Historia është ndryshuar e falsifikuar shumë herë. Disa të vërteta për Hamit Matjanin

0
654

Tanush KasoNga Tanush Kaso

Në një të përditshme të datës 7 korrik 2015, ishte botuar një shkrim, “Dossier”, që bënte fjalë për  Hamit Matjanin, me nëntitullin “Historia nuk mund të ndryshohet…” Autori, Hysen Sh. Tabaku, duke e ndjerë se nuk është kompetent për t’u marrë me çështje të historisë, e thotë që në fillim, si për t’u shfajësuar, se të dhënat  i  ka “mësuar nga historia dhe nga të afërmit”. Pra, jo drejtpërsëdrejti nga dokumentet arkivore, siç e kërkon shkrimi “Dossier”, por nga “thashethemet” dhe nga Historia, që ka ndryshuar sa herë ka dashur Partia; sa herë kanë dalë nga gjiri i saj kuadro të larta, gjeneralë ministra e kryeministra, të cilët janë shpallur “armiq”, “tradhtarë”, “agjentë” e “poliagjentë”. Tani, ai thotë se “Historia nuk mund të ndryshohet…”. Mirë! Po cila histori, e cilit vit -sipas tij- duhet marrë si përfundimtare dhe “e pandryshueshme”? Cilës nuk duhet t’i bëhen më “korrigjime”, retushime fotografish  dhe falsifikime, siç ka ndodhur gjatë një gjysme shekulli të regjimit komunist?

Si rrjedhojë e atyre “mësimeve”, me të cilat është pajisur, H. Sh. Tabaku  ka gatuar një çorbë, me pak të vërteta e shumë të pavërteta, sipas asaj shprehjes popullore “dy nga dhija e pesë nga vija”. Kësisoj, edhe sot, mbas 25-vjetëve,  kur është folur e shkruar pak më lirisht se në të kaluarën komuniste, kur janë hapur pjesërisht  dokumentet arkivore dhe janë zbardhur disa ngjarje e personazhe, ai  vazhdon ta paraqesë figurën e Hamit Matjanit sipas shabllonit të vjetër të PPSH-së dhe të Sigurimit të Shtetit. Natyrisht, nuk mund të ndodhte ndryshe, me një person të keqinformuar e të “bombarduar” gjatë gjithë jetës me propagandën komuniste, sipas së cilës Partia dhe historia e saj, si edhe “shoku Enver” me veprat e tij “madhore”, janë të pagabueshëm, të pandryshueshëm e të pavdekshëm. Por, koha ka folur ndryshe.

Në atë shkrim, autori tregon se “Si i vrau Hamit Matjani , Thoma Priftin dhe Laze Dollanin në Teqenë e Dushkut…”, ashtu siç ka dëgjuar të flitet për atë ngjarje. Por, nuk tregon arsyet pse i vrau dhe çfarë kërkonin  në Teqe ata dy komunistë, që ishin ateistë dhe jo besimtarë bektashinj?

Kjo sqarohet në faqet 146-147 të librit “Hamit Matjani midis legjendës dhe të vërtetës”, botuar në Tiranë, në vitin 2008, i cili është bazuar në dokumentet arkivore dhe në proceset hetimore e gjyqësore. Aty shkruhet: “Ndërkohë, atyre (Hamitit dhe grupit të tij – T.K.) u ishin mbaruar ushqimet dhe menduan të kërkojnë bukë në Teqenë e Dushkut, duke u paraqitur si ushtarë të Mbrojtjes. Hamiti dërgoi shokët atje dhe vetë qëndroi diku pranë Teqesë, në roje, për çdo të papritur. Kur ata u afruan, lehën qentë dhe doli shërbyesi i saj, Abaz Hysa. Ai u tregoi se brenda ishin dy funksionarë të Partisë Komuniste, shumë të këqinj, të cilët u binin më qafë jo vetëm fshatarëve, po edhe dervishëve dhe Babait të Teqesë, nga të cilët kërkonin kohë pas kohe informacion, për gjëra që nuk u përkisnin atyre, mbasi nuk mund të bënin punën e spiunit. Ata ishin kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit të Gramshit, Thoma Prifti, dhe Drejtori i Ndërmarjes së Grumbullimit të këtij rrethi, Laze Dollani.

