Çfarë do të thotë rezultati +2.8% në Prodhimin e Brendshëm?

0
155

Ervin Kaduku

ekonomia–  Surpriza e Institutit të Statistikave bazohet në një metodologji të ndryshuar në llogaritjen e prodhimit vendas, por nuk mund të fshehë dobësinë në fushën e konsumit, që është motor i kërkesës për zhvillim

INSTAT bëri të ditur ditën e enjte se ekonomia shqiptare u rrit me 2.82% në tremujorin e parë të vitit. Ky ishte një rezultat më i lartë se pritshmëritë, duke pasur parasysh se të gjitha institucionet e specializuara kishin shfaqur projeksione pesimiste për tremujorin e pare 2015, për shkak të përmbytjeve dhe efekteve negative të transmetuara nga ekonomia evropiane mbi ekonominë tonë, të brishtë dhe me lidhje të shumta varësie me të. Një rritje kjo që surprizoi shumëkënd, për shkak të perceptimit se ekonomia vijonte të ishte e dobët, nisur nga tregues të tërthortë si rënia e eksporteve, rritja me ritme më të ulëta e shifrës së afarizmit të bizneseve në raport me tremujorin e parë 2014, frenimi i industrisë nxjerrëse për shkak të çmimeve të ulëta të naftës në tregjet ndërkombëtare, investimeve të ulëta kapitale etj.

Por, nga ana tjetër, të dhënat e INSTAT-it surprizuan edhe për strukturën e rritjes së ekonomisë shqiptare. Për herë të parë, INSTAT solli statistikat e Prodhimit të Brendshëm Bruto sipas metodës së shpenzimeve, që e zbërthen rritjen ekonomike sipas komponentëve kryesorë të kërkesës agregate.

 

Konsumi

Ajo që ra në sy është se rritja ekonomike në tremujorin e parë të vitit u mbështet kryesisht nga formimi i kapitalit fiks, ose nga investimet. Vlera e investimeve shënoi një rritje me 14.09% ndaj të njëjtës periudhë të një viti më parë. Ndërkohë, rezultat mjaft zhgënjyes dha konsumi, që pësoi rënie me 1.07%, ku, në veçanti, konsumi final i popullatës regjistroi rënie edhe më të madhe, me 1.22%. Kjo rënie erdhi e papritur, duke pasur parasysh se shumica e treguesve të tërthortë sinjalizonte një rimëkëmbje graduale të konsumit, që vlerësohej në rritje edhe në tremujorin e parë. Rënia e konsumit është një fakt veçanërisht shqetësues, sepse ai përbën kolonën kryesore të Prodhimit të Brendshëm Bruto në ekonominë shqiptare, me rreth 80% të totalit. Duke pasur një strukturë të tillë, është e vështirë që të ruhet një rritje e qëndrueshme ekonomike gjatë vitit, pa pasur një rritje të konsumit.

Një ecuri më pozitive për tremujorin e parë të vitit regjistruan eksportet neto, por me një rritje vjetore minimale prej 1.49%. Ndonëse eksportet e mallrave shqiptare në tremujorin e parë të vitit regjistruan ecuri negative, përmirësimi erdhi njëkohësisht nga rritja e eksporteve të shërbimeve dhe nga rënia e importeve, që ndihmuan në përmirësimin e bilancit të jashtëm neto.

Po le të kthehemi tek konsumi, si problem kyç aktualisht për ekonominë shqiptare.

Kërkesa e brendshme në vend vijon të mbetet në nivele të ulëta dhe këtë e reflektojnë më së miri edhe shifrat e Institut të Statistikave për indeksin e çmimeve të konsumit në muajin qershor. Të dhënat e fundit tregojnë një inflacion në nivelin 1.4 për qind, ndërkohë që një vit më parë niveli ishte 1.5 për qind. Të gjithë mallrat e shportës që merren në përllogaritje nga INSTAT kanë lëvizje të çmimeve, disa në rritje dhe disa në ulje, duke sjellë një inflacion dukshëm të ulët. Kështu, në inflacion kanë ndikuar çmimet në grupin e “pijeve alkoolike dhe duhanit”, ku indeksi është rritur me 0.25 për qind, te grupi “Shërbimi arsimor” rritja ka qenë me 0.14 për qind, kurse te “Komunikimi” me 0.06 për qind. Njëkohësisht disa grupe kanë ndikuar negativisht në shifrën e inflacionit “Çmimet e grupeve qira, ujë, lëndë djegëse dhe energji”, “Veshje dhe këpucë” dhe “Transporti” kanë kontribuar me nga ­0.07 pikë përqindje secili. Çmimet e grupeve “Shëndeti” dhe “Mallra e shërbimeve të ndryshme” kanë kontribuar respektivisht me ­0.06 pikë përqindje dhe ­0.04 pikë përqindje”, – thuhet në raportin e INSTAT-it. Krahasuar me një vit më parë, rritja më e madhe në qershor 2015 vihet re te “Shërbimi arsimor” me 10 për qind dhe te “pijet alkoolike dhe duhan” me 7 për qind.

