Për investitorët nuk ka gjë më të rëndësishme sesa siguria ligjore

0

fasone– Marrëdhëniet gjermano-shqiptare janë pak asimetrike, pra shqiptarët interesohen më shumë për Gjermaninë sesa anasjelltas – thotë Thomas Schrapel në prag të vizitës së Kancelares Merkel në Tiranë.

Loading...

Si i shohin investitorët gjermanë kushtet që krijon shteti shqiptar në vendin tonë, për të lehtësuar investimet e tyre? Në prag të vizitës së Kancelares Merkel, investitorët gjermanë theksojnë se qeveria nuk ka krijuar kushte pozitive dhe, sipas tyre, në vendin tonë nuk ka siguri ligjore.

Sa më poshtë, vijon intervista dhënë radios gjermane “Deutsche Welle” nga dr. Thomas Schrapel, drejtor për Shqipërinë i Fondacionit Konrad Adenauer, të afërt me partinë e djathtë gjermane CDU.

 

Dr. Schrapel si i vlerësoni marrëdhëniet mes dy vendeve aktualisht?

Mendoj që marrëdhëniet shqiptaro-gjermane janë shumë të mira. Këtë nuk e ndryshon as fakti, që këto marrëdhënie janë ndoshta pak asimetrike. Me këtë dua të them, që shqiptarët interesohen më shumë për Gjermaninë sesa anasjelltas. Por kjo ndodh shpesh në marrëdhëniet midis një partneri më të madh dhe një partneri më të vogël. Në eksperiencën time, numri i njerëzve në Gjermani që interesohen për këtë vend të vogël në jug të Evropës sa vjen e rritet, dhe jo vetëm për faktin se Shqipëria është në kufi me Greqinë.

 

Rreth një vit pas Konferencës së Berlinit, iniciuar nga Kancelarja Merkel dhe mbështetur nga vendet e BE-së, a shikoni impakt konkret në bashkëpunimin mes vendeve të rajonit?

Iniciativa filloi vetëm para një viti dhe sigurisht ka përpjekje për të intensifikuar bashkëpunimin rajonal. Unë jam gjithashtu i bindur, që të gjitha vendet e përfshira në zonën e Ballkanit shfaqin një interes të madh për këtë. Por ndoshta është ende herët për të vlerësuar se si është kuptuar kjo iniciativë e Kancelares gjermane. Këto bashkëpunime rajonale, sipas mendimit tim, janë nga qëllimet më të rëndësishme, por ndonjëherë dhe nga qëllimet më shumë të nënvlerësuara të integrimit evropian. Është mirë që Shqipëria orientohet nga vendet e mëdha të BE-së. Por pikërisht për arsye të zhvillimeve historike dhe kulturore vendet fqinje duhet të jenë veçanërisht interesante.

 

Kancelarja Merkel gjatë qëndrimit në Tiranë pritet të ndjekë dhe punimet e një forumi ekonomik mes dy vendeve. Sipas optikës tuaj dr. Schrapel, a ka vend për intensifikimin e marrëdhënieve Shqipëri-Gjermani në këtë fushë?

Sigurisht që marrëdhëniet ekonomike mund të intensifikohen më tej. Shumë politikanë dhe biznesmenë shqiptarë dëshirojnë një angazhim më të madh dhe për më tepër investime më të mëdha gjermane. Por për këtë unë mendoj, që politika shqiptare ndodhet para përgjegjësisë të bëjë hapat e tjera. Për investitorët potencialë nuk ka gjë më të rëndësishme sesa siguria ligjore. Ata duhet të dinë, cili është kuadri ligjor dhe mbi të gjitha ata duhet të jenë të sigurtë që ky kuadër ligjor është i vlefshëm për të gjitha sipërmarrjet. Dhe sigurinë ligjore mund ta garantojë vetëm shteti. Kjo është përgjegjësia e politikës, pavarësisht faktit se cila parti qeveris për momentin.