Mbasi dëgjuan ankimet e shërbyesit të Teqesë, pa e zgjatur fare, ata u futën brenda dhe i morën me vete të dy kuadrot e Partisë, duke iu thënë se ishin të Mbrojtjes dhe se kishin pak punë me ta. I çuan tek vendi ku priste Hamiti, i cili i pyeti dhe u sigurua se ishin vërtetë ata, përfaqësuesit e pushtetit komunist, të cilët po t’u binte në dorë ai dhe shokët e tij, pa asnjë dyshim do t’i pushkatonin ose do t’i varnin. Ndërkaq, pjesëtarët e grupit prisnin fjalën e tij. Po cili mund të ishte vendimi i atij burri, që kishte humbur njerëzit e tij më të dashur dhe që tok me popullin e vet, po hiqte të zitë e ullirit, nga komunistët si ata që ndodheshin tani përpara tij? Ai vetëm heshtte dhe mendonte. Por, shokët e lexuan në sytë e tij dënimin me vdekje.

Ua morën të gjitha dokumentet, letrat e njoftimit dhe teserat e Partisë; dhe pa humbur kohë, i mënjanuan pak më tej dhe i pushkatuan.

Kjo ishte diçka e paplanifikuar më parë, ishte krejt e rastësishme. Por, ishte një vendim që Hamit Matjani e kishte marrë qysh kur doli i plagosur nga rrethimi, në luftën e fundit të çetës së tij,  tek pylli i Zherijes, ku mbetën të vrarë nga plumbat e komunistëve vëllai, nipat dhe shokët e tij besnikë.”

Por, autori H. Tabaku thotë edhe një të vërtetë kur shkruan: “Gjatë operacionit të madh të dimrit të vitit 1943, Hamit Matjani me forca të mëdha të Ballit Kombëtar të komanduara prej tij, hynë në Sulovën e Sipërme. Në fshatin Shëmitër të rrethit të Gramshit, rrethon shtëpinë e Mete Hoxhës dhe bën thirrje që të dalë i zoti i shtëpisë…”

Hamiti kishte informacion se në atë shtëpi strehohej komunisti  Kiço Samara. Për këtë arsye edhe mund ta kishte vrarë të zotin e shtëpisë.  Por, nuk e bëri atë -siç shkruan autori- “Falë ndërhyrjes së J. M. nga fshati  Tunjë  dhe J. B. Nga fshati Shënmrizë i Gramshit, të cilët ndërhynë duke i thënë: “Zoti Hamit, ky ka luajtur nga mëndja. Që kur iu vra babai është i shkalluar”.”  Pra, Hamit Matjani dinte edhe të falte. Në librin e cituar më sipër, tregohen edhe raste të tjera kur Hamiti ka falur kundërshtarët e tij politikë.  Ndër ato, më i çuditshëm, por i vërtetë, është rasti  kur familjarët e tij gjetën në pyll një partizan të plagosur të Brigadës së Parë Sulmuese, e cila kishte kaluar andej. E morën dhe e çuan në shtëpi, duke pritur Hamitin për të marrë mendimin e tij se çfarë do të bëhej me atë djalosh. Me t’u kthyer  nga shërbimi, Hamiti urdhëroi që partizani i plagosur  të lahej, të pastrohej, të ndërrohej e të ushqehej mirë. Ndërkohë u kujdes për kurimin e plagës së tij, me barna të mara në farmaci, sipas këshillave mjekësore. Ai partizan i ri quhej Ahmet Mazrreku dhe ishte nga fshati Vithkuq i rrethit të Korçës. Kur u shërua plotësisht, Hamit Matjani e përcolli deri në Peqin dhe e nisi me një automjet për në fshatin e vet.

Ata që e njohën nga afër, tregojnë për  burrërinë dhe ndjenjat njerëzore të atij luftëtari  të paepur antikomunist, jeta e të cilit kaloi më së shumti në arrati, pa shijuar ngrohtësinë  familjare.  Gruan  e tij, Kadifen, dhe djalin 8-9 vjeç, Xhevitin, ia internuan që nga viti 1945. Vetëm mbas 45 vjetëve, më 1990, të rraskapitur e të  mplakur, ata e përfunduan dënimin, për të vetmin “faj” ,  sepse ishin  pjesëtarë të familjes së Hamit Matjanit.

Më tej, në shkrimin e tij, autori Hysen Sh. Tabaku shprehet: “Po vazhdoj me fakte të tjera, duke pyetur të djathtët: Sa njerëz vrau ky njeri  në shtypjen e kryengritjes së Fierit në 1935?”

