Kapitali njerëzor/ Sa i (zh)vlerësuar është njeriu shqiptar nga 2013 në 2015

0
269

 

Administrata2Ilir Sinanaj

Një nga asetet më të çmuara të një sipërmarrjeje apo një shteti është kapitali njerëzor. Kjo, sepse janë vetë njerëzit ata që punojnë dhe krijojnë për të përmirësuar cilësinë e jetesës. Pra, gjithçka është nga njeriu për njeriun. Për rrjedhojë, gjithmonë e më shumë sipërmarrje të ndryshme të niveleve ndërkombëtare po përqendrohen të gjejnë mënyra matëse për të vlerësuar kapitalin njerëzor. Nga ana tjetër, një tregues i kapitalit njerëzor është i domosdoshëm edhe për një shtet, në mënyrë që të maksimizojë prodhimtarinë e individëve, gjë që ndikon në ecurinë e ekonomisë së përgjithshme. Për vitin 2015 organizata prestigjioze “World Economic Forum”, në bashkëpunim me kompaninë ndërkombëtare të konsultimeve financiare “Mercer”, përpiluan Raportin e Treguesit të Kapitalit Njerëzor. Në këtë raport (nga 124 vende të studiuara), Shqipëria u rendit në vendin e 66-të, që në shkallë ballkanike është në vendin e fundit. Ky raport është i dyti i llojit të tij, pasi gjithashtu edhe në vitin 2013, “World Economic Forum” në bashkëpunim me “Mercer” përpiluan një raport po për Treguesin e Kapitalit Njerëzor. Sipas raportit të vitit 2013 për treguesin e Kapitalit Njerëzor, Shqipëria renditej në vendin e 72-të në shkallë botërore (nga 122 vende të studiuara), por në vendin e parafundit në shkallë ballkanike. Nëse do t’u përmbahemi të rezultateve të këtyre dy raporteve, edhe pse në rang botëror Shqipëria ka pasur përmirësim nga viti 2013 deri në vitin 2015, në raport me vendet fqinje nuk mund të thuhet e njëjta gjë.

 

Raporti për vitin 2013

Nuk ka një mënyrë të prerë me thikë për të matur vlerën e njeriut. Kështu, për Treguesin e Kapitalit Njerëzor për vitin 2014 u konceptuan 4 shtylla, mesatarja e të cilave do të jepte këtë nëntregues.

Nëntreguesi i parë ishte “Arsimi”. Të dhënat për këtë nëntregues matin cilësinë e arsimit gjatë të gjithë cikleve të ndryshme, cilësinë e menaxhimit të shkollave, mundësinë për të pasur internet në institucionet arsimore dhe mundësinë që sistemi arsimor ka për t’iu përgjigjur nevojave të një ekonomie konkurruese. Për sa i përket këtij nëntreguesi, vendi ynë renditej në vendin e 54-t, në shkallë botërore dhe në vendin e 2-të në shkallë rajonale.

Nëntreguesi i dytë ishte “Shëndetësia dhe Mirëqenia”. Të dhënat për këtë nëntregues matin mirëqenien fizike dhe mendore të një popullsie nga mosha e fëmijërisë dhe deri në moshë madhore. Shqipëria renditej në vendin 54-t në shkallë botërore, për sa i përket Treguesit të Shëndetit dhe Mirëqenies dhe në vendin e 5-të në shkallë ballkanike.

Nëntreguesi i tretë ishte “Fuqia Punëtore dhe Punësimi”. Të dhënat për këtë nëntregues janë konceptuar që të matin përvojën, talentin, dijen dhe formimin profesional në popullsinë në moshë punë të një vendi.  Për këtë tregues vendi ynë renditej në vendin e pare në Ballkan, ndërsa sa në shkallë botërore renditet në vendin e 71-të.

Nëntreguesi i katërt ishte “Mjedisi i Mundësive”. Të dhënat për këtë nëntregues japin një panoramë të strukturës ligjore, infrastrukturës dhe faktorë të tjerë që japin i japin mundësi njeriut të zhvillohet në mënyrë që të maksimizojë potencialin e tij prodhues. Pikërisht ky nëntregues ishte edhe “thembra e Akilit” për Shqipërinë pasi Shqipëria kishte jo vetëm renditjen më të ulët në rajon, por edhe nga më të ulëtat në botë (vendi 105 nga 122 të mundshme).

