Kreu i PD-së me kryebashkiakët/ Basha: Fitoret tuaja janë një triumf i lirisë

0
99

Jetmir Olldashi

basha me kryebashkiaket e djathteKëto zgjedhje duhet të ofrojnë zgjidhje për qytetarët. Basha hesht për “djemtë plëngprishës” të PD-së

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, u ka kërkuar të zgjedhurve vendorë të forcës së tij politike të jenë krah për krah me qytetarët dhe të dëgjojnë hallet dhe problemet e tyre. Dy prej të zgjedhurve të djathtë “sajdisën” edhe ftesën me telefon të Kryeministrit Rama, gjë për të cilën Basha heshti dhe nuk u kërkoi arsye se për se vendosën të shkonin në show-n e organizuar nga kreu i qeverisë. Lideri i selisë blu është shprehur i qartë kur ka thënë se qeverisja vendore e të djathtës duhet të jetë e distancuar nga politika dhe në shërbim të qytetarëve. Basha i ka përgëzuar për fitoren dhe: “Për këmbënguljen tuaj gjatë gjithë fushatës për t’i qëndruar me vendosmëri pikëpamjes se këto zgjedhje duhet të ofrojnë zgjidhje për qytetarët, dhe jo të jenë një ushtrim në kapjen apo mbajtjen me çdo kusht të pushtetit për interesa dhe axhenda të ngushta partiake dhe klienteliste”. Më pas, kryetari i PD-së ka theksuar mënyrën dhe rëndësinë e fitoreve të të djathtëve në kushtet që u zhvilluan zgjedhjet lokale të 21 qershorit. Ai e ka quajtur triumf të lirisë fitoren në 15 bashki të të zgjedhurve të djathtë. “Fitoret tuaja janë një triumf i lirisë dhe i bashkimit të qytetarëve, që treguan se as blerja masive e votave me paratë e krimit dhe të korrupsionit, as angazhimi i kontigjentit kriminal në mbështetje të kandidateve te qeverise, as përdorimi i pafre i dhe i paligjshëm i administratës dhe pasurive publike nga partitë në pushtet, as angazhimi i drejtpërdrejtë i shtetit me të gjithë makinerinë e tij, tatime, inspektorate, dhe në veçanti i policisë duke ushtruar presion dhe duke kërcënuar votuesit dhe mbështetësit tuaj e të opozitës, nuk ia dolën t’ju mposhtin, nuk ia dolën ta mbysnin tërësisht demokracinë në vend”. Basha ka nënvizuar tiparet kryesore me të cilat fituan kandidatët e opozitës, mes presioneve të krimit dhe shtetit sipas tij. “Ju i dhatë qytetarëve besimin dhe sigurinë se do ti shërbeni 24 orë në dite, pa asnjë dallim, duke qenë në dispozicionin e tyre për t’i dëgjuar e për të qarë hallet me ta, pa arrogancë, pa hipokrizi por me përkushtim dhe ndjenje të lartë shërbimi dhe përkujdesje ndaj tyre”. Shefi i opozitës u kujtoi të zgjedhurve se zotimet e ndërmarra në fushatë presin të përmbushen nga dita e tyre e parë si kryebashkiakë e deri në fund të mandatit. Ndërsa nuk ka lënë pa etiketuar për kundërshtarët politik dhe mënyrën e sjelljes së tyre, sipas tij. “Për fat të keq e kundërta mund të thuhet me gojën plot për palën tjetër e cila e nisi dhe e bitisi me interesa partiake dhe klienteliste. Që nga harta territoriale e cila u konceptua, u hartua dhe u vu në jetë si një Pazar elektoral. Zbritja në fushatë si kurrë më parë e krerëve të qeverisë dhe çdo strukture shtetërore gërshetuar me celulat e krimit të thirrura nën armë si asnjëherë tjetër”. Zoti Basha iu referua retorikës së fushatës të Kryeministrit Rama dhe e akuzoi rivalin e tij dhe të majtën në bllok për kandidimin e elementëve me rekorde kriminale. “Kërcënimet e pashembullta për një vend evropian nga kreu i qeverisë se vota për kandidatët