Standard.al

Durrës-Nish / Përvijohet projekti i ri i Rrugës së Paqes

0

 

 

Rruga e KombitU nis si Rruga e Kombit, mes sherreve të mëdha politike për korrupsion, por merr bekimin e Bashkimit Evropian dhe propagandohet tani edhe nga Kryeministri Rama si arterie që qetëson armiqësitë shekullore mes shqiptarëve dhe serbëve

 

Ervin Kaduku

 

Segmenti rrugor që lidh zemrën e Ballkanit me Adriatikun filloi me një nismë tejet të guximshme të qeverisë “Berisha”, për çka u shoqërua me një jehonë zhurmëmadhe nga opozita politike e majtë e kohës. Me kalimin e viteve, del se Rruga e Kombit, jo vetëm që fitoi një vlerë të paparashikuar, sidomos në lidhjen e shqiptarëve në të dyja anët e kufijve të dy shteteve shqiptare në rajon, por tashmë ajo madje me nismë të ish-kritikëve më të mëdhenj të saj po lançohet në projektet evropiane si Rruga e Paqes, një lidhje e re midis serbëve dhe shqiptarëve, e cila veç vlerave ekonomike të padiskutueshme, mbart edhe interesa shumë të mëdha dypalëshe ekonomike.

Zgjatimin e autostradës nga Prishtina deri në Nish të Serbisë dhe përfundimin e segmenteve në territorin shqiptar e ka mbrojtur më me zell nga të gjithë, për ironi të fatit, ish-kundërshtari më i zellshëm i ndërtimit të këtij segmenti, Edi Rama. Ndërkohë, edhe autoritetet kompetente në Prishtinë pohojnë se tashmë kanë përgatitur projektin për autostradën Prishtinë – Merdarë – Nish, në kuadër të punimeve për autostradën që lidh Shqipërinë, Kosovën dhe Serbinë. Projekti përkrahet nga Bashkimi Evropian, si projekt i përbashkët i infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore për Ballkanin Perëndimor. Ky projekt u diskutua në takimin e së enjtes në Vjenë, i cili pason samitin e Berlinit të mbajtur një vit më herët nën organizimin e Kancelares gjermane, Angela Merkel, me synim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik në mes të vendeve të rajonit.

Vetë Kosova dhe Serbia kanë edhe një marrëveshje për autostradën Prishtinë – Nish, të arritur në Bruksel dhe të cilën Bashkimi Evropian është zotuar se do ta financojë.

Ministri i Infrastrukturës në Qeverinë e Kosovës, Lutfi Zharku, duke folur për Radion Evropa e Lirë, ka thënë se Kosova ka përfunduar projektin, kurse studimin e fizibilitetit është duke e përgatitur Banka Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim. Ministri Zharku tregon se qeveria e Kosovës ka konfirmuar gatishmërinë për realizimin e projektit të përbashkët, pasi, siç thotë ai, autostrada në territorin e Kosovës është vazhdimësi në autostradën “Ibrahim Rugova”, që tashmë ka përfunduar deri në Besi, fshat ky që gjendet rreth magjistrales Prishtinë – Podujevë, kurse ekzistojnë edhe rreth 24 kilometra tjera deri në Merdarë. “Autostradën deri në Prishtinë e kemi përfunduar. Ka mbetur pjesa Besi – Merdarë ajo që pritet të financohet. Por, dallimi është se shtetet vetë duhet të zotohen se vetë do të financojnë. Se sa është masa e financimit nga Bashkimi Evropian ajo nuk është vendosur, sepse 1 miliard euro janë për gjithë Ballkanin”, – tha Zharku.

Ministri Zharku, ndërkaq, konsideron se kjo autostradë ka ndikime edhe në aspektin politik, por edhe ekonomik. “Rëndësinë më shumë e shohim në aspektin ekonomik edhe pse Bashkimi Evropian luan rol edhe në aspektin politik. Por, rëndësia e saj është se për t’u financuar një projekt i tillë, duhet që ai të lidhë dy shtete. Pastaj është rëndësia që ka autostrada në rajon, është një korridor i ri që lidhet drejt bregdetit shqiptar Jon dhe Evropë Juglindore në përgjithësi. Në aspektin politik, ka rëndësi sepse hiqen pak ato ‘hasmëritë’ në Ballkan”, – ka thënë Zharku.

Bashkimi Evropian, në mars të këtij viti, pas një konference ndërministrore të gjashtë vendeve Ballkanike, që është mbajtur në Prishtinë, ka premtuar se është i gatshëm të investojë deri në 1 miliard euro për projektet e përbashkëta të infrastrukturës rrugore dhe hekurudhore në Ballkanin Perëndimor.