Në të vërtetë, përgjigjen e kësaj pyetjeje ai mund ta marrë fare kollaj nga një i majtë, nga Mentor Belegu, autor i librit “Kryengritja antizogiste e Fierit”, botuar në Tiranë, në vitin 1987. Aty nuk figuron fare emri i Hamit Matjanit. Dhe jo vetëm në atë libër, po as në dokumentet arkivore të asaj kohe apo në gazetën “Besa”, e cila ka shkruar gjatë e gjerë për atë kryengritje, emri i Hamit Matjanit nuk përmendet as edhe një herë të vetme. Këtë nuk e kanë thënë as studiuesit e majtë të Historisë. Po gjersa Hysen Sh. Tabaku flet me aq siguri për rolin vrasës të Hamit Matjanit në Kryengritjen e Fierit, do të bënte mirë të tregonte burimin se nga e ka marrë atë informacion të rrallë, gjë që do të ishte një kontribut i vyer nga ana e tij, për “mosndryshimin e historisë”. Sapër dijeni të tij dhe të atyre që nuk e njohin atë histori, duhet të sqarojmë se në luftimet e zhvilluara pothuajse për 24 orë rresht  në Lushnjë, midis forcave qeveritare dhe atyre kryengritëse, nuk ka pasur asnjë të vrarë apo të plagosur. Në Fier, u vra qysh në fillim vetëm gjeneral Gjilardi, nga kryengritësit. Pastaj, Gjyqi Special i kryesuar nga nënkoloneli  Ali Rizai, dënoi  me vdekje 41 pjesëmarrës në atë kryengritje. Po përfundimisht u ekzekutuan vetëm dhjetë xhandarë.  Është vrarë më pas edhe Riza Cerova në afërsi të Pogradecit, nga forcat qeveritare, teksa po përpiqej të arratisej në Jugosllavi. Ky është i gjithë bilanci i vrasjeve me rastin e Kryengritjes së Fierit të gushtit të vitit 1935, ku Hamit Matjani as ka vrarë njeri dhe asqë është ndjerë fare ekzistenca e tij. Gjithë të tjerat janë hamendësime dhe propagandë komuniste.  (Sapër kuriozitet: drejtori i burgut politik zogist në atë kohë, ka qenë Spiro Moisiu).

Nuk është aspak e vërtetë as ajo që thuhet se “Hamit Matjani  ka bashkëpunuar me pushtuesit italianë dhe, më vonë, me pushtuesit gjermanë”. Kjo, për arsye se:

7  prilli 1939 e ka gjetur Hamit Matjanin si xhandar në qytetin e Vlorës. Së bashku me një grup qytetarësh dhe xhandarësh  e ushtarakësh të Ushtrisë Kombëtare, i  kanë pritur me pushkë forcat pushtuese italiane. Nga fundi i vitit 1939, Hamiti ka qenë i burgosur në Lushnjë, prej nga ka mundur të arratiset me ndihmën e mikut të tij lushnjar, Qazim Dervishit. Gjatë gjithë viteve të pushtimit italian, siç vërtetohet me dokumente arkivore, Hamit Matjani ka qenë në arrati. Ai ishte person  shumë i kërkuar nga forcat qeveritare, deri në shtatorin e vitit 1943, kur Italia fashiste kapitulloi. Po në vitin 1943, Hamit Matjani  është emëruar komandant i forcave të Ballit Kombëtar për Peqinin, me shtrirjen e veprimtarisë së tij antikomuniste edhe në rrethin e Lushnjës e deri në Skrapar e Mallakastër. Me forcat pushtuese gjermane në Peqin, Hamit Matjani ka bërë atë që bëri Gjin Marku në Berat: marrëveshje mossulmimi dhe secila forcë në punën e vet.  Nuk ka asnjë dokument që të vërtetojë luftën e përbashkët të Hamit Matjanit me forcat gjermane, kundër atyre komuniste. Ai ka luftuar veçmas nga gjermanët kundër komunistëve, në bashkëveprim me forca të tjera nacionaliste, siç ishin ato të Isa Manastirit. Gjithashtu nuk ka të dhëna që ai  të ketë luftuar edhe kundër gjermanëve, mbasi të dyja palët i qëndruan marrëveshjes që kishin bërë qysh në fillim.

