Standard.al

Analizë e bilancit të gjërave / Sa punë konkrete po bën kryebashkiaku Veliaj  

0

 

GH5 GH4 P2 P3

 

 

 

 

Ilir Sinanaj

 

Bashkia e Tiranës, me reformën e re territoriale, u kthye në njësinë administrative vendore me numrin më të madh të banuesve në Republikën e Shqipërisë; rreth një e treta e të gjithë shqiptarëve banojnë në këtë Bashki. Për rrjedhojë, sfidat e kryebashkiakut Erion Veliaj, i cili u zgjodh me një shumicë dërrmuese prej 160,235 vota, (me 43,607 vota para kandidatit të dytë me më shumë vota, Halim Kosova), janë të shumta. Në muajin e tij të parë të punës, Veliaj ka ndërmarrë një sërë nismash për të liruar hapësirat publiket (si fillim një njësinë nr. 5) si edhe miratoi paketën e masave ndëshkuese në lidhje me ndotjen, zaptimin dhe tjetërsimin e hapësirave publike. Po deri më tani si ka ndikuar punë e tij në terren?

 

Tualetet publike

Qytetarët kanë treguar mbështetje për zbatueshmërinë e ligjit. Ndërkaq, gjobat e vëna për urinim të disa qytetarëve, të cilat u publikuan së bashku me fytyrat e këtyre kundërvajtësve në media, solli një debat publik deri diku. Për urinim në ambiente publike gjoba është, sipas paketës së masave, 20,000 lekë. Ndërkaq, Veliaj ndërmori edhe nismën për të vënë tualete publike nëpër rrugët e ndryshme të Tiranës. Në një vëzhgim, një nga tualetet publike të vendosura pranë ndërtesës së quajtur “Piramida”, u vu re se mungonte uji për të larë duart. Gjithashtu, nuk kishte letër higjienike. Në këtë tualet kishte thjesht një vrimë septike, kushtet higjienike të së cilës linin për të dëshiruar. Ndërkaq, nuk kishte asnjë shpjegim se sa herë në ditë pastrohej ky tualet publik. Një tualet publik me standarde evropiane, minimalisht, ka disa kushte bazë të higjienës, si për shembull ujë për të larë duart dhe një sistem dezinfektimi. Kjo bëhet akoma më e nevojshme kur këto tualete ndodhen në zonën kryesore të një kryeqyteti.

 

Piramida

Në bilancin e javës së dytë, “7 gjëra konkrete në 7 ditë”, të publikuar më datë 15 gusht 2015, në faqen e rrjetit social “Facebook” të kryebashkiakut Veliaj, thuhet: “Riparuam Piramidën dhe parkun përreth saj”. Në fakt, Piramida është ende në proces riparimi. Kryesisht, janë lyer faqet e saj që janë më të dukshme në bulevardin kryesor dhe po riparohen shkallët përreth saj. Ndërkaq, mbrapa Piramidës, përballë Kryeministrisë, të mbuluara nga pemët janë edhe disa faqe të mbuluara me grafiti (shkarravina me bojëra). Për më tepër xhamat e Piramidës nuk janë riparuar akoma. Ndërkohë, në kuadër të transparencës dhe seriozitetit, publiku duhet të informohet për kohëzgjatjen e riparimit të Piramidës si edhe koston e projektit. Një çështje tjetër, që në vende të zhvilluara cilësohet problematike, është ngjitja e qytetarëve në faqet e kësaj ndërtese. Kjo jo vetëm për një kohë të gjatë e dëmton objektin, por edhe rrezikon jetën e qytetarëve. Pra, është diçka për të cilën Bashkia e Tiranës duhet të marrë masa dhe jo të nxirret si fotografi “pa të keq” në faqen e rrjetit social “Facebook” të kryebashkiakut. Gjithashtu, fatkeqësisht, mund të konstatohet edhe një akt vandalizmi në një nga faqet e lyera të Piramidës, ku është shkarravitur “Born to die” (Lindur për të vdekur).

