Standard.al

Mbyllet samiti i Vjenës / BE përmes Merkelit: Stimul ekonomik për Ballkanin, asnjë shans azili për vendet jo në luft

0

mbyllja e samitit te Ballkanit

Gëzim Saliu

Bashkimi Evropian do t’u vijë në ndihmë vendeve të Ballkanit Perëndimor, duke u dhënë një mbështetje të domosdoshme në kushtet aktuale, kur numri i emigrantëve që largohen nga këto vende ka arritur shifra rekord. Në përfundim të samitit të Vjenës, Evropa përmes Kancelares Angela Merkel premtoi dje një stimul ekonomik për vendet e Ballkanit, duke mbështetur projektet e propozuara nga këto vende. “Konferenca reflekton dëshirën dhe vullnetin e vendeve anëtarë te Bashkimit Evropian për t’i dhënë një perspektive vendeve të Ballkanit Perëndimor që ende nuk janë pjesë e BE-së. Me gëzon fakti qe bashkëpunimi ne rajon ka nisur te lulëzojë. Projektet e diskutuara do të krijojnë vende pune dhe do t’i japin shpresë rajonit. BE dhe Komisioni Evropian i mbështesin këto projekte dhe në këtë konferencë kemi bërë disa hapa përpara drejt rezultateve të prekshme”, – deklaroi Kancelarja e Gjermanisë në konferencën ku shoqërohej nga Kryeministri serb Vuçiç dhe nga shefja e diplomacisë së BE-së Mogherini. Nga ana tjetër, Merkel bëri të qartë se azilkërkuesit nga vendet kandidate për në BE nuk kanë asnjë shpresë për të fituar këtë status, pasi ai u rezervohet vendeve në luftë si Siria. “Në Evropë kemi vendosur të jetojmë në paqe që prej Luftës së Dytë Botërore. Gjithashtu kemi bërë që procesi i paqes në Ballkan të jetë i pakthyeshëm. Tani na takon neve të ndihmojmë këto vende që paqja të materializohet në terren. Të rinj nga vendet e Ballkanit vijnë në vendet tona, anëtare të Bashkimit Evropian dhe kërkojnë azil. Duhet t’u japim stimul ekonomik këtyre vendeve. Por fatkeqësisht duhet t’u themi njerëzve që vijnë nga këto vende se nuk kanë asnjë shans për të përfituar azil pasi këtë duhet ta rezervojmë vetëm për ata që vijnë nga zonat e luftës”, – theksoi Merkel. Ndërkaq, kreu i qeverisë serbe theksoi se Ballkani nuk e shikon Bashkimin Evropian si një bankomat ku të kërkojë para. Vlerat e përbashkëta mes vendeve të rajonit dhe Evropës janë ato që, sipas Kryeministrit serb, e bëjnë Ballkanin të jetë pjesë e BE-së. “Ishte shumë interesante të shikoje serbë dhe shqiptarë të punonin fort për të bindur partnerët evropianë për të na ndihmuar më shumë, për të përshpejtuar të gjithë procesin dhe për realizimin e akseve shumë të rëndësishme për rajonin tonë si p.sh. autostrada Nish – Prishtinë – Durrës. Të gjithë ne nga Ballkani Perëndimor mund të jemi një forcë e re për Evropën. Ne i përkasim Evropës dhe duhet t’i përkasim Bashkimit Evropian. Jemi gati të marrim përgjegjësitë tona. Nuk jemi fansa të BE-së, sepse e shohim BE-në si një bankomat dhe këtë nuk e them vetëm në emër të popullit serb, por të gjithë Ballkanit. E shohim BE-në si një organizëm me vlera shumë të rëndësishme të cilat i ndajmë bashkë me ju. Ndaj nuk kemi insistuar sot vetëm për kontribute financiare, por edhe për mbështetje politike”, – u shpreh Kryeministri serb.