Tani të shikojmë pak vrasjet e kryera nga Hamit Matjani, për të cilat autori i shkrimit thotë: “Rreth  10 vetë di unë, midis të cilëve edhe Maliq Mirakën nga fshati Tunjë i rrethit të Gramshit”. Pak më shumë  se kaq dolën edhe nga dëshmitë në gjyqin e zhvilluar kundër tij. Natyrisht, mund të jenë më shumë, por dhjetë janë edhe këto që po rendisim më poshtë:

– Më 15 prill 1947, kur Hamit Matjani me çetën e tij ishte rrethuar nga forca të shumta të Ndjekjes e të Sigurimit, në pyllin pranë fshatit Matjan e Gjoçaj, në kushtet e vetëmbrojtjes, në një luftë të pabarabartë që zgjati  24 orë,  u vranë:

1) Baftjar Pasmaxhiu – Kapiten i Parë, që kryesonte një kompani ushtarësh të Mbrojtjes.

2) Namik Osmani – Shef i Sigurimit të Degës së Punëve të Brendshme të Lushnjës, nga Vlora.

3) Veli Toshku – me gradën rreshter, nga një fshat i Peqinit.

4) Rustem Gjyshja – kryetar i Këshillit të fshatit Gjyshaj, kallëzues dhe pjesëmarrës në rrethim

5) Mustafa Buzi – pjesëtar i forcave luftarake kundër Hamit Matjanit dhe çetës së tij.

6) Musa Hoxha –  pjesëtar i forcave luftarake kundër Hamit Matjanit dhe çetës së tij.

Në këtë përpjekje të armatosur, u vra edhe nipi i Hamitit, Dalipi 23-vjeçar dhe një pjesëtar i çetës.

– Më 18 gusht 1951, pranë Teqesë së Dushkut, në rrethin e Gramshit, u vranë nga grupi i Hamitit:

7) Thoma Prifti – Kryetar i Komitetit Ekzekutiv të Rrethit të Gramshit.

8) Laze Dollani – funksionar komunist.

– Më 6 tetor 1944, në qytetin e Peqinit, Hamit Matjani vrau atentatorin e tij,

9) Zihni Mogani – komunist nga Peqini, me profesion marangoz, i caktuar nga Partia për vrasjen e Hamit Matjanit.

10) Një person nga fisi Greca – për çështje hasmërie, se i kishin vrarë vëllanë e tij, Asllanin.

Nuk dihet me siguri, se sa persona të forcave të Sigurimit e të Mbrojtjes, janë vrarë në luftën e fundit me çetën e Hamit Matjanit, që vazhdoi tre ditë e tre netë, në pyllin e Zherijes, pranë Peqinit, të zhvilluar aty nga mbarimi i verës së vitit 1947. Thuhet se mbeti i vrarë togeri Ismail Gjerbësi, nga Tomorica e Beratit, një nënoficer dhe tre ushtarë. Po nga çeta e Hamit Matjanit humbja qe shumë e madhe. U vra vëllai i tij, Ibrahimi, nipat Hajdar e Hasan Matjani si dhe pjesëtarët e çetës: Zenun Gjolena, Latif Karafoli  dhe Mahmut e Arif Tabaku nga Çanakaj. Hamiti u plagos në dorë dhe mezi mundi të çante rrethimin vet i dytë. Më pas kaloi në Greqi, ku u takua dhe filloi bashkëpunimin me amerikanët, për rrëzimin e komunizmit dhe për vendosjen e demokracisë në Shqipëri.

Këto vrasje, të kryera në kushtet e vetëmbrojtjes, kur çeta e tij e vogël përballej me forca të shumta qeveritare, vrasje kryesisht të kuadrove komunistë, me të cilët ai ishte në luftë të vazhdueshme për jetë a vdekje, po të krahasohen me ato të disa vrasësve të shquar komunistë, duke filluar nga Enver Hoxha, Mehmet Shehu, Shefqet Peçi e deri tek ata më të vegjëlit si Hodo Habibi, i mbiquajtur “Toger Baba”, etj., Hamit Matjani mbetet shumë prapa tyre. Ky nuk ka vrarë asnjë nga bashkëluftëtarët e tij; ndërsa -siç dihet- janë të shumtë shokët e luftës dhe të idealeve komuniste që vrau  Enver Hoxha, që nga krijimi i PKSH-së e në vazhdim gjatë luftës dhe deri në vitet ’70 e ’80, kur bëri kërdinë mbi gjeneralët, ministrat dhe kuadrot e larta të Partisë e të Sigurimit të Shtetit. Hamit Matjani nuk ka vrarë asnjë  nga ata që e strehonin dhe e ushqenin, sepse nuk ishte bukëshkalë; ndërsa Enver Hoxha nuk kurseu as kunatin e tij, Bahri Omarin, i cili e mbajti me muaj tërë në shtëpinë e tij, kur policia e kërkonte. Siç del nga dokumentet arkivore të  zbuluara vitet e fundit, Enveri kishte urdhëruar që të mos vritej askush pa miratimin e tij dhe kërkonte që ta njoftonin për zbatimin e dënimeve me vdekje. Kështu që ai është urdhëruesi i të gjitha vrasjeve politike të ndodhura gjatë luftës dhe më pas.

