Shkëlqim Cani i ofron kolegut Ilir Beqaj tenderin e Financave

0
141

Ervin Kaduku

ministria e financave–  Ja si funksionon fjala e urtë “njëra dorë lan tjetrën dhe të dyja lajnë fytyrën” në qeverinë shqiptare. Por, duke vepruar kështu, a mendojnë se njerëzit janë kaq të verbër sa të mos shohin se fytyra mbetet… e zezë?!

Këto ditë, Ministria e Financave ka organizuar një tender për krijimin e një sistemi të informatizuar të menaxhimit të dëmshpërblimeve të ish-të përndjekurve politikë. Fituesi sapo është shpallur zyrtarisht dhe është një kompani që njihet për faktin se ortak – emri i të cilit prej kohësh nuk del as në QKR dhe as në organe të tjera shtetërore – është Ilir Beqaj, ministri aktual i Shëndetësisë. Ja njoftimi.

 

MINISTRIA E FINANCAVE

FORMULARI I NJOFTIMIT TE FITUESIT

Për: Shoqërisë: “Intech+” sh.p.k, Rruga “Ibrahim Rugova”, Kompleksi “Parku Jeshil”, Kulla 2, Ap.1, Tiranë.

Procedura e prokurimit: “Tender i hapur” me mjete elektronike. Përshkrim i shkurtër i kontratës: ”Krijimi i sistemit të informatizuar të menaxhimit të dëmshpërblimeve të ish të përndjekurve politik” dhe mirëmbajtje të sistemit pas marrjes në dorëzim të tij (4-vjeçare), në zbatim dhe në përputhje me dispozitat e VKM-së nr. 710, datë 21 gusht 2013 “Pёr Krijimin dhe Funksionimin e Sistemeve tё Ruajtjes sё Informacionit, Vazhdueshmёrisё sё Punёs dhe Marrëveshjeve tё Nivelit tё Shёrbimit”, kontrata për mirëmbatjen do të lidhet me fituesin për një periudhë 4 (katër) vjeçare nga data e nënshkrimit të saj. Kriteret e përzgjedhjes së fituesit ishte vetëm çmimi më i ulët.

Çuditërisht, edhe pse në Shqipëri operojnë një numër shumë i madh tanimë kompanish që ofrojnë shërbime informatike, rezulton, nga dokumentat e tenderit, se ka marrë pjesë, pra është paraqitur, vetëm një prej tyre dhe pikërisht kompania “Intech+”.

Adresa e kësaj kompanie ndodhet pikërisht në pallatin ku banon edhe kreu i shëndetësisë publike shqiptare, tashmë mjaft i përfolur për dhënie të prokurimeve dhjetëvjeçare, me vlera shumëmiliardëshe miqve të tij biznesmenë, në spitalin e Tiranës apo jashtë tij.

“Njoftojmë se kanë qenë pjesëmarrës në procedurë këta ofertues me vlerat përkatëse të ofruara:

 

Operatori ekonomik     Oferta

“Intech+“ sh.p.k.     21.534.480 lekë pa T.V.SH

Janë skualifikuar ofertuesit e mëposhtëm: 0”

Natyrisht, nuk kishte kush të skualifikohej, pasi është paraqitur në garë vetëm një garues. Me sa duket, e dinte vetëm ai që një tender i tillë organizohej nga ministria e Financave.

Ministria njofton “Intech+ “sh.p.k. me Adresë: Rruga “Ibrahim Rugova”, Kompleksi “Parku Jeshil”, Kulla 2, Ap.1, Tiranë, se oferta e paraqitur, me një vlerë të përgjithshme prej 21.534.480 lekësh (pa T.V.SH) është identifikuar si oferta e suksesshme (!). “Rrjedhimisht, jeni i lutur të paraqisni pranë Autoritetit Kontraktor, Ministrisë e Financave, me Adresë” Bul “Dëshmorët e Kombit”, Tel/Fax 0035542228405/0035542228494, sigurimin e kontratës, siç parashikohet në dokumentat e tenderit, brenda 5 (pesë) ditëve nga dita e marrjes/publikimit të këtij njoftimi. Në rast se nuk pajtoheni me këtë kërkesë, ose tërhiqeni nga nënshkrimi i kontratës, do të procedohet siç parashikohet në nenin 58 i Ligjit nr. 9643 datë 20.11.2006 “Për prokurimin publik”, i ndryshuar”, – thuhet në njoftimin e Ministrisë së Shkëlqim Canit.

