Pas negociatave me SHBA-në dhe BE-në/ PD-PS, konsensus për reformën në drejtësi: Anëtarë të barabartë, Xhafaj me votë të dyfishtë

0
99

Gëzim Saliu

xhafa-halimiNegocimi i Lu-së dhe Vlahutinin me PD dhe PS ka qenë përcaktues për marrëveshjen mes palëve për reformën në drejtësi

Pas muajsh mosmarrëveshjeje, mazhoranca dhe opozita kanë rënë dakord për të bashkëpunuar në komisionin e posaçëm parlamentar për reformën në drejtësi. Një ndër shtysat kryesore të marrëveshjes së djeshme të bërë publike nga kreu socialist i komisionit, Fatmir Xhafaj, dhe nënkryetari demokrat, Eduard Halimi, ishte ndërhyrja e ambasadorëve të SHBA-së dhe BE-së të akredituar në Tiranë. Mëngjesin e ditës së djeshme, kryediplomati amerikan Lu dhe ambasadorja e BE-së Vlahutin iu drejtuan zyrave të Kryesisë së Kuvendit ku zhvilluan takim me Xhafajn dhe Halimin. Në qendër të negociatave ishte kërkesa e opozitës për numër të barabartë anëtarësh, e cila pas kundërshtive fillestare të mazhorancës u pranua më pas nga të majtët. Por ndërkaq, shumica kërkoi votën e dyfishtë të kreut të komisionit për të ndalur atë që e cilësoi si bllokim të punimeve të Komisionit. Ndonëse kërkesa u pranua, palët ranë dakord që vota e kreut të Komisionit të mos përdoret në disa raste të veçanta, të kërkuara edhe më herët nga opozita dhe që kanë të bëjnë kryesisht me ekspertizën e ligjeve.

 

Marrëveshja

Marrëveshja e arritur mes PD-së dhe PS-së nuk parashikon të drejtën e vetos për opozitën, siç kërkonte ajo disa muaj më parë, por palët ranë dakord që në komisionin e posaçëm të ushtrohet parimi i paritetit. Në këto kushte, mazhoranca dhe opozita do të kenë përfaqësim të barabartë në komision, secili nga 5 anëtarë. Por mazhoranca do të ruajë epërsinë e votës nëpërmjet ushtrimit të fuqisë së votës së dyfishtë të kryetarit, i cili ka rënë dakord që mos e përdorë në disa raste të veçanta. “Përjashtimisht në rastet kur rezultati është i barabartë, vota e kryetarit të komisionit është vendimtare, duke respektuar në çdo vendimmarrje standardet ndërkombëtare të transparencës dhe gjithëpërfshirjes në konsultim me ekspertizën ndërkombëtare, përfshirë edhe Komisionin e Venecias”, – tha Xhafaj. Në të njëjtën linjë demokrati Halimi theksoi: “Duke pasur parasysh që procesi të përputhet me standardet evropiane, kryetari nuk do të përdorë votën e dyfishtë. Pra, do të ketë një respektim të padiskutueshëm të këtyre standardeve. Për këtë ne kemi rënë dakord”. Ndërkaq socialisti Xhafaj tha se pritet që opozita të tregojë konstruktivitet në këtë reformë. “Unë shpresoj dhe dëshiroj të besoj se roli i opozitës në këtë proces do të jetë konstruktiv”, – u shpreh ai. “Kjo është një reformë shumë e rëndësishme dhe për herë të parë këtë vit është bërë pjesë e procesit konstruktiv të reformës në drejtësi. Ne shpresojmë, që së bashku me komisionin tjetër që ka të bëjë me dekriminalizimin, të ecin në mënyrë të barabartë”, – tha nga ana tjetër Halimi. Ndërkohë, PD ka propozuar si nënkryetar të komisionit të posaçëm Eduart Halmin dhe si anëtarë deputetët Oerd Bylykbashi,Gent Strazimiri, Keltis Kruja, Fatmir Mediu dhe Arben Ristani.

 

Paloka paraqet provat kundër ministrit Tahiri, seanca e radhës në 14 shtator

Gjykata e Lartë i dha fund paraqitjes së provave që Edi Paloka në cilësinë e nënkryetarit të Partisë Demokratike paraqiti pranë këtij organi duke theksuar se ato vërtetojnë akuzat ndaj ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri. Deklarata publike të ambasadës amerikane, postime dhe qëndrime në rrjetet sociale të Kryeministrit dhe ministrit të Brendshëm, prononcime dhe deklarata publike janë provat mbi të cilat Paloka i kërkon gjykatës pafajësi. Nëpërmjet avokatit, Paloka kërkoi pushimin e çështjes me ministrin Tahiri, pas padisë për shpifje qe ai ka ngritur ndaj tij. Gjykata vendosi të zhvillonte seancën e radhës në 14 shtator.

