Lufta e Beratit

0
250

Luan Rama

Gravurë e Shqipërisë shek XVINgjarje nga historia e vjetër e Kalasë së Beratit, vendet ku janë pikëtakuar nëpër histori shqiptarët e francezët, veçanërisht kur Charles I Anjou ishte mbret i Napolit dhe i Albaniae (1272). Fragment nga libri “Kalorësit e Stuhisë” i Luan Ramës

 

Regnum de Naples et d’Albaniae

Ndërkohë, nga Helena, gruaja e Manfredit, të cilën e mbante të burgosur, Charles d’Anjou kishte siguruar zotërimin e Vlorës, meqë ajo ishte bijë e despotit të Epirit dhe Vlora ishte prika e saj. Në maj të vitit 1271, biri i tij, Philippe u martua me trashëgimtaren e principatës së Achaïe-s, në kufi me Epirin. Po këtë vit, vdekja e despotit i dha mundësi të bëhej dhe zot i Arbërisë së jugut. Në fillim, Charles d’Anjou zbarkoi në Vlorë e pastaj në Durrës. Ai donte tashmë të bënte për vete prijësat shqiptarë që ndjeheshin të kërcënuar nga trupat e perandorit Mihal Paleologut dhe mbretëria e Serbisë. Në 21 shkurt të vitit 1272, me paktin që vendosi me prijësat shqiptarë, ai u shpall mbret i Napolit dhe Arbërisë. “Durazzo, Berati, Janina e Butrinti hynë në mbretërinë e re të Charles d’Anjou”, – shkruan historiani J. Richard, që siç përmendet dhe në tekstet e kohës, Charles tashmë quhej «Carolus I, dei gratia rex Siciliae et Albaniae». Në fakt, një delegacion i krerëve shqiptarë kishin kapërcyer Adriatikun dhe ishte pritur në Napoli, në oborrin e Charles d’Anjou, për të nënshkruar paktin mes dy vëndeve. Mareshall të Albanisë, mbreti anzhuin kishte caktuar bashkëpatriotin e tij, francezin Guillaume Bernard, por njëkohësisht, ai kishte caktuar si zëvendës një komandant shqiptar apo «capitaneus Albanorum».

“Regnum de Naples et Albaniae”, u festua dhe u brohorit nga të gjithë shqiptarët. Pas caktimit të Jean de Noytel, mëkëmbësit të tij në Shqipëri, i cili u dërgua të marrë në dorëzim postin e tij në Durrës (ad recipiendum regnum Albanie), me një dekret tjetër mbretëror, Charles njohu princat shqiptarë si baronë dhe kontë, duke u dhënë tituj nderi si “inter quos barones sabatus Paulus Brana, Sevastus Petrus Leti, sevastus Petrus Messia”… si dhe duke u dhënë atyre pushtet ndaj zotërimeve që kishin patur më parë. Mbreti anzhuin angazhohej të mbronte jo vetëm zotërimet e tyre, por dhe tradicionet e jetës së tyre, mënyrën e administrimit klanik dhe të ligjeve që ekzistonin brenda vendit të Arbrit. Me ndihmat e mbretit anzhuin, menjëherë filluan forcimet e kështjellave mbrojtëse. Nga dokumentet anzhuine ne njihemi me aristokracinë e asaj kohe dhe familjet e mëdha shqiptare si Muzakajt, Blinishti, Arianiti, Skura, Zebenishti, etj, për të cilët flet në librat e tij dhe bizantologu e albanologu i njohur francez Alain Ducellier. Në një nga dokumentet e kancelarisë së Napolit që ruhen edhe sot, të cilës i është referuar dhe Theodor Ippen, apo arkeologu francez Léon Rey në revistën e tij Albania, në vitet 30’ të shekullit XX shkruhet se «në dhjetor të vitit 1274, një numër prijësish shqiptarë firmosin me guvernatorin anzhuin Norjan de Toucy një dokument sipas të cilit e njohin Charles I si sovranin e tyre. Nënshkruesit e mëposhtëm janë: Maurus, Zacharias, Georges e Demetrus Skura, Yonima, Paul Verona, Blaise, Paul Sunbramanus, Yetqüy, Pierre Misié, Blad Bletista, Pierre Clange, Tanus Bessossia, Theopia, Demeter Limios, Mensis Sona, Tanus Barbuka, Alexis Arianiti, Paul. Të gjithë këta prijësa vinin me siguri nga krahinat e Krujës, Elbasanit dhe territoret e tyre… » Një vit më vonë, më 1273, mbreti Charles d’Anjou, përmes nje «bulle d’or», «i dhuroi senjorit Paul Gropa (Pal Gropës) fshatrat e Radicis majoris, Radicis minoris, Cobocheste, Zuadigoriza, Sirclani dhe Vraye, Zessica, në luginën Ebu. Familja Gropa e kishte qëndrën e saj në Ohër dhe Jireçek dhe kërkonte fshatra në luginën e Devollit, pasi autoriteti i tyre shtrihej edhe në Dibër…» Theodor Ippen përmënd gjithashtu dhe emrat e një numri guvernatorëve anzhuinë në Shqipëri sipas regjistrit «Dokumentet napolitane», “Gazone Chinardo (1269), Anseau de Cayeux (1273), Jean de Bussy (1274), Narjon de Toucy, Guillaume de Bernard (1275), Jean de Vaubecourt (1277), Hugues de Sully le Rousseau (1279), Giovanni Scotto (1281), Guillaume Bernard (1283), Guy de Charpigny (1294), Ponzard de Tournay (1294), Simon de Mercey (1296), Guillaume de Grosseteste (1298), Geoffroy de Port (1299), Rinieri de Montefuscolo (1301)

