Azilantët / Rama: Janë shqiptarë të kthyer nga Greqia. Basha: Kryeministri po tallet me shqiptarët

0
125

Gëzim Saliu

basha dhe rama ne nje foto

Kryeministri Edi Rama zhvilloi dje një konferencë online në rrjetet sociale “FB” dhe “Twitter” me qytetarët, ku argumentoi se eksodi masiv drejt Evropës dhe kryesisht në Gjermani ka prekur, sipas tij, më shumë ata shqiptarë që janë kthyer nga Greqia në vend. Në pyetje-përgjigjet me qytetarët, ku diskutimi u dominua mbi gjendjen ekonomike të vendit si edhe kërkesat për azil të shqiptarëve, kreu i qeverisë theksoi se Gjermania nuk do të japë azil politik për emigrantët shqiptarë. “Është fakt që dihet tanimë dhe nga autoritetet atje se shumica dërrmuese e shqiptarëve s’janë të ikur nga Shqipëria po nga Greqia! E përsëris shumica e shqiptarëve që ikin në Gjermani janë shqiptarë që ikin kryesisht nga Greqia po jo vetëm. Sigurisht dhe nga këtu”, – theksoi Rama. Po ashtu në këtë konferencë online Kryeministri u pyet edhe lidhur me performancën e qeverisë që drejton dhe nëse do të ketë ndryshime të mundshme në kabinet. Për këtë të fundit Rama deklaroi se qeveria nuk do të ndryshojë, pasi, sipas tij, “kabineti është produkt i kontratës me popullin”. I pyetur në lidhje me marrëdhëniet me aleatin kryesor qeverisës, kreun e LSI-së, Ilir Meta, Kryeministri tha se ato janë më të mirat që kanë pasur ndonjëherë mes tyre që kur u ribashkuan në vitin 2013.

 

Reformat dhe korrupsioni

Një ndër temat kryesore të konferencës online të kreut të qeverisë me qytetarët ishte edhe reforma e pritshme në drejtësi, për të cilën Rama tha se do të bëjë të mundur goditjen e korrupsionit. “Do ta godasim korrupsionin në drejtësi siç nuk ia rrok mendja shumëkujt brenda apo jashtë sistemit”, – u shpreh ai duke shtuar: “Reforma në Drejtësi do japë një përgjigje të plotë për të gjitha pikëpyetjet që koha ka ngritur mbi kufomën e drejtësisë”. Gjithashtu pjesë e bashkëbisedimit të kreut të qeverisë me qytetarët ishte edhe aksioni i pritshëm kundër informalitetin. Sipas Ramës, me këtë aksion mbrohen të varfrit, si edhe konsumatorët dhe bizneset që paguajnë taksa. I pyetur lidhur me çmimin e lartë të naftës, Kryeministri tha se kjo vjen pasi sipas tij në vendin tonë taksa e qarkullimit nuk është e ndarë nga çmimi. “Diferencën e bën fakti se në rajon taksa e qarkullimit është e ndarë nga çmimi dhe paguhet veç. Në Shqipëri paguhet brenda çmimit”, – deklaroi ai.

 

 

Konferenca e plotë

 

Përse Greqia duhet të ndërhyjë gjithmonë në çështjet e brendshme të Shqipërisë?

E bënin shpesh në të shkuarën, e bëjnë më rrallë. Duan ende kohë si duket që ta kuptojnë se Shqipëria s’pranon me tutelë.

A do të këtë ndryshime në kabinetin qeveritar?

S’ka plan për ndryshime në kabinetin qeveritar. Ky kabinet është produkt i kontratës me popullin.

Si janë marrëdhëniet tuaja me Ilir Metën?

Më të mira se asnjëherë më parë qysh se kemi vendosur të qeverisim Shqipërinë së bashku.

