Solidaritet marksistësh?!/ Thomas Piketty: Gjermania nuk i ka paguar kurrë borxhet e saj. Nuk ka të drejtë t’i japë leksion Greqisë

0
102

Përgatiti ARMIN TIRANA

Thomas PikettyThomas Piketty bën thirrje për një konferencë të madhe lidhur me borxhin. Në mënyrë të veçantë Gjermania nuk duhet ta ndalojë ndihmën për Greqinë.

Qysh nga libri i tij i suksesshëm “Capital in the Twenty-First Century”, francezi Thomas Piketty konsiderohet si një prej ekonomistëve më me ndikim në botë. Argumenti i tij për rishpërndarjen e të ardhurave dhe pasurisë nisi një diskutim mbarëbotëror. Në një intervistë me Georg Blume e “Die Zeit”, ai jep opinionet e tij të qarta lidhur me debatin e borxhit evropian.

 

DIE ZEIT: A duhet ne gjermanët të jemi të gëzuar që edhe qeveria franceze është rreshtuar në krah të dogmës gjermane të rreptësisë financiare?

Thomas Piketty: Absolutisht jo. Nuk ka asnjë arsye për Francën, Gjermaninë dhe sidomos për Evropën që të jenë të gëzuar. Jam shumë më i frikësuar që konservatorët, veçanërisht në Gjermani, janë gati ta shkatërrojnë Evropën dhe idenë evropiane, e gjitha kjo për shkak të mosnjohjes tronditëse të historisë.

 

DIE ZEIT: Por ne gjermanët i kemi bërë hesapet me historinë tonë.

Thomas Piketty: Por jo kur vjen puna për të paguar borxhet! Në këtë aspekt, e kaluara e Gjermanisë duhet të jetë me një domethënie të madhe për gjermanët e sotëm. Shikoni historinë e borxhit kombëtar: Britania e Madhe, Gjermania dhe Franca qenë të gjitha dikur në situatën e Greqisë së sotme dhe, në fakt, kanë qenë shumë më të zhytura në borxh. Mësimi i parë që mund të nxjerrim nga historia e borxheve qeveritare është se nuk po ndeshemi me një problem krejtësisht të ri. Ka pasur shumë mënyra për t’i paguar borxhet dhe jo vetëm një, që është çka Berlini dhe Parisi do t’i bënin grekët të besojnë.

 

DIE ZEIT: Por a nuk duhet ata t’i paguajnë borxhet e tyre?

Thomas Piketty: Libri im tregon historinë e të ardhurave dhe të pasurisë, përfshi atë të kombeve, ajo çka më goditi teksa po e shkruaja është se Gjermania në realitet është shembulli më i mirë i një vendi që, gjatë gjithë historisë së tij, nuk e ka paguar borxhin e jashtëm të tij. As pas Luftës së Parë, as pas Luftës së Dytë Botërore. Megjithatë, ajo i ka bërë shpesh vende të tjera që të paguajnë, siç ndodhi pas luftës franko-prusiane të 1870, kur kërkoi reparacione të mëdha nga Franca dhe realisht i përfitoi ato. Shteti francez vuajti për dekada me radhë nën këtë borxh. Historia e borxhit publik është plot me ironi. Rrallë ndjek idetë tonë të rregullit dhe drejtësisë.

 

DIE ZEIT: Por sigurisht që nuk mund ta nxjerrim konkluzionin se nuk mund të veprojmë më mirë sot?

Thomas Piketty: Kur dëgjoj gjermanët të thonë se mbajnë një qasje shumë morale ndaj borxhit dhe fuqimisht besojnë se borxhet duhet të paguhen, mendoj me vete: çfarë shakaje e madhe! Gjermania është vendi që nuk i ka paguar kurrë borxhet e tij. Nuk ka statusi që t’u japë leksione vendeve të tjera.

 

DIE ZEIT: Po përpiqeni t’i paraqisni si fitues shtetet që nuk i paguajnë borxhet e tyre?

Thomas Piketty: Gjermania është pikërisht një shtet i tillë. Ama prit: historia na tregon dy rrugë për një shtet në borxh që t’i largohet delinkuencës. Njëra u demonstrua nga Perandoria Britanike në shekullin e XIX-të pas luftërave të kushtueshme të saj me Napoleonin. Kjo është një metodë e ngadaltë që po i rekomandohet tani Greqisë. Perandoria i pagoi borxhet e saj nëpërmjet një disipline buxhetore të rreptë. Kjo funksionoi, por u desh një kohë jashtëzakonisht e gjatë. Për mbi 100 vjet, britanikët jepnin 2 deri në 3 për qind të ekonomisë së tyre për të paguar borxhet e saj, që është më shumë sesa shpenzojnë sot në shkolla dhe arsim. Kjo nuk duhej të ndodhte dhe nuk duhet të ndodhë sot. Metoda e dytë është shumë më e shpejtë. Gjermania e provoi këtë në shekullin e XX-të. Në thelb, ajo konsiston në 3 komponentë: inflacion, një taksë speciale ndaj pronës private dhe lehtësim borxhi.

