Dritëro Agolli: Me Ramiz Alinë, si do të përgatisim komunistët

0
154

Dritero AgolliIntervistë me kryetarin e Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Dritëro Agollin, e vitit 1989.

Ndoshta mund të konsiderohet si intervistë e fundit e shkrimtarit Dritëro Agolli dhënë në kohë të diktaturës, në jubilarin e 45-vjetorit të çlirimit të atdheut. Në cilësinë e kryetarit të Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, Agolli flet për arritjet artistike dhe t[ ardhmen që i pret krijuesit nën udhëheqjen, tashmë të Ramiz Alisë, për të qenë komunistë të denjë, pa imagjinuar lëkundjen deri në shembje të sistemit komunist. Në numrin e 11-të të revistës “Nëntori” të vitit 1989, dedikimi është për çlirimin e atdheut dhe të gjithë kontribuuesit e saj përmes shkrimeve që gjithnjë u referohen thënieve e citimeve të veprave të Enver Hoxhës si dhe të Ramiz Alisë. Por në intervistën e Agollit shihet qartë pjesa e artistëve të diktaturës të konsoliduar bindshëm në vijën e Partisë sëPunës, të cilët kanë mbajtur në këmbë dhe ideologjinë në 45 vitet e regjimit. Agolli vetë vazhdon ta vlerësojë të ardhmen e Shqipërisë socialiste, si një rend komunist prej nga duhej vazhdimisht përgatitja e të rinjve. Për ta mbështetur këtë, një nga proceset më të rëndësishme nga vdekja e Enverit në 85-ën ishte përjetësimi i ish-udhëheqësit, Enver Hoxhës, ku dhe në këtë rast, Agolli shprehet me entuziazëm se si pjesa më e mirë e piktorëve socrealistë e kanë bërë të pavdekshëm diktatorin.

****

Intervista e plotë

Cili është relievi artistik i krijuesve tanë në prag të 45-vjetorti të çlirimit?

 Fundi i viteve `80 në letërsi dhe arte është njëperiudhë përpjekjesh e diskutimesh për ngritjen e nivelit cilësor të tyre, periudhë shqetësimesh nga shkrimtarët dhe artistët për kërkime të reja në përmbajtje e në formë. Këtyre kërkimeve u dha nxitje ngjarja e madhe historike, 45-vjetori i çlirimit të Atdheut. Në horizontin letrar e artistik u dukën disa vepra, veçanërisht në prozë dhe në artet figurative, me vlera të vërteta, si romani i I.Kadaresë “Koncert në fund të dimrit”, i ndjekur më pas nga romani “Thikat” i N.Tozajt dhe “Më shiko në sy” i K. Blushit (botuar në revistën “Nëntori” në numrat 7 e 8 të këtij viti).

Në këto romane është pasqyruar një mendim i ri nëpërmjet një fjale të re artistike që shpreh shqetësimin njerëzor e qytetar për jetën e shoqërisë. Panorama letrare del më e plotë po të shohim edhe një varg me përmbledhje tregimesh, ku ndihet qartë përpjekja për kërkime dhe cilësi artistike.

Nga arritjet më të shquara kanë qenë monumentet për Enver Hoxhën të artistëve tanë të dëgjuar Sh. Hadëri, S. Shijaku, M. Dhrami, H.Dule, K.Rama dhe Th.Thomai, që e përjetësuan në art figurën e ndritur të udhëheqësit tonë të pavdekshëm. Në radhët e këtyre veprave zë vend të merituar përmendorja e Myslym Pezës, e skulptorit të talentuar M.Shurdhi.

Relievin letrar artistik në prag të 45-vjetorit tëçlirimit të Atdheut e pasurojnë veçanërisht veprat e piktorëve të rinj, të cilët po sjellin freski në fushën e arteve figurative. Kjo u ndie më mirë në ekspozitën “Pranvera ‘89” që ngjalli aq interes dhe aq diskutime në opinionin letrar e artistik të kryeqytetit dhe të gjithë vendit. Ekspozita “Pranvera ‘89” na paralajmëron se po vjen një brez krijuesish me një koncept dhe formë të re në pikturë. Na paralajmëron gjithashtu se ekspozita kombëtare e arteve figurative që do të hapet në pragunefestave të Nëntorit, do të jetë një ngjarje e shënuar artistike.

Natyrisht, arritje ka në poezi dhe muzikë, sidomos në muzikën simfonike dhe instrumentale. Por si në poezi, ashtu edhe në muzikë problemi i thellimit të frymës kombëtare është më i mprehtë se në të gjitha artet e tona. Poezia dhe kënga kanë nevojë ta theksojnë më mirë identitetin kombëtar, të ndihen që janë shqiptare.

 

Si po integrohen shqetësimet dhe problemet e kohës në dialogun e artit tonë me njeriun e ditës?

