Standard.al

Basha: Nuk shoh asnjë mundësi për rikthimin e PD-së në pushtet si patericë e Metës apo Ramës

0

Basha pas takimit me schultz

 

Kryedemokrati nuk mohon negocimin para disa kohësh të një personaliteti të lartë perëndimor për bashkëqeverisje PD-PS, por thekson: Koalicionet e mëdha i cakton populli kur flet me votë

 

“PD nuk bashkëqeveris me ata që i vunë lakun në fyt këtij populli, me taksat e larta, me kriminalizimin dhe kapjen e zgjedhjeve”

Kryetari i PD-së, Lulzim Basha, deklaroi dje në një intervistë ekskluzive në emisionin “Fakt” të gazetarit Çim Peka, që u transmetua në “SYRI.net”, se PD nuk do të bashkëqeverisë me PS-në apo me LSI-në. Duke komentuar zërat e shumtë për një bashkëqeverisje me një ndër partitë e mëdha të majta, Basha nuk mohoi negocimin perëndimor për një koalicion të madh PD-PS, por theksoi se bashkëqeverisjet i përcakton populli me votë. Po ashtu, në intervistë Basha foli për zgjedhjet e 21 qershorit si edhe planin e opozitës për shpëtimin e vendit nga situata e vështirë ekonomike, ku e ka përfshirë mazhoranca qeverisëse.

Ish-kryetari i Partisë Demokratike, paraardhësi juaj, zoti Berisha, është shprehur për zgjedhjet lokale, në fakt një shprehje surprizë, pasi me sa mbaj mend unë në 25 vjet, zoti Berisha nuk ka pranuar ndonjëherë se i ka humbur zgjedhjet në opozitë. Megjithatë, është shprehur konkretisht, në vlerësimin tim PD-ja i humbi zgjedhjet, Rama u plagos rëndë. Zoti Basha a i ka humbur Partia Demokratike zgjedhjet lokale?

Se çfarë ishin zgjedhjet e 21 qershorit e ka thënë fare qartë raporti i OSBE/ODIHR-it paraprak. Raporte të cilat janë të kufizuara në vlerësimin e tyre, i dënuan këto zgjedhje si një proces që minoi besimin e publikut shqiptar në integritetin e zgjedhjeve dhe nuk përmendi për asnjëherë të vetme zgjedhjet e lira dhe të ndershme. Kjo, sepse jo vetëm OSBE?ODIHR-i, por i gjithë faktori ndërkombëtar, ambasadat e huaja në Tiranë ishin në këmbë dhe vëzhguan me sytë e tyre dhunimet e njëpasnjëshme të procesit zgjedhor, që kulmuan ditën e zgjedhjeve, e në veçanti shtyllat kryesore të kapjes dhe rrëzimit të zgjedhjeve të 21 qershorit, që ishin shitblerja masive e votës, kandidimi dhe përfshirja e elementit kriminal nga ana e mazhorancës nga jugu në veri, përdorimi i parave të pista të krimit dhe korrupsionit dhe presioni i jashtëzakonshëm ndaj votuesve dhe ndaj administratës publike në një përmasë të padokumentuar nga asnjë raport i OSBE/ODIHR-it në 25 vite zgjedhjesh të lira dhe të ndershme. Opozita i ka denoncuar dhe tashmë i ka faktuar këto shkelje, duke dërguar një raport të hollësishëm pranë gjithë institucioneve ndërkombëtare. Në këtë shtrat dhunimesh flagrante të standardeve zgjedhore u zhvilluan zgjedhjet e 21 qershorit. Partia Demokratike dhe unë, dhe askush tjetër nuk ka folur asnjëherë për fitore në zgjedhjet e 21 qershorit. Natyrisht në kontekstin e dhunimeve kemi folur për rezultatin, i cili pavarësisht dhunës, shitblerjes së votës, përdorimit të kontingjentit kriminal, përdorimit si asnjëherë të administratës publike, blerjes dhe falsifikimit të kartave të identitetit, falsifikimit të listave zgjedhore, i cili siç u faktua dhe nisi dhe procesi në prokurori. Pavarësisht prej të gjitha këtyre qeveria pati një rënie domethënëse të mbështetjes në vota, ndërkohë që opozita pati një rritje të rezultatit krahasuar me vitin 2013.

Kush shprehet se Partia Demokratike nuk i ka fituar zgjedhjet?

