Standard.al

Kundërshtitë mes koalicionit /Ngërçi mes PS e LSI për reformën në drejtësi, Xhafaj takim informal me ministrin Naço

0

 

xhafaj naco te komisioniLSI këmbëngul që mazhoranca të marrë konsensusin e PD-së për reformën, PS kërkon mbylljen e saj edhe nëse opozita nuk bëhet pjesë

 

Gëzim Saliu

 

Në kohën kur opozita ka kushtëzuar bashkëpunimin e saj për reformën në drejtësi me propozimet e saj për analizën dhe strategjinë e kësaj reforme, dokumente që deri më tani janë miratuar vetëm nga të majtët, duket se edhe vetë mazhoranca nuk është në dakordësi të plotë për këtë çështje. Partia Socialiste dhe Lëvizja Socialiste për Integrim duket se kanë qasje të ndryshme për disa nga piketat e kësaj reforme të rëndësishme për vendin, gjë e4 cila ka detyruar palët të rinegociojnë mes tyre. Kështu ditën e djeshme kreu i komisionit të posaçëm për reformën në drejtësi, deputeti socialist Fatmir Xhafaj zhvilloi një takim informal larg syrit të medieve me ministrin e Drejtësisë, Nasip Naço. Sipas burimeve pranë dy partive kryesore të së majtës, kafja e konsumuar në një ndër baret kryesore të kryeqytetit mes Naços e Xhafës ka pasur në qendër të diskutimit pikërisht reformën në drejtësi dhe mundësinë e gjetjes së dakordësisë mes palëve.

 

Ngërçi

Lëvizja Socialiste për Integrim, krejt ndryshe nga forca kryesore e koalicionit të majtë, duket se është e vendosur që reforma në drejtësi të kalojë së bashku me konsensusin e opozitës. Ky synim i partisë së Metës lidhet me faktin se kjo është një ndër reformat thelbësore për vendin, e cila do të ketë ndikim të drejtpërdrejtë edhe në hapjen ose jo të negociatave me Bashkimin Evropian. Për LSI-në një reformë në drejtësi me konsensusin e opozitës do të përbënte një “carta biancha” për çeljen e negociatave me Brukselin. Ndërkohë nga ana e saj PS e Ramës duket më radikale në qëndrimin e saj për këtë çështje duke theksuar se mbetet e hapur për kontributin e opozitës në këtë reformës, por se kjo e fundit do të bëhet edhe nëse opozita nuk merr pjesë në punimet e komisionit të posaçëm parlamentar. Ky qëndrim i kundërt mes palëve si edhe çështje teknike të pikave të dokumenteve të diskutuara në komisioni ishin pjesë e negociatave mes kryetarit socialist të Komisionit të Ligjeve dhe Ministrit të LSI-së. Ky takim mes dy prej protagonistëve kryesorë të reformës në drejtësi u bë me qëllim që në sezonin e ri parlamentar dy forcat kryesore të koalicionit qeverisë të kenë një qëndrim të përbashkët për këtë reformë e cila do të jetë parësore jo vetëm për sistemin e drejtësisë por edhe për fatet evropiane të vendit. Ndërkaq, dy ditë më parë Partia Demokratike përmes deputetit Eduard Halimi theksoi se ekspertët e opozitës kanë punuar lidhur me dy dokumentet që mazhoranca i ka konsideruar si të përfunduara, siç janë analiza dhe strategjia. Deputeti demokrat theksoi se nëse mazhoranca merr në konsideratë qëndrimin e opozitës, atëherë ata do të jenë pjesë e kësaj reformë për të dhënë impaktin e tyre. “Për ne dokumenti i analizës dhe i strategjisë janë dokumente të hartuara në mënyrë të njëanshme pasi nuk ka marrë pjesë opozita. Opozita është gati që të japi impaktin e vet, e cila javën e ardhshme do të prezantohet nga ekspertët e vet dhe me pas do paraqitet në komisionin parlamentar, në rast se mazhoranca do marrë në konsideratë qëndrimin e opozitës ne do të vazhdojmë të jemi pjesë e reformës në drejtësi dhe do japin impaktin konkret”, – ka theksuar deputeti demokrat.