Edhe përfaqësues të komunitetit të biznesit theksojnë se e mbështesin këtë projekt, pasi sipas tyre, më ndërtimin e kësaj autostrade krijohet një konfiguracion i ri strategjik dhe Kosova do të fitojë në këtë drejtim. Kryetari i Odës Ekonomike të Kosovës, Safet Gërxhaliu, duke folur për rëndësinë e kësaj autostrade, ka thënë se tregtia në mes Serbisë dhe Kosovës, por edhe shteteve tjera të Ballkanit, do të realizohet më lehtë, por e një rëndësie te veçantë është se realizimi i këtij projekti nuk prek buxhetin e Kosovës. “Përfitimet nga kjo auto-udhë do të jenë më të mëdha. Nuk duhet të mendohet se autostrada në fjalë është një shkop magjik që do të jep rezultate pozitive menjëherë apo për një periudhë afat-shkurtër, por duhet gjithmonë të analizohet në një dimension kohor afatmesëm dhe afatgjatë. Por, besoj se është e një rëndësie të veçantë”, – tha Gërxhaliu.

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka marrë pjesë në një takim në mes kryeministrave të vendeve fqinje ku është diskutuar modaliteti dhe financimi i autostradës Durrës –  Prishtinë – Nish.

Nëpërmes një komunikate për media zyra e Kryeministrit ka njoftuar se gjatë takimit është vlerësuar si e rëndësishme ndërtimi i kësaj autostrade.

“Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, në margjina të samitit të Ballkanit Perëndimor 2015, i cili ka filluar punimet në Vjenë, ka marrë pjesë në një takim të zhvilluar për projektin e autostradës Durrës – Prishtinë – Nish, ku ishin të pranishëm edhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, Kryeministri i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ministri i Jashtëm i Austrisë, Sebastian Kurz, Presidenti i Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim, Suma Chakrabarti, si dhe Presidenti i Bankës Evropiane për Investime, Ëerner Hoyer.

Gjatë takimit, është diskutuar për modalitetet e ndërtimit të pjesës së mbetur të kësaj autostrade, si dhe mundësitë e financimit nga fondi i ndarë nga Bashkimi Evropian për rrjetin bazë të infrastrukturës, si dhe aspekte të tjera që lidhen me rëndësinë e këtij projekti për tri shtetet. Gjatë takimit, Kryeministri Isa Mustafa theksoi gatishmërinë e Republikës së Kosovës për të punuar në përfundimin e kësaj autostrade, duke e vlerësuar të rëndësishëm për zhvillimin ekonomik dhe për lëvizjen e qytetarëve të rajonit.

======

 

Projekti

 

Skemë e re për financimin e ndërmarrjeve të vogla, si të përfitoni

Qeveria akordon fondin prej 9 milionë lekësh për tri vitet e ardhshme

 

Qeveria do të mbështesë ndërmarrjet e vogla dhe të mesme përmes një skemave financiare të ashtuquajtur “Voucher”. Në total do të akordohen rreth 9 milionë lekë, për një periudhë tre vjeçare, duke nisur që nga ky vit. Sipas Këshillit të Ministrave fondet do të ndahen kështu sipas viteve:

  1. a) Për vitin 2015, vlera e fondit të jetë 1 000 000 (një milion) lekë;
  2. b) Për vitin 2016, vlera e fondit të jetë 4 000 000 (katër milionë) lekë;
  3. c) Për vitin 2017, vlera e fondit të jetë 4 000 000 (katër milionë) lekë.

Skema, përveç fondeve nga buxheti i shtetit, mund të ketë si burim financimi edhe donatorë të ndryshëm apo institucione financiare ndërkombëtare. Ajo u jep ndihmë, në formë granti të drejtpërdrejtë, ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, nëpërmjet bashkëfinancimit. Në varësi të vlerësimit për projektin e dorëzuar nga aplikanti/tët, skema mbulon 85% të kostove të pranueshme nga buxheti i shtetit, por jo më shumë se 350 000 (treqind e pesëdhjetë mijë) lekë. Objektivi kryesor i skemës është stimulimi i ndërmarrjeve mikro, të vogla dhe të mesme, që operojnë në fushën e prodhimit, përfshirë agroindustrinë si dhe prodhimin e programeve kompjuterike (softëare TIK), për t’u mundësuar atyre transferimin e drejtpërdrejtë të njohurive, nga ofruesit e shërbimeve, për inovacione, teknikat e marketingut, duke ofruar përvoja dhe praktika më të mira, që nuk janë aplikuar më parë te kompania aplikuese dhe që do të ndikojnë në rritjen e konkurrueshmërisë dhe performancës ekonomike të saj.

