Ambasadorë të mençur, që nuk flasin si të tillë…

0
169

Nga Shkëlqim Selmani

zgjedhjet ne shqiperiDisa ditë më parë, dy apo tre ambasadorë të nderuar të vendeve mike e demokratike, ashtu siç kanë bërë pas çdo procesi zgjedhor në Shqipëri, folën dhe vlerësuan zgjedhjet lokale të 21 qershorit si të qeta dhe të lira e që shënuan një hap para?! Kemi 20 vjet që e dëgjojmë këtë formulim të pavërtetë, që ka ndikuar shumë negativisht te politika dhe politikanët shqiptarë e i ka bërë ata të mendojnë se sido që të zhvillohet procesi zgjedhor, monitoruesit ndërkombëtarë, për hir të gjoja stabilitetit etj., etj, do ta vlerësojnë procesin zgjedhor; një hap para?! Shumë arsye të tjera, por edhe ky qëndrim, lehtësisht i kuptueshëm si i pavërtetë, na ka sjellë këtu ku jemi dhe më e keqja ka pasoja shkatërruese, për proceset zgjedhore, edhe në të ardhmen. Pse e bëjnë këtë miqtë tanë ambasadorë të nderuar dhe shumë të mençur për të kuptuar dhe artikuluar të vërtetën tronditëse të këtij procesi zgjedhor, por edhe të të tjerëve më parë? Pse marrin përsipër përgjegjësi zhvlerësuese për veten e tyre, për të thënë fjalë e fjali të pavërteta dhe zhgënjyese për shqiptarët, që me vëmendje, dëgjojnë e analizojnë shumë më mirë e shumë më qartë se ata mendojnë? Unë nuk e kuptoj këtë, por kuptoj mirë se ky formulim i pavërtetë ka bërë të mundur që politika e mbrapshtë shqiptare të vazhdojë me votime të qeta, të rregullta, pa incidente të rënda në skenë dhe me presione e shkelje të rënda të procesit zgjedhor e deri në vjedhje e blerje të hapur të votave në prapaskenë nga partitë që janë në pushtet.

Zgjedhjet e fundit ishin më të këqijat dhe më të pistat e bëra ndonjëherë në Shqipëri, përfshi edhe ato të vitit 1991, ku presioni që ushtroi Partia e Punës ndodhi vetëm javën e fundit dhe kryesisht në fjalimin e fundit të Ramiz Alisë. Kur dëgjoj ambasadorë e vëzhgues të tjerë ndërkombëtarë që thonë se këto zgjedhje shënuan një hap para mendoj se këta na mendojnë ne shqiptarët idiotë apo janë vetë të mashtruar dhe pa informacionin e duhur. Më rezulton se ata mendojnë të parën, por i siguroj se edhe falë tyre, por më shumë falë demokracisë, që u hapi kufijtë gjeografikë për të parë botën e për të mësuar prej saj dhe kufijtë e mendimit demokratik, sot shqiptarët nuk janë ata të vitit 1990, i kuptojnë shumë mirë situatat dhe kanë guximin demokratik evropian t’ua thonë në sy se idiotë dhe të papërgjegjshëm janë ata që të keqes i thonë e mirë dhe të zezës i thonë e bardhë. Mjaft më! Shqipëria nuk është poligon stërvitjesh dhe eksperimentesh. Shqiptarët nuk janë kavie eksperimentale, por fara e qytetërimit evropian dhe për këtë të vërtetë dhe për vuajtjet e tyre prej mijëra vjetësh, të shkaktuara edhe për shkak të politikës indiferente dhe herë-herë hileqare të Evropës, ne shqiptarët dhe Shqipëria duhen të trajtohemi më me drejtësi e më me dinjitet dhe kjo mund të bëhet kur ambasadorët, monitoruesit, vëzhguesit etj., etj. ndërkombëtarë, kur flasin, të jenë të vërtetë e nëse duan të na ndihmojnë, le të marrin shembull nga ambasadori amerikan në Tiranë, zoti Donald Lu, e të mos fshihen pas fjalive diplomatike, të lëmuara e të rrumbullakosura, por të jenë të drejtë e të drejtpërdrejtë se kjo është edhe detyra e tyre shtetërore dhe morale, por edhe se vetëm kështu kuptojnë politikanët e mbrapshtë shqiptarë, e kështu ndihmohet populli shqiptar, nëse duan të na ndihmojnë vërtetë.

Përfundimisht, edhe një herë, do të ngacmoja reflektimin dhe vëmendjen e të gjithë ambasadorëve të shteteve mike e demokratike, edhe të atyre që nuk janë shprehur ende, që monitorojnë dhe duan të ndihmojnë me sinqeritet atdheun tim Shqipërinë se pavarësisht gabimeve e tolerimeve të opozitës, zgjedhjet e 21 qershorit ishin më të këqijat e më të parregulltat që janë zhvilluar ndonjëherë në Shqipëri, të vërtetuara me prova e fakte të shumta, dhe ky rezultat edhe për faj të artikulimeve tuaja të pavërteta e të padrejta pas cdo palë zgjedhjeje. Ka ardhur koha t’u themi ndal këtyre qëndrimeve dhe artikulimeve as mish e as peshk. Ka ardhur koha që politikanëve shqiptarë të mos u tolerohet babëzia për pushtet dhe mbajtja e pushtetit deri edhe me vjedhje vote, blerje vote, dhunë psikologjike dhe krijimi i një situate frike e terrori deri për bukën e gojës. Jo më, për të mirën edhe të atyre që qeverisin, por mbi të gjitha për të mirën e demokracisë dhe të shqiptarëve, që nuk e meritojnë gjendjen në të cilën jetojnë!
Specialist sigurie

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here