Gjithëpërpjekjet në letërsi dhe arte bëhen për të pasqyruar sa më të plotë jetën e shoqërisë, problemet e saj, bashkëkohësin me shqetësimet e tij.Në plenumin e 8-të të KQ të Partisë, që u mblodh këto ditë, në fjalën e shokut Ramiz Alia, në gjithë materialet e tij shprehet preokupimi i madh për rolin e komunistit në jetën e vendit dhe për kapërcimin në një stad të ri në drejtimin dhe organizmin e punës në tërë fushat e jetës. Shkrimtarët dhe artistët këtë shqetësim të Partisë e kuptojnë duke e jetuar intensivisht. Objekt i letërsisë dhe i artit është jeta bashkëkohore, problemet e saj të mprehta, marrëdhëniet njerëzore në shoqërinë e sotme në konfliktet e tanishme. Jeta nuk paraqitet bardhë e zi, jeta është e ndërlikuar, si vetë njeriu. Letërsia, arti nuk duhet t’u shmangen ndërlikimeve. Ato nuk mund të mbeten brenda pasqyrimit bardhë e zi të realitetit, pasi bien në skematizëm dhe për pasojë veprën artistike nuk del kurrë nga vizioni bardhezi. Këtë po e kuptojnë më mirë shkrimtarët, prandaj po kërkojnë mënyra të reja depërtimi dhe shprehjeje në pasqyrimin e gjithanshëm të njeriut, po futin në veprat e tyre më tepër analizë e sintezë më tepër mendim dialektik. Kjo duket edhe në veprat më të arrira që përmenda pak më lart. Koha e ka zhvleftësuar narracionin indiferent dhe deskriptivizmin e mërzitshëm. Letërsi dhe art do të thotë të ngresh probleme dhe të kërkosh zgjidhjen e tyre artistikisht. Kjo, për arsyen se njeriu ka në vetvete qindra probleme, qindra shqetësime dhe halle, flas për njeriun e qytetit dhe të fshatit, për njeriun e punës prodhuese dhe të punës mendore. Ai duhet të vijë në letërsi me tërë problemet e tij dhe jo të reduktohet në një hije. Ndodh që shpesh pasqyrojmë hijen e një njeriu dhe jo njeriun vetë. Po dialog me hijen nuk bëhet. Ne duhet të bëjmë dialog të hapur dhe të sinqertë me bashkëkohësin e vërtetë, me atë që e takojmë përditë. Për këtë ka nevojë romani, tregimi, filmi, skulptura, piktura, kënga.

 

Si po e plotësojnë polifoninë artistike krijuesit e rinj?

Veprimtaria letrare e artistike e krijuesve të rinj është e gjerë dhe përfshin gjithë fushën e krijimtarisë. Të rinjtë tani nuk shkruajnë vetëm vjersha, pomarrin përsipër me guxim edhe gjini të tjera, tregime, romane, drama, filma, muzikë simfonike, skulpturë monumentale, tablo kompozicionale. Pjesën më të madhe të artit sot e krijon rinia, se rinia është edhe shumica. Vlerësimin e krijimtarisë së të rinjve ne duhet ta bëjmë në kushte të barabarta, si kolegët mes kolegëve. Nuk duhet të flasim me ta si nga lart: “mirë, shumë mirë të rinjtë, por të kenë kujdes, se…” Krijimtaria nuk njeh moshë, flas për krijimtarinë e vërtetë. Të rinjtë asimilojnë në mënyrë krijuese traditën kombëtare dhe të huaj. Ata mbështeten në krijimtarinë më të shquar të kolegëve të tyre më të vjetër, dhe përpiqen të venë vulën e tyre, shpirtin e tyre në gjithçka që krijojnë. Duke derdhur shpirtin e tyre, të ri në art e letërsi, ata e rinojnë shpirtërisht krijimtarinë, reflektojnë bashkëkohësi. Maksim Shurdhinë përmendoren e Myslim Pezës duke u mbështetur në traditën e O.Paskalit, apo të K. Ramës, M. Dhramit, Sh. Haderit, e të tjerëve, vuri mendimet e ndjenjat e tij. Këtë mund ta themi për poeteshën Mimoza Ahmeti, libri i dytë i së cilës është më të mirët e vëllimeve poetike të botuar në këtë pesëvjeçar. E njëjta gjë mund të thuhet për poetët e ri PreçZogaj, për prozatorin Valter File etj.

Po ju vetë, ç’do t’u jepni lexuesve në 45-vjetorin jubilar?

Është e vështirë të flasësh për krijimtarinë vetjake…Kam shkruar mjaft, por në përgjithësi kam botuar pak…Jam duke përfunduar dy romane me titujt e përkohshëm “Dështaku” dhe “Arka e djallit”, librin me poezi “Blerimet e vona” dhe një vëllim me tregime. Ajo që kam dashur të shpreh lidhet me jetën, me njeriun, me kohën që jetojmë.

E përgatiti: Nexhmije Muça

(Marrë nga gazeta “Tirana”, nr.78,1989)

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here