Champions League/ Skënderbeu tenis ndaj Krusadersit

0
150

Ndeshja e futbollit, Tirana-Skenderbeu i Korces, 0-2, e vlefshme per Kampionatin Kombetar, e luajtur ne stadiumin, Qemal Stafa ne Tirane.

Korçarët kanë mundur me rezultatin 4-1 irlandezët, duke u dhënë një mësim të mirë dhe duke hedhur një hap drejt kualifikimit

“Ujqërit e dëborës” kanë treguar dhëmbët ndaj Krusadersit, duke i mundur me rezultatin e thellë 4-1. Një superndeshje e korçarëve që kanë dhuruar spektakël dhe kanë marrë një rezultat mjaft pozitiv, që mund t’i ndihmojë për të kaluar në fazën tjetër. Skënderbeu e nis menjëherë përpara dhe fillon të ushtrojë presion. Korçarët mbyllin kundërshtarin në gjysmëfushën e tyre dhe nisin sulmet e njëpasnjëshme. Në minutën e 15-të vjen dhe goli i epërsisë. Aksion i bukur i Skënderbeut. Shkëmbi pason bukur për Berishën që duke dribluar futet brenda zonës, pason në qendër dhe aty Nimaga me të majtën godet duke e dërguar topin në rrjetë. 1-0 dhe korçarët fitojnë më shumë besim. Goli i dytë erdhi si shkak i një gabim amatoresk i portierit mik, i cili nuk e kontrollon dot një gjuajtje nga distanca dhe i jep një dhuratë Salihit, i cili me portën e boshatisur nuk gabon, duke dyfishuar rezultatin. Miqtë kanë pasur dy mundësi të mira në këtë pjesë të parë në minutat 32 dhe 33, por nuk i kanë shfrytëzuar si duhet. Pjesa e parë mbyllet 2-0. Fraksioni i dytë nis menjëherë me gol për miqtë e Krusadersit. Krosim nga e djathta dhe sulmuesi irlandez Ouens gjendet krejtësisht i lirë brenda zone duke goditur me kokë dhe duke ngushtuar diferencat. Pavarësisht golit të pësuar, korçarët reagojnë mjaft mirë dhe kthehen sërish të goli. Në minutën e 76-të vjen goli i tretë për ekipin e Josës. Aksion i shkëlqyer i korçarëve. Latifi kombinon bukur me Vangjelin dhe ky i fundit e kthen në qendër ku Latifi sërish e shtyn drejt portës, por devijon portieri, aty gjendet Berisha që më pas e shtyn drejt rrjetës. Vendasit nuk mjaftohen me 3 gola dhe pak minuta më vonë gjejnë edhe golin e katërt. Është sërish bomberi shkodran që realizon golin e dytë personal. Shkëmbi jep një asist perfekt për sulmuesin dhe ky i fundit, i gjendur brenda zonës, pasi kontrollon topin godet dhe tund rrjetën për 4-1. Mbyllet gjithçka me këtë rezultat dhe tashmë Skënderbeu hipotekon kualifikimin, duke shkuar në ndeshjen e kthimit më se i qetë.

 

Skënderbeu – Krusaders 4-1

Golat: Nimaga 15′; Salihi 35′, 83′; Berisha 76′/ Ouens 48’

 

Formacionet

Skënderbeu: Shehi, Osmani, Radas, Arapi, Vangjeli, Nimaga, Shkëmbi, Latifi, Berisha, Hristov, Salihi; Trajner: Mirel Josa

Kruseders: Onill, Bërns, Magouan, Robinson, Meklin, Miçell, Kadell, Klark, Ouens, Hatli, Karvill. Trajner: Stefen Bakster.

Gjyqtar kryesor: Alekander Harkam (Austri)

Asistentë: Andreas Uitshnig, Riçard Huebler, Andreas Heis

 

Deklaratat gjatë ndeshjes

Berisha

“Kam pasur një problem familjar gjatë kësaj jave, pasi nëna ime është e sëmurë dhe ndoshta nuk jam në formë optimale, pasi mendja ime ka qenë aty. Tashmë ajo është më mirë dhe unë dua t’ia dedikoj asaj suksesin që po arrijmë sot. Jam mirë dhe mendoj se në pjesën e dytë do jap edhe më tepër”.

