Kthim në kohën e gurit

0
91

Nga Rolf Wenkel

Nga Rolf WenkelIdeologjia ka fituar ndaj arsyes. Grekët ëndërrojnë ende se kredidhënësit do t’i ndihmojnë pa i kryer detyrimet e tyre. Por ëndrra do të përfundojë keq.

Papritur grekët votuan me një shumicë të madhe kundër reformave dhe kursimeve të propozuara nga kredidhënësit. Kompromisi u refuzua, por pa një kompromis nuk mund të ketë as ndihma financiare, pas 30 qershorit. E të mos flasim për paketën e tretë të ndihmave për këtë vend.

Ndonëse shumica e grekëve duan të mbeten në Eurozonë, duket se ata nuk e kanë të qartë se me çfarë rreziku po përballen. Greqisë i mungojnë paratë për të paguar detyriimet e saj dhe borxhet prej 3,5 miliardë eurosh ndaj BQE. Ndërkohë, vetëm BQE mund të ndihmojë këtë vend të shpëtojë nga falimentimi.

Shefi i BQE-së, Mario Draghi, mendon ndërkohë se vendet e BE-së nuk do ta mbështesin, në qoftë se ai do të ndihmojë Bankën Qendrore Greke me kredi. Në rast se këto kredi nuk jepen, ky do të ishte fundi i anëtarësisë së Greqisë në BE.

 

Edhe pak javë

E qartë është se pa marrëveshje me kreditorët, Greqia do të mund të mbijetonte vetëm edhe disa javë. Çdo ditë e më shumë qytetarët po nxjerrin me miliarda euro nga llogaritë bankare, sepse ata e kanë humbur besimin ndaj bankave të tyre. Në Greqi nuk janë të cenuara vetëm bankat, por edhe i gjithë sistemi real ekonomik, i cili vuan nga mangësia e mundësisë së pagesave. Më së largu deri në fund të korrikut, shteti do të falimentojë, sepse nuk do të ketë para për pagesat e rrogave dhe pensioneve.

Greqia mund të japë letra me vlerë, paralelisht me euron, por këto letra do të humbin vlerën shumë shpejt. Ekspertët thonë se Greqia duhet t’i kthehet dhrahmisë, me shpjegimin se kjo do të ndihmonte Greqinë që të jetë më konkurrente në tregun e mallrave.

 

Vite të rënda

Kjo mbase është e mundur, por grekët presin vite të rënda. Deri në arritjen e sukseseve të para do të kalojnë disa vite dhe kjo nuk është e sigurtë. Deri në stabilizimin e prodhimit vendor, gjërat duhet të importohen. E me një dhrahmi të dobët, kjo do të ishte gati e pamundur.

“Le Monde diplomatique” kujton me të drejtë edhe një aspekt tjetër: mundësinë e destabilizimit të plotë të këtij vendi. Futja e një monedhe tjetër mund të sjellë deri te thellimi edhe më i madh i humnerës mes të pasurve dhe të varfërve.

 

Negociatat e reja

Ky mbase është edhe shkaku pse presidentët dhe kryeministrat e vendeve të Eurogrupit kanë pranuar që menjëherë të martën të debatojnë edhe një herë gjendjen. Pushtetmbajtësit në Greqi ndoshta nuk janë fare të interesuar për euron, por e dinë shumë mirë lojën poker. Ata e dinë se BE, NATO dhe OECD kanë nevojë për Greqinë. Teatri me Greqinë do të vazhdojë edhe në verë. Për vendime të rëndësishme kërkohet pëlqimi i të gjitha vendeve anëtare. Kjo i detyron vendet anëtare që të bëjnë edhe kompromise. Por bashkëpunimi me këta kaotikët në Athinë do të jetë shumë i vështirë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here