Qëllimi i Skemës është rritja dhe zhvillimi i aftësive menaxheriale dhe teknike për krijimin e produkteve të reja, proceseve ose shërbimeve inovative, si dhe mundësimi i krijimit të një lidhjeje të vazhdueshme me ofruesit e këtyre shërbimeve.

Kostot e pranueshme, që mund të bashkëfinancohen, përfshijnë ato për:

  1. a) zhvillimin e produkteve të reja, përmirësimin e produkteve ekzistuese;
  2. b) aplikimin e proceseve të reja teknologjike apo të përmirësuara të prodhimit;
  3. c) përmirësimin e hallkave të logjistikës dhe sistemeve të marketingut;

ç) zhvillimin e një modeli të ri biznesi ose strategjie zhvillimi, që premton rritje të performancës;

  1. d) testimin eksperimental.

Nga skema “Voucher” përfitojnë ndërmarrjet që plotësojnë, veçanërisht, kushtet e mëposhtme:

  1. a) Janë biznese të klasifikuara si mikro, të vogla apo të mesme, sipas ligjit nr.8957, datë 17.10.2002, “Për ndërmarrjet e vogla dhe të mesme”, të ndryshuar;
  2. b) Kanë selinë e tyre brenda territorit të Republikës së Shqipërisë;
  3. c) Prodhojnë produkte dhe/apo ofrojnë shërbime në Shqipëri, të cilat tregtohen brenda dhe/apo jashtë vendit;

ç) Janë të regjistruara në QKR dhe nuk kanë detyrime tatimore;

  1. d) Nuk janë në proces falimentimi ose procedurë likuidimi;
  2. dh) Plotësojnë kriteret e legjislacionit të ndihmës shtetërore;
  3. e) Operojnë në sektorët e prodhimit, përfshirë agroindustrinë si dhe prodhimin e programeve kompjuterike (softëare TIK), që premtojnë rritje punësimi dhe produktiviteti;

ë) Provojnë se operojnë në treg prej jo më pak se një viti;

  1. f) Nuk kanë më pak se 3 (tre) të punësuar;
  2. g) Janë të hapur dhe ofrojnë informacion për vlerësimin dhe impaktin e projektit, për fazën e parë, brenda 6 muajve, dhe, në vazhdimësi, brenda 3 vitesh pas përfundimit të projektit.

Ofruesit e shërbimeve, në zbatim të kësaj Skeme, klasifikohen në:

– institucione/organizata publike/private të kërkimit shkencor/institucione të arsimit të lartë, vendase ose të huaja, publike ose private;

– shoqëri konsulence dhe trajnimi, individë, që të jenë të regjistruar, sipas legjislacionit në fuqi.

Koha maksimale për të siguruar konsulencën dhe transferimin e njohurive të jetë 45 ditë.

Për efekt të zbatimit të kësaj Skeme, Ministria e Financave, nëpërmjet degëve të thesarit, të pajisë me “Voucher” (kuponin e garancisë të pagesës së shërbimit) AIDA-n, aplikantin fitues të skemës dhe ofruesin e shërbimit, kundrejt kontratës së nënshkruar ndërmjet aplikantit fitues dhe ofruesit të shërbimit.

Pagesa për ofruesin e shërbimeve të realizohet nga vetë aplikanti fitues i Skemës, të cilit, me përfundimin e projektit, i bëhet rimbursimi i vlerës, kundrejt kuponit “Voucher”, nëpërmjet sistemit informatik financiar të qeverisë dhe kundrejt paraqitjes së dokumentacionit justifikues të shpenzimit.

Procedurat e aplikimit dhe kriteret për përzgjedhjen e përfituesve e ofruesve të shërbimit përcaktohen në rregulloren e funksionimit të skemës “Voucher”, e cila miratohet me një urdhër të përbashkët nga ministri përgjegjës për ekonominë dhe ministri i Financave.

 

Imobilaret

 

Turistë plot, por blerjet e të patundshmeve nga të huajt janë zero

 

Të huajt heqin dorë nga blerja e pronave, preferojnë marrjet me qira

 

Marketimi nga media të njohura jashtë për bukuritë natyrore të Shqipërisë, në përpjekje për të nxitur vizitues në vend, ndoshta ka pasur efektin e saj në rritjen e turistëve, sidomos atyre nga vendet skandinave në Shqipëri, dhe sidomos të vizitorëve që kalojnë tangjent. Por blerjet e patundshmërive nga të huajt, në të kundërt, duket se janë në një fazë “ngrirjeje”.Të huajt që jetojnë në Shqipëri, sipas agjencive të pasurive të patundshme kanë reshtur së bleri prona. Ata janë më të tërhequr në gjetjen e një ambienti për të jetuar me qira, për ata që kanë aktivitet punësimi në vendin tonë.

