Kuqezinjtë/ De Biasi: Duhet të rritemi, ndeshjet e shtatorit, jetike

0
115

De BiasiTekniku italian ka folur për të ardhmen e futbollit shqiptar, duke thënë se është akoma në fazat e para dhe i duhet kohë që të shkojë në nivelin e skuadrave evropiane

Skuadrat italiane vazhdojnë të lëvizin gurët dhe midis tyre është dhe Udineze që hidhet në sulm për Ergys Kaçen. Klubi i presidentit Gianpaolo Pozzo ka hedhur sytë nga kombëtarja shqiptare, ku ka pikasur mesfushorin e Paokut të Selanikut për përforcimin e mesfushës. 22-vjeçari i lindur në Korçë mund të bëjë hapin e madh në karrierë i sponsorizuar edhe nga trajneri i Shqipërisë Gianni De Biasi, i cili në një emision radiofonik është shprehur se Kaçe është gati për Serinë A. “Është një lojtar me shumë personalitet dhe pavarësisht moshës së re, ka fituar përvojë ndërkombëtare si me klubin e tij ashtu edhe më përfaqësuesen e Shqipërisë. Është lojtar me shumë klas dhe me shumë vizion për moshën që ka, pa harruar saktësinë në goditjet e dënimit. Preferon të luajë më shumë si mesfushor i avancuar. Për mendimin tim, mund të përshtatet shumë mirë në Serinë A me skuadra të tilla si Fiorentina, Sampdoria apo Udineze”. Kartoni i futbollistit kuqezi vlerësohet rreth 2 milionë euro, ndërsa rroga e tij është në sintoni të plotë me parametrat financiarë të Udinezes. Në lidhje me ecurinë e Shqipërisë në eliminatorët e “Euro 2016”, De Biasi theksoi se dy ndeshjet e shtatorit me Danimarkën dhe Portugalinë janë vendimtare për arritjen e objektivit të kuqezinjve. “Duhet të falënderojmë futbollistët për gjithçka po bëjnë. Jemi të dytët në grup dhe kemi zhvilluar një ndeshje më pak. Në shtator na presin dy takime shumë të rëndësishme me Danimarkën dhe Portugalinë. Luzitanët do të vijnë në Shqipëri shumë të karikuar pasi i kemi mundur në shtëpinë e tyre. Në Itali qahen për largimet e futbollistëve në kampionatet më të forta evropiane, ndërsa futbolli shqiptar po rritet falë lojtarëve që luajnë jashtë dhe punës së De Biasit. Cilësia e futbollit shqiptar nuk është në nivelet e kampionateve të tjera. Shqipëria është e re në moshë, vjen nga një periudhë diktatoriale, që ka kushtëzuar rritjen. Prania ime? Në Shqipëri po shihet me sy të mirë, sepse besoj se po e vlerësojnë punën time, pa dyshim edhe për shkak të rezultateve. Luajmë një futboll të bukur dhe japim maksimumin në çdo ndeshje, por duhet të rritemi më shumë”.

 

Taulant Xhaka shumë afër Fiorentinës

Taulant Xhaka është shumë pranë transferimit tek Fiorentina. Pas u përfol për disa javë kalimi i lojtarit të kombëtares sonë te klubi vjollcë duket se ka ardhur momenti që fjalët t’ua lëshojnë vendin veprave. Fiorentina aktualisht ka nevojë për një lojtar që të jetë i aftë të mbulojë disa pozicione dhe sigurisht 24 vjeçari shqiptar i përshtatet në perfeksion identikitit të kërkuar nga drejtuesit Italian. Pa diskutim nuk duhet anashkaluar fakti që toskanët tashmë drejtohen nga ish-trajneri i Bazelit sezonin e shkuar Paolo Sosa. Ka qenë pikërisht ky i fundit ai që me sa duket ka insistuar aq sa për t’a bindur klubin vjollcë të hyj në negociata me zviceranët. Mediat italiane nuk bëjnë të njohur shifrat për të cilat po diskutohet, por besohet se gjithçka mund të mbyllet mbi bazën e 5 milion eurove, duke llogaritur edhe vetë dëshirën e Xhakës për tu bërë pjesë e një skuadre me emër në një kampionat mjaft të ndjekur si ai Italian. Futbollisti i përfaqësueses sonë ka zhvilluar një sezon mjaft të mirë me ngjyrat e skuadrës helvete duke qenë në shumë ndeshje protagonist dhe duke tërhequr vëmendjen e disa klubeve, por tashmë e ardhmja e tij duket e lidhur me Paolo Sosën tek Fiorentina.