 

Temë e bisedimeve të Kancelares me zyrtarët e lartë në Tirane pritet të jetë dhe çështja e azilkërkuesve. A mendoni ju se ky fenomen mund të çojë vendet anëtare të BE-sënë rikthimin e regjimit të vizave për shtetasit shqiptarë që duan të udhetojnë në zonën Schengen?

Nuk mendoj se është kështu, por ama nuk dua të bëhem pjesë e spekulimeve. Futja e Shqipërisë në hapësirën Schengen ishte një sukses i madh për shqiptarët. Unë vetë vij nga pjesa e dikurshme komuniste e Gjermanisë dhe e mbaj mend fare mirë, çfarë do të thotë te mos mundesh të udhëtosh i lirë. Liria e lëvizjes dhe e udhëtimit është një e mirë e madhe, dhe veçanërisht, ata të cilët e shijojnë lirinë e të udhëtuarit, duhet të bëjnë gjithçka, që kjo të mos kufizohet përsëri.

 

Në rrugën e integrimit të vendit në BE, cilat do të ishin, sipas jush, disa nga problemet kryesore me të cilat duhet të përballet dhe të ketë rezultate konkrete Shqipëria, për të bërë hapa para në këtë proces?

Ka sigurisht shumë gjëra për të bërë. Por mbi të gjitha duhet t’u bëhet e ditur politikanëve shqiptarë, që nuk është BE-ja ajo që do të zgjidhë problemet e Shqipërisë. Si fillim çështjet më madhore duhet të zgjidhen nga vetë shqiptarët. Vetëm ateherë mund të zhvillohen bisedime serioze për integrimin në BE. Kjo është radha e duhur. Siguria ligjore dhe lufta e vazhdueshme kundër korrupsionit do të ishin dy detyra, të cilat nuk mund të zgjidhen nga BE-ja. Këtu hapi tjetër duhet bërë nga politika shqiptare.

 

Tirana dhe Shkodra, vatrat e papunësisë në vend

Arriti në 145.478 numri mesatar i personave të regjistruar si punëkërkues të papunë gjatë 3-mujorit të parë, ku qarqet e Tiranës, Fierit, Elbasanit dhe Shkodrës regjistruan numrin më të madh të punëkërkuesve, ndërsa shkalla e papunësisë së regjistruar, 13.3%. Sipas INSTAT, numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar në tremujorin e parë 2015 u rrit me 1.4%, ose me 1.971 persona më shumë në krahasim me tremujorin e parë 2014. Në tremujorin e parë, 4.9% e punëkërkuesve të papunë të regjistruar përfituan pagesë papunësie, ku në qarkun e Tiranës përbëjnë 9.3% të punëkërkuesve të papunë të regjistruar dhe në qarkun e Gjirokastrës 4.2% të punëkërkuesve.

Krahasuar me tremujorin e 4-t 2014, vërehet se numri i punëkërkuesve të papunë të regjistruar që përfitojnë pagesë papunësie është ulur me 434 persona në tremujorin e parë 2015.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2015 numri mesatar i familjeve të trajtuara me ndihmë ekonomike arriti në 74.933 familje, nga të cilat 43.744 familje u trajtuan me ndihmë ekonomike të pjesshme dhe 31.189 familje me ndihmë ekonomike të plotë.

Numri mesatar i familjeve që përftuan ndihmë ekonomike këtë tremujori u ul me 1.5% krahasuar me tremujorin e katërt 2014 dhe për pasojë, fondi mesatar mujor i ndihmës ekonomike u ul me 1.1%.

Qarqet Dibër, Shkodër, Elbasan dhe Kukës kanë numrin më të madh mesatar të familjeve që trajtohen me ndihmë ekonomike. Vërehet se numrin më të madh të familjeve të tilla si në bashki edhe komuna, e kanë më së shumti familjet me nga 4 persona.