Edhe studjuesi italian Françesco Tajani, në librin e tij Storie Albanesi, të botuar në Salerno më 1886, duke folur për anzhuinët në Shqipëri përmënd zotërimet e princave shqiptarë. Balshajt kishin zonën midis Krujës dhe Lezhës, Dukagjinët kishin krahinat mbi lumin Drin, Zakariajt kishin qytetin e Danjës dhe Zadrimën, Pjetër Spani kishte Drishtin, ndërsa Kastriotët, Dibrën. Me tu bërë dhe mbret i Arbërisë, Charles d’Anjou i dha për ndihmë Gazzo Chinardi-t, si «vicaire-général», një gjykatës si dhe një oficer finance. Madje në Durrës erdhi dhe një trupë saraçenësh nga Lucera e Italisë së Jugut, të cilët «patën lidhje simpatie me banorët dhe marrëdhënie të ftohta me qeveritarët anzhuinë», na shkruan një kronist. Ky pra ishte bashkimi i parë i princave shqiptarë që përfshinte territore nga malet Akrokeraune në jug të Vlorës e gjer në gjirin e Drinit, nga gjiri i Vlorës e në Lezhë, duke përfshirë gjithë bregun e Shqipërisë qëndrore dhe meridionale. Në një dokument të mëvonshëm, që mban datën e vitit 1274, shkruhet se «përfaqësuesit e fisnikëve shqiptarë, bujari Gjin Muzaka dhe sebasti Pal Gropa, zot i Dibrës, kanë shkuar në Durrës për të takuar mëkëmbësin e mbretit anzhuin».

Bashkimi me Charles d’Anjou solli njëkohësisht ekspansionin e kishës katolike, e cila më parë kishte vuajtur dhe ishte cënuar fort nga influenca bizantine. Ai madje u premtoi peshkopëve shqiptarë të kishës ortodokse se do t’i respektonte ritet e tyre, por me kusht që të shkëputeshin nga tutela e Kishës së Konstantinopojës. Kjo atmosferë e përplasjes midis dy kishave kristiane, katolike dhe ortodokse, vihet re dhe në dorëshkrimin e vitit 1308, të quajtur më vonë Anonimi i Gorkës, i cili e përshkoi tokën e Arbërit, ashtu siç kishte përshkuar Lindjen e Afërt e Mesdheun. Ai shkruan në këtë dorëshkrim se «këta banorë (pra arbërit) «nuk janë as tamam katolikë, as tamam skizmatikë… po të dilte një njeri që t’ua parashtronte fjalën e Perëndisë, do të bëheshin tamam katolikë, sepse prej natyre ata i duan katolikët…» Në këtë dorëshkrim shkruhet se një pjesë e mbretërisë së Arbërit, bashkë me qytetin e Durrësit, ishte nën pushtetin e princit Philippe de Tarente, birit të mbretit të Napolit e Siçilisë, në aleancë me princat shqiptarë. Shkruhet gjithashtu dhe për zona të tjera autoktone që ishin më vete e që sundoheshin nga princat lokalë, pa qënë të ndërvarur nga fuqi të tjera, siç ishin anzhuinët, bizantinët apo serbët. Si të tillë përmënden zonat e Dibrës, Tomorricës, Këlcyrës, Pultit, etj, një e dhënë kjo që tregon se një pjesë jo e pakët e trojeve arbënore qëndronte e pavarur me prijësat e saj autoktonë. Madje bizantologu Alain Ducellier, në studimin e tij Bizanci dhe bota ortodokse,[1] shkruan se «Që nga shekulli i XII, shqiptarët dominonin Shqipërinë aktuale dhe Maqedoninë perëndimore që sot ne e quajmë Kosovë. Ndryshe nga invazioni bullgar i vitit 1230, që ishte veçse një episod, ekspansioni serb më 1217, arriti gjer në Pejë, aq sa preku dhe Durrësin më 1295 dhe mundi të komandonte të paktën gjer në vitin 1304».