 

DIE ZEIT: Domethënë ju po na tregoni se Wirtschaftswunder [“mrekullia ekonomike”] gjermane ishte e bazuar në të njëjtin lloj reduktimi borxhi që ne ia mohojmë sot Greqisë?

Thomas Piketty: Pikërisht. Pas përfundimit të luftës në 1945, borxhi i Gjermanisë shkonte në mbi 200% në raport me GDP-në e saj. 10 vite më pas, pak nga kjo mbetej: borxhi publik ishte më pak se 20 për qind i GDP-së. Rreth të njëjtës kohë, Franca menaxhonte një situatë të ngjashme. Nuk do ta kishin menaxhuar kurrë këtë reduktim pabesueshmërisht të shpejtë në borxh nëpërmjet disiplinës fiskale që i rekomandojmë sot Greqisë. Në të vërtetë, të dy shtetet tona përdorën metodën e dytë me 3 komponentët që përmenda, përfshi lehtësimin e borxheve. Mendo për London Debt Agreement e 1953, ku 60 për qind e borxhit të jashtëm gjerman u fal dhe borxhet e brendshme të saj u ristrukturuan.

 

DIE ZEIT: Kjo ndodhi sepse njerëzit pranuan se reparacionet e mëdha të kërkuara Gjermanisë pas Luftës së Parë Botërore qenë një prej shkaqeve që Luftës së Dytë Botërore. Njerëzit donin t’i falnin kësaj radhe mëkatet e Gjermanisë!

Piketty: Nonsens! Kjo nuk ka të bëjë aspak me pastërtinë morale; ai qe një vendim racional politik dhe ekonomik. Me të drejtë pranuan se, pas krizash të mëdha që krijonin sasi të mëdha borxhesh, në një moment të caktuar njerëzit duhet të shikojnë nga e ardhmja. Nuk mund të kërkojmë që gjeneratat e reja të duhet të paguajnë me dekada për gabimet e prindërve të tyre. Padyshim, grekët kanë bërë gabime të mëdha. Deri në 2009, qeveria në Athinë i falsifikonte llogaritë e saj. Por pavarësisht kësaj, gjenerata më e re e grekëve mban jo më shumë përgjegjësi për gabimet e prindërve të tyre se gjenerata më e re gjermanëve mbante në vitet Pesëdhjetë dhe Gjashtëdhjetë. Duhet të shikojmë përpara. Evropa u themelua mbi faljen e borxheve dhe investimin tek e ardhmja. Jo mbi idenë e dënimit të pafundmë. Duhet ta kujtojmë këtë.

 

DIE ZEIT: Mbarimi i Luftës së Dytë Botërore qe një kolaps qytetërimi. Evropa qe një fushë betejë. Sot është ndryshe.

Thomas Piketty: Të mohosh paralelet historike me periudhën e pasluftës do të ishte gabim. Le të mendojmë për krizën financiare të 2008 – 2009. Kjo nuk qe thjesht një krizë e radhës. Qe kriza financiare më e madhe qysh nga 1929. Kështu që krahasimi është goxha me vend. Kjo është njëlloj e vërtetë për ekonominë greke: midis 2009 dhe 2015, GDP-ja e saj ka rënë me 25 për qind. Kjo është e krahasueshme me recesionet në Gjermani e Francë midis 1929 dhe 1935.

 

DIE ZEIT: Shumë gjermanë besojnë se grekët akoma nuk i kanë njohur gabimet e tyre dhe duan të vazhdojnë mënyrat e tyre të shpenguara shpenzuese.

Thomas Piketty: Në qoftë se ne do t’u kishim thënë juve gjermanëve në vitet Pesëdhjetë se nuk i keni njohur siç duhet dështimet tuaja, ju do të ishin sërish duke paguar borxhet tuaja. Fatmirësisht, ne jemi më inteligjentë se kaq.

 

DIE ZEIT: Nga ana tjetër, Ministri i Financave gjerman duket se beson që një dalje e Greqisë nga eurozona mund të sjellë unitet më të madh brenda Europës.

Thomas Piketty: Në qoftë se fillojmë të përjashtojmë shtete, atëherë kriza e besimit në të cilën e gjen veten sot Evropa vetëm do të përkeqësohej. Tregjet financiare do të ktheheshin menjëherë ndaj vendit tjetër. Ky do të ishte fillimi i një periudhe agonie shumë të gjatë, në darën e së cilës rrezikojmë të sakrifikojmë modelin social të Evropës, demokracinë e saj, në të vërtetë qytetërimin e saj në altarin e një politike rreptësie financiare irracionale konservatore.