 

 

Nënkryetari i LSI-së

Manjani, kritika qeverisë: Debati për kishën, i pavend, tek Liqeni s’duhet ndërtuar dhe pikë

 

Nënkryetari i LSI-së, Ylli Manjani, u tregua kritik për disa qëndrime apo nisma të qeverisë “Rama”. Në një intervistë për “Ora News”, Manjani u ndal fillimisht në debatin e krijuar mes shtetit shqiptar dhe atij grek për kishën që u prish në Dhërmi. “Për mua është debat i pavend. Kemi një Kushtetutë që e ndan shtetin nga kisha, nga kleri. Këto nuk janë çështje të shtetit, as qeverisë dhe as më pak të qeverisë greke”, – tha ai. Po ashtu ai u shpreh kundër fasadës së re të Kryeministrisë, por dhe projektin për Parkun e Liqenit të Tiranës. “Unë nuk i hyj fare projektit, jam i pikëpamjes se aty nuk duhet ndërtuar. Në hapësirën e Liqenin Artificial nuk duhet lejuar ndërtimi, pikë. Mezi e pastruam atë pjesën aty kur erdhi Papa, morëm një vendim si qeveri për ta pastruar atë zonë, e pastruam. Tani pse duhet të vendosim ta ndotim prapë”, – theksoi Manjani. Ndërkohë nënkryetari i LSI shprehu hapur kundërshtinë e tij për çështjen e mbledhjes së taksave vendore dhe shkrirjen e policisë bashkiake. Sipas Manjanit përpara se të merren vendime të tilla, duhet të bëhen konsultime të gjera. Por a përfaqësojnë deklaratat e Manjanit, qëndrimin e LSI-së? “Këto nuk mund të jenë çështje politike, apo koalicionit, janë çështje që i takojnë qytetarisë dhe zhvillimit urban”, – pohoi Manjani.

 

 

Korrupsioni në shëndetësi

PD: Ngeli dy herë në provimin e shtetit, Edi Rama e bën kryefarmaciste të vendit

 

Partia Demokratike denoncoi atë që e cilësoi si një tjetër rast të korrupsionit në sistemin shëndetësor duke akuzuar ministrin Beqaj dhe Kryeministrin Rama se kanë emëruar në postin e drejtores së Drejtorisë Farmaceutike një farmaciste që ka ngel dy herë në provimet e shtetit. “Edi Rama po ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh me ilaçet. Drejtoresha e Drejtorisë Farmaceutike në Ministrinë e Shëndetësisë, ajo që duhet të kontrollojë cilësinë e ilaçeve, ka ngelur në provimin e shtetit. Madje ka ngelur dy herë me radhë. Pra, ajo nuk mund të ushtrojë dot profesionin e farmacistes, por ama është bërë kryefarmacistja e vendit, falë lidhjeve politike e financiare. Ky është një informalitet skandaloz që ndikon drejtpërdrejt në jetën e qytetarëve”, – tha deputetja e PD-së Albana Vokshi. Më tej ajo bëri të ditur se ish-drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave, i kapur nga KLSH për abuzime, i akuzuar për shpërdorim detyre e falsifikim dokumentesh, u promovua nga Kryeministri si drejtor i Rimbursimit në Fondin e Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor. “Edi Rama ulëret për informalitetin, por shihni çfarë ndodh në Agjencinë e Kontrollit të Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore. Gjatë muajve korrik-gusht janë emëruar nga Ministri Beqja, 13 punonjës, vetëm 3 prej tyre kanë arsimin e kërkuar me ligj, 9 të tjerët vijnë nga lidhje informale, politike, nepotike e korruptive. Këto janë pra standardet e Edi Ramës. Ky është informaliteti më i rrezikshëm në vend, i mbjellë nga ai vetë dhe Beqaj i tij, në sektorin më të rëndësishëm, në shëndetësi aty ku varet jeta e shqiptarëve. Ai është krijuesi, themeluesi dhe ushqyesi i informalitetit dhe skemës skandaloze korruptive në shëndetësi e kudo”, – theksoi deputetja demokrate.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.