Askush nuk ka thënë, as unë, as dikush tjetër nuk ka thënë që Partia Demokratike ka fituar zgjedhjet, kjo më duket është një stilemë e stisur për të hequr vëmendjen nga fakti që zgjedhjet e 21 qershorit morën një goditje vdekjeprurëse për demokracinë nëse nuk ndërmerren hapat që komuniteti ndërkombëtarë sugjeron, që OSBE/ODIHR-i në raportin e tij sugjeron. Me këtë rast dua të përfitoj për të konfirmuar publikisht që Partia Demokratike është e angazhuar të zbatojë me përpikmëri rekomandimet e OSBE/ODIHR-it në raportin përfundimtar.

Zoti Basha duket qartë që me këtë listë të gjatë kontestimesh nuk keni ndërmend të bëni analizë mbi rezultatin e zgjedhjeve?

Kjo është e gabuar, këtë e thoni ju. Partia Demokratike e ka nisur analizën dhe do ta çojë deri në fund, por askush të mos shpresojë se analiza e brendshme, analizimi kuti për kuti i rezultatit dhe nxjerrja e përgjegjësive do të na shmangë ne nga detyra jonë kryesore që është një opozitë e fortë ballore, e papërkulur, tashmë me një axhendë të trefishtë, luftën kundër kriminalizimit të pushtetit, korrupsionit që ka sjellë krizën ekonomike dhe ringritjes së zgjedhjeve të lira dhe të ndershme.

Zoti Basha, si kryetar i PD-së, fakti që sipas jush dyshja Rama-Meta ia doli të njolloste dhe të paracaktonte jo vetëm hartën elektorale, por edhe rezultatin elektoral, a ju ka bërë ndonjëherë të mendoni, qoftë edhe një herë, se dështuat dhe mund të jepni dorëheqjen?

Dorëheqja konsiderohet në ato momente kur në përgjegjësinë individuale dhe politike shikon që ke pasur hapa dhe mundësi që mund t’i hidhje dhe nuk i ke hedhur apo ke hedhur hapa në drejtimin e gabuar. Në gjykimin tim, ky nuk është rast, që nga momenti i parë i fillimit të punës së njëanshme për një hartë elektorale, e cila paracaktonte në tavolinë rezultatin, Partia Demokratike nën drejtimin tim ka ofruar një betejë ballore me argumente të plota dhe të gjithanshme për të ndalur këtë proces. Betejë, e cila nuk është kufizuar vetëm në parlament, por është shtrirë me grupet e interesit, me pushtetin vendor, me qytetarët deri në kërkesat për referendum të 130 njësive vendore. Pra, siç e thashë, në qoftë se mbetet një gjykim është ai për pjesëmarrjen apo jo në zgjedhjet e 21 qershorit. Gjykimi im për pjesëmarrje, vendimi ynë për pjesëmarrje ka qenë dhe mbetet në optikën time vendimi i duhur dhe vendimi i drejtë.

Ka një aludim mediatik se në vjeshtën e kaluar, një personalitet shumë i lartë perëndimor në zyrën tuaj si kryetar bashkie nëse do të ishit dakord të bashkëqeverisni me Edi Ramën. A është i vërtetë ky lajm gazetaresk po them, dhe e dyta a e keni menduar ndonjëherë realisht një bashkëqeverisje në këtë situatë?

Koalicionet e mëdha, bashkëqeverisjet i cakton populli, i cakton kur flet me votë. Në gjykimin tim, leximi i gjendjes në vend dhe përpjekja për të lexuar përmes gjendjes në vend atë çfarë kërkojnë shumica e shqiptarëve nuk shkojnë drejt një koalicioni të madh, por shkojnë drejt një ndryshimi rrënjësor të situatës. Gjendja është shumë e rëndë, e kemi thënë e kemi paralajmëruar që ditët e para të kësaj qeverie kur kemi parë planin e saj ekonomik, kemi ngritur zërin kur kemi parë ndërthurjen e planit apo mos plasjen e një plani ekonomik, pra të rritje së taksave në kohë krize, të rritjes së tarifave në kohë krize, të rritjes së çmimit të energjisë në kohë krize, të ngritje së kërbaçit mbi të pamundurin në kohë krize dhe kësaj i është shtuar korrupsioni galopant në kohë krize. Pra më shumë para dalin nga xhepat e qytetarëve për të paguar taksat më të larta, por këto para nuk përfundojnë nuk përfundojnë as në shkolla as në shëndetësi, as në vende pune as në larjen e borxhit publik i cili është thelluar, por përfundojnë në një korrupsion galopant në xhepat e dyshes Rama-Meta. Pra, lajmi në këtë verë për mua është lajmi i përkeqësimit pa shpresë i rrokullisjes së qytetarëve, i cili vjen për arsye të dështimit të kësaj qeverie, dhe secilit prej komponentëve të kësaj qeverie për hesap të vet, Edi Ramës dhe Ilir Metës. Prandaj, gjykoj se askush tjetër, përveç Edi ramës dhe Ilir Metës, bashkë apo veç e veç për hesap të vet, nuk kanë leverdi apo përfitim nga hapja e ndonjë spiraleje apo që do ta quaja thjesht mediatike për gjoja bashkëpunim me Partinë Demokratike. Partia Demokratike siç e kam bërë të qartë nga fillimi nuk bashkëpunon dhe nuk bashkëqeveris me ata që i vunë lakun në fyt këtij populli, me taksat e larta me kriminalizimin dhe kapjen e zgjedhjeve.