  1. Kryeministër a do mundet t’ju lejojë ndonjëherë Ilir Meta të bëni me të vërtetë shtet?

Shtetbërja është një proces që nuk kryhet në kaq pak kohë ndryshe pse s’është bërë për kaq shumë e shumë vjet!

A do të këtë ndryshime në qeveri dhe ministra të PDIU-së?

S’ka plan për ndryshime në kabinetin qeveritar. Ky kabinet është produkt i kontratës me popullin shqiptar më 23 qershor 2013.

Mund të dimë se çfarë plani keni për azilantët e Gjermanisë?

E përsëris shumica e shqiptareve që ikin në Gjermani janë shqiptarë që ikin kryesisht nga Greqia po jo vetëm. Sigurisht dhe nga këtu.

Pse po ikin kaq shumë qytetarë shqiptare nga Shqipëria në Gjermani?

Është fakt që dihet tanimë dhe nga autoritetet atje se shumica dërrmuese e shqiptarëve s’janë të ikur nga Shqipëria po nga Greqia!

A do i takosh azilantët shqiptarë kur të shkosh në Gjermani? Çfarë do u thuash atyre? Pse nuk ke folur për ta?

Në Gjermani nuk merr dot azil politik asnjë shqiptar, ndërsa azil ekonomik nuk ka! Prandaj kush e merr atë rrugë vetëm humbet.

Zoti Kryeministër a do hapet punë në Shqipëri që të kthehen emigrantët nëpër vendet e tyre?

Ka plot emigrantë që janë kthyer në Shqipëri dhe janë në punë.

A do e shkulim nga rrënjët njëherë e mirë korrupsionin në gjykatat shqiptare?

Do ta godasim korrupsionin në drejtësi siç nuk ia rrok mendja shumëkujt brenda apo jashtë sistemit.

A është e mundur të ndryshohet ligji ku gjykatës të jenë edhe të huaj? Mendoni që do ishte një e mirë për shqiptarët?

Reforma në Drejtësi do japë një përgjigje të plotë për të gjitha pikëpyetjet që koha ka ngritur mbi kufomën e drejtësisë.

Pse paratë konfiskuara nga krimi, korrupsioni nuk përdoren për krijuar një fond për bursa për studentët në nevojë?

Me ligjin e ri të Arsimit të Lartë studentet në nevojë do të financohen nga shteti.

A mundet që kush dorëzon kuponët tatimorë të shpenzimeve mujore të rimbursohet pjesërisht?

Jo, sepse pjesa që i takon qytetarëve nga kuponi tatimor do t’u kthehet në rritje rrogash, ulje taksash, investime në komunitet.

Prape të vegjlit e fukarenjtë do ta hanë nga lufta me informalitetin?

Përkundrazi! Kjo është një beteje e jashtëzakonshme në mbrojtje të tyre, të konsumatorit dhe biznesit të ndershëm që paguan taksa.

 Çfarë zgjidhje mendoni t’i jepni çështjes së naftës pasi ka shumë diferencë me vendet e rajonit?

Diferencën e bën fakti se në rajon taksa e qarkullimit është e ndarë nga çmimi dhe paguhet veç. Në Shqipëri paguhet brenda çmimit.

  1. Rama, kur do të marrë shteti masa për kontrabandën që bëhet në doganat e Jugut?

Fenomeni i kontrabandës në dogana është minimizuar ndjeshëm, mos dëgjoni bufat e natës politike! Po sigurisht që lufta bëhet përditë.

  1. Kryeministër kur orëmatësit e energjisë do të zhvendosen nga sallonet e shtëpive, tek porta e jashtme e shtëpisë?

Plani i modernizimit të sistemit të faturimit e arkëtimit të parave për shërbimin me energji ecën përditë sipas një programi konkret.

Deri kur do të vazhdohet kështu nëpër spitale?

Përmasimet në spitale janë të mëdha por sigurisht për të pasur spitalet që duam na duhet ende shumë punë më shumë para dhe kohë.