Në vitin 1274, duke përfituar nga rrethanat dhe për të bërë një diversion ndaj Charles d’Anjou-së, Mihal Paleologu nisi disa trupa dhe rrethoi Durrësin, por trupat e Charles d’Anjou-së që u nisën me shpejtësi drejt Durrësit, bënë që bizantinët të tërhiqen menjëherë. Për herë të tretë Charles d’Anjou u pengua që t’i sulej Konstantinopojës për ta pushtuar atë. Kësaj rradhe, shkak ishte thyerja e flotës së tij nga flota bizantinase e komanduar nga lombardi Licario, një strateg i shquar si dhe greku Filantropenos. Por ai që e pengoi më shumë ishte papa Gregoire me politikën e tij të ripajtimit të dy selive të shenjta, asaj katolike në Romë dhe asaj ortodokse në Konstantinopojë. Po më 1274 u mbajt Koncili i Lyon-it, i cili duhej të hidhte bazat e këtij ripajtimi. Kjo ngjarje e shpëtoi Paleologun nga sulmi anzhuin. Megjithatë, Paleologu përgatitej për një sulm të mundshëm e të papritur dhe për këtë i duhej të përgatiste më shumë ushtrinë si dhe të zgjeronte influencën në territoret që tashmë kishin hyrë nën kontrollin anzhuin, siç ishin territoret e Arbërit, të principatës së Achaie-s dhe despotatit të Epirit. Pikërisht në këtë kohë, Berati u sulmua dhe u pushtua nga trupat e perandorit bizantinas, por anzhuinët dhe shqiptarët e çliruan sërrish qytetin po atë vit. Po kështu, bizantinët kishin rrethuar dhe Vlorën e Durrësin, ku qëndronte kapiteni anzhuin Narjot de Tourcy, por duke parë qëndresën e anzhuinëve dhe shqiptarëve, bizantinët ishin tërhequr.

Në vitin 1277, Charles d’Anjou u nis drejt Palestinës, pasi nga Marie d’Antioches, ai kishte blerë titullin “mbret i Jeruzalemit”, edhe pse ajo nuk e kishte pritur miratimin e Papës për këtë gjë. Por Charles d’Anjou ishte më i fuqishëm se Papa. Pasi çliroi Shën Joanin e Akrës, ai u bë një nga figurat e fuqishme që ndërmjetësoi midis muslimanëve dhe tempullarëve e kryqtarëve të tjerë kristianë. Kurora e Jeruzalemit ishte e rëndësishme në sytë e gjithë kristianëve të botës, por zotërimet e reja përfshinin gjithashtu edhe qytetet e njohura si Tyr, Tripoli dhe Shën-Joani i Akrës.

Në kthim nga Palestina, Charles d’Anjou dërgoi atje në emër të tij si «bailli» (bail), kontin Ruggero Sanseverino. Por mëndja e tij ishte gjithnjë me idenë e një zbarkimi drejt Adriatikut dhe marshimi mbi Konstantinopojën. Duke parë forcën e tij, perandoria bizantine kërkoi të bënte për vete prijësat shqiptarë dhe disa prej tyre arriti t’i bënte, çka shkaktoi zëmërimin e Charles, i cili disa prej tyre dhe i burgosi. Një vit para betejës së famshme të Beratit, ishte kapiteni Johan Skoto, i cili me urdhër të mbretit Charles, çoi si të burgosur drejt kështjellës së Brindizit disa fisnikë shqiptarë si, kasnecin Blinishti dhe vëllain e tij Guljelm Blinishti, Dhimitër Zogu-n, si dhe kreun e familjes së famshme Muzaka, Gjin Muzaka, të cilësuar si «tradhëtarë», «preditores nostros parcium Albaniae». Ndërkohë, ai e forcoi akoma më shumë aleancën me Serbinë, përmes martesës së kushërirës së tij, Helene d’Anjou me mbretin serb Urosh I, martesë nga e cila lindi Urosh II. Helena e ruajti fenë e saj katolike edhe pse hyri në një mbretëri të fesë ortodokse. Madje ajo iu përkushtua ndërtimit të vëndeve të kultit katolik në brigjet e Dalmacisë gjer në veriun e Arbërisë, ku ende dhe sot gjënden gjurmët e veprave të saj.