E përjashtoni kategorikisht bashkëpunimin me Edi Ramën ose Ilir Metën?

Ne jemi në opozitë të plotë dhe të gjithanshme me këtë qeveri, ne jemi dhe alternativë. Konkretisht Partia Demokratike ka nisur punën për hartimin e një programi dhe një frymëzimi të ri zhvillimor për Shqipërinë, me një ofertë konkrete, e cila duhet të gjykohet nga qytetarët shqiptarë.

Zoti Basha, a është marrë mendim vjeshtën e kaluar në ish-zyrën tuaj në Bashkinë e Tiranës, nëse do të ishit të gatshëm për hir të reformave të mëdha një bashkëqeverisje me Edi Ramën?

Mua nuk më intereson të merrem as me mesazhe dhe as me retrospektiva episodike, mua më intereson thelbi, diagnoza. Diagnoza është një qeveri, e cila tashmë pas dy vjetësh, sepse për dy vjet mendoj se edhe një pjesë e publikut ka dashur t’i japë kohë kësaj qeverisjeje që të shikojnë se çfarë po bëjnë. Pas dy vitesh ajo që më intereson është rruga e daljes nga kjo krizë e gjithanshme ku gjendet Shqipëria.

A ju ka dërguar Ilir Meta, ish-miku juaj dhe ish-aleati juaj, sinjale për t’i bërë presion Edi Ramës?

Ju më njihni prej 10 vitesh të kontributit tim në jetën politike dhe publike. Unë nuk jam person që impresionohem as nga komunikimet tangent, as nga mesazhe të dhëna apo të perceptuara; mesazhet e mia janë publike, komunikimi im është publik, çështjet që më preokupojnë si kryetar i opozitës, janë çështje që preokupojnë qytetarët shqiptarë. Nuk kam parë edhe nuk shoh dhe nuk do të shoh asnjë mundësi për rikthimin e Partisë Demokratike në pushtet si një patericë e Ilir Metës apo Edi Ramës. Partia Demokratike do të vijë në pushtet me votën e lirë të qytetarëve shqiptarë me një proces të ndershëm edhe të lirë zgjedhor, atëherë kur shqiptarët t’i besojnë alternativës dhe rrugëdaljeve që do të paraqesë, atëherë kur shqiptarët të besojnë se ne jemi shpresa e re për të vënë Shqipërinë në rrugën e daljes nga kriza dhe për ti dhënë shpresë shqiptarëve për një jetë më të mirë.

Është e gatshme Partia Demokratike, ju si kryetar dhe stafi juaj, në rast se zoti Rama e teston veten në elektorat? Keni ju një platformë si opozitë për të ndaluar këtë rrënim ekonomik apo jo?

Sigurisht që po dhe e kemi shpallur si të tillë. Ju vetë jeni dëshmitar, qytetarët shqiptarë e kanë dëgjuar, që në disa mbledhje të grupit parlamentar dhe në disa formate të tjera Partia Demokratike, unë personalisht, kemi bërë të ditur nisjen e punës për një plan kombëtar për shpëtimin. Një plan kombëtar shpëtimi për të ndalur dështimin e kësaj qeverie. Pse ikin shqiptarët? Ikin sepse qeveria ka dështuar, ikin sepse nuk kanë shpresë, se me këtë qeveri mund të kenë një të nesërme më të mirë. Për fat të keq, gjendja ekonomike është katastrofike. Më vjen keq ta them, por me këtë qeveri ekonomia do të shkojë më keq nesër dhe pasnesër. E kemi thënë para dy muajsh, e kemi thënë para 4 muajsh, e kemi thënë para dhe kjo po ndodh.

 

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.