Ambasadori Donald Lu: Futini në burg të korruptuarit! Opozita ka ekspertët ligjorë më të mirë

0
95

Jetmir Olldashi

ambasadori luuuuSot, shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme publike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen

I ashpër, i drejtpërdrejtë dhe pa dorashka është shprehur ambasadori amerikan Donald Lu në tryezën për reformën në drejtësi. Si gjithmonë në daljet e tij publike të muajve të fundit ambasadori ka folur “shqip”. “Në sistemin tuaj të drejtësisë, disa persona duhet të pushohen nga puna për korrupsion dhe disa të tjerë të çohen në burg. Në një sistem ku edhe gjykatësit bien dakord se ka korrupsion, kjo nënkupton detyrimisht se gjykatësit, prokurorët dhe avokatët duhet të bashkëndajnë që të gjithë përgjegjësinë për dhënien dhe marrjen e ryshfeteve”. Ndërsa ka përshëndetur dhe ka inkurajuar pjesën e shëndetshme të sistemit duke shprehur bindjen e tij se ka ende shpresë për një sistem gjyqësor të pastër. “Por, besoj gjithashtu se ka disa profesionistë të ndershëm, me përvojë dhe të kualifikuar që duhet të lejohen të punojnë në një sistem gjyqësor të lirë prej korrupsionit”. Ambasadori amerikan ka shigjetuar dhe trysninë politike që ushtrohet ndaj sistemit të drejtësisë. Ai u ka bërë thirrje politikanëve të qëndrojnë larg gjyqësorit. “Përveç se duhet të japë llogari për korrupsionin, sistemi juaj gjyqësor duhet të jetë gjithashtu i pavarur për t’i rezistuar trysnisë politike. Gjykatësit dhe prokurorët duhet t’i marrin vendimet të bazuar në ligjin dhe provat, e jo nën ndikimin e interesave politike ose vetjake”. Në vazhdën e akuzave për kandidatët e inkriminuar të zgjedhjeve të 21 qershorit, zoti Lu ka folur hapur para drejtuesve kryesor të ekzekutivit dhe legjislativit. “Sot, shumë personazhe të njohur të krimit të organizuar dhe zyrtarë të lartë të korruptuar të institucioneve të ndryshme publike ecin nëpër rrugët e Tiranës pa pasur frikë se do të procedohen. Në një vend të NATO-s, që aspiron anëtarësimin në BE, elitat politike dhe kriminale nuk mund të veprojnë pa u ndëshkuar”. Diplomati amerikan i ka bërë thirrje shumicës të përfshijë opozitën në reformën në drejtësi. Sipas tij: “Opozita ka interes politik për t’u siguruar që sistemi i drejtësisë të mbetet i pavarur prej ndikimeve politike. Ajo ka ekspertët ligjorë më të mirë”. Ambasadori Lu ka shprehur mbështetjen e qeverisë amerikane për reformën në drejtësi dhe ka paralajmëruar personat e inkriminuar brenda sistemit. Ne shprehim zotimin tonë për mbështetjen e këtij procesi. Dhe gjyqtarët e prokurorët e korruptuar duhet ta dinë se ndryshimi po vjen”. Ambasadori amerikan Donald Lu u përfshi intensivisht me thirrje publike edhe gjatë fushatës së 21 qershorit. Ai u bëri thirrje shqiptarëve të mos votojnë kandidatët me rekorde kriminale. Diplomati amerikan në ligjërimet e tij u investua për të ndalur marrjen e mandateve nga elementë me precedentë penal, dhe pjesëtarë të malavitës. Ditën e zgjedhjeve ambasadori zbarkoi në Vorë dhe u bë garancia që trysnia e pushtetit nuk arriti të thyente rezistencën e opozitës. Diskursi publik i zotit Lu ka kërkuar ecjen përpara në procesin e dekriminalizimit dhe largimin e personave me precedent kriminal nga jeta publike e vendit.