Deklarata e përbashkët
Kryeministrat e vendeve pjesëmarrëse të Ballkanit Perëndimor, në takimin e Vjenës, në kuadër të konferencës për Ballkanin Perëndimor, në prani të Kancelares Merkel dhe komisionerit për Zgjerim, Johannes Hahn, nënshkruan një deklaratë të përbashkët, ku në qendër të saj ka qenë themelimi i bashkëpunimit rajonal të të rinjve. Rritja e shkëmbimit midis vendeve të Ballkanit Perëndimorë e veçanërisht ai midis të rinjve ka qenë një nga temat e diskutimit gjatë dy ditëve të samitit të Vjenës. Në marrëveshje thuhet se rritja e bashkëpunimit do të vijë duke ndjekur shembujt më të mirë evropianë të përballjes me hidhërimin e së kaluarës. “Të mbështesin shkëmbimin rinor rajonal dhe ndarjen e ideve të tyre, si hapësirë për bashkëpunimin e ardhshëm në rajonin tonë, bazuar në vlerat e bashkekzistencës, tolerancës dhe respektit për të drejtat e njeriut dhe diversitetin. Të rrisin më tej bashkëpunimin rajonal mes të rinjve dhe institucioneve për rininë dhe të sigurojnë zbatimin e programeve rinore të përbashkëta. Të krijojnë Zyrën e Bashkëpunimit Rinor Rajonal të Ballkanit Perëndimor, si strukturë rajonale që drejton dhe koordinon bashkëpunimin e të rinjve në rajonin tonë. Të mbështesin financiarisht krijimin dhe funksionimin e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor; të mbështesin pjesëmarrjen aktive të shoqërisë civile në punimet e Zyrës Rajonale të Bashkëpunimit Rinor; të kërkojnë fonde nga BE-ja dhe shtetet anëtare, si dhe nga organizata ndërkombëtare dhe rajonale dhe donatorë për mbështetje të mëtejshme përmes mekanizmave ekzistuese të dhënies së fondeve”, – thuhej në deklaratë. Të gjitha këto bëhen sipas deklaratës së nënshkruar nga të gjithë kryeministrat e Ballkanit Perëndimor me synimin e promovimit të frymës së pajtimit dhe bashkëpunimit ndërmjet të rinjve në rajonin tonë duke hartuar programe të përbashkëta mbi vlerat më të mira dhe traditat kulturore të popujve tanë. “Inkurajimit dhe mbështetjes së të rinjve në rajonin tonë për të luftuar dhe për t’u distancuar nga praktikat dhe fenomeni i racizmit, ksenofobisë, gjuha e urrejtjes, diskriminimi mbi baza etnie, feje dhe gjuhe amtare; bashkëpunimit në fushën e arsimit akademik dhe shkencor duke nxitur bashkëpunimin ndërmjet universiteteve, institucioneve akademike dhe shkencore; promovimit të lëvizjes së të rinjve në rajonin tonë dhe në vendet anëtare të Bashkimit Evropian, brenda programeve ekzistuese dhe skemave të lëvizshmërisë së studentëve; krijimit të një platforme të përbashkët rajonale për të rinjtë për trajnimin shkencor dhe profesional në fushat e infrastrukturës së teknologjive të informacionit, turizmit, energjisë dhe bujqësisë, në përputhje me nevojat dhe prioritetet specifike kombëtare dhe rajonale; promovimit të punësimit dhe sipërmarrjes së të rinjve duke paraqitur modele të praktikave të mira rajonale, si dhe inkurajimit të lëvizshmërisë për të fituar përvojë në punë/trajnim profesional dhe punësim; krijimit të mekanizmave të përshtatshëm për zhvillimin e trajnimit profesional të të rinjve për t’ju përshtatur kërkesave dhe kritereve të tregut të punës”.
Diskutohet mes Ramës, Vuçiçit dhe Mustafës
Autostrada Nish – Prishtinë – Durrës shqyrtohet në Vjenë, në 2016-ën përfundon studimi i fizibilitetit

Në samitin e Vjenës u hodh një hap pozitiv për ndërtimin e autostradës Nish – Prishtinë – Durrës që do të jetë një urë lidhëse për Shqipërinë, Kosovën e Serbinë. Tre kryeministrat e Shqipërisë, Serbisë dhe Kosovës zhvilluan në Vjenë një takim koordinativ ku u diskutua rëndësia e ndërtimit të autostradës Nish – Prishtinë – Durrës. Në këtë takim morën pjesë edhe drejtuesit e BERZH-it dhe Bankës Evropiane për Investim, si edhe ministri i Jashtëm austriak, Kurz, dhe komisioneri Hahn. Kryeministri Rama theksoi se te projektet e mëdha të infrastrukturës, qoftë autostrada Nish – Prishtinë – Durrës, qoftë Autostrada Adriatiko-Joniane, janë projekte evropiane, të cilat nxisin ndërlidhjen e vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Ndërtimi i këtyre dy projekteve duhet të fillojë sa më shpejt dhe për këtë nevojitet ekspertiza dhe mbështetja financiare e Komisionit Evropian dhe institucioneve financiare si e BERZH dhe BEI”, – tha Rama. Ndërkaq, Kryeministri Vuçiç, duke theksuar rëndësinë e autostradës Nish – Prishtinë – Durrës, tha: “Falë këtij projekti Beogradi do të lidhet me Prishtinën në më pak se tri orë, ndërkohë që porti i Durrësit do të kthehet në pikën më të afërt detare për Serbinë”. Në fillim të vitit 2016 pritet të përfundojë studimi i fizibilitetit për të dyja projektet, ndërkohë BERZH dhe BEI, në bashkëpunim me institucionet e Bashkimit Evropian, do të ndihmojnë në financimin e këtyre dy autostradave.
Box