 

 

Perez: Doja që Casillas të vazhdonte karrierën te Reali

Reali i Madridit organizoi një ceremoni të veçantë për lamtumirën e Iker Casillas, legjendës së gjallë te “Los Blancos”, i cili ka vendosur ta vijojë karrierën në Portugali te Porto. Për të shuar polemikat, i pranishëm në këtë ceremoni ishte edhe presidenti i klubit Florentino Perez. “Për Iker, dyert e klubit do të jenë gjithmonë të hapura. Kam lexuar shumë lajme të pavërteta gjatë këtyre ditëve. Askush te Reali i Madridit nuk e ka detyruar të largohet, por ai ka të drejtën të zgjedhë më të mirën për veten e tij. Erdhi një ofertë nga Porto të cilën ne e morëm në konsideratë. Casillas mbetet një legjendë e Realit. Iker ka fituar gjithçka me ne dhe do të jetë një nga më të mirët e historisë së këtij klubi dhe të futbollit spanjoll. Doja që ai ta mbyllte karrierën këtu, por ai vendosi të ndryshonte ambient, pasi ka kaluar dy sezone të vështira”. Në ambientet e “Santiago Bernabeut” foli edhe vetë portieri 34-vjeçar, i cili pasi pozoi me të gjithë trofetë që ka fituar me Realin e Madridit, falënderoi drejtuesit dhe tifozët “Los Blancos” për mbështetjen që i kanë dhënë. Iker theksoi se do të mbetet gjithmonë një tifoz i Realit.

 

Rodgers: Nuk kam pasur konflikt me Sterlingun

Brendan Rodgers thotë se ai kurrë nuk ka pasur ndonjë përplasje me Raheem Sterling dhe ka konfirmuar se ai është në prag të kalimit te Mançester Siti. Siti ka arritur ta bindë Liverpulin të heqë dorë nga shërbimet e lojtarit me ofertën e tretë, që arrin vlerën e 68 milionë eurove. Dhe këtë e ka konfirmuar edhe Rodgers i cili ka udhëtuar në Kinë me lojtarët e tij për turneun para-sezonal. “Situata është shumë e thjeshtë”, ka thënë ai. Klubi ka arritur marrëveshje me një tjetër klub për Raheem, që tashmë duhet t’i kalojë tekstet mjekësore. Raheem dhe unë gjithmonë kemi pasur një lidhje të fuqishme dhe kjo mbetet edhe pasi ai të largohet. Nuk ka problem”, – ka shtuar trajneri.

 

Carrasco: Te Atletiko jo për të zëvendësuar Turan

Yannick Ferreira Carrasco thotë se ai nuk ka ardhur te Atletiko Madrid për ta zëvendësuar mesfushorin e larguar Arda Turan. Ish-anësori i Monakos kompletoi transferimin prej 15 milionë euro te Atletico, por edhe pse u etiketua si zëvendësues i Arda Turan, lojtari thotë se është këtu për të bërë diçka tjetër. “Disa ditët e para kanë shkuar mirë. Unë kam filluar stërvitet me kolegët e mi dhe ndjehem mirë”, – ka deklaruar belgu për mediat spanjolle. “Nuk jam këtu për ta zëvendësuar Arda Turan. Do të luftoj të jem shartues te Atletiko Madrid dhe do të punoj për këtë. Më së miri ndjehem si anësor i majtë, por më pëlqen të jem te Atletiko. Ata janë një prej klubeve më të mëdha në Evropë dhe është një realizim ëndrre për mua. Cholo tha se më dëshiron për aftësitë e mia sulmuese një-në-një. Do të mësoj nga njëri prej trajnerëve më të mirë në botë, do të jap gjithçka dhe do ta bëj krenare këtë fanellë”, – ka shtuar ai.

 

Behrami: Watford, e njihja nga Zola

Mesfushori kosovar, Valon Behrami, ka folur për herë të parë për kalimin e tij tek skuadra angleze Watford, me të cilën nënshkroi kontratë trevjeçare. Behrami u transferua nga Hamburgu, me të cilët mbylli një sezon aspak të mirë. Lojtari i Zvicrës deklaroi se Watfordin e njeh përmes ish-trajnerit të tyre, Gianfranco Zola. “Ky është një klub i madh dhe e di mënyrën se si punojnë pronarët. Ata kanë bërë disa përforcime të mira. E kam ndjekur Watfordin që prej se Zola u bë trajner. Kam luajtur për të në West Ham dhe për këtë arsye e shikoja Watfordin”, – deklaroi Behrami. “Përfundimisht koha erdhi që Watfordi të kthehet në Premier ligë dhe ishte për mua ishte një zgjidhe e mirë, prandaj jam i lumtur që ndodhem këtu. Në Premie League kisha momente të mira dhe të këqija, sepse pata një sezon të madh, por pastaj kisha një lëndim të keq të cilin e kam ende në memorie. Por, jam i lumtur që do të jem në ligën më të mirë në botë”, – shtoi ai.

