Ndikimi i pushtetit lokal në klimën e përgjithshme të biznesit në Kosovë

0
274

Refik RamajNga Refik Ramaj

Pushteti lokal duhet ta ketë vizion vetjak krijimin e klimës së favorshme biznesore. Strategjia efikase e Zhvillimit Ekonomik Lokal, doemos që do të ndikojë në ndryshimin e klimës së përgjithshme të biznesit në Kosovë. Njësitë territoriale të Kosovës me politikat e tyre individuale në krijimin e politikës së favorshme biznesore, pamëdyshje që ndikojnë pozitivisht në klimën e përgjithshme nacionale të të bërit biznes në Kosovë.

Nëse pushteti lokal ka krijuar klimë të favorshme të të bërit biznes, atëherë kjo klimë lehtëson dukshëm klimën nacionale të biznesit, por nuk është e tëra.Politikat fiskale janë kompetencë e pushtetit qendror, sundimi i ligjit, siguria e investimeve, politikat kreditore, infrastruktura fizike rajonale,furnizimi me energji elektrike ujë të pijshëm dhe ujë industrial, etj. Këto janë arteriet e krijimit të politikave që hapin shtigjet e krijimit të klimës më të favorshme për lindjen dhe zhvillimin e biznesit. Për të ndërtuar një klimë të biznesit në një njësi territoriale, ku qeveris pushteti lokal, pa mëdyshje që impakt të fuqishëm ka shoqërimi i politikave qendrore në krijimin e klimës së biznesit, sepse kompetencat e pushtetit lokal janë mbase të kufizuara për ta ndërtuar peizazhin e klimës së biznesit, e cila do të ishte atraktive dhe e favorshme për lindjen dhe zhvillimin e biznesit.

Një klimë të mirëfilltë të biznesit e siguron simbioza e politikave lokale dhe qendrore të klimës së biznesit. E para pa të dytën dhe e dyta pa të parën, krijojnë boshllëkun e të funksionuarit të klimës së mirëfilltë të biznesit. Për të pasur një klimë të mirëfilltë të biznesit, duhet që të bashkëfunksionojnë politikat lokale dhe qendrore të klimës së biznesit. Sa do që do të mund të jenë të perfeksionuara politikat lokale të klimës së biznesit, ato do t’i përmbysë mungesa e instrumenteve vepruese të politikave qendrore. Sa do që një pushtet lokal të ketë krijuar klimë tërheqëse dhe atraktive për biznes, ajo nuk do të mund që të jetë edhe tërheqëse e bizneseve për të investuar në njësinë territoriale me pushtet lokal të përgjegjshëm, të përkushtuar dhe me strategji, kur aty ka mungesë të energjisë elektrike, aty ku ka mungesë të funksionimit efikas të rendit dhe ligjit, aty ku ka mungesë të sigurisë së investimeve, aty ku nuk luftohet krimi i organizuar dhe korrupsioni, aty ku cenohet konkurrenca e barabartë, aty ku kërcënon informaliteti dhe aty ku evazioni fiskal e kërcënon qëndrueshmërinë ekonomike dhe mundësinë e ndërtimit të infrastrukturës së balancuar fizike, që do të hapte rrugën lehtësuese për klimën e biznesit.

Pushteti qendror duhet që ta ketë dhe freskojë në vazhdimësi Planin Strategjik të Zhvillimit Ekonomik, i cili i paraprinë planit lokal të zhvillimit ekonomik dhe njëherësh krijimit të klimës së favorshme të biznesit. Po ashtu pushteti qendror duhet që përmes infrastrukturës ligjore që në vazhdimësi të krijojë klimë lehtësuese dhe tërheqëse të të bërit biznes.

Pavarësisht të metave dhe dobësive nga politikat qendrore të klimës së biznesit, pushteti lokal konform kompetencave që ka mund të bëjë shumë në klimën e favorshme dhe tërheqëse për biznes.

–           Pushteti lokal duhet që ta bëjë një analizë shteruese të mundësive të përmirësimit të klimës së biznesit përgjatë territorit të vet. Analizës duhet që t’i paraprijë mbledhja e informatave të rëndësishme, nga të cilat mund të rezultojë një analizë e plotë dhe reale. Këto informata pushteti lokal duhet që t’i krijojë përmes krijimit të raporteve të ngrohëta me bizneset, ku nga takimet ‘sy më sy’ rrjedhin informatat e madje edhe rekomandimet e bizneseve. Burim i dytë i informative dhe rekomandimeve për mundësitë e përmirësimit të klimës së biznesit në njësinë e caktuar territoriale, pushteti lokal duhet t’i merr përmes pyetësorëve të cilët pushteti lokal do t’i shpërndante nëpër bizneset e territorit të vet sipas veprimtarive.

