Paketa “Nuland”, gjashtë porosi amerikane për Tiranën

0
124

Nga Basir Çollaku

Nga Basir ÇollakuAngela Merkel, nën ftohtësinë e thekur gjermane e seriozitetin biblik, përçoi pikat e saj të panegociueshme, në të cilat shënohej një Nein i madh për deliret e politikës shqiptare. Duket se jo-ja e radha është Victoria Nuland, ndihmëssekretarja e Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euro-Aziatike. Ajo sjell porosinë e prerë amerikane, në sinkron me atë gjermane katër ditë më herët. Jo banditë në Parlament, jo kriminelë kryetarë bashkie, jo trafikantë në zyrat e shtetit, jo vrasës aksionerë në drejtësi. Kjo është kryefjalë e partnerëve ndërkombëtarë, një refren ku kërkohet reagim dhe veprim. NATO dhe BE nuk kanë më kohë për shaka. PS, PD janë në provimin amerikan dhe evropian për të dhënë mesazhin se janë seriozë. Kreu i demokratëve dhe i opozitës, Lulzim Basha, ka nisur këtë aksion prej afro dy vitesh. Ai mundësoi dhe bindi ndërkombëtarët të jenë mbikëqyrësit dhe donatorët e marrëveshjes së 24 dhjetorit 2014 për dekriminalizimin e politikës. PD nëpërmjet vendosmërisë së tij, mbajti fjalën. Tani është faza e dytë ku duhet ta mbajë këtë fjalë edhe mazhoranca. Ky është ndoshta testi i fundit i kësaj klase politike. Nëse dikush e merr si qokë verore, aq më keq për të dhe fatin e tij politik. Kjo kërkon të bësh atë çka nuk është bërë ndonëse është premtuar. Situata është rënduar dhe jemi në cep të vijës së kuqe, ku askush nuk mund e duhet të shkelë. Pas “NEIN”-it të Merkel vjen “NO” e Nulandit me së paku gjashtë porosi amerikane për t’u mbajtur shënim nga mazhoranca dhe opozita. Zyrtarja e lartë amerikane pas takimeve institucionale, me Kreun e Shtetit Bujar Nishani, Kryeministrin Edi Rama, dhe liderin e opozitës Lulzim Basha, foli edhe për qytetarët, duke e bërë të drejtpërdrejtë komunikimin si një mundësi të re llogaridhënie. Ashtu si në axhendën e Merkelit, edhe atë të Nulandit, nuk bënte pjesë kreu i Parlamentit, Ilir Meta, ndoshta jo rastësisht. Së pari, në konferencën për shtyp, Nuland tha: “Ne i bëjmë thirrje popullit shqiptar që të insistojë që partitë t’ju ofrojnë kandidatë të pastër”. Kërkohet tashmë një angazhim dhe reagim më i madh i qytetarëve shqiptarë për të pranuar kandidatë të pastër, për të mos u poshtëruar me modele të tjera, të cilat u përfshinë në dy zgjedhjet e fundit parlamentare e vendore. Ne duhet të mos heshtim kur kandidatët nuk janë të denjë për të shërbyer e për të administruar pasurinë dhe paranë publike. Diplomatja amerikane përcjell porosinë e dytë, duke thënë drejtpërdrejt: “Ajo që ne dëshirojmë është që të bëhet e vështirë, shumë e vështirë, që personat me të kaluar kriminale të mos jenë pjesë e funksioneve zyrtare. Të bëhet e vështirë që ata të angazhohen në politikë”. Kjo është një porosi urdhër për institucionet partiake e ligjore. Sistemet duhet të jenë në harmoni së bashku dhe informacioni të mos flejë sirtarëve të hetimit e kandidatët të mundësojnë livadhisjen në jetën politike. Të bëhet e vështirë për ta të angazhohen në politikë. Ata e kanë të lehtë kur pengesat ua heqin liderët e partive. Nëse Rama, Basha dhe krerët e tjerë të partive ua mundësojnë rrugën, ata s’kanë pengesë tjetër. Kjo ndodh për dy arsye të thjeshta në një kohë normale. Ose krerët e partive u kanë borxhe