 

Eurodeputeti Georgios Epitideios: Zgjedhjet e 21 qershorit shkuan keq

Standardet e cenuara të zgjedhjeve të 21 qershorit nuk kanë kaluar pa u vënë re as nga eurodeputetët. Deklarata e radhës është bërë nga, europarlamentari Georgios Epitideios, i cili thotë se janë standardet evropiane të papërmbushura që pengojnë Shqipërinë. Për këtë iu referohet zgjedhjeve, sipas tij të këqija të 21 qershorit. Grekët duken të mërzitur nga sjellja e qeverisë së Edi Ramës në zgjedhje. Veçanërisht u ka tingëlluar si presion i hapur thirrja e kryeministrit se e vetmja rrugë që të kenë investime është vota për kandidatët e qeverisë dhe zemra u rreh aty ku ka zonë minoritare greke. “Ka patur një fushatë frikësuese, është ushtruar tension mbi votuesit, pengesa dhe vështirësi për votuesit gjatë votimit, kishte një fushatë propagande kundër kandidatëve që nuk ishin të pranueshëm për qeverinë, ka patur sulme në zyrat e kandidatëve. Të thotë Kryeministri se nëse nuk votohet kandidati i qeverisë banorët s’do keni as ujë për të pirë. Është një tregues i qartë, që shumë gjëra shkuan keq gjatë zgjedhjeve”, – ka përfunduar eurodeputeti Georgios Epitideios.

 

Presidenti Nishani: Lufta e Vlorës jep shembuj frymëzimi për brezat pasues

Në një ceremoni me rastin e 95-vjetorit të Luftës së Vlorës Presidenti i Republikës Bujar Nishani ka shprehur vlerësimet më të larta, si dhe ka dekoruar disa personalitete të kohës. Kreu i shtetit shqiptar në vlerësim të shembullit të tyre frymëzues në organizimin, drejtimin e luftës si dhe në mbrojtjen të lirisë e të Pavarësisë së Atdheut, vlerësoi institucionalisht me dekoratën “Nderi i Kombit” Komitetin “Mbrojtja Kombëtare” e Luftës së Vlorës 1920. Në fjalën e mbajtur zoti Nishani shprehu privilegjin që ndodhej në këtë aktivitet: “për të nderuar si dhe për të vlerësuar një ngjarje kaq të madhe të historisë së kombit shqiptar, e cila aspak për koincidencë, nisi, u drejtua dhe u përfundua pikërisht këtu në krahinën e Vlorës, e cila ka ditur gjithmonë në momentet më të vështira të Shqipërisë dhe të shqiptarëve dhe jo vetëm të atyre brenda kufijve administrativë të Shqipërisë së sotme, por të kombit shqiptar, të ishte e para për t’i dalë zot duke ofruar sakrificat më të mëdha sublime që një njeri, një familje, një komunitet mund të ofrojë për lirinë, për dinjitet dhe përparim kombit të tij, vendit të tij, qytetit të tij dhe padyshim, familjes së tij”. Veprimtaria me rastin e 95-vjetorin e Luftës së Vlorës 1920, u mbyll me një koncert, tashmë tradicional, me këngë polifonike nga grupet e Vlorës e më gjerë.

 

Ambasadori Hoffmann: Marrëdhënie të shkëlqyera mes dy vendeve tona

“Gjermania është shumë e angazhuar në Shqipëri përmes projekteve: projekte të bashkëpunimit ekonomik. Edhe në nivelin politik kemi marrëdhënie shumë të mira, me vizitën e Kancelares Merkel”, – ka deklaruar ambasadori gjerman Hoffmann për marrëdhëniet mes dy vendeve tona. Diplomati gjerman ka bërë një përmbledhje të marrëdhënieve dypalëshe dhe fushave ku kontributi ekonomik gjerman është i pranishëm intensivisht në Shqipëri. “Gjermania mbështet Shqipërinë që prej vitit 1988 në ndërtimin e një sistemi të besueshëm për ujin e pijshëm, furnizimin me energji elektrike dhe kanalizime. Gjermania gjithashtu nxit zhvillimin e një ekonomie sociale dhe ekologjike: ndërmarrjet e vogla dhe të mesme, veçanërisht në bujqësi marrin mbështetje të rëndësishme në formën e kredive, granteve, trajnimeve dhe konsulencës”. Kontributet gjermane që nga viti 1988 arrijnë në një total prej më shumë se një miliardë euro. Gjermania është një nga donatorët më të mëdhenj dhe më të rëndësishëm për Shqipërinë. Të gjitha projektet kanë për qëllim anëtarësimin e Shqipërisë në BE dhe përmirësimin e jetës së qytetarëve të Shqipërisë.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here