 

Njësia 5

Rreth 2 javë më parë, Bashkia ndërmori një aksion për të liruar hapësirat publike të zaptuara. Kjo është një gjë shumë pozitive, sepse ligji duhet zbatuar. Shumë pozitiv është edhe fakti që trotuaret e zonës së ish-Bllokut janë liruar nga karriget e lokaleve përreth. Një nga aksionet e mediatizuara së tepërmi, ku ishin të pranishëm edhe shumë zyrtarë të Bashkisë së Tiranës, ishte lirimi i hapësirave publike në bllokun ku ndodhet rruga “Grigor Heba”. Për 25 vjet kjo zënë është neglizhuar, si nga të majtët ashtu edhe nga të djathtët. Ndërkaq, në këtë zonë, me aksionin e Bashkisë së Tiranës, në këtë zonë u hoqën disa çimento, disa gardhe edhe shkurre. Por ajo që duhet thekuar për bllokun ku ndodhet rruga “Grigor Heba” është fakti se rrugët nuk janë të shtruara dhe ka probleme me kanalizimet, që me reshjet e dimrit çon në “llangosje” të rrugës.

Ndërkohë, Bashkia e Tiranës ka vënë një tabelë ku jepen të dhëna për projektin e “Kualifikimit urban të bllokut që kufizohet nga rrugët ‘Sulejman Delvina’, ‘Medar Shtylla’, ‘Skënder Luarasi’, ‘Grigor Heba’ dhe ‘Gjikë Kuqali’”. Kostoja e projektit është rreth 62 milionë lekë dhe afati i punimeve 8 muaj. Por duke qenë se sezoni i shirave po afron, nevojitet që këto punime të përshpejtohen, duke përfshirë rikualifikimin e sistemit të kanalizimeve dhe asfaltimin e rrugëve, pasi në të kundërt do të jetë një dimër me shumë lagështirë për banorët.

 

7 gjërat e 7 ditëve

Në javën e dytë, kryebashkiaku Veliaj publikoi në faqen e tij të rrjetit “Facebook”, një bilanc të 7 gjërave konkrete në 7 ditë. Ajo që bie në sy është një nga 7 gjërat konkrete: “Liqeni i Kasharit – Parku i tretë i Tiranës”. Vetëm kaq nuk mund të quhet diçka konkrete, sepse të paktën nevojitet të vihet në pah nëse ka nisur projekti, sa kushton, kur do të mbarojë dhe çfarë rrjeti i transportit rrugor vihet në dispozicion të qytetarëve të Bashkisë së Tiranës për të shkuar atje. Në bilancin e javës së tretë ngrihen pikëpyetje për “3 gjëra konkrete”. Së pari, gjëja që përshkruhet: “Filluam asfaltimin e Rrugës së Kavajës”. A mund të quhet kjo një gjë tjetër konkrete, kur në bilancin e gjërave konkrete të një jave më parë thuhej: “Filluam asfaltimin e rrugëve të qytetit”. Me sa është e ditur, edhe Rruga e Kavajës është rrugë e qytetit. Do të përdoret kjo teknikë çdo javë për të plotësuar listën e 7 gjërave konkrete. Dy gjërat e tjera konkrete të kryera, në bilancin e javës së dytë, janë ato që përshkruhen si “Liqeni i Farkës – Parku i 5-të i Tiranës” dhe “Farka, Terminali Lindor i autobusëve”. Për të dyja këto gjëra konkrete lindin pyetjet: Sa kushtojnë, kur do të mbarojnë, si të shkojmë atje me transport publik?

 

Sfidat madhore të Tiranës

Një pjesë e punës së bërë nga Bashkia e Tiranës është për t’u lavdëruar, por një pjesë tjetër po bëhet, siç u argumentua më lartë, sa për “të dalë në televizor” se po punohet. Bashkia e Tiranës ka nevojë për një plan madhor dhe jo të kemi një kryebashkiak që merret me detaje. Makineria administrative e Bashkisë së Tiranës nevojitet të ngrejë tempin e punës në muajt në vijim, nëse pritet të realizohen të gjitha ato gjëra ambicioze, të cilat kryebashkiaku Veliaj ka vënë në programin e tij (duhet theksuar se Erion Veliaj është ndoshta i vetmi kryebashkiak, programi i të cilit mund të lexohet nga publiku online). Tirana është një qytet ku mungon rrjetëzimi informativ i transportit publik. Në raportet e kompanisë ndërkombëtare të konsultimeve financiare, këto 4 vitet e fundit Tirana është renditur ndër 3 ose 4 qytetet me cilësinë më të ulët të jetesës në Evropë dhe çdo vit ka ardhur duke u përkeqësuar. Prandaj, janë një sërë planesh, strategjish madhore, që Bashkia e Tiranës duhet të bëjë publike për qytetarët dhe t’i hedhë në debat konstruktiv.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.