e opozitës ishte një votë e çuar dëm, dhe se ata nuk i duhen as dreqit. Kandidimi i kriminelëve. Pra vendosja para qytetarëve e alternativës së drogës, dhunës, armës e vrasjeve. Dhe me gjithë kërkesat e përsëritura të partnerëve ndërkombëtarë, të ambasadës amerikane e opinionit publik, sërish Edi Rama nuk u tërhoq nga ky model, dhe ende nuk ka gjetur asnjë moment për të dhënë një shpjegim, për të dëshmuar një shenjë reflektimi, për faktin se u dha pushtet, u dha drejtimin e jetës së qytetarëve për 4 vite, personave me precedentë të rëndë penalë, përfaqësues të botës së krimit”. Kryetari i Partisë kryesore të opozitës i kërkoi kryeministrit të vendit të miratojë ligjin për pushtetin vendor dhe t’u jap të zgjedhurve decentralizimin e pushtetit. Ai u shpreh me akuza për rivalët e tij politik, të cilët donin sipas tij: “Për ta kapur pushtetin me çdo kusht e me ço mjet për ta vendosur atë si një rimorkio të pushtetit qendror u duk në mungesën e një ligji që të përcaktojë qartë kompetencat, autoritetin dhe detyrat e pushtetit vendor. Nuk e bëri ligjin ndonëse ne insistuam për dy vjet me radhë. Nuk e bëri sepse po ta kishte bërë nuk i kërcënonte dot qytetarët për votën. Nuk e bëri dhe zgjodhi sepse nuk kanë prioritet qytetarin por pushtetin”. Basha thumboi takimin e thirrur nga kundërshtari i tij politik. Ndërsa i kërkoi të lërë lojërat dhe të miratojë ligjin e pushtetit vendor. “Ftesa me telefon, pa axhendë, për shfaqje mediatike, për të vazhduar fushatën e tij të llafeve e sulmeve ndaj opozitës, ndërkohë që situate është kritike. Rama manifestoi sot se nuk respekton asnjë kryetar bashkie si të tillë, ai thjesht i trajton ata si vartës, si zgjatime të trilleve të tij. Nuk paraqiti asnjë koncept, se si do të jetë e ardhmja e bashkive, çfarë të ardhurash do të kenë ato, çfarë autonomie, cilat do të jenë kompetencat”, – theksoi Basha. Lideri i opozitës akuzoi pasardhësin e zgjedhur në krye të tiranës dhe kryeministrin e vendit se po betonizojnë parkun e kryeqytetit. Kjo gjë sipas Bashës po bëhet për të kthyer lekët e padeklaruara në fushatë klientelës së qeverisë. Kryetari i PD-së aludoi për lidhje të financuesve të fushatës me lejet e reja të ndërtimit pranë sheshit “Nënë Tereza”, në Tiranë. “Janë pikërisht interesat financiare që drejtuan fushatën e Ramës dhe kandidatit të tij të emëruar. Miliona euro, shpenzime të pahasura ndonjëherë më parë. Para të padeklaruara, me burime të panjohura, të errëta e kriminale. Por para dhe interesa që duhet ti kthehen klientelës, pikërisht me projektin e tij të betonizimit të tmerrshëm të parkut të Tiranës”. Njëkohësisht shefi i opozitës tha se të zgjedhurit lokal dhe forca politike që ai përfaqëson nuk do ti braktisë për asnjë çast edhe qytetarët të cilët nën presionin e pushtetit votuan majtas. “Partia Demokratike nuk do te braktisë për asnjë moment edhe ata qytetarë të cilët sot për shumë arsye të cilat i përmenda dhe pak më lart, që nga presioni, kërcënimi, blerja e votave, manipulimi etj, kanë sot kryebashkiakët që nuk i meritojnë dhe aq më keq dhe me rekorde kriminale. Ne do të qëndrojmë fort dhe të palëkundur në krah të tyre për të mbrojtur interesat e tyre”, – përfundoi fjalën e tij para kryebashkiakëve të sapozgjedhur kryetari i opozitës Lulzim Basha.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here