Mbledhja me dyer të mbyllura/ Vendimi: Asambleja e PS-së më 18 korrik. Zbardhen tre urdhrat e Ramës, Blushi bojkoton grupin

0
110

Gëzim Saliu

Rama do me çdo kusht reformën në drejtësi dhe atë në arsim: Janë të panegociueshme

Rama pas grupitTri ishin çështjet kryesore të diskutuara në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist nën drejtimin e Kryeministrit Rama: përgatitjet për mbledhjen e Asamblesë Kombëtare më 18 korrik, reforma në sistemin e drejtësisë dhe ajo në arsim. Në mbledhjen e zhvilluar në selinë e purpurt, e cila zgjati për thuajse dy orë, kreu i qeverisë foli gjatë lidhur me reformën në drejtësi duke bënë theksin edhe tek drafti i dakordësuar paraditen e djeshme mes palëve politike. Po ashtu mësohet nga burimet pranë PS-së se në mbledhje nuk ka munguar as sqarimi i kreut të grupit parlamentar socialist Gramoz Ruçi, i cili ka pohuar se negociatat me demokratët po ecin si edhe i kreut të Komisionit të Ligjeve, Fatmir Xhafaj. Ky i fundit ka informuar grupin se në ç’fazë është deri më tani reforma në drejtësi, si dhe ka parashtruar një sërë hapash se si do të avancohet me këtë reformë. Ndërkaq, mësohet se në fjalën e tij para deputetëve, Rama ka deklaruar se pa reformën në drejtësi vendi nuk mund të hedh asnjë hap në kuadër të aspiratës evropiane. Duke folur edhe rreth takimit me Kancelaren Merkel, Kryeministri ka pohuar se kjo reformë përbën prioritet për partnerët kryesorë të Shqipërisë si edhe për Brukselin. “Vetëm përmes reformës në drejtësi ne mund të hedhim hapin e madh drejt Bashkimit Evropian. Kjo reformë do na mundësojë hapjen e negociatave”, – mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e grupit. I pyetur nga gazetarët në përfundim të mbledhjes pikërisht për këtë reformë, Rama me batutat pohoi: “Reforma në drejtësi o do të bëhet ose do të bëhet, nuk ka mundësi tjetër”. Një tjetër pikë e rëndësishme e fjalës së kreut të qeverisë ishte edhe ajo që lidhej me reformën në arsim, ku mësohet se Rama ka hedhur poshtë të gjitha kundërshtitë duke pohuar: “Reforma në arsim nuk çon paratë e publikut tek privati”. Edhe pse një pjesë e madhe e drejtuesve të sistemit arsimor, profesorë të ndryshëm të universiteteve si edhe studentë të shumtë kanë shprehur kundërshti për këtë reformë, duket se qeveria është e vendosur për ta çuar deri në fund votimin e draftit të sjellë nga qeveria. Në këtë kontekst mësohet se Rama ka kërkuar mbështetjen e pakushtëzuar të deputetëve për këtë projektligj, duke i bërë parapritë çdo lloj forme kritike që ata kanë shprehur më parë në komisionet parlamentare, e cila mund të përkthehej më pas në votë kundër apo abstenim në Parlament.

 

Asambleja Kombëtare

Një tjetër pikë e rëndësishme e diskutimit në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar socialist ishte edhe vendimi i bërë publik nga Kryeministri Rama për thirrjen e Asamblesë Kombëtare më 18 korrik. Mbledhja e këtij forumi të lartë vjen pas zgjedhjeve të 21 qershorit, ku në thelb të saj do të jetë pikërisht analiza e rezultateve si edhe faktorët që ndikuan në mos bashkëpunimin e duhur të koalicionit në disa bashki të vendit. Asambleja do të shërbejë si pikënisje e përgatitjeve për kongresin e ardhshëm të socialistëve, i cili do të zhvillohet pas 3 muajsh. Kongresi do të shënojë edhe fazën përfundimtare të zhvillimit të zgjedhjeve të brendshme në PS, të cilat janë jashtë afateve prej thuajse dy vitesh. Ndërkaq ende nuk dihet nëse në këto zgjedhje do të përfshihet edhe kryetari i PS-së, i cili në kundërshtim me statutin e kësaj force drejton partinë prej dy vitesh. Në mbledhjen e djeshme të grupit parlamentar mungonte sërish deputeti Ben Blushi, i cili ka qenë i vetmi në radhët e socialistëve që ka ngritur zërin për shkeljet e statutit të PS-së dhe mos zhvillimin e zgjedhjeve për kryetar partie. Sipas tij Rama nuk mund të rikonfirmohej në krye ta partisë nj vit e gjysmë më parë, pa u zhvilluar zgjedhjet siç i parashikonte statuti. Ndërsa Kryeministri duke iu referuar modelit të partive laburiste ka theksuar se kur forca politike fiton zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, referuar atyre të 2013-ës, Kryeministri i zgjedhur nga radhët e saj nuk ka domosdoshmëri për tu rikonfirmuar në postin e kreut të partisë.

 

Dorëheqja e Dules/ Vendimi në grupin e PS-së, Valentina Leskaj do të jetë nënkryetarja e tretë e Kuvendit

Valentina Leskaj do të jetë zv.kryetarja e tretë e Kuvendit të Shqipërisë. Vendimi i bërë publik dje nga Kryeministri Rama në mbledhjen e grupit parlamentar vjen pas dorëheqjes së kreut të PBDNJ-së, Vangjel Dule. Leskaj do të jetë zv.kryetarja e tretë e Kuvendit, pas Shpëtim Idrizit të PDIU-së dhe Edmond Spahos të PD-së. Ishte pikërisht aleanca mes PS-së dhe PDIU-së dhe përfshirja e Idrizit në postin e nënkryetarit të Kuvendit që solli ndarjen mes forcës më të madhe politike në vend dhe PBDNJ-së së Vangjel Dules.

 

KQZ rrëzon kërkesën ankimore të PD-së për Durrësin

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve hodhi poshtë dje kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për disa qendra votimi në Bashkinë e Durrësit. Opozita pretendonte se në 7 qendra votimi kishin votuar 11 emigrantë, të cilët nuk kishin ardhur në Shqipëri ditën e zgjedhjeve. Por pas hapjes së materialeve zgjedhoreve të këtyre kutive u verifikua se nga 11 votues fiktivë që pretendonte PD, vetëm 2 rezultuan të tillë. Përfaqësuesi ligjor i Partisë Socialiste, Genc Gjonçaj, pohoi se edhe këta 2 persona duhet të ketë qenë në Shqipëri. “Verifikojeni, mendoj se kanë qenë në Shqipëri”, – u shpreh Gjonçaj.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here