  1. Rama ça do bëhet me luftën kundër korrupsionit që është kudo në spitale në shkolla në administrata kudo?

Sot ka shumë më pak se ç’kishte po ka ende shumë probleme të lidhura me korrupsionin që zgjidhen me modernizim e me kohë.

Çfarë do bëhet për bujqësinë që frutat dhe perimet të mos hidhen në kanale?

Bujqësia ka shënuar një kthesë të rëndësishme. Këtë vit do të nxjerrim një paketë mbështetjeje si asnjëherë më parë për bujqësinë.

Çfarë do të bëni për pusetat e rrugëve që mungojnë në Tiranë?

Kam bindje se kryebashkiaku i ri i Tiranës do ta zgjidhe shpejt këtë hall të madh shumëvjeçar.

Kur do bëni diçka që të mbroni konsumatorin nga çmimet abuzive?

Çmimet në Shqipëri s’kanë pësuar asnjë rritje të pazakonshme dhe inflacioni është minimal, ndërsa konsumi është rritur ndjeshëm.

Kur do ketë vende pune me paga që do përballohet jetesa e shtrenjtë?

Pagat do te rriten kur të ulet informaliteti, kush do rritje page mos të lërë kupon pa marrë kur blen një mall apo pi qoftë një kafe.

Çfarë masash konkrete do të ndërmerrni për të luftuar fenomenin e punës në të zezë dhe kur?

Do të vazhdojmë siç e kemi filluar, kemi nxjerrë nga skllavëria e punës në të zezë dhjetëra mijëra njerëz që sot janë të siguruar.

A keni një projekt për liqenin e Paskuqanit?

Kjo është një pyetje për kryebashkiakun e Kamzës, ai mund t’ju përgjigjet nëse s’është i zënë në ndonjë seancë gjykate a prokurorie!

Me hidrocentralin e Kalivaçit çfarë do bëhet?

Kanë nisur procedurat e rishikimit.

Kur do mbarojë korrupsioni në dogana?

Është ulur ndjeshëm po lufta me korrupsionin nuk mbaron kurrë në asnjë vend sado të zhvilluar

Keni premtuar që hekurudhat në Shqipëri do të jepen me koncesion. Në çfarë fazë është projekti?

Mbase më ngatërroni me dikë tjetër. Kam thënë koncesioni është e vetmja rrugë po s’është hiç kollaj të gjesh investitorë strategjikë.

Çfarë do të bëhet me punëtorët e minierës në zonën D të Bulqizës?

Zona D ka një rrezikshmëri të lartë për shkak të barbarizmit ekstrem shumëvjeçar në shfrytëzim! Në javët e ardhshme do të ndërhyhet.

Zoti KM mbas sa kohesh mendoni se mund të përfundojë reforma në sistemin energjetik, ndryshimin e tensionit të lartë nga 10kë në 20kë

Kemi hyrë në një fazë të re! investime të munguara me dekada e përmirësim rrënjësor i shërbimit ndaj klientit pasi shmangëm humnerën.

 

box

Tri pyetjet që “sikletosën” Kryeministrin Rama

 

Në morinë e pyetjeve që iu bënë dje nga qytetarët Kryeministrit Rama, ishin edhe tri pyetje të cilat nuk morën përgjigje, por që me shumë mundësi kanë vënë në vështirësi kreun e kabinetit ekzekutiv shqiptar. Avokati Dorian Matlija, aktivist për të drejtat e njeriut, njëkohësisht përfaqësuesi ligjor i familjarëve të viktimave të Gërdecit, 21 Janarit, si dhe qiramarrësve të nxjerrë me forcë nga banesat e kthyera pronarëve, i bëri dje tri pyetje Kryeministrit.