Debat në Samit,Rama: Duam akses në financat e BE. Hahn: Mos ngatërroni BE-në me bankomatin

Samiti i Vienës u mbyll por nuk kaloi pa batuta dhe debate. Ajo që ka tërhequr vëmendjen e pjesëmarrësve në ditën e dytë të takimit, pas batutave në takimin me shoqërinë civile, ka qenë edhe retorika e përdorur nga kryeministri shqiptar i cili ka akuzuar BE-në se “e ka humbur rrugën”. Në këtë kontekst mësohet se nuk ka munguar edhe një replikë mes kreu të ekzekutivit shqiptar dhe komisionarit të KE-së Johannes Hahn. Rama i ka kërkuar BE-së që vendet e rajonit të kenë akses në financat e BE-së. Ndërsa Johannes Hahhn i është përgjigjur kryeministrit shqiptar se nuk duhet të ngatërronte BE-në me bankomat apo asikuracionin.

Intervista për “Der Standard”

Rama: Evropa të tregojë vullnet, ndryshe në Ballkan do të ndodhin sërish gjëra të këqija

Kryeministri: Nuk jemi magjistarë, duam ndihmë nga BE-ja. Me Serbinë krijojmë aleancë strategjike nën shembullin e Gjermanisë dhe Francës

Kryeministri shqiptar Edi Rama deklaroi në një intervistë për “Der Standard” se Bashkimi Evropian duhet të ndihmojë vendet e Ballkanit Perëndimor, në mënyrë që edhe këto të fundit të kenë një perspektivë të qartë për të ardhmen. Duke theksuar domosdoshmërinë e vullnetit që duhet të tregojë Brukseli, kreu i qeverisë pohoi se vetëm në këtë formë do të parandalohen të ndodhin sërish në Ballkan gjëra të këqija. Në këtë kontekst, Rama ritheksoi edhe një herë se shumica e atyre që kanë kërkuar azil në Gjermani kanë qenë shqiptarë të kthyer nga Greqia, ndërsa ngulmoi tek bashkëpunimi më i thelluar mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu në intervistë Rama flet edhe për marrëdhëniet e reja mes Serbisë dhe Shqipërisë si edhe për mundësitë e bashkëpunimit mes dy vendeve.