Katër vjet më parë, në qershor të vitit 2011, Gjykata Kushtetuese i ka hequr mandatin deputetit të PS-­së, Ilir Beqaj, atëherë në opozitë. Vendimi është marrë gjatë seancës, në prani të dy krerëve të grupeve parlamentare, atij të PS-së, Gramoz Ruçi dhe PD­së, Astrit Patozi. Beqaj u vu nën akuzë nga PD­ për përfitime tenderash gjatë kohës që ka qenë i veshur me mandatin e deputetit. PD depozitoi në Gjykaten Kushtetuese një padi për interpretimin e mandatit të tij, ndërsa ngriti Komisionin Hetimor për këto akuza. Fjala ishte për një tender në Bashkinë e Durrësit, të drejtuar nga socialisti Vangjush Dako, për rrjetin kompjuterik. Vetë deputeti Beqaj, pyetur nga mediat lidhur me vendimin në fjalë u shpreh se nuk kishte asnjë koment.

Kompania, për të cilën ai humbi mandatin, ishte pikërisht “Intech+”.

Me sa duket, tani, nga pozita “të shëndosha” ministrore, Beqaj vijon të sigurojë prokurime të parave shtetërore, pa i hyrë gjemb në këmbë. Tashmë ai i ka marrë të gjitha masat që emri i tij të mos figurojë gjëkundi në institucionet që regjistrojnë bizneset. Por kjo nuk mund të përjashtojë nga përgjegjësia morale atë si anëtar i një qeverie që “bën be’” për antikorrupsionin.

Beqaj u akuzua në janar të këtij viti për një tjetër skandal. Nën titullin “Hije skandali mbi ministrin Beqaj”, disa media zbuluan faktin se ministri kishte zhvilluar një tender për blerjen e një helikopteri me vlerë afro 4 milionë euro, me fitues të paracaktuar. Ministria e Shëndetësisë kishte përcaktuar parametra të atilla, që mund t’i përshtateshin vetëm mjetit të piketuar apo të rënë dakord që më parë. Sipas gazetave edhe proqeveritare, rezultonte se ministria e Ilir Beqes e kishte paracaktuar me kohë fituesin, duke vënë parametra që i plotësonte vetëm njëra kompani, Airbus Helicopter, që edhe fitoi tenderin.

Ndërkohë, një vit e gjysmë më parë, PD akuzoi ministrin për faktin se ka ndërhyrë në tenderin e ilaçeve, në kundërshtim flagrant me ligjin, duke i hapur rrugën një abuzimi skandaloz me financat dhe me sigurinë e pacientëve shqiptarë, duke lejuar hyrjen në treg të ilaçeve të paautorizuara. Me anë të shkresës me datë 21.3.2014, me anë të së cilës ministri Beqaj, i ka hapur rrugën falsifikimit të ilaçeve dhe futjes së medikamenteve të rrezikshme për shëndetin, për të kënaqur interesat financiare të grupimeve të farmaceutikës që ndodhen pranë qeverisë dhe atyre që financuan fushatën rilindase.

Modifikimi i kritereve të tenderit, me urdhër të ministrit, në kundërshtim të hapur me dy nene të ligjit, është më e pakta vepër penale me pasoja të rënda në komunitet pasi shkatërron sigurinë e mjekimit, deklaroi me atë rast deputetja Albana Vokshi. “Legjislacioni shqiptar e ka të parashikuar qartë rastin kur ministri ndërhyn në këtë procedurë, dhe sipas ligjit kjo bëhet vetëm në raste katastrofash. E vetmja katastrofë aktualisht, është mënyra se si po qeveriset shëndetësia dhe spitalet në vend. Në mundësinë më të parë që u jepet, ndërhyjnë në tender, shkelin ligjin, favorizojnë klientelën e tyre dhe vënë në rrezik shëndetin publik duke i hapur rrugën një abuzimi të paprecedent me ilaçet. Ky është modeli i Edi Ramës për shëndetësinë, ky është ministri rilindas”, – theksoi ajo.