Pyetje 1: Në përgjigjen e dërguar Gjykatës së Strasburgut për çështjen që kanë hapur atje familjarët e viktimave të Gërdecit, qeveria ka mbajtur qëndrimin se shteti nuk ka asnjë përgjegjësi dhe se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes, përfshirë këtu edhe ministrin e asaj kohe, kanë vepruar me përkushtim për të siguruar mbarëvajtjen e procesit. A nuk duket se ky qëndrim është diametralisht kundër qëndrimit tuaj politik se Gërdeci ishte një krim shtetëror?

Pyetje 2: Në një intervistë televizive me gazetaren Rudina Xhunga, pas datës 21 janar 2015, jeni shprehur se nuk ka pasur asnjë bisedim me familjaret e viktimave të 21 Janarit dhe Kryeministrisë për të akorduar dëmshpërblimet. Madje jeni shprehur se dhënia e dëmshpërblimeve nga qeveria është idiotësi, sepse ato i jep gjykata. Më 30.7.2014 keni nënshkruar një urdhër për të ngritur grupin e punës për të llogaritur dëmshpërblimet për familjarët e viktimave të 21 Janarit. Madje në urdhër thuhet se nga do merren fondet, si do bëhen llogaritjet, si do të përfshihet në këtë vendimmarrje mendimi i vetë familjarëve etj. Pse e mohuat më pas këtë fakt? Pse e cilësuat idiotësi, kur e keni nënshkruar vetë?
Pyetje 3: Në opozitë keni mbajtur qëndrimin që dëbimi i mijëra familjeve që jetonin në shtëpitë e kthyera pronarëve ishte i gabuar. Madje në Kuvend dhe kudo tjetër, zyrtarë të partisë suaj mbajtën qëndrimin se akti normativ për dëbimin e qiramarrësve ishte i gabuar dhe në shkelje të të drejtave të njeriut. Ndërsa sot, Gjykatës së Strasburgut qeveria juaj i është përgjigjur se akti normativ është i drejtë dhe se nuk ka asnjë shkelje. Nuk besoni më te varianti që keni mbrojtur në opozite, aq sa u bë edhe pjesë e programit tuaj elektoral?

Reagimi i kryedemokratit

Basha: Rama mohoi paturpësisht eksodin, po tallet me shqiptarët

 

Kreu i opozitës, Lulzim Basha, reagoi dje pas konferencës online të Kryeministrit Rama, ku tha se ky i fundit mohoi eksodin masiv të shqiptarëve, pasi nuk mund t’i japë zgjidhje situatës së vështirë që ka kapur vendin. “Edi Rama paturpësisht ka mohuar sot se ekziston një eksod i bashkëqytetarëve tanë, që ikin çdo ditë me mijëra drejt Evropës nga dëshpërimi, nga padrejtësitë, nga varfëria ekstreme. Duke mohuar këtë eksod, Edi Rama jo vetëm tallet me mijëra kryefamiljarë, të rinj e të reja, jo vetëm tallet me jetën e tyre dhe me aktin ekstrem që bëjnë duke ikur natën nga shtëpitë e tyre, duke shitur çfarë u ka mbetur pos shpirtit për të bërë pasaportat dhe blerë biletat, por akoma më keq, tregon se ai nuk ka asnjë zgjidhje”, – theksoi Basha. Më tej kreu i demokratëve pohoi se Kryeministri mund ta mohojë eksodin, por kjo dramë, sipas tij, po jetohet çdo ditë nga veriu në jug, në fshat e në qytet. “Dhe një gjë është e vërtetë sa ç’është sot e hënë, se shkaku kryesor i kësaj arratie tragjike, është Edi Rama, keqqeverisja e tij ne ortakëri me krimin, kriza ekonomike që ka shkaktuar, korrupsioni e hajdutëria që ka mbjellë në çdo zyrë të shtetit. Vetëm ndarja me këtë qeveri e me këtë Kryeministër mund ta normalizojë situatën e ta frenojë eksodin dramatik të shqiptarëve”, – u shpreh kryedemokrati Basha.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here