Cili është qëllimi i nismës për shtetet e Ballkanit Perëndimor në lidhje me të rinjtë nga rajoni për të zhvilluar shkëmbime në të ardhmen?
Unë jam i sigurt që Shqipëria dhe Serbia apo më mirë, shqiptarët dhe serbët, duhet të bëjnë për vendin e tyre atë që bënë për Evropën gjermanët dhe francezët. Ne brenda kuadrit tonë mund të bëjmë diçka, gjë që dukej e pamundur. Ne mund ta shndërrojmë këtë fqinjësi ndërmjet nesh në një aleancë strategjike për një të ardhme më të mirë për njerëzit dhe rajonin. Ne mund të jemi besimplotë që nëse Gjermania dhe Franca e bënë këtë për Evropën kjo është e mundur. Përse të mos e bënim edhe ne?
Atëherë cili është plani?
Ne duam ta përdorim instrumentin fantastik të shkëmbimit rinor, ashtu siç është ndërmjet Francës dhe Gjermanisë, si një rrugë për përafrime dhe bashkëpunime të tjera, për të ndërtuar një miqësi të vërtetë. Ne nuk kemi shpikur asgjë, por ne kemi vullnetin të mbështetemi tek ky model.
Çfarë do të ndodhë konkretisht?
Mund të jetë një shkëmbim ndërmjet shkollave, universiteteve, ndërmjet të rinjve të cilët punojnë në administratë. Ne kemi folur për një Projekt të Praktikës – të rinj shqiptarë mund të bëjnë praktikë në Serbi dhe anasjelltas.
Në vjeshtën e vitit të kaluar, ndërsa tifozët serbë iu sulën stadiumit në Beograd dhe keqtrajtuan tifozët shqiptarë, pasi njerëz të panjohur ngritën një flamur të Shqipërisë së madhe në stadium, situata ndërmjet shqiptarëve dhe serbëve ishte e keqe. Ndërkohë, ju keni folur me Kryeministrin Aleksandër Vuçiç. Si janë marrëdhëniet tani dhe çfarë prisni ju nga bisedat me të në Vjenë?
Magjia e futbollit shkon tej fushës së futbollit, pasi edhe njerëz si ju të cilët nuk pyesin shumë për futboll, por që janë tepër të kujdesshëm, nëse bëhet fjalë për Ballkanin, u kujtohet loja e futbollit, por nuk u kujtohet që disa javë më vonë unë isha në Beograd dhe jam takuar me Vuçiçin.
Natyrisht që e di këtë.
Dua të them që njerëzve u kujtohen më shumë gjërat e këqija. Por në këtë rast e keqja është shndërruar në diçka të mirë. Ne këtë moment e kemi shndërruar në një mundësi fantastike. Në vend që t’i ktheheshim një pjese të së shkuarës, ne kemi bërë një hap miqësor dhe u takuam. Pastaj ai erdhi në Shqipëri. Vizita e një Kryeministri shqiptar në Beograd ishte e para pas 68 vjetësh. Dhe ishte takimi i parë e një Kryeministri serb në Shqipëri. Ne nuk kemi problem me njëri-tjetrin dhe ne kuptohemi shumë mirë. Ishte tepër sensitive për nevojat e Shqiptarëve të cilët banojnë në Luginën e Preshevës në Serbi. Dhe unë besoj që ai do të bëjë më të mirën e vet, që këtë zonë të marxhinalizuar të kthejë në normalitet, ku shqiptarët të ndihen si në shtëpi dhe jo të pushtuar.
Keni përshtypjen që shqiptarët në Luginën e Preshevës ndjehen të pushtuar?
Asgjë nuk ndryshon në një ditë. Plagët e njëqind vjetëve nuk mund të kurohen brenda një viti. Ka pasur shumë përparime, edhe në frontin e dialogut ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ne jemi në rrugën e mbarë.
Mungon edhe një pjesë e autostradës që do ta lidhë përfundimisht Beogradin me qytetin portual të Durrësit. Kjo autostradë është një nga projektet e bashkëpunimit rajonal, të cilët kërkohen në kuadrin e procesit të Berlinit. Kur do të përfundojë? Kjo është një pyetje të cilën ju mund t’ia bëni komisionerit Hahn që është tepër i vlerësuar prej meje. Bëhet fjalë nëse Evropa do të tregojë të njëjtin vullnet që ne kemi treguar. Ishte historike ajo që ne kemi bërë, por njerëzit nuk mund të ushqehen me fotografi historike. E ardhmja e tyre nuk do të jetë më e mirë nëse ata thjesht do të shohin këto fotografi historike. Tashmë është koha, t’u tregojmë njerëzve që do të hapet vërtet një kapitull i ri. Për këtë na duhet Evropa dhe që BE-ja këtë të mos ta shohë si “Business as usual” dhe të mos harrojë që këtu është derdhur gjak dhe…
Në fund të fundit bëhet për para nga BE-ja?
Në fund të fundit bëhet fjalë për të qenë strategjikë. Evropa e ka humbur rrugën e saj, çka do të thoshte të qenët strategjikë. Nëse Evropa do ta trajtonte Ballkanin nga një këndvështrim strategjik, atëherë paratë do të vinin. Nëse Evropa vepron vetëm taktikisht, mund të ndodhin përsëri gjëra të këqija.
Sa shqiptarë largohen për shkaqe ekonomike dhe kërkojnë në Gjermani azil? Cilat reforma ekonomike mund të bëni ju në mënyrë që situata të përmirësohet?
Shumë shqiptarë që shkojnë në Gjermani vijnë kryesisht nga Greqia. Ata kanë banuar atje për vite të tëra si emigrantë dhe përpiqen tashmë në Gjermani. Natyrisht që vijnë disa edhe nga Shqipëria, Serbia ose Kosova. Këta njerëz kërkojnë më shumë. Për këtë shkak na duhet ndihmë. Ne nuk jemi magjistarë dhe nuk mund ta ndryshojmë këtë realitet dhe të realizojmë që njerëzit të ndihën mirë, nëse ata shohin në televizor dhe vënë re si jetojnë evropianët në BE, nëse përdorim buxhetet tona të vogla. Cilëndo mrekulli që ne të bëjmë, ne nuk mund të realizojmë çudinë, nëse nuk ndihmohemi në mënyrë të vazhdueshme nga Evropa. Evropa na ndihmon neve më mirë këtu se sa njerëzit të shkojnë atje.
Por cilat reforma ekonomike mund të bëni ju?
Ne bëjmë të gjitha reformat ekonomike që janë të domosdoshme. Por ne jetojmë në një kohë tjetër. Shpejtësia është krejt tjetër. Dhe njerëzit e rinj nuk kanë kohë të presin derisa reformat të japin rezultate. Kjo kërkon kohë. Për këtë shkak na duhet ndihmë dhe shumë më tepër mbështetje nga BE-ja.
Nëse bëhet fjalë për të rinj, ka universitete private në Ballkan me standarde të ulëta por në të njëjtën kohë pak shkolla profesionale. A kërkohen reforma arsimore?
Këto ne i kemi bërë; ne i kemi mbyllur të gjitha universitetet private me standarde të ulura. Për këtë na është dashur Agjencia Kombëtare Britanike për Akreditimin e Universiteteve. Tashmë ne kemi sistemin dual gjerman. Por natyrisht që zbatimi kërkon kohë. Nëse të gjithë të gjithë landet gjermanë do të merrnin përsipër shkollat profesionale në Shqipëri ose do të jepnin diçka për këtë, gjerat do të ishin ndryshe. Dhe kostua do të ishte më e ulët nga ajo që paguajmë tani, nëse parandalimin e kësaj vale emigrimi e shohim si diçka që ka të bëjë me Gjermaninë.
Jeni dakord që Gjermania e përcakton Shqipërinë si një vend origjine i sigurt?
Këtë e mbështes plotësisht.
Do të luani edhe ju futboll në Vjenë me politikanët e tjerë?
Jo, unë nuk jam lojtar futbolli, por lojtar basketbolli. Dhe të tjerët nuk janë kaq të gjatë sa të luajnë me mua. Ose unë nuk jam aq i vogël sa të luaj me ta.
Por atëherë ju mund të luani si portier?
Jo, nëse luaj, dua të bëj gol. Dhe unë nuk mund të…