Stela Dhami nga Colliers International tregon se ne mbetemi një rast interesant për të tërhequr blerës nga rajoni si edhe nga vendet skandinave të cilat kanë disa vite që kanë filluar të frekuentojnë bregun jonian, por që blerje nuk ka. Dhami thekson edhe se përpjekje për tërheqje blerësish të huaj ka aktualisht nga zhvilluesit shqiptarë, por në formën e disa projekteve, të cilat do të vijnë në vitet në vijim në treg.

“Duhet pasur parasysh që këto projekte mund të jenë atraktive në të ardhmen n.q.s zgjidhet çështja e ndërtimit cilësor të komplekseve që deri tani në bregdet, nuk ka ekzistuar, si edhe menaxhimin cilësor të tyre”, – thotë znj. Dhami

Për sa i përket blerjes së pronave komerciale, numri i blerësve të huaj është në rënie dhe jo në rritje. Nga agjencitë e pasurve të patundshme shifrat e dëshmojnë këtë rënie, madje pjesa më e madhe e tyre deklarojnë se nuk ka pasur blerje këtë vit.

Xheni Jahja nga Tirana Real Estate thotë se kjo verë nuk ka pasur asnjë finalizim blerjeje nga të huajt, tregues ky më i theksuar se vite më parë.

Nga agjencia Albania Estate janë afishuar mbi 290 prona për shitje, të cilat qëndrojnë ende të reklamuara në portalin e tyre, një pjesë e mirë e të cilave janë në bregdet.

Si arsye e kësaj mungesë kërkese, Dhami tregon se vendet e rajonit si Greqia e Kroacia mbeten më atraktive për momentin, duke qenë edhe më të njohura ndaj blerësve të huaj, si nga cilësia e stokut që kanë, po ashtu edhe nga çmimet e mira që ofrojnë. Ndërsa në agjencitë e patundshmërisë ekspertët tregojnë se Greqia është më e kërkuar nga të huajt, duke pasur para sysh edhe uljen drastike të çmimeve të blerjeve, për shkak të krizës në shtetin helen.

 

Remitancat

 

Hyrjet e kapitalit, vjet erdhën 2 miliardë euro nga jashtë

 

Të ardhurat në formën e dërgesave nga jashtë gjatë 25 viteve të fundit kanë qenë një burim i rëndësishëm për ekonominë shqiptare. Një ndër kanalet kryesore të dërgimit të parave në Shqipëri kanë qenë dhe ngelen institucionet financiare jobanka dhe kryesisht shoqëritë të specializuara në transfertat e parave. Në total, numri i transfertave të parave në mbërritje drejt Shqipërisë vitin e kaluar ishte më shumë se 2.2 milionë. Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, në vend hynë 281 miliardë lekë ose afërsisht dy miliardë euro përmes institucioneve financiare jobanka. Kjo shumë është sa 20% e Prodhimit të Brendshëm Bruto të vendit. Nëse zbresim nga kjo vlerë transfertat dalëse, përmes të njëjtave institucione, bilanci neto i hyrjeve të parasë nga shoqëritë financiare jobanka është rreth 235 miliardë lekë. Për ekonomitë me shkallë të lartë informaliteti dhe me nivel të pamjaftueshëm të përdorimit të shërbimeve financiare, këto kanale janë më të preferuara, sidomos për dërgimin e parave të emigrantëve drejt familjeve të tyre. Përgjithësisht, shoqëritë e transfertave të parave kanë komisione më të larta se bankat, por dërgesat janë më të thjeshta dhe më të shpejta. Ky kanal përdoret nga individët që nuk përdorin dërgesat bankare, ose për shkak të padijes, ose për shkak të dëshirës për të mos qenë të formalizuar dhe për të pasur më pak kontroll ligjor mbi transaksionet. Edhe shoqëritë e transfertave të parave janë të detyruara ligjërisht të raportojnë pranë institucioneve që duhet të parandalojnë pastrimin e parave, por transferimi i fondeve përmes këtyre kanaleve është shumë më i thjeshtë se përmes një banke, ku mekanizmat e kontrollit janë më të ndërlikuar.

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.