Rrumpallë për të bërë pallë

0
153

Nga Shkëlqim Selmani*

rrumpalleDuke diskutuar me kolegë për vizitën e Kancelares gjermane, zonjës Angela Merkel, në Shqipëri, biseda siç ndodh rëndom në analizat tona të lira, kaloi degë më degë në të gjitha problemet e shumta që na shqetësojnë, që me krijimin e shtetit shqiptar dhe andej nga fundi ngeli në degën e një shqetësimi fondamental, formuluar në formën e një pyetjeje të thjeshtë e të shumë artikuluar prej shumë e shumë vitesh, prej shumë e shumë intelektualëve e personaliteteve të ndryshëm shqiptarë e të huaj. Pse nuk ndërtojmë dot shtet të së drejtës ne shqiptarët, kaq e vështirë është?! Kjo më vuri në mendime dhe mu kujtua një titull i një shkrimi të të madhit Faik Konica, diku nga viti 1920, ndoshta: “Ha,ha, ha, shqiptarët kanë shtetin e tyre dhe nuk dinë se çfarë të bëjnë me të”. Duke e debatuar këtë thënie, duke krahasuar kohën, situatat, rrethanat e asaj kohe me sot, më rezultoi se i madhi Konica kishte të drejtë të qeshte me sjelljen e qeveritarët e atëhershëm që ishin në fillimet e shtetformimit dhe gjysma e tyre nuk dinin ende shqip e ku 90 a më shumë për qind e popullit ishte analfabet; pra në këtë situatë, Konica i kënduar dhe që jetonte në kryeqytetet më të zhvilluara e të kulturuara të botës, kishte të drejtë të ironizonte dhe t’i trajtonte duke qeshur qeveritarët e atëhershëm, që edhe pse midis tyre kishte shumë të mençur, nuk kishin mundësi të ndërtonin administratë dhe aq më pak shtet demokratik apo të së drejtës, pas 500 vjet pushtimi otoman dhe injorance totale. Po sot, po këta 25 vjet pluralizëm, 25 vjet hapje, 25 vjet demokraci, pse, pse, politikanët shqiptarë, qeveritarët shqiptarë, nuk hedhin bazat e shtetit të së drejtës, shtetin ku ligjet zbatohen në radhë të parë nga ata që i bëjnë, nga ata që drejtojnë dhe jo të zbatohen vetëm për njerëzit e thjeshtë e pa mbrojtje

Të ishte sot Faiku gjallë, do ta niste shkrimin me të qarë, do ta niste me oi, oi dhe do të thoshte se këta qeveritarët e sotëm, jo se nuk dinë, jo se nuk munden, por nuk duan, nuk duan, se po të bëjnë shtet të së drejtës e shtet juridik të vërtetë, se humbasin parajsën e rrumpallës, të fitimeve të paligjshme, të pasurimit të shpejtë, kënaqësive të pafundme, se nuk duan të mbajnë përgjegjësi për rrumpallhanën që e kanë ndërtuar me vetëdije, nuk duan të mbajnë përgjegjësi për zullumet e panumërta që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë e mbi të gjitha, nuk duan të paguajnë para ligjit për shkeljet e rënda që kanë bërë me tepri.

Kështu do thoshte me të drejtë Konica; ndërsa unë, i bërë lëmsh nga bashkëbiseduesit që flasin të gjithë njëherësh, nga Konica kur ishte gjallë e po të ishte gjallë, nga realiteti i rrumpallës dhe rrumpallbërësve,nga fasadat dhe fjalët e bukura të rrumpallhanëve, mendoj: Po pse kaq budallenj të tregohen politikëbërësit tanë të mençur sa të bëjnë shtet që t’ia futin vetes së tyre? Po sikur nesër të dalë ndonjë prokuror a gjykatës i pavarur dhe të hapë padi kundër atyre vetë? Prandaj, jo drejtësi e pavarur, por shokë e miq, në drejtimin e të gjitha institucioneve qendrore e ligjërisht të pavarura, që t’i mbrojnë nesër e pasnesër. Po duan të dënojnë ka popull plot, leri ata apo detyroi të gabojnë e pastaj bjeru në kokë, se kështu u futim edhe frikën, por japim edhe ca shembuj dënimi për ndërkombëtarët. Prandaj, jo media e lirë, se na çajnë strufën, na mërzisin, na bezdisin, na prishin humorin dhe fundjavën, por edhe mund të na nxjerrin ndonjë bëmë a gjëmë, dhe nuk se na plasi, por kemi hallin e atij ambasadorit amerikan, zotit Lu, që është si lumë e na vë para, e ndonjë tjetri,që na janë qepur, jo dekriminalizimi, jo blerje votash, jo korrupsioni, pa nga këta analistët e opinionistët tanë, rrojmë edhe 1000 vjet ne. Prandaj edhe votat i blejmë, që ti kthejmë në shuplaka për opozitën, se edhe ajo duhet të heshtë, të merret me veten e vet, me humbjen e vet, mundësisht të mos kemi fare opozitë reale, ose shuplakat t’ia kthejmë edhe në shkelma, që opozita të mos e ngrejë më kokën e të kërkojë llogari, a më keq; të guxojë të na marrë edhe pushtetin, rrumpallhanën tonë të dashur. Prandaj, të nderuar lexues, nuk bëhet shtet i së drejtës e shtet ligjor në Shqipëri nga politikanët e sotëm shqiptarë, ku ligji vepron njësoj për të gjithë, se janë zhytur vetë në paligjshmëri. Prandaj rroftë rrumpalla që udhëheqësit tanë të dashur të vazhdojnë të bëjnë pallë. Po ç’mund të bëhet në këtë situatë të rrumpallhanës kanceroze? Ka një zgjidhje mendoj unë. Një katarsis i vërtetë, reforma të vërteta e zbatim ligji për të gjithë. Nëse kjo nuk bëhet, ju garantoj se Shqipëria, jo larg, do të jetë e detyruar të përballet me një revolucion i cili, si gjithmonë, nuk dihet si përfundon për askënd.

*Specialist sigurie

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here