Vizita në Shqipëri/ Presidenti i PE-së i mbyll dyert qeverisë, Schultz: Nuk ka hapje negociatash në 2015-ën

0
110

Gëzim Saliu

meta shcultzDebatet e brendshme politike duhet të mbeten në Tiranë, jo të transferohen në Bruksel e Strasburg

Përkundrejt qëndrimeve optimiste të qeverisë për hapjen e negociatave me BE-në brenda vjeshtës së këtij viti, Presidenti i Parlamentit Evropian, Martin Schultz deklaron se kjo nuk do të bëhet e mundur në 2015-ën. Në kuadër të vizitës në Shqipëri, ai theksoi dje në konferencën e përbashkët me Kryeparlamentarin Meta se e rëndësishme është që Shqipëria të kryejë reforma efektive dhe të suksesshme. “Për sa i përket gjysmës së dytë të vitit 2015, gjysma e dytë e vitit 2015 është shpejt, kështu që në këtë kuadër, dua t’i bashkohem asaj që u shpreh nga Kryetarit i Kuvendit, z. Ilir Meta dhe dua t’i shpreh gjithë mbështetjen time për reformat e ndërmarra në vend, reforma të cilat janë në proces e sipër. Është e rëndësishme që këto reforma të jetë efektive dhe të jenë të suksesshme. Për sa më takon mua, dua të theksoj se ju keni mbështetjen e plotë të Parlamentit tim, por ashtu siç e dini, Parlamenti nuk është i vetmi institucion i cili vendos për dhënien e një përgjigje pozitive për çeljen e negociatave me Shqipërinë. Megjithatë gjatë gjysmës së dytë të këtij viti, do të promovojmë debatin pozitiv në mënyrë që të jepet një përgjigje pozitive, ndërkohë që për momentin nuk mund t’ju jap një përgjigje pozitive”, – u shpreh Schultz. Në përgjigje të së njëjtës pyetje kreu i Kuvendit Meta tha se “Shqipëria tashmë është në rrugën e duhur”. “Shqipëria tashmë është në rrugën e duhur dhe natyrisht që për ne më e rëndësishme është të avancojmë në mënyrë sa më të shpejtë dhe më konkrete për reformën e drejtësisë, ku kërkohet kontributi i të gjithëve dhe besoj se hapja e negociatave pastaj do të jetë më e thjeshtë dhe do të kemi më shumë përkrahje nga Parlamenti Evropian, por edhe nga vendet anëtare”, – u shpreh Kryeparlamentari Meta.

 

Konferenca

Ndërkaq, në konferencën për shtyp, Presidenti i PE-së vuri theksin edhe tek rëndësia e dialogut e bashkëpunimit mes palëve politike në vend, duke këshilluar partitë që debatin e brendshëm të mos e përcjellin në BE. “Ndërkohë, sa u përket marrëdhënieve ndërkombëtare, lidhur me marrëdhëniet ndërmjet Parlamentit të Bashkimit Evropian dhe Parlamenti të Shqipërisë. Më duhet të nënvizoj që në shumë raste, debatet dhe fryma e brendshme e diskutimeve ndërmjet partive politike këtu në Shqipëri transferohet në Bruksel dhe në Strasburg. Ndërkohë që problemet dhe debatet e brendshme duhet të mbeten këtu në Tiranë, ku duhet të gjejnë një zgjidhje, dhe jo të transferohen në Bruksel”, – tha Schultz, i cili nga ana tjetër përshëndeti edhe marrëveshjen e vendeve Evropiane me Greqinë, çfarë sipas tij ndikon pozitivisht edhe për Shqipërinë.

