani këtu hapet një çështje tjetër për diskutim. Kohët e fundit, në qarqe të ndryshme “shkencore” , por edhe gazetareske e politike, vihet në dyshim etnogjeneza e shqiptarëve. Çfarë mund të na thoni ju për këtë çështje, e cila për mendimin tonë është e përfunduar?

 

Aleksandër Stipçeviq: Vërtet, çështja ilire dhe ajo e etnogjenezës së shqiptarëve po diskutohet pa ndonjë shkak të kohëve të fundit dhe po politizohet pa nevojë. Kemi dëshmi të mjaftueshme, që argumentojmë se ilirët nuk janë zhdukur me ardhjen e romakëve, e as më vonë. Shën Jeronimi, i cili është burim i sigurt sipas mendimit tim, thotë se ilirët në shekullin e 5-të, e kanë folur shumë mirë gjuhën e tyre. Në udhëpërshkrimin e Shën Hilarionit flitet për gjuhën e ilirëve në rrethin e Epidaurim-it, pra në Cavatin e sotëm. Të besosh se ilirët u zhdukën nga faqja e dheut me ardhjen e sllavëve është e pakuptimtë dhe e palogjikshme. Në Ballkan nuk kishte aq shumë sllavë, madje as popuj të tjerë, të cilët në mesjetën e hershme erdhën në Ballkan. Ata kishin ardhur në viset të cilat nuk i njihnin aq shumë dhe ishin përqendruar në qytete, ku ishte pasuria. Ndërkaq populli ilir kishte zhvilluar një prodhimtari të mallrave dhe prej kësaj mund të kishin dobi. Kështu ishin të detyruar ta përvetësonin edhe mënyrën e jetesës dhe shumëçka tjetër të këtij populli të lashtë. Prandaj ky element ilir mbeti aty. Për këtë nuk ka kurrfarë dileme, e ne sot jemi në gjendje t’i identifikojmë ato elemente. Mirëpo politizimi që po i bëhet kësaj çështjeje, duket sikur dëshiron të mohojë marrëdhëniet e ilirëve, por edhe të shqiptarëve me popujt e tjerë të Ballkanit. Në një farë mënyre harrohet apo, thënë më drejt, dëshirohet të harrohet, se ilirët mbetën jo vetëm në trojet ku sot jetojnë shqiptarët, por në tërë Ballkanin Perëndimor. Pra, ata që mohojnë origjinën ilir të shqiptarëve, e bëjnë këtë jo për hir të shkencës, jo pse kanë argument shkencore, por nga motive të tjera të cilat janë shumë larg shkencës. Askush nga ata që në Ballkan e në botë merret seriozisht me problemin e ilirëve nuk e mohon origjinën e drejtpërdrejt të shqiptarëve prej tyre. Albanologjia në mënyrë të sigurt dhe me argument të mirëfillta, e me dëshmi materiale e ka vërtetuar lidhjen e kulturës së lashtë ilire dhe të shqiptarëve mesjetarë. Arkeologët kanë zbuluar një numër lokalitetesh të shekujve të 7-të, 8-të dhe të 9-të, të cilët plotësojnë qartë, pikërisht atë dije, që nuk mund të plotësohet nga burime të shkruara historike. Pra, sot nuk është kontestues fakti që në mes ilirëve dhe shqiptarëve ekziston jo vetëm vazhdimësia kulturore, por edhe ajo etnike. Unë kam shkruar dhe për elementin ilir tek kroatët në veçanti, si dhe për prezencën e ilirëve në kulturën kroate. Elementët ilirë në këtë pjesë të Ballkanit janë të pranishëm shumë më shumë se sa kemi menduar më parë.

 

Problem të veçantë në shkencë edhe sot e kësaj ditë paraqet shtrirja gjeografike e ilirëve. Mund të bëjmë rikonstruktimin e disa monumenteve kyçe, por jo në tërësi. Cili është mendimi juaj?

 

Problemi i shtrirjes gjeografike të ilirëve është i lidhur me problemin e etnogjenezës së tyre. Pa hyrë në detaje do të thosha se sot për ne ekziston një burim tejet i rëndësishëm për shtrirjen gjeografike të ilirëve. Ai është Apiani, të cilit nuk kemi arsye pse të mos i besojmë. Ai vërteton se ilirët kanë jetuar prej Epirit deri në Danub. Arkeologët dhe gjuhëtarët janë të mendimit se duhet të ngushtohet ky territor në llogari të popujve të ndryshëm, sidomos panonëve, në pjesën Veriore të Ballkanit. Unë mendoj, se nuk ka element të forta që të kontestohet Apiani. Sot, kur flasim për ilirët, mendojmë për atë hapësirë gjeografike që shtrihet prej Alpeve e Danubit në veri, Moravisë në jug, e pastaj deri pak më në jug të shtrirjes së Shqipërisë së sotme.

Intervistoi: Flori Bruqi

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.