Protesta në Kuvend/ Jo fonde privatëve. 200 pedagogë firmosin kundër projektligjin për Arsimin e Lartë

0
104

200 pedagogë firmosin kundër projektligjin për Arsimin e LartëArtan Fuga: Ligji i arsimit të lartë nuk bazohet mbi asnjë model, po ecim në shtigje të parrahura

Fuga: Janë propozime të bëra nga një agjenci private në vitin 2012

Në Komisionin për Edukimin dhe Mjetet e Informimit Publik u paraqit një memorandum nga më shumë se 200 pedagogë për disa ndryshime në projektligjin për arsimin e lartë. Gjatë raportimit, Forumi për Liritë Akademike u kërkoi deputetëve që të mos e miratojnë ligjin ashtu siç është paraqitur, por të dëgjojnë mendimin e pedagogëve. Përfaqësues i këtij forumi ishte edhe akademiku Artan Fuga, i cili shpjegoi 3 arsyet pse nuk duhet të miratohet projektligji në formën që është sot. “Ne kemi në radhë të parë një problem kulturor. Fryma e projektligjit na duket e prapambetur, sepse karakterizohet nga një pozitivizëm i shekullit i tejkaluar në 3 drejtime kryesore. E para, flitet për standarde të unifikuara të vlerësimit të cilësisë me midenë e shekujve të kaluar që e vërteta është unike, mund të standardizohet dhe nuk është ashtu siç konsiderohet e vërteta shkencore sot, si një vend dialogu, si një pluralizëm të vërtetash të pjesshme të cilat diversifikohen dhe duhen mbajtur parasysh. Ideja e një standardi unik, të cilit i duhet vendosur përballë institucionet dhe të gjitha agjencitë që prodhojnë dije dhe kërkim shkencor. Kjo lloj ideje e një të vërtete të standardizuar që dominohet nga strukturat shtetërore është e tejkaluar dhe bie në kundërshtim me parimin e parë të arsimit të sotëm evropian, që është diversifikimi, pluralizimi, alternativat e ndryshme të prodhimit të shkencës, të dijes edhe të arsimit”, – u shpreh Fuga para deputetëve.

 

Arsimi

Për akademikun Artan Fuga ky projektligj nuk ecën në hapin e arsimit evropian, por në drejtimin e gabuar. “Së dyti, akoma në këtë ligj dominon ideja se strukturat universitare, organizimi i brendshëm universitar duhet të ndërtohet në mënyrë të mbyllur, me gardhe të izoluara, sipas disiplinave të përafërta, çka do të thotë mendohet se organizimi institucional i arsimit dhe shkencës do të vazhdojë të bëhet me departamente sipas disiplinave të njëjta ose të përafërta, fakulteteve të përafërta dhe në këtë mënyrë krijohet problemi, sepse mohohet kryqëzimi i disiplinave, ndërdisipliniteti dhe krijohet në një pikë të nenit ku thuhet se “mund të krijohen edhe njësi bazë ndërdisiplinore, por këto njësi bazë ndërdisiplinore nuk llogariten për të akredituar një program studimore ose një njësi të arsimit të lartë. Ndërkohë që bota e sotme po ecën në drejtimin e kundërt, po ecën që ka universitete pa fakultete fare, ka fakultete pa departamente fare dhe mungesa e kësaj ndërthurjeje është një nga arsyet, sipas mendimit tonë, të prapambetjes dhe të ngecjes në vend të dijes shkencore në Shqipëri. Bashkimi dhe kryqëzimi i dijeve teknike me dijet teorike, i dijeve të shkencave natyrore me atë të dijes së informatikës, i informatikës me shkencat humane, gjë që ne na bllokon”, – theksoi Fuga

 

2 shekuj më pas

Gjithashtu, akademiku Artan Fuga thekson se nuk ka një model i cili të merret për bazë. Sipas tij, ndryshimet në projektligj janë bazuar dhe tek një agjenci private, që i ka hartuar këto propozime në vitin 2012. “Së treti është një koncept pozitivist dhe i prapambetur nga pikëpamja kulturore. Si është e mundur që intelektualët shqiptarë në vitin 2015 të prodhojnë një tekst, i cili të frymëzohet nga një filozofi e dy shekujve më përpara. Shteti merr përsipër, sikurse thuhet në nenet e këtij projektligji, që të jetë garanti i cilësisë së punës shkencore dhe i programeve mësimore. Në këtë mënyrë neve na vjen ideja e konceptit hegelian të shtetit, i cili është instanca më e lartë e së vërtetës, që ka autoritetin dhe që brenda vetvetes përmbledh edhe mundësinë për të gjykuar shkencën dhe për të besuar shkencën, koncepte të cilat janë të kapërcyera. Shqetësimi ynë i madh ka qenë pyetja: Cili është modeli që ne ndjekim? A është një model i një vendi evropian brenda hapësirës të shkencës dhe arsimit evropian? Neve na rezulton që nuk është një model i ndjekur. Në asnjë frazë të tekstit nuk gjendet se cili është modeli. Ne jemi këtu, ne mund ta provojmë, se ka një kakofoni, ka një zhvendosje të idesë së modelit sikur kërkohet një model, por nuk gjendet. Ky model që në vitin 2012 është përpunuar në kuadër të propozimeve që ka bërë një agjenci private në Shqipëri. Pastaj është mbledhur një grup ekspertësh, por që në të vërtetë u morën modelet e përpunuara nga një agjenci private dhe na u paraqitën si një model kilian. Pas kritikave na u paraqit si një model anglez dhe anglosakson, pastaj na u paraqit si një model portugez. Jemi përpara një situate që nuk kemi asnjë referim, tek asnjë vlerë evropiane e cituar dhe nuk kemi asnjë model që mund të themi se po ndjekim këtë. Po ecim në shtigje të parrahura që në mendimin tonë janë të rrezikshme dhe që nuk zgjidhin problematikat e mëdha që ka arsimi shqiptar”, – u shpreh Fuga para deputetëve. Më pas deputetët kaluan në pyetje, ku përfaqësuesit e Forumit për Liritë Akademike theksuan se projektligji është një rrezik, për shkak se universitetet do të detyrohen të rritin tarifat. Kjo, sipas pedagogëve, do të vijë për shkak të mospërballimit të shpenzimeve, duke qenë se do të kthehen në institucione të arsimit të lartë publike, të pavarura. Deputetët e Komisionit të Edukimit u shprehën se do t’i marrin parasysh propozimet e pedagogëve dhe memorandumin që ata kanë nënshkruar.

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here