Shkolla komunitare dhe shkollat verore

0
136

Nga dr. Ndriçim Mehmeti

Nga dr. Ndriçim MehmetiNjë nga synimet më të madhe të Ministrisë së Arsimit dhe Sportit ka qenë krijimi i shkollave komunitare. Në draftin e titulluar “Dokumenti i strategjisë së zhvillimit të arsimit paruniversitar 2014-2020”, autorët kanë bërë kujdes që të na japin detaje, në një mënyrë që vetëm ata ta kuptojnë, çdo të thotë shkollë komunitare. Për shembull ja sa të kuptueshme janë objektivat e shkollës komunitare: “Fuqizohet dhe zgjerohet rrjeti i shkollave qendra komunitare. Krijohen mjedise shkollore miqësore për fëmijët, pa dhunë, mjedise që ndihmojnë, kujdesen dhe kultivojnë vlerat demokratike dhe ofrojnë modele pozitive. Garantohet oferta shkollore përmes treguesve të standardizuar. Zbatohen plane për digjitalizimin e hartës së shkollave dhe optimizohet rrjeti i shkollave”. Këto fjali të shkurtra dhe që tingëllojnë kaq bukur në gjuhën tonë, ka pjesëtarë të komunitetit të prindërve të mos t’i kuptoj!? Madje për ta bërë më reale dhe të prekshme shkollën komunitare, Kryeministri që nuk lë rast pa surprizuar me nismat e tij, u ngarkoi të gjithë ministrave të kabinetit të tij nga një shkollë në kujdestari (patronazh). Këta ministra veç punës “tejet të lodhshme, për rilindjen e sektorëve ku punojnë”, do të gjejnë kohë të merren edhe me shkollën që ju ka caktuar Kryeministri. Por nga leximi i draft-strategjisë, del se ministrat kanë kohë për të kryer këtë veprimtari ekstrakurrikulare për ta. “Nga viti 2016, zgjerohet rrjeti i shkollave qendër komunitare që ofrojnë modele pozitive të sjelljes dhe u mundësojnë fëmijëve të kultivojnë vlerat demokratike”. Nga 2016, është e njëjta gjë si shprehja që përdoret për një njeri që kërkon me ngulm të të takoj dhe përgjigjja, për ta hequr qafe është: “Takohemi nga java tjetër”. Këtu e deri në 2016, me siguri, ministrat do të jenë gati të “hartojnë një strategji të tyren”, për t’ia dalë mbanë të ngrenë një shkollë komunitare, sipas draft-strategjisë së hartuar nga MAS? Madje kjo draft strategji, parashikon dhe shumën përkatëse për ta shndërruar shkollën tonë në shkollë komunitare. Janë plot 51,269 lekë, që parashikohen të harxhohen për shkollën komunitare! Kjo është shuma, e cila, do të mundësojë përmbushjen e ambicies për të arritur që “Projekti i shkollës si qendër komunitare të mundësojë sigurimin e një arsimi cilësor për çdo nxënës, në mjedise që mundësojnë kultivimin e vlerave demokratike, sigurimin e mirëqenies sociale, emocionale, shëndetësore të nxënësve, angazhimin dhe zhvillimin e komunitetit, vendimmarrje të përbashkëta, respektimin e shumëllojshmërisë dhe përdorimin e burimeve komunitare në shërbim të shkollës”. Si mund të arrihen të gjitha këto objektiva me këto burime të kufizuara buxhetore? Nëse i referohemi thënies së hershme të Kryeministrit, “se nuk kanë rëndësi paratë, por kanë shumë rëndësi idetë”, edhe në këtë rast, nuk vlejnë paratë, por ardhmëria “e ndritur për shkollën komunitare”.