Renditja sipas Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2013

Vendi Rajoni Bota
Kroacia 1 46
Greqia 2 55
Bullgaria 3 56
Maqedonia 4 65
Rumania 5 69
SHQIPËRIA 6 72
Serbia 7 85

 

Raporti për vitin 2015

Pasuria e kapitalit njerëzor të një kombi – aftësitë dhe kapacitete të një populli që vihen në përdorim frytdhënës (kjo shihet në prizmin e prodhimit ekonomik të përgjithshëm që vjen si rezultante e veprimtarisë së të gjithë individëve) – mund të jetë një përcaktues akoma më i rëndësishëm për suksesin e vet ekonomik në kuadër afatgjatë se sa pothuajse çdo aset apo burim tjetër. Për këtë burim (pra kapitali njerëzor) duhet të investohet dhe të përdoret në mënyrë efikase, në mënyrë që të prodhojë përfitime si për individët përkatës ashtu edhe për ekonominë në tërësi. Kështu fillon hyrja e Raportit të Treguesit të Kapitalit Njerëzor për vitin 2015. Në krahasim me raportin e kaluar, ky raport përqendrohet në rezultatet e të mësuarit dhe të punësimit, në vend të faktorëve të mundësive. Prandaj në këtë raport e përgjithshmja e Treguesit të Kapitalit Njerëzor është nxjerrë nga analiza e 5 grup-moshave të ndryshme.

Grup-mosha “nën 15” vjeç

Shqipëria renditet në vendin e 5-të në rajon dhe në vendin e 59-të në shkallë botërore për Treguesin e Kapitalit Njerëzor për grup-moshat “nën 15 vjeç”. Të dhënat për këtë kategori përfshijnë përqindjen e regjistrimit të fëmijëve në shkolla, cilësinë e arsimit dhe gjithashtu sa i përhapur është fenomeni i fëmijëve që punojnë.

Grup-mosha “15 – 24 vjeç”

Për këtë kategori vendi ynë rendit i fundit në rajon, si edhe ka një renditje shumë të ulët dhe në shkallë botërore (gjithashtu është shumë e ulët edhe në krahasim me vendet evropiane), në vendin e 83-të. Të dhenta për këtë kategori përfshijnë arsimimin, cilësinë e arsimit, analfabetizmin, pjesëmarrja në ekonomi (pra sa punojnë e sa nuk punojnë) si edhe shumëllojshmëria e aftësive të zotëruara (në kuadër të tregut të punës).

Grup-mosha “25 – 54 vjeç

Vendi ynë rendit po ashtu rendit i fundit të rajon për Treguesin e kapitalit Njerëzor për grup-moshën “25 -54 vjeç”. Në shkallë botërore vendi ynë renditet në vendin e 67-të. Të dhënat për këtë kategori përfshijnë nivelin e papunësisë, aftësitë profesionale dhe trajnimet e mara në vendin e punës.

Grup-mosha “55 – 64 vjeç”

Edhe në këtë kategori, vendi ynë ka renditje të fundit në shkallë ballkanike, ndërsa në shkallë botërore renditet në vendin e 63-të. Të dhënat për këtë kategori përfshijnë punësimin dhe nivelin arsimor.

Grup-mosha “+ 65 vjeç”

Për individët që janë drejt fundit të moshës së punës, në prizmin e Treguesit të Kapitalit Njerëzor, Shqipëria renditet e parafundit në rajon dhe në vendin e 60-të në rang botërore. Përsëri të dhënat për këtë kategori përfshijnë nivelin e arsimimit dhe nivelin e punësimit.

 

Renditja sipas Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2015

Vendi Rajoni Bota /124
Kroacia 1 36
Rumania 2 39
Greqia 3 40
Bullgaria 4 42
Serbia 5 50
Maqedonia 6 55
SHQIPËRIA 7 66

 

Renditja sipas grup-moshës “nën 15 vjeç” të Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2015

Vendi Rajoni Bota /124
Kroacia 1 22
Greqia 2 30
Serbia 3 38
Maqedonia 4 56
SHQIPËRIA 5 59
Rumania 6 64
Bullgaria 7 85

 

Renditja sipas grup-moshës “15 – 24 vjeç” të Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2015

Vendi Rajoni Bota /124
Bullgaria 1 43
Rumania 2 45
Kroacia 3 49
Greqia 4 54
Maqedonia 5 67
Serbia 6 72
SHQIPËRIA 7 83

 

Renditja sipas grup-moshës “25 – 54 vjeç” të Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2015

Vendi Rajoni Bota /124
Bullgaria 1 35
Rumania 2 36
Kroacia 3 37
Greqia 4 40
Serbia 5 45
Maqedonia 6 60
SHQIPËRIA 7 67

 

Renditja sipas grup-moshës “55 – 64” të Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2015

Vendi Rajoni Bota /124
Bullgaria 1 18
Rumania 2 29
Kroacia 3 47
Greqia 4 52
Maqedonia 5 56
Serbia 6 57
SHQIPËRIA 7 63

 

Renditja sipas grup-moshës “65 vjeç dhe mbi” të Treguesit të Kapitalit Njerëzor 2015

Vendi Rajoni Bota /124
Bullgaria 1 19
Rumania 2 23
Kroacia 3 37
Maqedonia 4 46
Greqia 5 48
SHQIPËRIA 6 60
Serbia 7 62

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here