Hetimi i pasurisë/ Çështja “Agon Channel”, Luksemburgu i kthen përgjigje prokurorisë shqiptare

0
80

Francesco BecchetiAkuza kishte kërkuar nga autoritetet vendase informacione në lidhje me veprimet bankare që ka bërë pronari i Agon Channel Francesco Beccheti

Autoritetet e Luksemburgut i kthejnë përgjigje Prokurorisë së Tiranës lidhur me hetimin për pastrim parash ndaj pronarit të Agon Channel, Francesco Becchettit. Mësohet se letërporosia ka disa ditë që ka mbërritur dhe aktualisht po përkthehet nga Ministria e Drejtësisë. Më pas ky informacion do t’i vihet në dispozicion të institucioni akuzës që po heton atë që thuhet se është skema më e madhe e pastrimit të parave zbuluar ndonjëherë në vendin tonë. Sipas letërporosisë së Prokurorisë, dyshohet se Francesco Becchetti ka transferuar rreth 20 milionë euro nga Luksemburgu drejt Shqipërisë. Prokuroria e Tiranës ka kërkuar informacion për burimin e këtyre parave që dyshohet të jenë pastruar në vendin tonë nga disa kompani që Becchetti ka në Shqipëri. Grupi hetimor është në pritje të përgjigjeve dhe për tre letërporosi të tjera të dërguara në tre vende të tjera, Angli, Itali dhe Austri nga ku dyshohet se kanë hyrë dhe 80 milionë euro, për t’u pastruar më pas, sipas Prokurorisë, nga bizneset e Becchettit dhe familjarëve të tij. Fracesco Becchetti është shpallur në kërkim ndërkombëtar prej një muaji nga drejtësia shqiptare për akuzën e pastrimit të parave dhe shmangies së taksave në vlerën e 7 milionë dollarëve. Gjykata vendosi sekuestrimin e 5 kompanive të tij, përfshirë edhe Agon Channel, të cilat po menaxhohen nga shteti.

 

Becchetti: Ja nga vijnë lekët

Bosi i Agon Channel, Francesco Becchetti, ka folur nga Londra, duke thënë se nuk do të kthehet në Shqipëri, dhe se do ta përballojë nga Britania e Madhe betejën gjyqësore kundër tij pas akuzave për pastrim parash. Duke folur për të përditshmen “La Repubblica”, Becchetti, deklaron se paratë që ka investuar në Shqipëri i ka marrë nga banka të rëndësishme në Evropë, por refuzon të thotë emrin. “Ata vijnë nga një prej bankave më të mëdha në Evropë. Ka një kredi, por rezultat i një zgjidhjeje, një marrëveshje në mes të një kompanie në grupin tim dhe një banke. Unë nuk mund të zbuloj emrin, por ju them se bëhet fjalë jo më shumë se 16 transferta. Prokurori i Tiranës duhet të kontrollojë përpara se të kërkojnë arrestimin tim. “Në lidhje me televizionin Agon Channel, ai deklaroi se edhe nëse e mbyllin do ta hapin prapë, por nuk dha siguri për pagesat ndaj stafit. “Dallimi në mes Agon Channel dhe kanaleve të tjera është se frikësojmë qeverinë shqiptare. Informacioni është i lirë, ne denoncojmë korrupsionin dhe mashtrimin. Në fushatën zgjedhore ne jemi akuzuar, natyrisht. Por nuk ndalemi, ne do të shkojmë përpara. Nëse na rrëzojnë një kapanon, ne do të ndërtojmë një tjetër! Rreth 500 punonjës që punojnë në TV tim nuk duhet të heqin dorë”, – tha Becchetti. Pyetjes se a do t’i paguajë yjet që ka punësuar ai tha: “Unë nuk e di … do të shohim.”

 

Vrasja në Lezhë, 5 mijë euro kush jep informacion për autorin

 Policia e Lezhës ka vënë dje në dispozicion një shumë prej 5 mijë euro për këdo që jep informacion mbi autorësinë e vrasjes së Kristjan Markut, mbrëmjen e të dielës. Policia nuk ka ende një autor të dyshuar për ngjarjen, ndërsa deri tani janë shoqëruar 16 persona. Policia ka theksuar se garanton anonimatin e plotë të informatorit., ndërsa ka vënë në dispozicion edhe numrin e telefonit celular 0694106451. Kristjan Marku, 23 vjeç u vra me armë zjarri mbrëmjen e të dielës në lagjen “Besëlidhja” të Lezhës. I plagosur rëndë nga ngjarja mbeti shtetasi Altin Gjonaj, 38 vjeç, nga fshati Tale i Lezhës.

 

 Grupi i tritolit të Fushë-Krujës, arrestohet Erald Bami

 Policia e Tiranës ka arrestuar Erald Bamin, të shpallur në kërkim për trafik të lëndëve plasëse. Burime zyrtare bënë të ditur se Bami ka qenë i dënuar me 6 vjet e 8 muaj burg dhe ishte në kërkim nga policia e Fushë Krujës. Erald Bami është shpallur në kërkim, pas një operacioni të policisë afro një vit më parë të koduar “Detonatori”. Më 20 prill 2014 u arrestuan katër persona, dhe u sekuestruan rreth 30 kg tritol. Grupi, i konsideruar kriminal nga policia dhe pjesë e të cilit ishte dhe Bami, po hetohej për shpërthimet të ndodhura më parë në territorin e stacionit të policisë dhe Bashkisë së Fushë Krujës. Posta e policisë së Fushë Krujës ka qenë objekt sulmi tri herë vitin e kaluar.

 

“Mesnata”, arrestohen vjedhësit serialë në Vlorë

 Policia e Vlorës ka arrestuar dje dy persona, si vjedhës serialë në qytet. Burime zyrtare bënë të ditur se gjatë operacionit të koduar “Mesnata”, janë vënë në pranga Erjon Baraj, 20 vjeç dhe Endrik Kaso, 22 vjeç, të dy nga Vlora. Policia ka dokumentuar vjedhjen e plot 8 dyqaneve dhe lokaleve në zona të ndryshme të Vlorës, duke marrë sende me vlerë që shkonin deri në 700 mijë lekë. Mbi dy të rinjtë rëndon akuza e vjedhjes më shumë se një herë, e kryer në bashkëpunim. Ndërkaq, lidhur me ngjarjen, hetim në gjendje të lirë ka nisur për shtetasit Hetem Hyseni, 51 vjeç dhe Përparim Çela, 38 vjeç. Ndaj tyre rëndon akuza e përvetësimit të parave ose mallrave që rrjedhin nga vepra penale ose kriminale. Në cilësinë e provave, policia ka sekuestruar tre kompjuterë dhe një sasi të konsiderueshme atletesh, këpucësh, cigaresh etj., të vjedhura në disa njësi tregtare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here