Merkel – Rama, tensioni që shfryu flluskën e qeverisë

0
117

Nga Nebil Çika

Nga Nebil ÇikaKryeministri Rama doli i ngrysur dhe i tensionuar në konferencën për shtyp me Kancelaren gjermane Merkel pas takimit kokë më kokë dje në Tiranë. Dukej qartë që diçka nuk kishte shkuar mirë në bisedimet e tyre të paktën për sa i përket palës shqiptare, më saktë, Kryeministrit Rama. Fjalimi i tij i gjatë për dashurinë ndaj Gjermanisë dhe BE-së u zbeh shpejt nga fjalimi i shkurtër e racional i zonjës Merkel, e cila i cilësoi vetëm “të mira” marrëdhëniet gjermano-shqiptare që për zotin Rama ishin “të shkëlqyera”, një diferencë përcaktimesh që nuk do koment.

Rama në fakt u mundua të shmangte në fjalën e tij problemet reale të Shqipërisë me Gjermaninë dhe BE-në, duke e zgjeruar fikusin e fjalimit të tij në probleme rajonale dhe globale, duke u marrë më shumë me problemet e BE-së sesa me hallet e qeverise së tij. Merkel përkundrazi ishte e qartë, ajo u fokusua në problemet e Shqipërisë, duke theksuar faktin se rruga për në BE është në dorë të vendit e shtetit tonë. Qartësisht i tha Ramës dhe shqiptarëve që Gjermania nuk do të japë azil, por vende pune për njerëz të kualifikuar, duke i kujtuar se duhet të zgjedhim ndërmjet azilit dhe BE-së. Atë që nuk e ka bërë apo nuk ka dashur ta bëjë Kryeministri Rama e bëri Kancelarja Merekel. Merkel sqaroi shqiptarët se azili masiv i shqiptarëve nuk është keqkuptim apo mashtrim siç e ka trajtuar deri tani z. Rama, por një problem i madh dhe përgjegjësi e qeverisë. Një vend, shtet a qeveri, ku mijëra qytetarë kërkojnë azil për të siguruar jetesën që nuk krijon kushte jetese për qytetarët e vet, nuk mund të pretendojë anëtarësinë në BE. Më qartë se kaq s’ka si thuhet. Mesazhi i znj. Merkel ishte i qartë, Shqipëria dhe Ballkani nuk janë gati për në BE, ndërkohë që evidentoi si probleme shtetin ligjor dhe parametrat ekonomikë e jo rrezikun islamik e të tjera broçkulla me të cilat z. Rama kujton se kërcënon BE-në, Gjermaninë dhe znj. Merkel.

Performanca e Kryeministrit Rama ra përtokë, kur me një pyetje të porositur nga një media afër qeverisë, i kërkoi zonjës Merkel të zgjidhte midis tij dhe Kryeministrit serb Vuçiç: “Kush ishte lideri i Ballkanit”. Një provokim banal e fshataresk që nuk mund t’i bëhet asnjë politikani të botës së tretë e jo më një kalibri botëror politik, siç është zonja Merkel. Dhe xhevapi nuk vonoi! Gruaja e madhe e Evropës ia plasi në sy. As njëri as tjetri, lideri i Ballkanit është demokracia! E meqë Ballkani nuk ka demokraci në kuptimin perëndimor të saj, nuk ka as lider. Me sa duket, kaq e pati edhe entuziazmi qeveritar për vizitën e zonjës Merkel, situatën e mori në dorë Kancelarja që u ra problemeve në kokë. Ajo iu kthye një problemi shumë shqetësues për Perëndimin, drejtësinë. I ra drejt, nuk bëri dredhi, siç vepron ngado që shkon. Nuk është vetëm problem shqiptar, por edhe gjerman e evropian. Problemet me shtetin e së drejtës i vuajnë edhe investitorët e qytetarët gjermanë që veprojnë e jetojnë në Shqipëri. Kjo i jep një shpjegim të qartë përqendrimit tek drejtësia të pothuaj të gjithëve zyrtarëve e diplomatëve perëndimorë që merren me Shqipërinë. Por jo vetëm kaq! Iu tha në sy z. Rama dhe shqiptarëve se gënjejnë veten kur mendojnë se gënjejnë Gjermaninë dhe BE-në. Duhet që ajo që shkruhet në letra të zbatohet edhe në praktikë – theksoi Merkel, duke evidentuar një ndër problemet e mëdha të vendit, moszbatimin e ligjeve dhe reformave që qeveria dhe Parlamenti miratojnë si kushte të integrimit në BE. Me pak fjalë, Merkel shfryu një tullumbace që qeveria e kishte planifikuar të përdorte si propagandë të mbështetjes perëndimore për Kryeministrin Rama, shans që qartësisht z. Merkel nuk ua dha.

Por vizita nxori në pah edhe një tjetër problem, atë të kontrollit të shumicës se medias nga politika dhe veçanërisht qeveria! Pyetjet “e porositura” të mediave shqiptare që iu dha kjo mundësi në konferencën për shtyp e dëshmuan plotësisht këtë fakt të konstatuar dhe më parë nga raportet e zyrtarëve perëndimorë. Të krahasuar me pyetjet konkrete e në zemër të problemeve nga kolegët gjermanë që vunë në siklet Kryeministrin tonë, ato nxorën në pah nivelin banal e mjeran të lirisë dhe performacës së shtypit në Shqipëri. Fakti që askush nga ata që u lejuan të bënin pyetje nuk pyeti për zgjedhjet lokale, ngjarjen dhe debatin më të madh politik në vend, por edhe një kusht e shqetësim i deklaruar i BE-së për Shqipërinë, vërteton rrezikun deri në asgjësim të lirisë së shtypit si një nga kolonat kryesore të demokracisë, të cilën jo pa qëllim znj. Merkel e cilësoi si liderin e vetëm të Ballkanit.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here