 

Presidenti Nishani takon guvernatorin për krizën greke

Kreu i shtetit Bujar Nishani ka zhvilluar një takim pune dje me guvernatorin e Bankës së Shqipërisë Gent Sejko, për t’u njohur me situatën e sistemit bankar dhe krizën financiare pas referendumit në Greqi. Referuar njoftimit zyrtar të Presidentit, gjatë këtij takimi kreu i shtetit kërkoi nga guvernatori Sejko të informohej imtësisht rreth rreziqeve të mundshme ndaj sistemit tonë bankar dhe se cili mund të jetë impakti mbi ekonominë shqiptare në përgjithësi, duke pasur parasysh faktin se shteti fqinj i Greqisë është edhe investuesi kryesor i huaj në Shqipëri.

“Gjatë këtij takimi, Kreu i Shtetit President Nishani u informua gjithashtu edhe mbi masat e marra si edhe rreth ndjekjes së kujdesshme e të vëmendshme të situatës financiare që po bëhet nga Banka e Shqipërisë”, – shkruhet në njoftim.

Zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar dhe ekspertët e ekonomisë në vend, në deklarimet publike të tyre kanë konfirmuar se Shqipëria dhe sistemi bankar shqiptar nuk preken nga situata në Greqi. Edhe pse vendi fqinj Greqia është në një krizë të thellë financiare, sistemi bankar shqiptar paraqitet “imun”pasi përmes ndërhyrjeve ligjore dhe mbikëqyrjes nga Banka e Shqipërisë është bërë e mundur që bankat greke në vend të mos kenë problematikën e bankave mëma. Kriza e borxheve në vendet e zonës “euro”, ka bërë që institucionet të marrin masa për vendet e rajonit në mënyrë që çdo zhvillim i mëvonshëm të mos ndikonte negativisht në ekonomitë e vendeve përreth.

 

Reziston tregu i letrave me vlerë, pa efekt nga kriza e fqinjit

Tregu i letrave të borxhit të qeverisë shqiptare nuk po shfaq asnjë ndjeshmëri ndaj krizës greke dhe falimentit virtual të qeverisë helene. Në ankandet e bonove të thesarit, zhvilluar në Bankën e Shqipërisë, qeveria arriti të plotësojë gjithë kërkesën për financim, madje interesat regjistruan rënie të mëtejshme nga nivelet e muajit Qershor. Kjo tregon se, të paktën në tregun e brendshëm, investitorët dhe kryesisht bankat nuk perceptojnë rreziqe të shtuara si rrjedhojë e situatës në Greqi. Nga ana tjetër, bankat që janë investitorët kryesorë në titujt qeveritarë shqiptarë, nuk duket të kenë ndjerë ndonjë presion likuiditeti, duke pasur parasysh kërkesën e bollshme për të blerë bono në ankandet e djeshme.

Sipas të dhënave nga Banka e Shqipërisë, bonot me maturim 12-mujor u emetuan me një interes mesatar të ponderuar prej 3.25%, nga 3.28% që kishte qenë interesi në ankandin e fundit. Ministria e Financave kishte shpallur 9.6 miliardë lekë për financim, ndërsa kërkesa e tregut arriti në afro 12 miliardë lekë. Tendenca të njëjta regjistroi edhe ankandi i bonove me maturim 6 mujor, ku interesi zbriti në 2.97%, nga 3.04% që kishte qenë në ankandin e Qershorit. Qeveria rifinancoi me sukses shumën e shpallur prej 14.7 miliardë lekësh, ndërsa kërkesa në ankand arriti në 15.9 miliardë lekë.

Ankandet e djeshme treguan se, për momentin, stuhia greke nuk po e turbullon aspak tregun shqiptar. Kërkesa e lartë dhe interesat në rënie dëshmojnë se bankat nuk ndjejnë ndonjë shqetësim për gjendjen e tyre të likuiditetet.

