Letra për shtyp po firon, gazetat greke në ngërç

0

Gazeta grekeMe banka të mbyllura dhe me nje ekonomi pezull, disa gazeta të përditshme greke janë në vështirësi të tilla, sa të detyrohen të pezullojnë shitjet për aq kohë sa bankat greke të jenë të mbyllura. Qeveria greke ka paralajmëruar se bankat nuk do të hapen deri ditën e hënë.

E përditshmja “Empros” ka zvogëluar numrin e faqeve, nga 20 në 16, dhe Drejtori ekzekutiv i kësaj gazete, Manolis Manolas, shpreson që në ditët në vijim të mos detyrohet të bëjë shkurtime të tjera, teksa situata financiare e vendit po shkon keq e më keq. “Kemi një problem të madh me furnizimin me letër”, i tha Manolas “Reuters”-it përmes një bisede telefonike. “Furnitori ynë nuk mund të na pajisë më, pasi furnizimi ka mbetur në doganë. Ai nuk mund të paguajë furnitorët jashtë vendit, pasi janë bllokuar transfertat bankare”.

Një nga gazetat me qarkullim më të madh në vend, “Ta Nea”,  shkruante në një editorial të sajin të pak ditëve më parë: “Gazeta që mbani në dorë ka vetëm 32 faqe, sepse letra që kemi gjendje na premton vetëm për pak kohë, më pas nuk do të kemi mundësi të furnizohemi me lëndë të parë përmes doganës, për shkak të mbylljes së bankave”.

Lini nje pergjigje