Instituti i Statistikave ka sjellë në vëmendje rritjen e çmimeve te grupi “Transport” në muajin qershor dhe kjo nëse krahasimin e bëjmë me muajin maj. “Rritja më e madhe mujore vërehet në grupin “Transporti” me 0.4%. Krahasuar me një muaj më parë, çmimi i eurodiesel­it u rrit me 2.1% dhe çmimi i benzinës u rrit me 1.6%”, – vlerëson INSTAT. Një situatë e tillë, në fakt, reflektohet edhe në realitet, ku çmimi i karburantit në vendin tonë ka arritur nivele jashtëzakonisht të larta, duke kapur sërish shifrat e para të uljes së çmimit të naftës në bursa. Për ironi, çmimi i naftës në bursat ndërkombëtare ka pësuar sërish rënie të dukshme. Të dhënat e fundit dhe krahasimi që bëjnë kompanitë e ndryshme të rankimit për çmimet e karburantit, tregojnë se Shqipëria lë pas edhe shumë vende të zhvilluara për nga çmimi i kripur. Dje, nëpër pika të ndryshme karburanti, çmimi i naftës shënonte 188 lekë, ndërsa i benzinës 189 lekë/litër. Në muajin shkurt çmimi arriti 165 lekë/litër.

 

Ndihma nga… qielli

INSTAT publikoi edhe grafikun e kontributit të degëve kryesore të ekonomisë në normën reale të rritjes së PPB sipas këtij grafiku kontributin kryesor në këtë rritje e kanë dhënë degët e ekonomisë si industria, energjia dhe uji me 0.96 pikë përqindje. Efekti kryesor këtu, sipas vlerësimeve paraprake, vjen nga prodhimi i energjisë që është rritur ndjeshëm në tremujorin e parë, si rrjedhojë e motit të favorshëm me reshje në muajt e parë të vitit.

Grupet e tjera që kanë kontribuar në PBB janë administrata publike, arsimi dhe shëndetësia me pikë 0.39 pikë përqindje, bujqësia, pyjet dhe peshkimi me 0.39 pikë përqindje, aktivitetet financiare dhe të sigurimit me 0.35 pikë përqindje, aktivitete profesionale dhe shërbime administrative me 0.31 pikë përqindje, ndërtimi me 0.25 pikë përqindje, tregti, hotele dhe restorante dhe transporti me 0.18 pikë përqindje, Pasuritë e paluajtshme me 0,08 pikë përqindje.

Degët që kanë kontribuar negativisht janë dhe informacioni dhe komunikacioni me -0.07 pikë përqindje dhe shërbimet e tjera me -0.11 pikë përqindje. Taksat dhe Subvencionet mbi produktet kontribuuan respektivisht, me 0,01 pikë përqindje dhe 0,08 pikë përqindje.

 

BSH: Nuk ka rrezik në Shqipëri nga ndonjë valutë e re greke

Prezantimi i një monedhë e re, e ndryshme nga euroja, si mjet pagesash dhe njësi vlerash, nuk ndryshon asgjë në sjelljen e bankave brenda territorit shqiptar, thanë dje burime nga Banka e Shqipërisë për median. Sipas tyre të gjitha detyrimet, që secila prej bankave me kapital grek të licencuara në Shqipëri ka marrë përsipër, përkundrejt personave fizikë apo juridikë, do të shlyhen në monedhën me të cilën është krijuar detyrimi.

Në përputhje me legjislacionin shqiptar dhe rregullat e vendosura nga Banka e Shqipërisë, nuk ekziston asnjë mundësi që në mënyrë të njëanshme, subjekti bankë të ofrojë për shlyerjen e detyrimit (mbylljen e një depozite për shembull në monedhën euro) një monedhë tjetër të ndryshme nga ajo origjinale, jashtë dëshirës dhe vullnetit të klientit. Çfarëdo lloj veprimi që mund të ndërmerret në një vend tjetër, në mënyrë logjike nuk duhet dhe nuk mund të ketë ndikim tek bankat shqiptare në aspektin juridik, financiar dhe atë operacional, sqaron Banka e Shqipërisë.

