Ligji i arsimit të lartë, akti i fundit i shkatërrimit të arsimit parauniversitar  

0
209

 

Dr. Ndriçim MehmetiNga dr. Ndriçim Mehmeti

Një nga ligjet që mori më shumë vëmendjen në fundin e sesionit parlamentar, ishte ai për arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor. Prej më shumë se një viti, projektligji diskutohej, harrohej, debatohej, dilte në skenën e diskutimeve dje më së fundi mazhoranca gjeti kohën më të përshtatshme për miratim: në fund të korrikut. Ndërkohë që kritikët e ligjit të sapomiratuar rendisin një sërë defektesh të tij, prej autonomisë së munguar në universitete e deri tek çështje administrative, financiare, cilësisë së mësimdhënies e me radhë, askush nuk ka parë me vëmendje se cilat janë pasojat negative në arsimin parauniversitar. I futur në vorbullën e diskutimin akademik, pakkush nuk ka vërejtur në këtë ligj, nenet që shkelmojnë arritjet e deritanishme dhe i japin grushtin vdekjeprurës sistemi të arsimit parauniversitar në një të ardhme shumë të afërt.

Përse mendoj se ligji i arsimit të lartë është akti i fundit i shkatërrimit të arsimit parauniversitar?

Neni 9, 9/1 dhe 73, janë nenet të cilat me një analizë të thjeshtë nxjerr një sërë përfundimesh të rëndësishme. Neni 9 dhe 9/1 shfaqin një superagjenci, e cila nuk ka qartësinë e duhur se si do të funksionoj si dhe atributet që merr. Agjenci e cila quhet “Qendra e Shërbimeve Arsimore”, në pamje të parë të jep përshtypjen e një zyre të shërbimit postë-telegraf, për maturantë, studentë, atyre që kërkojnë të vazhdojnë masterin, doktorantëve, por edhe të tretëve. “Qendra e Shërbimeve Arsimore (QSHA) është institucion publik, në varësi të ministrisë përgjegjëse për arsimin që ka për mision ofrimin e shërbimeve në fushën e arsimit të lartë dhe sigurimin e aksesit publik në të dhënat për arsimin e lartë. QSHA ka për objekt veprimtarie ofrimin e shërbimeve për qytetarët, IAL-të, institucionet e tjera dhe të tretët. Ofrimi i shërbimeve ndaj të tretëve bëhet nga QSHA pas miratimit nga ministria përgjegjëse për arsimin, kundrejt pagesës së tarifave të përcaktuara me vendim të Këshillit të Ministrave.” A është e nevojshme një institucion i tillë, i cili, veç paqartësisë në funksionim, ka një mbivendosje me një tjetër institucion në varësi të MAS, Agjencinë Kombëtare të Provimeve (AKP)? Aktualisht AKP, ka si detyra të saj: Krijimin e një sistemi unik dhe transparent për përcaktimin e kandidatëve fitues në programet e studimit, sipas parimit meritë-preferencë; hartimin e të dhënave të maturës shtetërore, për pranimin e studentëve në shkollat e larta; përpunimin e të dhënave përfundimtare të mësuesve për shkallët e karrierës; organizimi i provimit të shtetit etj. Veç kësaj kjo agjenci kujdeset për projektin PISA dhe për politikat e vlerësimit në sistemin parauniversitar. AKP ka krijuar së paku prej 9 vitesh një arkiv të pasur elektronike me të dhënat në fushën e arritjeve për çdo maturant prej vitit shkollor 2005-2006 e deri më tani. Të gjithë këtë volum pune ajo e përballon me një staf nga më profesionistët që kanë të gjitha institucionet e vartësisë së MAS dhe me një përvojë që fillon prej vitit 2001, kur u ngrit Qendra Kombëtare Arsimore e Vlerësimeve dhe Provimeve (QKAVP), që më pas u shndërrua në atë që kemi sot Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Shteti shqiptar ka investuar shumë të holla në krijimin e infrastrukturës dhe trajnimit të gjithë specialistëve në këtë agjenci. Brenda 9 muajve nga hyrja në fuqi e këtij ligji, Agjencia do t’i nënshtrohet një shndërrimi total. Në emër të kujt? Të përmirësimit të punës? Të mungesës së një agjencie profesioniste për monitorimin e vlerësimit të nxënësve në arsimin parauniversitar si dhe koordinimin e proceduarve për regjistrim në universitete? Jo. Qëllimi i vetëm është shkatërrimi i gjithçkaje pavarësisht, kostos, problemeve që do të sjelli e gjithë kjo rrokopujë me emrin “reformë evropiane”. Krijimi i Qendrës së Shërbimeve Arsimore, është një mundësi më shumë, që në prag të zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2017 të kemi sa më shumë të punësuar. Por nëse ky veprim mund të justifikohet edhe me pretekstin e “ndryshimeve strukturore”, neni 73 është thelbi i filozofisë së shkatërrimit njëherë e përgjithmonë të arsimit parauniversitar.

 

Përse neni 73 është kaq problematik, për mbarëvajtjen e të gjithë sistemit arsimor parauniversitar?