Por ndërsa shkolla komunitare ka ende kohë dhe pret edhe një vit, ajo që të çudit është përse shkollat verore nuk funksionojnë në Shqipëri? Me përjashtim të shkollave private të cilat ofrojnë shkollën verore me një larmi aktivitetesh, shteti as që ka marrë asnjë iniciativë të tillë. Shkollat të cilat u premtua prej ministres Nikolla se “do të ishin, të hapura për komunitetin, do të gumëzhinin nga zërat e vogëlushëve, aktivitete të shumta të adoleshentëve, kontributi i komunitetit”, sot nuk kanë asnjë përgjigje në terren. Veç ditës së provimeve dhe ditës kur u votua dhe u numëruan vota për kryebashkiakët dhe këshilltarët e bashkive, shkollat kanë heshtur. Në muret e saj gjen dhjetëra lajmërime, për kurse private, për otorinolaringolog, regjistrim për kopshte dhe shkolla private dhe në ndonjë cep muri, gjen edhe lajmërimin për nxënësit që duhet të tërheqin dëftesat e tyre në shkollë, dhe për ata që duan të regjistrohen për herë të parë. Veç dy apo tre mësuesve, të cilët presin të shpërndajnë dëftesat dhe të regjistrojnë nxënësit e rinj, në shkollë, nuk gjen tjetër kënd. Lajmërim për aktivitete? As që bëhet fjalë. Shkolla ka heshtur, sikundër ka bërë edhe më parë. Shkolla, gjallërohet falë ndonjë mësuesit, që mund të përdor atë pak hapësirë sportive me nxënës që kanë pasion basketbollin, volejbollin apo futbollin. Si gjithnjë tek “I. Qemali”, mësuesi i talentuar i tenisit, vazhdon me intensitet punën e tij. Këto janë shumë pak ta quash shkollën komunitare dhe asgjë për të thënë se ekziston mundësia e shkollës verore. Ministria e Arsimit as që e ka vënë ujin në zjarr për këtë. Jo se i dhimbsen mësuesit e kërkon t’i lejë pushim. Thjesht nuk dinë ta organizojnë një gjë të tillë. Ndërkaq MAS, vazhdon në mënyrë të ethshme, trajnimin me mësuesit, të cilin e organizon, drejton, trajnon dhe nxjerr rezultatet, njeriu i vetëm, që “di ta bëjë këtë punë”, këshilltari i arsimit parauniveristar. Trajnim për kurrikulën e re, trajnim për konstruktivizmin, i shoqëruar me blerjen e librit të trajnuesit, trajnim për gjithçka. Por nuk mbaron këtu, prej 31 korriku e deri më 7 gusht, mësuesit do të përzgjedhin edhe librat. Po prindërit e fëmijët? Askush nuk e ka mendjen tek ata. Prindërit dhe fëmijët, shkolla e dashur, miqësore, komunitare na duhen me raste. P.sh ne i drejtohemi me shumë dashuri në fillim të vitit të ri shkollor, e me plot premtime, që nuk është e thënë t’i mbajmë të gjitha. “Shkollat do të jenë të hapura për të ndihmuar, po aq sa edhe për të zhvilluar talentin dhe energjinë e nxënësve, përmes aktiviteteve kulturore e sportive si dhe nismave komunitare. Ndaj të dashur prindër bëhuni pjesë e shkollave komunitare. Edhe njëherë urimet e mia më të mira. Do të jem me ju në çdo orë e çdo ditë të jetës së shkollës. Suksese nga zemra”. Kjo ishte një pjesë e shkëputur nga përshëndetja e Ministres së Arsimit, Lindita Nikolla për nxënësit, mësuesit dhe prindërit me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor 2014-2015. Tani që prindërit janë në punë, fëmijët me pushime, ministrja Nikolla nuk është pranë tyre, i ka lënë në rrugë dhe i ka braktisur. Prindërit janë në punë dhe fëmijët e tyre me pak lekë në disa raste e kalojnë kohën e çmuar të lirë, në komunitetin e gjallëruar të bllokut dhe në mungesë të lekëve, në lagje duke luajtur tavëll, letra bixhozi, domino, ose duke parë të rriturit që venë lloto, për ndeshjen e radhës së klubeve të humbura në Azi, garën më të fundit të qenve, apo garën për motorin më të fuqishëm në Moto GP.

Shkollat nuk janë të hapura as për të ndihmuar nxënësin e aq më pak për zhvillimin e talenteve të tyre. U harruan projektet e sportit elitar, krijimi i federatave sportive të shkollave, futja e shahut në kurrikulat e shkollës etj. MAS ende nuk di ç’të bëj me nismat që i lançoi vetë dhe i kanë mbetur në mes të rrugës. Nxënësve në këto ditë të nxehta, mund t’ju ofrohej mundësia e zhvillimit të një kampionati shahu, minifutbolli, basketbolli e me radhë. Shahu që u quajt si një sport që meritonte vend edhe në kurrikulën e shkollës, na la si kujtim, fotot e Kasparovit me “mendimtarët e vyer të Kuvendit të Shqipërisë” dhe me ministren Nikolla. U premtua se do të pilotohej ky lloj sporti i inteligjencës së lartë, në 10 shkolla, e më tej të shtrihej në të gjithë vendin. Nisma e mirë mbeti në mes të rrugës si shumë të tjera. Nxënësit dhe prindërit e tyre, prisnin që shkolla të hapte dyert, për të kaluar një pjesë të mirë të kohës në mjediset e një vendi të sigurt. Kjo nuk ndodhi dhe me shumë gjasa nuk ka për të ndodhur. Nxënësit në radhë të parë, pale më prindërit, janë larg shumë larg shkollave. Ata janë lënë në mes të rrugës. Rruga me siguri, do t’ju mësoj sjelljen demokratike, tolerancën, vlerat dhe traditat kombëtare, parimet demokratike, e gjithçka të mirë që ka rruga. Nuk ekziston për MAS në muajt e verës, as fjala shkollë verore e as komunitare, pale më prania e tyre. Shkolla u përdor me intensitet të panjohur më parë për fushatë elektorale, prej kandidatëve të mazhorancës. Tani ata që fituan janë nisur me pushime, në çdo cep të botës e as që ju bie në mend për nxënësit. Ata pak që kanë mbetur, i qepen Kryeministrit në çdo aktivitete “si m…, pas këpuce”, e as që duan t’ia dinë për premtimet e dhëna për arsimin. Në mungesë të shkollës komunitare dhe shkollës verore, për ne prindërit mbete lutja e formuluar prej hallit që kemi: “Ati ynë i madh! Na mbro fëmijët që janë rrugës, kur ne prindërit e tyre luftojmë për mbijetesën. Lutemi që të ikin muajt sa më shpejt, e t’i çojmë në shkollë, duke shpresuar të bëhen zot të vetvetes, në mungesë të dorës së shtetit dhe gënjeshtrës që fshihet pas fjalëve të bukura të asaj që e qeveris, arsimin e mjerë në Shqipëri”.

 

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here