 

Parkimi me pagesë në Vlorë/ KLSH: Të anulohet koncesioni. Kryeministri të marrë masë disiplinore për prefekten Hoxha

Kontrolli i Lartë i Shtetit propozon anulimin e kontratës koncesionare për parkimet me pagesë në qytetin e Vlorës. Në një raport, KLSH vlerëson se kontrata favorizon sipërmarrësin privat në kurriz të buxhetit të Bashkisë së Vlorës, e cila po sipas këtij institucioni humbet 184 mln lekë nga ky koncesion. Në raport KLSH vlerëson se nëse zbatohet kontrata koncesionare, ndikimi financiar në Bashkinë e Vlorës do të jetë negativ, sepse subjekti privat që merr me koncesion parkimet përfiton me të padrejtë 184.47 mln lekë. “Procesi i përzgjedhjes së ofertuesit fitues nga komisioni i dhënies me koncesion/ partneritet publik privat, është bërë në kundërshtim me ligjin nr. 125/2013, datë 25.4.2013 “Për koncesionet dhe partneritetin publik privat”, i ndryshuar, VKM nr. 575, datë 10.7.2013 “Për miratimin e rregullave të vlerësimit dhe dhënies së koncesioneve/partneritetit publik privat” dhe Dokumenteve Standarde të Koncesionit Partneritet Publik-Privat, duke favorizuar bashkimin e operatorëve ekonomikë’, thuhej në raport. Më tej KLSH theksoi se nga vlerësimi i koefiçientit të shfrytëzimit të vendparkimeve, i përcaktuar nga komisioni i dhënies me koncesion/ppp për periudhën 10 vjeçare, janë llogaritur të ardhura të pritshme në vlerën 117,142,544 lekë. “Ndërsa nga llogaritjet e kryera për shfrytezimin e gjashte ditëve te javës (plus e shtuna), vlera e te ardhurave te pritshme është 1,171,425,440 lekë, pra e llogaritur më pak nga komisioni, në vlerën 218,360,000 lekë. Si rezultat i ndryshimit të kushteve të kontratës, shtesë të objektit të saj për parkimin në ditët e shtuna, për 13 rrugë, për të gjithë periudhën e koncesionit, impakti financiar negativ që i krijohet buxhetit të njësisë vendore është 3,764,880 lekë, ndërsa subjekti privat përfiton me të padrejtë shumën 184,479,120 lekë Për më tepër, afati i koncesionit u rrit nga 10 në 15 vite”, – nënvizohej në raport. Gjithashtu, KLSH i ka rekomanduar Kryeministrit të vendit fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga detyra”, për prefekten e Qarkut Vlorë, Ediona Hoxha, pasi Institucioni i Prefektit të Qarkut Vlorë ka shprehur ligjshmërinë e konfirmimit të dy Vendimeve të miratuara nga Këshillit Bashkiak Vlorë për këtë koncesion. “Për këtë shkelje, KLSH i ka kërkuar Prefektit të Qarkut Vlorë, përmes përcjelljes së rekomandimeve me shkresën nr. 348/11, datë 30.6.2015, fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Largim nga Shërbimi Civil” të sekretarit të Përgjithshëm të Prefekturës D. H. Gjithashtu, KLSH i ka rekomanduar Kryeministrit të vendit fillimin e procedurave ligjore për dhënien e masës disiplinore “Vërejtje me paralajmërim deri në largim nga detyra” për prefekten e Qarkut Vlorë E. H.”, – theksoi KLSH në raportin e saj.

 

Programet e përgjimeve/ Burimet brenda SHISH-it: Janë blerë në vitin 1015. Ajazi: Teknologjitë e reja duan aprovimin e kryeprokurorit

Çështja e negociatave mes zyrtarëve shtetërore shqiptare dhe kompanisë “Hacking Teams” lidhur me blerjen e një programi përgjimi për telefonat dhe kompjuterët zgjerohet edhe më shumë. Ditën e djeshme, referuar burimeve të “News 24” në Shërbimin Informativ Shtetëror u bë me dije se ky institucion i ka blerë këto programe dhe që prej fillimit të vitit 2015 janë vënë në përdorim. Të njëjtat burime shprehen se nuk ka asgjë të paligjshme në përdorimin e këtyre programeve dhe pajisjeve, pasi është detyrim kushtetues i SHISH-it për të parandaluar ngjarje të rënda kriminale, duke shtuar se nuk është hera e parë që SHISH akseson dhe përdor programe të së njëjtës natyrë, me qëllim përfundimtar parandalimin e veprimeve që cenojnë rendin dhe sigurinë kombëtare. Ndërkaq po dje Shërbimi Informativ Shtetëror reagoi në lidhje me çështjen e kontakteve me kompani që prodhojnë programe përgjimi për kompjuterë, email, telefona etj. Sipas deklaratës që mban firmën e kreut të SHISH, Visho Ajazi Lika, kontaktet e vendosura me kompani që prodhojnë produkte për sigurinë është një rutinë normale pasi SHISH, si pjesë e Sistemit të Sigurisë Kombëtare merr pjesë në panaire ndërkombëtare për të qëndruar në kontakt me teknologjinë e mbledhjes së informacionit. Ndër të tjera, kreu i SHISH-it thekson se për çdo teknologji të re që mund të përdoret nga SHISH-i kërkohet aprovimi i kryeprokurorit. “Për çdo teknologji të re që mund të përdoret nga SHISH-i në përmbushje të ligjit, kërkohet dhe merret aprovimi i Prokurorit të Përgjithshëm të RSH”, – thuhej në deklaratë. Në deklaratë theksohej më tej: “Falë rigorozitetit dhe përputhshmërisë së veprimtarisë së tij me ligjin si dhe me praktikat e tyre më të mira, SHISH është një partner shumë i besueshëm i Shërbimeve aleate në ushtrimin e aktivitetit të tij. Në interes të informimit të opinionit publik, Ju garantojmë se, SHISH vepron vetëm në përputhje me ligjin dhe aktet e tjera që rregullojnë veprimtarinë e tij”.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here