 

Në Presidencë/ Presidenti i PE-së: Kërkohet shtet ligjor. Nishani: Anëtarësimi në BE, e vetmja alternativë e Shqipërisë

Një tjetër takim i rëndësishëm i Presidentit të PE-së Martin Schultz, ishte edhe ai në Presidencë me Kreun e Shtetit, Bujar Nishani. Në këtë takim ai përcolli vlerësimet për zhvillimin që ka njohur Shqipëria, parë edhe nga këndvështrimi i një qytetari evropian që i ka përjetuar ndryshimet e mëdha historike. Në këtë kontekst Schultz veçoi se në rrafshin e brendshëm pret që Shqipëria të shënojë përparim në vendosjen e shtetit ligjor, në të gjithë elementët e tij, përfshirë reformimin e thellë të sistemit të drejtësisë, si dhe në vendosjen e kulture evropiane të dialogut politik. Në kontekstin rajonal Shqipëria vazhdon të luajë një rol shumë pozitiv për ndërtimin e një dialogu konstruktiv e ripajtues. Këto dy elemente do të rrisin besueshmërinë dhe rolin e Shqipërisë si në rajon ashtu edhe në raport me Bashkimin Evropian dhe Shqipëria ka një potencial të shkëlqyer për ta arritur këtë. Nga ana e tij, Presidenti Nishani theksoi se anëtarësimi në Bashkimin Evropian përbën të vetmen alternativë dhe zgjedhje për Shqipërinë dhe shqiptarët dhe në këtë kontekst kjo ambicie shërben si një shtysë e fuqishme për realizimin e reformave të thella që nevojiten në të gjitha fushat. Ai informoi mbi përpjekjet për zbatimin e 5 prioriteteve, duke e u ndalur në veçanti në fushën e zbatimit të ligjit, dhe posaçërisht tek reforma në drejtësi. “Si Kreu i Shtetit dhe Kryetar i Këshillit të Lartë të Drejtësisë, mbetem plotësisht i angazhuar për të bërë çdo përpjekje për realizimin cilësor dhe me ritmin e duhur të kësaj reforme kyçe për vendin”, – theksoi Presidenti Nishani.

 

Takimi me Kryeministrin/ Schultz: Kriza greke do të ndikonte edhe në Shqipëri. Rama: Kryesfida e vitit është reforma në drejtësi

Kriza greke do të kishte ndikim edhe mbi Shqipërinë. Kështu u shpreh dje Presidenti i PE-së, Martin Schultz pas takimit që zhvilloi me Kryeministrin Rama duke theksuar se marrëveshja e BE-së me Greqinë ndikon pozitivisht edhe për vendin tonë. “Faleminderit i nderuar Kryeministër, ishte kënaqësi që të mbaja premtimin dhe të vija për herë të parë në Shqipëri. U nisa sot nga Mynihu vetëm pasi u arrit marrëveshja me Greqinë dhe jam i kënaqur që u arrit marrëveshja, sepse shmangëm një krizë të BE-së. Kjo ishte një gjë e mirë, sepse kriza do të kishte efekte edhe mbi Shqipërinë, prandaj ishte një lajm i mirë. Ne do ta ndihmojmë Greqinë për të ecur përpara. Pata një shkëmbim të hapur me kryeministrin dhe ne ramë dakord për çdo gjë. Dëshiroj që të përmend dy gjëra, e para roli i skajshmërisë që Shqipëria luan në rajon dhe për ketë falënderoj Kryeministrin Rama. Falënderoj Kryeministrin dhe Shqipërinë për një linjë të qartë për sa i ka bërë marrëdhënies sonë me Federatën Ruse. Pra, Shqipëria ka mbajtur një qëndrim si BE. Falënderoj Kryeministrin, sepse më tregoi të gjithë këtë ndërtesë kaq të bukur, pra Rama e tregoi se është një njeri arti”, – theksoi Schultz. Ndërkaq, Rama duke u ndalur sërish tek reforma në drejtësi, tha se do të kalojë në vjeshtë, në mënyrë që ky sinjal t’i përcillet BE-së për t’i treguar transformimin e Shqipërisë dhe gatishmërinë për integrimin në BE. “Patëm mundësinë të bisedojmë lidhur me progresin në drejtim të procesit të modernizmit në BE si dhe me sfidat që kemi përpara ku kryesfida e vitit është reforma në drejtësi dhe me patjetër do ta kalojmë në vjeshtë, duke i dhënë një sinjal BE-së për ta transformuar Shqipërinë dhe të gatshme për në BE”, – deklaroi ai.

 

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here