I vetmi kanal nga ku mund të transmetohet është ai psikologjik, i cili duhet administruar me shumë kujdes, pohojnë më tej ekspertët e Bankës së Shqipërisë.

 

Transporti ndërkombëtar në rënie

Statistikat e transportit në tre muajt e parë të vitit 2015, sipas INSTAT-it rezultojnë me rritje në krahasim me të njëjtën periudhë të një viti më parë. I vetmi që ka pësuar ulje për shkak të disa faktorëve është transporti hekurudhor ndërkombëtar. Në tremujorin e parë 2015, transporti hekurudhor i mallrave në volum për km është 7.314 ton, krahasuar me tremujorin parë e 2014, është rritur me 20.9%, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur 46.5%. Transporti ndërkombëtar hekurudhor i mallrave në volum për km është 3.197 ton/km, krahasuar me të njëjtin tremujor të një viti më parë është ulur me 44.2% ndërsa krahasuar me tremujorin e katërt 2014 është ulur me 57.7%.

Drejtori i Përgjithshëm i Hekurudhave Shqiptare, Genci Alizotaj, deklaroi se rënia e transportit ndërkombëtar ka ardhur si rezultat i bllokimit të kompanisë Kurum, shkëmbimet që bëhen nga porti i Durrësit dhe mbyllja për rreth një muaj e hekurudhës si rezultat i punimeve që janë zhvilluar. Ndërsa, volumi i ngarkim shkarkimit të mallrave në porte është 914 mijë ton, krahasuar me tremujorin e parë 2014 ky tregues është rritur me 9,1%, ndërsa krahasuar me tremujorin paraardhës është ulur me 2,8%.

 

Pagesa e borxheve, efektet priten në gjysmën e dytë të vitit

Shlyerja e detyrimeve të prapambetura ndaj punëve të kryera dhe të pa kthyera për vite me radhë, ka qenë një çështje që ka ndezur jo pak debate mes forcave politike. Për të përballuar këto detyrime, që sipas përllogaritjeve janë rreth 72 miliardë lekë, qeveria hartoi një strategji 3 vjeçare. Sipas të dhënave nga Ministria e Financave, deri më datë 30 Qershor janë alokuar në total rreth 15.35 miliardë lekë detyrime të prapambetura sipas kategorive: (i) Investimet publike, janë alokuar 5.9 miliardë lekë, (ii)Shpenzimeve korente për mallra dhe shërbime, janë alokuar rreth 0.3 miliard lekë, (iii) rimbursim TVSH­je janë alokuar rreth 5 miliardë lekë, (iv) “Të tjera” janë alokuar 4.1 miliardë lekë ku përfshihen: Detyrimet për “Vendimet gjyqësore”, janë alokuar rreth 2 miliardë lekë, “Shpronësimet” janë alokuar rreth 1 miliard lekë dhe “Emergjencat dhe shpërblimet për lindjet” janë alokuar rreth 1.1 miliardë lekë. Por mënyra e kthimit të tyre, ku janë përdorur këto para dhe a kanë dhënë efekt në ekonominë tonë, pra në ja ka vlejtur marrëveshja me FMN­në për të marrë borxh për të shlyer këtë borxh, kanë qenë pikat e kontestuara dhe mjaft të diskutuara qëkurse kjo skemë nisi të funksionojë. Kështu sipas përfaqësuesve të biznesit, efektin më të madh këto pagesa pritet ta kenë në pjesën e dytë të vitit. Një pjesë e fondeve të siguruara nga shlyerja e detyrimeve janë përdorur nga bizneset për të shlyer detyrimet fiskale që kishin ndaj administratës tatimore dhe doganore. Ky ishte dhe një kusht i domosdoshëm i përcaktuar në strategjinë përkatëse, në mënyrë që subjektet të përfitonin nga shlyerja e këtyre detyrimeve.

 

Lejet e ndërtimit, rekord minimal në 5 vitet e fundit

Numri i lejeve të ndërtimit ka prekur nivelin më të ulët në të paktën pesë vitet e fundit. Sipas të dhënave nga Instituti i Statistikave, në të gjithë vendin për tremujorin e parë të këtij viti janë dhënë vetëm 14 leje ndërtimi. Nga këto, 11 leje ndërtimi janë dhënë në Qarkun e Tiranës, dy në atë të Shkodrës dhe një në qarkun e Durrësit. Rënia në nivelet më të ulëta historike për lejet e ndërtimit lidhet pjesërisht me vijimësinë e krizës në tregun e ndërtimeve rezidenciale, por sidomos me moratoriumin e lejeve të ndërtimit që u vendos një vit më parë nga Këshilli Kombëtar i Territorit, me iniciativën e Kryeministrit Edi Rama.

