Standard.al

Detajet e reja / Trafiku i drogës me avionë, edhe dy oficerë të tjerë policie nën hetim

0

11917319_10155898617620214_1180485216_n (1)

Nga hetimet është zbuluar se para se të blinin avionin, trafiku fillimisht është kryer me automjet “BMW” me targa AA 045 KR. Një muaj më parë ky mjet u shit, pasi personat dyshonin se mund të kishin rënë shumë në sy me të

 

Zbulohen detaje të reja mbi linjën e trafikut të drogës me avion nga Shqipëria në drejtim të Italisë. Dy efektivë të tjerë të policisë së Vlorës, emrat e të cilëve nuk bëhen të ditur, dyshohet se janë të përfshirë në këtë rrjet ndërkombëtar të trafikut me avion që niste nga Sevasteri i Vlorës dhe përfundonte në Rimini të Italisë. Nga hetimet është zbuluar edhe fakti se më parë trafiku është bërë me traget. Dy policët që janë duke u hetuar mësohet se janë të portit të Vlorës, ku edhe kanë dhënë ndihmën e tyre për të kaluar kanabisin me qëllim dërgimin e tij për në shtetin fqinj, Italinë. Dyshohet se efektivët kanë ndihmuar grupin e trafikut ndërsa ende nuk dihet se cila ka qenë forma e ndihmës së tyre. Hetimi ka zbuluar se droga është mbjellë në tri parcela në fshatin Xhyherinë pranë lumit të Vlorës apo siç njihet ndryshe edhe lumi i Shushicës.

 

Trafiku me makinë

Trafiku fillimisht është kryer me automjet “BMW” me targa AA 045 KR. Një muaj më parë ky mjet u shit pasi personat dyshonin se mund të kishin rënë shumë në sy me të. Për këtë arsye, ata blenë një fuoristradë “JeepCheroke” AA 862 EV me ngjyrë të zezë. Mjeti imbarkohej në traget në portin e Vlorës. Disa nga këto ngarkesa janë kapur nga policia italiane, e cila ka nisur hetimin. Dy muaj më parë, grupi bleu edhe avionin, për ta përdorur në linjën e trafikut. Gjatë kësaj kohe, policia italiane dhe ajo shqiptare kishin identifikuar të dyshuarit dhe kishin vendosur gjurmuar GPS në mjete e tyre. Një javë para se të organizohej nisja me avion, VilsonLamaj, kishte blerë një farë marijuane që mund të dilte në prodhim për 45 ditë. Një ditë pas arrestimit, Lamaj u nis nga Rinasi në Itali, ku edhe mori avionin “Aeroprakt”, me të cilin udhëtoi drejt Sevasterit. Aty ai mori ngarkesën me 120 kilogramë kanabis. Sipas policisë, malli është ngarkuar në fshat nga personat e arrestuar. Më pas avioni i drejtuar nga Lamaj drejt Brindizit, ku edhe u ndalua nga policia, bashkë me 7 persona të tjerë të dyshuar si të përfshirë në trafik. Ndërkohë në të njëjtën kohë u krye operacion dhe në vendin tonë. Gjatë enjtes, i arrestuari VilsonLamaj, doli përpara Gjykatës Antimafia të Brindizit, e cila vendosi ta lërë në burg. Gjatë seancës ai nuk pranoi të fliste apo të jepte detaje rreth këtij trafiku.

 

Në Dusharak

Avioni “Ultra Legero” është ulur disa herë në fshatin Dusharak. Është përdorur edhe një arëqë ngjan me një fushë futbolli për nga përmasat e cila duket i ka mjaftuar VilsonLamajt që të ulë rehat avionin e tij e për ta ngarkuar më pas me drogë.Në fshat ka ende forca policie që bëjnë verifikimet e fundit për grupin fisnor të trafikut të drogës me avionë nga Vlora drejt Brindizit. Megjithatë detajet jepen me pikatore kjo për shkak të sekretit hetimor. Një ditë më parë policia shqiptare dhe ajo italiane organizuan një operacion të madh duke arrestuar 14 anëtarët e organizatës mes të cilëve edhe një oficer policie, shefin e personelit të komisariatit të portit VladimirZanaj. Të gjithë të arrestuarit akuzohen se kanë kryer trafik droge me avionë nga fshatrat Xhelilaj dhe Dusharak drejt Brindizit në një pistë të braktisur italiane.