Sa për vrasjet e kryera nga Mehmet Shehu, ato në shumicën e tyre janë të njohura nga publiku i gjerë. Për ndonjë prej tyre, ai ka marrë edhe vërejtje e qortime hipokrite nga Partia dhe Enveri. Por, më vonë e në vazhdimësi, ai është lënë që t’i përsërisë ato, deri më 18 dhjetor 1981, kur përfundoi  ashtu siç e meritonte, me vetëvrasje ose vrasje nga shokët e tij të idealit të rremë.

Është interesante ajo që shkruan i biri i tij, Bashkimi, në faqen 109 të librit “Vjeshta e ankthit”, botuar në Tiranë më 1994: “Për tre gjëra, në jetën time, ndjehem i penduar”, do të pohonte Mehmet Shehu në vjeshtën e tij të mbrame, në atë gjëndje zije të parakohshme që kishte rënë në shtëpi, “vetëm për tre gjëra jam penduar: për pushkatimin pa gjyq të gjashtëdhjetë robërve ballistë, për ekzekutimet masive në Shqipërinë e veriut, gjatë luftës dhe në vitet e para të çlirimit dhe, tani së fundi, për fejesën e djalit tim.”

Në  të vërtetë ata nuk ishin 60 po 67 djem myzeqarë, të porsa mobilizuar nga Balli Kombëtar. Lista e tyre e plotë është botuar në “Gazetën Shqiptare” dhe në librin “Hamit Matjani midis legjendës dhe të vërtetës”. Ndërsa në “vrasjet masive” që Mehmeti e pohon se i ka kryer, mund të jenë qindra fshatarë të moshave të ndryshme, shumica të pafajshëm. Po Shehu nuk ka përmendur edhe grabitjen e bagëtive, të bereqetit e të ushqimeve, djegien e shtëpive dhe shuarjen e familjeve të tëra fisnike malësore. Ai “ka harruar” të tregojë edhe për vrasjen e qindra robërve italianë, disa prej të cilëve i ka therur me dorën e tij. Gjithashtu ai ka lënë  në harresë edhe Masakrën e Mirditës, të gushtit 1949, të kryer prej tij  dhe Gjin Markut, me urdhërin e Enver Hoxhës, mbas vrasjes së sekretarit dhe deputetit komunist, Bardhok  Biba, nga luftëtarët antikomunistë të “Komitetit të Maleve”. Gjenerali Mehmet Shehu, si ministër i Punëve të Brendshme në atë kohë dhe gjenerali Gjin Marku, si mirditor dhe njohës i asaj treve, përgatitën listat e zeza, sipas të cilave u varën katër mirditorë dhe u pushkatuan dhjetë të tjerë, që nuk kishin gisht në vrasjen e Bardhokut. Ata u hodhën në një gropë të përbashkët, në prani të shumë fshatarëve, që ishin thirrur me detyrim për të parë atë skenë të tmerrshme. Dhjetra mirditorë të pafajshëm u burgosën dhe rreth treqind gra, fëmijë e pleq u internuan në kampin famëkeq të Tepelenës, ku shumë prej tyre gjetën vdekjen nga keqtrajtimi, nga uria dhe nga sëmundjet.

Krimet e komunistëve shqiptarë, të kryera mbi shqiptarët, në kohë paqeje, ua kalojnë atyre të kryera nga pushtuesit e huaj nazifashistë, në kohën e luftës.

Ndryshe nga vendet e tjera ish-komuniste, vetëm në Shqipëri nuk janë ndëshkuar krimet komuniste, megjithëse Këshilli i Evropës e ka kërkuar këtë me dy Rezolutat e veta: me atë numër 1096, të vitit 1996 “Mbi masat për të çrrënjosur trashëgiminë e sistemeve ish-komuniste totalitare” dhe me Rezolutën numër 1481 të vitit 2006 “Nevoja për ndëshkimin ndërkombëtar të krimeve të regjimeve totalitare komuniste”.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here