 

Ulet çmimi i naftës në tregje, rritet në Shqipëri

Shqipëria u ngjit në vendin e 139 për çmimin më të lartë të naftës në renditjen globale prej 172 vendesh nga agjencia ndërkombëtare e rankimit të çmimeve të naftës, Global Petrol Price, pas shtrenjtimit të naftës në vend javën e kaluar. Një javë më parë Shqipëria renditej në vendin e 130, por në fundjavë çmimi i naftës shkoi me 185-187 lekë për litër në të gjitha pikat e shitjes me pakicë, duke e renditur sërish Shqipërinë ndër vendet me çmimin më të lartë të naftës në rang global.

Një litër naftës naftë Shqipëri kushton me 1.46 dollarë, nga 140 USD që ishte para një jave. Çmimin më të lirë të naftës në botë e ka Venezuela me 0.02 USD për litër, ndërsa çmimin më të lartë e Norvegjia me 2.01 dollarë për litër.

Rritja e fundjavës është katërta radhazi që nga shkurti i këtij viti, pasi çmimet zbritën deri në 158 lekë për litër, si rrjedhojë e rënies së tyre në tregjet ndërkombëtare deri në 42 dollarë për fuçi.

Në tregjet ndërkombëtare, nafta referencë evropiane e mbylli të premten duke u rreth 61 dollarë për fuçi, larg niveleve rekord prej 120 dollarë për fuçi, që arriti në janar 2014.

Në tregun e brendshëm, një dollar u këmbye të premten me 126 USD, sipas kursit të këmbimit të Bankës së Shqipërisë, duke qenë larg niveleve rekord prej rreth 133 lekë, që arriti në mars të këtij viti.

Herën e fundit, që u rrit çmimi i naftës në vend (në fillim të majit 2015), nafta evropiane kuotohej në bursa me 65-66 USD/fuçi dhe dollari në rreth 127 lekë.

 

 

Çfarë skenarësh do të ndodhnin në Shqipëri nga kriza greke?

Ngjarjet e fundit në Greqi kanë ndikuar në rritjen interesave të bondeve qeveritare në vendet periferike të eurozonës, rrezikojnë të vënë në vështirësi procesin e emetimit të Eurobondit shqiptar me vlerë 300 mln euro i planifikuar për emetuar në vjeshtë nga qeveria shqiptare. Por duke qenë se në këto kushte emetimi i një Eurobondi të dytë bëhet i vështirë qeveria ka disa skenarë alternativë për rifinacimin e borxhit. Burime nga Ministria e Financave pohuan për Monitor se “menaxhimi i borxhit ka plane kontigjence për përballimin e situatave të ndryshme”. Financat e pranojnë që përshkallëzimi i krizës në Greqi (që tashmë ka hyrë në një territor të paeksploruar pasi zgjodhi të votonte kundër masave shtrënguese) do të ndikojë negativisht në planet për emetimin e eurobondit.

Në strategjinë e menaxhimit të borxhit parashikohen dhe skenarët alternativë nëse qeveria dështon të dalë në tregun ndërkombëtar, ndërkohë që eurobondit të mëparshëm i mbaron afati në nëntor të këtij viti.

 

Skenari i parë

Është konceptuar si skenar alternativ i Strategjisë Bazë dhe merr në konsideratë dështimin e daljes në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për arsye nga më të ndryshmet Në një skenar të tillë është parashikuar që ri-financimi i Eurobondit ekzistent të realizohet nëpërmjet një linje krediti. Linja e kreditit parashikon një kredi në vlerën e 200-250 milionë EUR, me afat maturimi 5 vjet, por në dallim nga Eurobondi supozohet që të jetë me norma më të larta. Pjesa e mbetur për të ri-financuar Eurobondin do të financohet nëpërmjet huasë pjesërisht të garantuar nga Banka Botërore. Sipas ekspertizës së Ministrisë së Financave një skenar i kësaj natyre do të rriste kostot e shërbimit të borxhit dhe në të njëjtën kohë do të ushtronte më shumë presion në tregun e brendshëm për shkak të rritjes së financimit 7 deri në 14 miliardë lekë.