 

Eksperti: Këtë lloj avioni nuk e kap

radari, sepse edhe vetë ai nuk ka radar

 

Avioni Ultra LegeroAeroprakt A22 i sekuestruar nga policia italiane me 120 kg marijuanë dhe i pilotuar nga shqiptari VilsonLamaj tashmë i arrestuar, është një model aeroplani që fluturon pa u pikasur nga radarët. Në një intervistë për A1 Report inxhinieri elektrik njëherazi pilot i një avioni të ngjashëm Besnik Likollari sqaron se si ky avion fluturon me busull në një lartësi të ulët dhe me pamje vizuale. “Avioni nuk ka radar. Avioni Ultra Light nuk ka radar në të gjithë botën pra nuk disponojnë transponder. Nuk e disponon radarin, pra ky është i shmangur nga radari, nga momenti i parë që flasim. Ti mund të flutuorsh në hapësirën ajrorë të Shqipërisë me një GPS ku të dush pa i marrë leje asnjeriut”, – shprehet Likollari. Likollari po ashtu sqaron se ky model avioni nuk fluturon natën dhe nuk përdor pista të autorizuara por mund të ulet aty ku kushtet teknike mundësojnë një distancë të sheshtë nga 20-30 metra. “Avioni Ultra Light nuk fluturojnë mbi pista të autorizuara. Avionët Ultra Light janë avion off-road që janë off-pist domethënë fluturojnë jashtë piste. Këto avion nuk duan pista dhe në asnjë vend të botës nuk ka pista të autorizuara e të certifikuara. Mjafton që dikush vendos një pistë në tokën e tij private, ky ulet në 25-30 metra, pse do duhet një pistë!”, – tha Likollari. Ndalur tek rasti i përdorimit të këtyre avionëve nga trafikantët, piloti shqiptar shprehet se është policia ajo që duhet të pajiset me teknologji qoftë dhe me avion për të ndaluar transportin e narkotikëve, pasi zgjidhja nuk është ndalimi i përdorimit për turizëm apo pasione sportive. “A i kontrollon dot policia, shteti, ushtria e ku di unë, e shikoj ka një inferioritet kur vjen policia aty. Të vij të të kontrolloj ai nuk të kap dot, po nuk u ule ti ai nuk të kap dot. Për arsye se Shqipëria nuk ka avion fare, nuk mund të ndjekësh me autobuz një veturë ose me helikopter një avion”, -shprehet Likollari. Se si mund të fluturosh në territorin shqiptar me një avion të tillë, Likollari shpjegon se mjafton të plotësosh dokumentacionin e pronësisë dhe një leje drejtimi. “Ka një certifikatë regjistrimi siç ka një makinë, ka një siguracion siç kanë të gjithë makinat e tjera. Ka natyrisht një targë, një shenjë në regjistër siç kanë makinat targë dhe ka një leje fluturimi siç është një leje qarkullimi. Regjistrimi, leje e qarkullimit, njëlloj si makina. Identik”, – tha Likollari.

 

Ja fshati ku ulej avioni ultra i lehtë dhe mbushej me kanabis për Itali

Fshati Xhelilaj në afërsi të Sevasterit të Vlorës, është shumë i thellë dhe për të shkuar deri atje me makinë e jo me avion duhen 4 orë të mira. Nga autostrada Fier-Vlorë për të parë pistën e improvizuar të avionëve që ngarkoheshin me drogë drejt Italisë është i pashmangshëm rrugëtimi në një copë tokë që vetëm rrugë nuk mund të quhet. Megjithatë në fshat gjithçka është ndryshe. Rruga është e asfaltuar ndërsa përreth saj qëndrojnë disa pllaja ku mendohet se avioni i vëllezërve Lamaj ulej qetësisht e ngarkohej me drogë. Larg syve larg botës në këtë cep të të harruar në kufirin mes Vlorës dhe Tepelenës. Avioni sipas banorëve por edhe policisë në kohë të ndryshme ka përdorur dy pista të ndryshme. Në rrugën e fundit me 120 kile kanabis sativa avioni është ulur në rrugën e asfaltuar të fshatit Xhelilaj. Por ka dhe një fushë tjetër në fshatin Dusharak pranë Sevasterit, zakonisht e mbjellë me grurë ku shenjat e rrotave të avionit kanë lënë vija të ndryshme nga ato të autokombajnës.

 

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.