Vendimi i Gushtit 2014 ndalonte dhënien e lejeve të ndërtimit, me përjashtim të atyre që lidheshin me rrugë apo ndërtime inxhinierike ose për ngritjen e industrive prodhuese. Ky vendim u rrëzua nga Gjykata Kushtetuese në Janar të këtij viti, por sidoqoftë efektet duket se janë shtrirë edhe në tremujorin e parë të vitit. Mbështetur në të dhënat e Instat për vlerën e ndërtimeve të parashikuar në lejet e dhënë gjatë tremujorit të parë, pjesa dërrmuese referohet si vlerë ndërtimesh inxhinierike apo industriale, ndërsa vlera e ndërtimeve rezidenciale është e papërfillshme.

Gjatë vitit të kaluar dhe tremujorit të parë të këtij viti sektori i ndërtimi ka shfaqur shenja të gjallërimit, por duket se përtëritja lidhet kryesisht me ndërtimet inxhinerike dhe industriale. Në një pjesë të madhe besohet se rritja e ndërtimit është mbështetur nga shlyerja e detyrimeve të prapambetura dhe rinisja e pagesave për investimet publike.

 

FMN ul parashikimet për rritjen e ekonomisë globale

Fondi Monetar Ndërkombëtar të enjten e uli parashikimin mbi rritjen ekonomike globale për vitin 2015. FMN-ja parashikon që ekonomia botërore brenda një periudhe afatshkurtër do të përballet me trazira në tregjet financiare dhe luhatje të ashpra në çmimin e kapitaleve. Ndërsa në një periudhë afatmesme pritet të përballet me rrezikun e ngadalësimit.

Në Raportin e Parashikimeve Ekonomike Botërore të publikuar të enjten, FMN-ja parashikon që këtë vit, ekonomia globale do të rritet me 3.3%, që është 0.2% më pak se parashikimet e saj në muajin prill.

Shkaku kryesor i kësaj uljeje është tkurrja e ekonomisë amerikane, që ka ndikuar ekonominë e Kanadasë dhe të Meksikës.

Për vitin tjetër, FMN-ja ka ruajtur parashikimin e mëparshëm me 3.8%. Ndërkohë, FMN-ja ka ulur parashikimet mbi ekonomitë e reja dhe vendet në zhvillim, të cilat, sipas saj, do të shënojnë një rritje me 4.2%, shifër kjo 0.1% më pak se në muajin prill.

 

Greqia paraqet plan të ri për borxhet, sinjalet e para janë pozitive

Ashtu siç pritej, Athina ka dorëzuar para mesnatës të së enjtes një propozim konkret reformash. Për të përfituar nga plani i tretë i shpëtimit prej 53.5 miliardë euro, qeveria greke propozon masa në vlerën e 12 miliardë eurove në vit, për dy vjet. Në terma të përgjithshëm, ky propozim është thuajse i njëjtë me atë të 30 qershorit, kur, nëpërmjet një letre, Alexis Tsipras pranonte masat e kreditorëve por me disa përjashtime të vogla.

Nga ana tjetër, qeveria greke duket se ka bërë prapakthehu edhe për sa i përket taksës së veçantë prej 12% për sipërmarrjen. Ky propozim nuk gjendet më në planin e ri të reformave. Gjithashtu, Athina pranon heqjen e taksës së reduktuar prej 30% për ishujt. Ndërkohë, në propozimin e ri vjen edhe një angazhim për privatizimin e dy porteve kryesore si dhe disa prej aeroporteve rajonale. Çështjet e tjera kryesore mbeten thuajse të pandryshuara. Suficiti primar fiksohet në 1%, 2%, 3% dhe 3.5% përgjatë 4 viteve të ardhshme.

Për sa u përket pensioneve, qeveria greke thekson se është e ndërgjegjshme se kjo skemë në Greqi është jofunksionale dhe se duhet një ndryshim rrënjësor. Mosha e pensionit propozohet të rritet në 67 vjeç brenda vitit 2022.

Për sa i përket tregut të punës, propozimi është shtyrë për një moment tjetër. Qeveria e drejtuar nga Alexis Tsipras kërkon rritjen e pagës minimale në 751 euro, si dhe përmirësimin e kontratave kolektive.

Pas këtij propozimi tashmë marrëveshja duket se është shumë pranë. Presidenti francez, François Hollande, u shpreh se propozimet janë të besueshme dhe serioze.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here