 

Skenari i dytë

Është konceptuar si rasti i skenarit më të keq të mundshëm dhe supozon dështimin e daljes në tregjet ndërkombëtare të kapitalit për rifinancimin e Eurobondit. Njëkohësisht presupozon edhe mos realizimin e huasë pjesërisht të garantuar nga Banka Botërore. Në këtë rast është menduar që rifinancimi i Eurobondit të realizohet nëpërmjet linjës së kreditit në vlerën e 300 milionë eurë, ndërkohë që do të kemi një rritje të konsiderueshme në huamarrjen e brendshme në më shumë se 35 miliardë lekë. Presioni i ushtruar nga rritja e huamarrjes në tregun e brendshëm, si edhe fakti që tregu i brendshëm gjatë vitit 2015 do të jetë më tepër i orientuar drejt instrumenteve afatshkurta bën që kjo strategji të këtë një risk ri-financimi dhe likuiditeti të lartë dhe në të njëjtën kohë të ushtrojë presion rritës mbi normat e interesit të tregut vendas. Ekspertët e financave vlerësojnë se ky skenar vlerësohet të ketë një probabilitet tejet të ulët ndodhjeje, por gjithsesi, SAMB merr parasysh dhe është e parapërgatitur edhe në rastet e ndodhjes së skenarëve të tillë ekstrem.

 

Skenari i tretë

Është konceptuar si skenar alternativ i emetimin daljen në tregun e kapitalit dhe mos sigurimin e huasë së garantuar pjesërisht nga BB. Në këtë rast me qëllim përmbushjen e objektivit për uljen e presionit të financimit të brendshëm dhe lehtësimin e kredititimit të sektorit privat, është parashikuar që emetimi i Eurobondit të realizohet në vlerën e 500 milionë euro.

(marrë nga “Monitor”)

 

Gjermania nënshkruan gjashtë marrëveshje financiare

Shqipëria dhe Gjermania kanë nënshkruar dje gjashtë marrëveshje financiare bashkëpunimi në sektorë të ndryshëm. Kryesisht marrëveshjet financiare do të fokusohen në investimin e zonave rurale, urbane, në energjetikë, në sigurinë e digave e të tjerë. Ato janë firmosur nga ambasadori i Gjermanisë në Shqipëri, Helmut Hoffman dhe ministri i Financave, Shkëlqim Cani. Ministri Cani ka falënderuar Gjermaninë për marrëveshjet që u firmosën përpara ardhjes së Kancelares Merkel në Shqipëri.

 

Marrëveshjet e nënshkruara Shqipëri-Gjermani

1-Marrëveshje për projektin e “Rifinancimit të ndërrmarjeve të vogla e të mesme në zonat urbane dhe rurale në fazën e dytë”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 10 milionë euro.

2-Marrëveshje për projektin “Energjia ujore dhe siguria e digave në kaskadën e Drinit”. Marrëveshja parashikon dhënien e një huaje deri në 20 milionë euro.

3-Marrëveshje për projektin “Eficienca energjetike – programi për sektorin e transmetimit të energjisë elektrike”. Ajo parashikon dhënien e një huaje deri në 40 milionë euro, garantuar nga qeveria shqiptare.

4-Marrëveshje për masën shoqëruese të projektit “Program në sektorin e ujit – furnizim me ujë të zonave rurale II”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 1.5 milion euro.

5-Marrëveshje për “Programin III për furnizimin me ujë të zonave rurale”. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 24 milionë euro.

6-Marrëveshje për bashkëpunimin financiar 2010, për projektin “Eficienca Energjitike përmes sektorit bankar. Marrëveshja parashikon dhënien e grantit deri në 12 milionë euro.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here