 

Që në pikën 1 të këtij neni sanksionohet: “Pranimi në programet e studimit të ciklit të parë është i mundur për çdo kandidat që ka përfunduar me sukses ciklin e arsimit të mesëm dhe që plotëson kriterin e notës mesatare të përcaktuar çdo vit me vendim të Këshillit të Ministrave.” Pra çdo vit 21 anëtarë të Këshillit të Ministrave, do vendosin sipas mendjes së tyre sesa do të jetë nota mesatare, për çdo nxënës të shkollës?!, së mesme ose 9-vjeçare, pasi nuk përcaktim sipas ligjit, nxënës i arsimit të mesëm të lartë apo nxënës i arsimit të mesëm të ulët, për të fituar të drejtën e studimeve universitare. A mjafton vetëm mesatarja, për të shkuar në universitet? Këtë do të na e thonë vetëm VKM. Ky nen hap një sërë pikëpyetjesh. Përse flitet për notë mesatare dhe jo për pikët e grumbulluara nga maturanti në përputhje me rezultatet e arritura në tre vite, sipas një formule të njohur nga “Paketa e Vlerësimit të nxënësve në gjimnaz”, miratuar në vitin 2010? A do të ndryshojë sistemi i vlerësimit, në përputhje me pikën 1 të nenit 73? A do të vazhdojnë të ekzistojë kurrikula bërthamë, me zgjedhje të lirë dhe kurrikulë në bazë shkolle? Cili do të jetë roli i Maturës Shtetërore në pranimin e maturantëve në IAL? Si do të veprohet me nxënësit që vijën nga jashtë vendit? Si do të veprohet me pranimin e studentëve që vijnë nga rajoni ynë, (Greqi, Serbi, Mali i Zi, Kosovë), të cilat janë si kriter pranimi në universitet Maturën Shtetërore?

A mjafton vetëm mesatarja për të shkuar në universitet? Ky nuk është një model i ri në Shqipëri. Është modeli i njohur i para vitit 1990, i cili u braktis me ardhjen e demokracisë. Fillimisht si kriter pranimi ishin konkurset e organizuara nga vetë universitetet, të cilat, u zëvendësuan me parimin meritë-preferencë, i cili, mbante në konsideratë: Notën mesatare dhe arritjet në provimet e MSH. Përmes një formule të njohur, dilnin pikët mesatare për çdo maturant, të cilat, i lejonin ose jo pranimin në universitet. Vendosja e notës mesatare nga Këshilli i Ministrave, zhvleftëson njëherë e mirë të gjithë sistemin e vlerësimit në arsimin parauniversitar. Nuk do të ketë më vlerësime, më poshtë se nota e përcaktuar nga KM. Korrupsioni, dallaveret, kërcënimet ndaj mësuesve e për rrjedhojë edhe cilësia e vlerësimit, do të jenë krejt formale. Me një mënyrë a një tjetër, prindërit dhe nxënësit do të gjejnë mundësinë për të marrë atë që duan, pavarësisht nëse e meritojnë. Ata që kanë si synim marrjen e dijeve rezultatet e larta, do të pakësohen, si pasojë e formulës korruptive të mesatares, së paracaktuar nga kryeministri dhe të arritur prej shokëve të tyre në mënyrë të padrejtë. Kurrikula e gjimnazit e në veçanti ajo me zgjedhje, nuk do të ketë rëndësi fare për gjimnazistët. Atyre u duhet nota mesatare, e cila mund të arrihet lehtësisht me lëndë sa më të lehta. Në vend të matematikës së thelluar dhe fizikës, teknologjisë së informacionit dhe kimisë, mund të marrësh një gjuhë të huaj dhe sociologji, histori, etj., pasi nuk ka shumë rëndësi koeficienti i lëndës me zgjedhje, por nota mesatare. Veç mesatares, a do të ketë edhe konkurrime nëse universiteti, apo një program studimi me kërkon këtë? Padyshim që po. Dhe kjo zhvleftëson në maksimum provimet e Maturës Shtetërore. Këto provime, do të jenë thjesht konfirmim i notave të marra në tre vite. Edhe sikur të jetë një rezultat ndryshe, hesapet do të bëhen në konkurs. Vlerësimi? Nuk ka më asnjë rëndësi, sesa është mesatarja e një lënde, por e krejt lëndëve. Parimi i notës mesatare, do të çoj në fiktivitet. Ai që sot e ka notën e matematikës 8.5 në 3 vite, nesër e ka 9, sipas parimit të rrumbullakosjes së notave. Krahasimisht me vendet e rajonit, për të mos thënë të krejt Evropës, Shqipëria, është modeli ndryshe, ku Matura Shtetërore nuk do të ketë rëndësi.

Pra një nen me një pikë të vetme, i jep fund vlerësimit objektiv të nxënësve, sistemit meritë-preferencë për pranimet në Institucionet e Arsimit të Lartë publik dhe privat, i hap rrugën vlerësimit fiktiv, nxit korrupsionin dhe ul cilësinë e marrjes së dijeve në arsimin parauniversitar. Dhe të besosh se VKM-të, do të mund të rregullojnë këto handikape, është thjesht një utopi. Rama dhe Nikolla me një gur vranë dy zogj: I shkuan deri në fund këmbënguljes së tyre për një ligj të ri të arsimit të lartë me pretendime të “një arsimi evropian” dhe i dhanë fund të gjitha arritjeve të mira në arsimin parauniversitar, duke projektuar dhe më pas zbatuar edhe i shkatërrimin e arsimit parauniversitar. Tani nuk na mbetet gjë tjetër, por të gjejmë rrugën e shpëtimit, duke nisur fëmijët që në moshën e hershme, në rrugët e Evropës dhe Amerikës së Veriut, për një shkollim cilësor që do të bëhet i pamundur në vendin që jetojmë.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here