–           Pushteti lokal do t’i ndihmonte bizneset që t’i krijonin shoqatat e tyre, p.sh.: të prodhuesve, të eksportuesve, të përpunuesve, të agrobizneseve, të zejtarëve etj.;

–           Pushteti lokal do të duhej që të kishte tryeza me përfaqësuesit e këtyre shoqatave dhe me përfaqësuesit e bizneseve lidere të fushëveprimtarisë së caktuar për të shoshitur mundësi shtesë për përmirësimin e klimës së biznesit në territorin e vet;

–           Pushtetet lokale do të duhej që të kooperonin me komunat fqinje për bashkëpunim dhe këmbim përvojash në fushën e përmirësimit të klimës së biznesit;

–           Pushteti lokal do të duhej që bizneset t’i lironte nga taksa në ushtrimin e veprimtarisë dhe të merrte rekomandimet nga bizneset dhe shoqatat e tyre për normat e tarifave ngarkesave dhe gjobave;

–           Pushteti lokal do të duhej që ta kishte Zyrën e Bizneseve në komunë, e cila do t’iu akordonte bizneseve asistencë në krijimin e ideve për lindjen e bizneseve si dhe asistencë bizneseve dhe fermerëve në hartimin e Biznes Planeve, përmes të cilave do të aplikonin në Komunë dhe në Ministri për subvencione dhe grante;

–           Pushteti Lokal do të shpërndante fletëpalosje për klimën e biznesit dhe mënyrën e aplikimit për subvencione në komunë dhe grante në ministri;

–           Fletëpalosjet do të ishin të prezentuara edhe në web faqen e komunës;

–           Pushteti lokal për sasi do t’iu akordonte subvencione kompanive lokale të cilat grumbullojnë produkte nga fermerët lokalë;

–           Pushteti lokal organizon pritje diasporës, i informon ata me politikat e klimës së favorshme biznesore dhe për mundësitë e investimit në komunën e tyre dhe sigurimit të profitit domethënës;

–           Pushteti lokal bënë politika lehtësuese për bizneset që investojnë në komunën e tyre;

–           Pushteti lokal i liron nga tatimi në pronë, nga detyrimet tjera komunale për disa vite, bizneset që investojnë në fushën e prodhimit, ato që punësojnë më teper se 20 punëtorë dhe ato biznese që eksportojnë;

–           Pushteti lokal ka një përqindje jo vetëm aparente, por edhe domethënëse në buxhetin e saj për subvencione;

–           Pushteti lokal subvencionon pagat për një numër të caktuar të të punësuarve që do t’i pranojnë bizneset si punëtorë të rinj shtesë në biznesin e tyre;

–           Pushteti lokal shfrytëzon të gjitha mundësitë ligjore për të krijuar klimë më të favorshme për biznes;

–           Pushteti lokal iu jep pa qira tokën komunale në shfrytëzim bizneseve që ofrojnë punësim të qëndrueshëm të të rinjve të komunës së vet;

Përkundër mundësive të kufizuara për klimën e biznesit, pushteti lokal ndikon në klimën e përgjithshme të biznesit në vend. Politikat në klimën e avancuar të biznesit nga pushteti lokal kanë impakt të drejtpërdrejtë tek investitorët e mundshëm lokal, të diasporës dhe atyre të jashtëm.

Pushteti lokal bënë trysni tek pushteti qendror për ta avancuar klimën e biznesit përmes dispozitave të caktuara ligjore. Investitorët, të cilët i ka tërhequr politika e qeverisë lokale, duke krijuar klimë tërheqëse për bizneset, për vërejtjet që kanë në politikat fiskale dhe klimën e biznesit në vend, e cila i pengon ata për të investuar në komunën e caktuar, komuna mund ta luaj rolin e vet ndërmjetësues tek qeveria qendrore për të hyrë në negociata të drejtpërdrejta me investitorë të huaj për të krijuar ambient të caktuar, të cilin këta investitorë e kërkojnë. Pushteti lokal i bënë trysni qeverisë qendrore, duke e bërë me dije se po që se investimi dështon për shkak të mosgatishmërisë së qeverisë për ndërhyrje dhe ndihmesë, atëherë performance e qeverisë do të zbehet nga alarmimi që do t’i bëjë rastit pushteti lokal. Kështu pra, politikat e klimës së biznesit në komunë mund të ndikojnë tek politikat qendrore në klimën e biznesit. Mundësitë janë të shumta. Urojmë që ato të shfrytëzohen!

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here