kriminelëve, u marrin para për t’u vënë emrat në lista fituesish kryesisht, ose kanë nevojë për bandat e tyre për të dhunuar proceset elektorale e grabitur votat. Nëse nuk ndodh as njëra, as tjetra, atëherë ata nuk janë në politikë, por përtej hekurave. Ajo çka mungon në Shqipëri do të thosha vjen në porosinë tjetër, kur Nuland thekson se “është e rëndësishme ta kuptoni që të jeni ju ata që e kërkoni, të mos prisni nga jashtë”. Ne jemi mësuar shpesh e më shpesh të presim reagimet e qëndrimet e SHBA-së dhe BE-së, pastaj e quajmë punë të mbaruar. Po foli Uashingtoni dhe Brukseli për ne qytetarët mjafton dhe më së shumti bëjmë debate kafeneve, sesa reagojmë institucionalisht, duke ushtruar presion mbi subjektet për të qenë në pastërtinë dhe lartësinë e zgjedhjes. Asnjëherë nuk jemi mbledhur së bashku të majtë e të djathtë dhe të bëjmë një protestë të pandërprerë derisa partitë të tërheqin kriminelët nga listat. Jo, kemi pritur. Thuajse gjithnjë nga jashtë. Po të kishim reaguar ne më fort, më shpesh, ky nivel kriminal në politike do të kishtë pasur të tjera të dhëna. Dhe së katërti, Nuland tha: “Është e drejtë të krijohet një zonë moskalimi për politikanët e papastër”. Është bërë përpjekje më së shumti sipërfaqësore. Në këtë situatë ku gjendet përzierja e krimit me politikën, është domosdoshmëri, një komision i posaçëm verifikimit të figurave të cilët pretendojnë të jenë pjesë pushtetit, si në parlament, në qeveri, drejtësi, apo pushtet vendor. Duke mos lënë mënjanë as dosjet e stërthëna të Sigurimit të Shtetit, gjithnjë të mbyllura, përherë të përdorura për përfitime politike, nga pjesë të ndryshme pushteti. Telenovelat e deritanishme me komisione nuk kanë qullosur gjë të hajrit. Nuland përcjell porosinë e pestë teksa pohon: “Dëshirojmë të kërkojmë që drejtuesit politikë të lidhen me njëri-tjetrin, që të krijohet një sistem, që të pengohen politikanë të tillë”. Nuk duhen kufij. Nuk duhen justifikime. Nëse kërkohet ndryshimi i Kushtetutës për të ndaluar personat me rekorde kriminale të jenë në politikë e pushtet, le të bëhet. Kur i ndryshuan në vitin 2008, nenet e lehtësisë, u mjaftuan 24 orë, tani përse nuk na dalin disa vite. Kushtetuta është garanti ynë i ligjit e së drejtës, por jo për ta përdorur si mburojë për klientelën e dyshimtë të partiakëve, për një grusht dollarë e kriminelë më tepër. Vullneti i përbashkët mazhorancë dhe opozitë nuk duhet të jetë çështje diskutimi. E gjitha kjo nuk është thjesht një kafe turistike apo jashtë orarit, e Merkel dhe Nuland, me Nishanin, Ramën dhe Bashën. Nënsekretarja amerikane e Shtetit konfirmoi se qëndrimet e ambasadorit Donald Lu, thirrjet e tij të drejta e të shpeshta që shqiptarët të braktisin ofertën e inkriminuar të disa partive, kanë qenë në harmoni e mbështetje të plotë të qeverisë amerikane. Nuland vjen në porosinë e gjashtë duke theksuar se janë duke mbajtur shënim qëndrimet e klasës politike. Ajo pohon: “Kemi dëgjuar përkushtim dhe angazhim nga qeveria dhe opozita, por tani ata duhet të punojnë që ta shndërrojnë këtë në një premtim konkret”. Koha e lënë nga Merkeli dhe Nulandi po numërohet mbrapsht, dhe klasa jonë politike nuk mundet ta ndalë atë orë. Thjesht ta përdorë në mënyrë sa më ekonomike për të përmbushur detyrimet.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here