 

Heynckes: Schweinsteiger, shpirti i ekipit

Ish-trajneri i Bajernit të Mynihut, Jupp Heynckes, ka treguar se është shumë i dëshpëruar me largimin e Bastian Schweinsteigerit nga skuadra bavareze. Heynckes arriti që të fitonte gjithçka me Bajernin në kohën kur ishte trajner, ndërsa ai ka thënë se klubi bavarez me largimin e Schweinsteigerit e ka humbur zemrën dhe shpirtin e klubit. Në anën tjetër e ka kritikuar trajnerin aktual të gjigantit gjerman, Pep Guardiolan, që ka pranuar largimin e mesfushorit të kombëtares gjermane. “Bastiani ishte zemra dhe shpirti i ekipit. Ai bëri gjithçka për ekipin, jo për veten e tij. Një lojtar i tillë nuk do të ekzistojë më tek Bajerni. Ai është ikonë e Bajernit. Bundesliga dhe sporti gjerman do ta mungojnë atë”, – ka thënë ai.

 

Wenger: Ozil qëndron te ne

Arsene Wenger ka përgënjeshtruar njoftimet e mediave italiane se Mesut Ozil është i interesuar që t’i bashkohet Juventusit. Gazeta torineze, “Tuttosport”, që disa ditë po raporton se Sami Khedira po përpiqet ta bindë mesfushorin gjerman që t’i bashkohet te bardhezinjtë. “Ozil është lojtari ynë, ai do të mbetet lojtari ynë dhe dëshiron të mbetet lojtar i ynë. Është një sezon i madh për të, sepse pati një fillim të vështirë në edicionin e kaluar, ndërsa në gjysmën e dytë të sezonit ishte shumë i rëndësishëm”, – është shprehur Wenger. Sipas “Tuttosport”, Juve e konsideron Ozilin si alternativë në rast të largimit të Arturo Vidalit ose Paul Pogbasë.

 

Tevez: Juventusi më ktheu dëshirën për të luajtur

Carlos Tevez i ka shkruar një letër të hapur Juventusit pas transferimit te Boka Xhuniors. Transferimi është kompletuar gjatë ditës së hënë, me një marrëveshje mjaft komplekse ku janë përfshirë disa lojtarë. “Juventin! Që nga dita e parë që kam ardhur në Torino, jam ndier si në shtëpi dhe ju ma kthyet menjëherë dëshirën për të luajtur futboll. Kam vetëm fjalë miradije. E mora këtë vendim që të kthehem në vendin tim, në mënyrë që ta kisha gjithë familjen rreth meje. Nuk ka qenë lehtë, sepse lë pas vetes miq, bashkëlojtarë dhe një klub që më ka bërë shumë të lumtur. Faleminderit për të gjitha betejat, të fituara dhe të humbura. Kam mësuar shumë falë të gjithë juve. Do të jeni gjithmonë në zemrën time. Apache!!!!”, – ka shkruar Carlitos në Twitter.

 

Van Persie: Te Fenerbahçe synoj titullin

Sulmuesi i Manchester United, Robin van Persie, thotë se Dirk Kuyt ka pasur një ndikim të madh në kalimin e tij te Fenerbahçe. Holandezi dje ka zbarkuar në Turqi dhe pritet sot gjatë ditës të kompletojë nënshkrimin me “Fenerin”. “Unë kam biseduar me Kuyt për Fenerbahçen. Ai më ka treguar se sa klub i madh është dhe sa tifozët të shkëlqyeshëm ka”, – ka thënë Van Persie. “Ne do të kërkojmë ta fitojmë titullin”, – ka shtuar ai. Van Persie pritet t’i bashkohet “Fenerit” për një shumë rreth 6.5 milionë euro.

 

El Shaarawy kryen testet te Monako

Stephan El Shaaraëy ka arritur në Monako mëngjesin e djeshëm, për të kaluar testet mjekësore. Sulmuesi 22-vjeçar arriti marrëveshje të premten me Milanin që do të përfitojë 16 milionë euro nga shitja e tij. Besohet se kuqezinjtë do të pranojnë tre milionë euro për një huazim fillestar dhe 13 milionë euro në vitin 2016 kur transferimi të bëhet i përhershëm në fund të sezonit të ardhshëm. Mediat shkruajnë se blerja e detyrueshme do të aktivizohet pasi lojtari të bëjë 15 paraqitje për klubin. El Shaarawy menjëherë pritet të rikthehet në Itali, pasi Monako aktualisht është duke zhvilluar stërvitjet parasezonale në këtë vend.

 

Begovic: I lumtur për transferimin te Çelsi

Çelsi ka konfirmuar se ata kanë kompletuar nënshkrimin me Asmir Begovic nga Stok Siti me portierin që ka nënshkruar marrëveshje katërvjeçare me klubin londinez. 28-vjeçarin arrin në “Stamford Bridge” si zëvendësim për Petr Cech, i cili u largua nga Çelsi për t’iu bashkuar Arsenalit. “Jam shumë i lumtur që i bashkohem Çelsit”, – ka thënë ai për faqen zyrtare të “Bluve”. “Pasi kam biseduar me menaxherin, mendoj se mund të zhvillohem këtu dhe të jem pjesë e rëndësishme e skuadrës. Mezi pres të takohem me ekipin gjatë të mërkurës për turneun para-sezonal”, – ka shtuar ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here