 

Ramos merr shiritin e kapitenit

Shiriti i kapitenit ndryshon krah te Reali i Madridit, nga Casillas te Ramos. Mbrojtësi përfaqëson në mënyrë ideale të gjitha vlerat e një kapiteni të “Los Blancos” si për sa i përket eksperiencës ashtu dhe karizmës në dhomat e zhveshjes. Ramos ka marrë rolin e udhëheqësit të grupit përkrah Casillas dhe Ronaldos që nga kohët e Mourinhos, por tanimë roli i tij do të jetë më vendimtar ndaj dhe Reali kërkon që ta mbajë. Negociatat për zgjatjen e kontratës së mbrojtësit janë kthyer tashmë në një telenovelë. Mançester Junajtid i ka bërë një ofertë të pamundur për t’u barazuar nga Reali prej 11 milionë Eurosh neto në sezon. Ramos deri më tani nuk ka pasur asnjë kontakt me presidentin duke mbetur i vendosur në synimin e tij për t’u larguar. Sipas mediave spanjolle, nuk bëhet fjalë për para, por për respekt. Raporti me Florentino Perezin i ngjason një luftë të ftohtë edhe pse në fund të dy duket se do të jenë të detyruar të firmosin çarmatimin. Numri një i Realit i dërgoi një mesazh në distancë Ramos duke deklaruar. “Ka lojtarë që kanë kontratë, por ikin pasi duan ta bëjnë diçka të tillë, pastaj ka dhe lojtarë që kanë kontratë dhe që klubi nuk do që të largohen dhe këta lojtarë nuk do të ikin”. Tashmë Sergio Ramos pavarësisht të gjithave duket i destinuar për të qëndruar në Madrid. Reali nuk mund tja lejojë vetes që të largohen dy kapitenë brenda një vere dhe Rafael Benitez gjatë turneut veror do të ketë një rol të rëndësishëm për të ndërmjetësuar mes Ramosit dhe Perezit. Reali ka nevojë për një trashëgimtar të denjë të legjendës Casillas dhe në Madrid të gjithë mendojnë se këtë nuk mund ta bëjë askush më mirë se heroi i La Decimas.

 

Leverkusen vihet pas Kovacic

Bajer Leverkuseni ka nisur bisedimet me agjentin e Mateo Kovacicit për transferimin e kroatit. Interi vazhdimisht ka përsëritur se 21-vjeçari nuk është në shitje. Megjithatë, klubi ka pranuar se shpenzimet e mëdha të bëra gjatë verës nënkuptojnë se disa lojtarë duhet të largohen nga “Meazza”. Sipas “Bild”, Leverkuseni është duke konkurruar Liverpuit për shërbimet e mesfushorit. Gazeta gjermane thotë se Kovacic mund të transferohet në Gjermani për 20 milionë euro.

 

Shaqiri nuk lëviz nga Interi

Menaxheri i Stok Sitit, Mark Hughes, ka thënë se Xherdan Shaqiri nuk do t’i bashkohet skuadrës së tij. Interi dëshiron ta shesë mesfushorin shqiptar, i cili u transferua në “Meazza” në muajin janar nga Bajerni i Mynihut. Stok është një nga klubet që po kërkon shërbimet e tij, ndërsa trajneri i klubit anglez ka thënë se ka ekzistuar një marrëveshje me zikaltrit. “Kemi biseduar dhe unë shkova për ta takuar djaloshin”, – ka treguar Hughes në një konferencë për media. “Neve na ishte pranuar një ofertë me një shumë të dukshme parash, mirëpo gjithmonë ka qenë e kushtëzuar nga fakti nëse lojtari dëshiron të vijë te ne”. “Kemi pasur negociata, por në fund nuk ndodhi por mesa di unw gjithçka ka marrë fund”, ka shtuar trajneri.

 

Di Maria edhe më afër PSG-së

Transferimi i dy mesfushorëve, Bastian Schweinsteiger dhe Morgan Schneiderlin, ka bërë që Mançester Junajtid të mendoj largimin e disa lojtarëve. E njëri nga ta pritet të jetë anësori Angel Di Maria, i cili është edhe prioriteti i trajnerit të PSG-së, Laurent Blanc. Sheikët e PSG-së po përgatisin 60 milionë euro për t’i siguruar shërbimet e argjentinasit, i cili nuk tregoi një sezon të mirë me “Djajtë e Kuq”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here