 

 

Euroja zbret nën nivelin e 140 lekëve

Pasi u ka “rezistuar” disa ditë radhazi efekteve të krizës greke, euro është dorëzuar në tregun vendas ditën e sotme. Sipas kursit zyrtar të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, një euro u këmbye dje me 139.98 lekë, duke zbritur nën kufirin e 140 lekëve, për herë të parë që nga janari i këtij viti. Aktorët e tregut pohojnë se kërkesa për monedhën evropiane mbetet gjithsesi e lartë, ndërsa rënia është dhe sezonale, pasi në periudhën e verës ka gjithnjë një forcim të lekut për shkak të rritjes së ofertës për valutë.

Rënia e euros në tregun vendas vjen në një kohë që shqiptarët kanë filluar të prenotojnë pushimet jashtë vendit, që bëhen automatikisht më të lira me zhvlerësimin e euros. Më i lirë bëhet dhe kësti i kredisë për ata që i kanë të ardhurat në lekë.

Në kahun tjetër, dollari ka vijuar rritjen për të dytën javë radhazi, duke u këmbyer dje me 127.45 lekë, 0.64 lekë më shumë se një ditë më parë.

Në tregjet ndërkombëtare, euro ra ditën e djeshme me 0.3 për qind në 1.1005 USD, por qëndroi mbi nivelin e ulët të së hënës prej 1.0967 USD. Dollari u rrit 0.4% kundrejt një shporte monedhash.

Shumë operatorë të tregjeve monetare besojnë se një dalje e Greqisë nga euro ende mund të shmanget, ndërsa të tjerë thonë se Banka Qendrore Europiane mund të ndërhyjë për të kufizuar infektimin.

 

Absurdi, borxhlinjtë më të mëdhenj në botë janë ekonomitë më të fuqishme

Javëve të fundit, në qendër të mediave botërore është Greqia, shkaku i borxheve dhe paaftësisë për t’i paguar ato ndaj kreditorëve ndërkombëtarë. Megjithatë, kur shikon listën e borxhlinjve më të mëdhenj dhe i krahason ata me vendet tjera, borxhi i këtij shteti ballkanik mund të duket qesharak.

Vendin e parë e zë shteti më i fuqishëm i botës, Shtetet e Bashkuara të Amerikës, ku, sipas të dhënave të fundit, borxhi i tyre sillet rreth 18.5 trilionë dollarë, që do të thotë se borxhi për frymë është 58.437 dollarë. Në vendin e dytë është Mbretëria e Bashkuar, me një borxh prej 9.5 trilionë dollarësh. E treta Franca me 5.7 trilionë, e pasuar nga Gjermania me 5.5 trilionë dollarë amerikanë.

Borxhet e vendeve të tjera të “top 10”-shes:

Luksemburgu – 3.4 trilionë dollarë

Kina – 3 trilionë

Japonia – 2.8 trilionë

Italia – 2.6 trilionë

Irlanda – 2.6 trilionë

Holanda – 2.5 trilionë.

 

Shumica e njerëzve mendojnë se Greqia është në mesin e këtyre 10 vendeve të para, por ajo në fakt renditet e 27-ta në botë, me një borxh të përgjithshëm prej 360 miliardë dollarësh.

Ndërsa, në rajonin tonë, borxhin më të madh e ka Kroacia, e cila renditet e 52-ta në botë me 67 miliardë dollarë, e ndjekur nga Sllovenia menjëherë pas saj. Më pas vjen Serbia, e cila është e 65-ta, me një borxh të përgjithshëm prej 32 miliardë dollarësh, apo 4.178 dollarë borxh për frymë. Pas saj vjen Bosnja dhe Hercegovina, që renditet e 94-ta në botë, me një borxh prej 9 miliardë dollarësh.

Kosova është ndër vendet me borxhin më të vogël. Sipas të dhënave të fundit, Kosova ka një borxh prej rreth 1.7 miliardë dollarësh.

Por, duhet theksuar se, pavarësisht faktit që Greqia ka një borxh shumëfish më të vogël se sa vendet e listës së “top 10”-shes, kjo nuk do të thotë se ajo ndodhet në situatë më të mirë se sa ato, pasi shuma e borxhit lidhet me Prodhimin Bruto të një vendi.

 

Loading...

Lini nje pergjigje