Berisha: Rama shkoi në Vjenë si dështak, qëndroi si shtiak dhe u kthye cullak

Ish-kryeministri Berisha komentoi dje punimet dyditore të samitit të Vjenës, duke e cilësuar këtë të fundit si mjaft të rëndësishëm për vendet e Ballkanit. “Aty u diskutua dhe per probleme te rendesishme infrastrukturore me impakt te vertete pozitiv per vendet tona. Por ne dallim thelbesor nga Samiti i Berlinit, disa nga vendet e Ballkanit, mjerisht Shqiperia ne krye, shkuan aty si nje problem madhor ne krizen e azilkerkuesve, krizen me te rende me te cilen perballet Europa e Pasluftes se Dyte Boterore”, – theksoi Berisha. Në këtë kontekst ish-kreu i qeverisë theksoi: “Kjo eshte arsyeja qe i vetshpalluri “lideri” i Ballkanit, Edi Rama, shkoi ne Vjene si deshtak, qendroi aty se shtiak, rrahu gjoksin per suksese imagjinare por doli siç eshte, paranojak, kercenoi se eshte furioz dhe mund te hape probleme por i rane pantallonat (por jo ne stadium, po ne salle) per te mos thene ai u kthye cullak”. Më tej, Berisha tha se, “Per Ramen ne kete Samit tingellonin aktuale vargjet e Pashko Vasos “te shkone bota syri e me kamë te shklet, nje fjale te mire kerkush nuk ta flet”.
Bregu e PD-së, pjesë e delegacionit të Ramës në Vjenë: Diskutimi i debatit qeveri-opozitë

Kryetarja e Komisionit Parlamentar të Integrimit, Majlinda Bregu, shkruante dje në profilin e saj në “Facebook” lidhur me zhvillimet e samitit të Vjenës së mbajtur dje mes BE-së dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor. “Me ftese te Erste Foundation dhe Ministrisë se Jashtme Austriake, si organizatore te Summit te Shoqerise Civile, ne Vjene. Me vjen mire qe Keshilli Kombetar i Integrimit është vlerësuar nga organizuesit për përfshirjen e 5 organizatave te shoqërisë civile ne te”, – shkruante Bregu. Por ajo më tej rrëfeu se çfarë përmbajtjeje ka pasur debati mes opozitës dhe qeverisë, që është zhvendosur deri në Austri. “Ka rëndësi te padyshimte gjithëpërfshirja ne procesin e integrimit i cili edhe ne samitin e djeshëm u dominua po nga debati nëse shoqëria civile është “e mirëpritur” nga qeveria, apo qeveria e shmang se i ngjan me opozitën”, – theksoi deputetja demokrate, e cila ishte pjesë e delegacionit që shoqëronte kryeministrin në Vjenë.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.