 

DIE ZEIT: A besoni se ne gjermanët nuk jemi bujarë sa duhet?

Thomas Piketty: Çfarë po flisni? Bujarë? Aktualisht, Gjermania po përfiton nga Greqia teksa i zgjat huat në përqindje interesi krahasueshmërisht të larta.

 

DIE ZEIT: Çfarë zgjidhjeje do të sugjeronit për këtë krizë?

Thomas Piketty: Kemi nevojë për një konferencë lidhur të gjitha borxhet e Evropës, njëlloj si pas Luftës së Dytë Botërore. Një ristrukturim i të gjitha borxheve, jo vetëm në Greqi, por në shumë vende evropiane, është i pashmangshëm. Vetëm tani, ne kemi humbur 6 muaj në negociata krejtësisht jotransparente me Athinën. Nocioni i Eurogrupit se Greqia do të arrijë një suficit buxhetor prej 4 për qind të GDP-së dhe do t’i paguajë borxhet e saj brenda 30 apo 40 vjetësh është ende në tavolinë. Me sa supozohet, ata do të arrijnë 1 për qind suficit në 2015, pastaj 2 për qind në 2016 dhe 3.5 për qind në 2017. Krejtësisht qesharake! Kjo nuk do të ndodhë kurrë. Megjithatë, ne vazhdojmë ta shtyjmë debatin e nevojshëm deri kur lopët të kthehen në stallë.

 

DIE ZEIT: Dhe çfarë do të ndodhte pas shkurtimeve të mëdha të borxheve?

Thomas Piketty: Do të kërkohej një institucion i ri evropian për të përcaktuar maksimumin e deficitit buxhetor të lejueshëm me qëllim që të parandalohej rirritja e borxhit. Për shembull, ku mund të jetë një komitet në Parlamentin Evropian që konsiston në parlamentarë nga parlamente kombëtare. Vendimet buxhetore nuk duhet të jenë jashtë kontrollit të legjislaturave. Për ta minuar demokracinë evropiane, që është ajo çka po bën sot Gjermania me këmbënguljen që shtetet të mbesin në mjerim nën mekanizmat që vetë Berlini po i paraqet, është një gabim mizor.

 

DIE ZEIT: Kohët e fundit Presidenti juaj, François Hollande, dështoi që ta kritikojë paktin fiskal.

Thomas Piketty: Kjo nuk përmirëson asgjë. Në qoftë se vitet e kaluara në Evropë vendimet janë marrë në mënyra më demokratike, politika aktuale e rreptësisë financiare në Evropë do të ishte më pak e rreptë.

 

DIE ZEIT: Por asnjë parti politike në Francë nuk po merr pjesë. Sovraniteti kombëtar konsiderohet i shenjtë.

Thomas Piketty: Në të vërtetë, në Gjermania gjithnjë e më shumë njerëz po ushqejnë mendimet e rivendosjes së demokracisë evropiane, në kontrast me Francën që ka besimtarë të panumërt në sovranitet. Për më tepër, Presidenti ynë akoma e portretizon veten si një burgosur të referendumit të dështuar të 2005 lidhur me Kushtetutën Evropiane, që dështoi në Francë. François Hollande nuk e kupton se shumë ka ndryshuar për shkak të krizës financiare. Duhet të tejkalojmë egoizmin tonë kombëtar.

 

DIE ZEIT: Çfarë lloj egoizmi kombëtar shikoni tek Gjermania?

Thomas Piketty: Mendoj se Gjermania u zhvillua shumë nga ribashkimi i saj. Për një kohë të gjatë ekzistonte frika se ai do të çonte në staniacion ekonomik, por më pas ribashkimi rezultoi të ishte një sukses i madh falë një rrjeti sigurie sociale funksionuese dhe një sektori industrial të paprekur. Ndërkohë, Gjermania është bërë aq krenare për suksesin e saj sa që u jep leksione të gjitha vendeve të tjera. Kjo është paksa fëminore. Sigurisht, e kuptoj sesa i rëndësishëm ishte ribashkimi i suksesshëm për historinë personale të Kancelares Angela Merkel, por tani Gjermania duhet t’i rimendojë gjërat. Përndryshe, pozicioni i saj lidhur me krizën e borxhit do të jetë një rrezik vdekjeprurës për Evropën.

 

DIE ZEIT: Çfarë këshille keni për Kancelaren?

Thomas Piketty: Ata që duan ta flakin sot Greqinë jashtë eurozonës, do të përfundojnë në koshin e plehrave të historisë. Në qoftë se Kancelarja do të sigurojë vendin e saj në librat e historisë, ashtu si [Helmut] Kohl veproi gjatë ribashkimit, atëherë ajo duhet të hartojë një zgjidhje për çështjen greke, përfshi një konferencë për borxhin ku të mund të fillojmë nga e para, por me disiplinë fiskale të rinovuar shumë më të fortë.

(nga “The Wire”)

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here