Napoli atë kohë ishte një nga kryeqëndrat më të dëgjuara të Evropës, ku Charles d’Anjou kishte organizuar një shtet të mirëfilltë e modern, me një këshill rreth tij, të quajtur «Magna regia Curia»,[2] Napoli ishte një kryeqytet jo vetëm i politikës dhe diplomacisë, por dhe i kulturës, artit, i gjuhës latine e franke. Duke qënë vetë natyrë artisti, Charles ishte edhe mecen i arteve, duke afruar rreth oborrit mbretëror personalitete të njohura dhe të shquara të kohës. Madje atje u krijua dhe një «scriptoria», ku nën udhëzimin e tij filloi përkthimi i teksteve të rëndësishme të botës arabe si dhe i teksteve të vjetra për mjeksinë. Pikërisht atje u shkrua nga skribët dhe Traktati i Mjeksisë (Traité de Medecine), i ruajtur sot në Bibliotekën Kombëtare të Francës, i ilustruar me miniatura, siç bënin atëherë skribët me tekstet laike apo mesharët e shkruar në shkronja ari dhe argjendi. Po kështu, nga ajo periudhë ka mbetur dhe teksti tjetër i famshëm Chansonier, me poezi dhe këngë të shkruara nga vetë Charles d’Anjou dhe të ilustruara nga skribë të njohur. Skribët jetonin jo larg pallatit mbretëror, në banesën që quhej «platea Salliti». Në oborrin e tij në Napoli kishte bardë që këndonin këngë epike. Njëri nga ata quhej Musart. Krahas mikut të tij të vjetër, poetit Adam de la Halle, i cili ka lënë të shkruar poemën e gjatë kushtuar atij, Du Roi de Sizile, ai mbante pranë dhe poetin italian Sordello. Ai e vlerësonte aq shumë kulturën, saqë kur ishte senator i Romës, donte të themelonte atje një universitet, i ngjashëm me atë të Sorbonne-s në Paris.

Historiani Giovanni Villani, duke shkruar rreth figurës së Charles d’Anjou, nënvizon se «Charles ishte një njeri i mënçur, një tip kreshniku, i ashpër me ata që ia kishin frikën. Ishte besnik në premtimet e tij dhe i ndershëm si një murg, një katolik i devotshëm dhe një njeri i Drejtësisë. Ishte shtatlartë e muskuloz dhe me një lëkurë në ngjyrë ulliri. Kishte një vështrim të ashpër si dhe një hundë të gjatë. Ai kishte një pamje sovrani më shumë se çdo princ tjetër. Flinte pak dhe e kishte zakon të thoshte se «gjumi ishte një kohë e humbur». Ishte bujar ndaj ushtarëve, por i pangopur për të zgjeruar territoret e tij

***

Më 1279, sipas kronikave të kohës, në krye të një ushtrie të madhe, Charles d’Anjou dërgoi në Shqipëri besnikun e tij, Hugues de Sully, ku me ndihmën e trupave shqiptare, të cilët do të bashkoheshin me të, të çlironin sërrish Beratin e pushtuar nga trupat e Bizancit. Hugues de Sully, i quajtur nganjëherë dhe Hugues le Roux de Sully (i Kuqi), zbarkoi së pari në Spinaricë, në Zvërnecin e sotëm, diku në derdhjen e Vjosës, port që prej kohësh përdorej nga bizantinët. «Marrja e Beratit, – shkruhet në tekstin Historia shqiptare, – do të çlironte nga presioni bizantin bazat bregdetare të anzhuinëve (Vlorën, Durrësin) dhe do të krijonte kushtet për përparimin e ushtrive të Karlit Anzhu në brendësi të vendit. Është për këto arsye që Karli I i shkruante komandantit të ushtrisë anzhuine në Shqipëri se “nuk mund ta shprehte me fjalë rëndësinë që i jepte pushtimit të kështjellës së Beratit” (ad captionem castri Bellgradi, que ultra quamdici valeat cordi nostro residet). Në prag të mësymjes, Karli I Anzhu konfirmoi aleancat me Serbinë e me Despotatin e Epirit. Despot Niqifori I iEpirit, u shpall vasal i mbretit anzhuin dhe i dorëzoi këtij kështjellat e Butrintit, të Sopotit e të Porto-Palermos. Por para së gjithash Karli I bëri një përpjekje të re për t’i rregulluar marrëdhëniet me shqiptarët e për t’ishkëputur këta nga bizantinët. Në këtë kuadër Karli I liroi nga burgjetitaliane një numër krerësh shqiptarë kryengritës, mes të cilëve Gjin Muzakën, i cili mbahej në burgun e kështjellës së Brindizit së bashku me Dhimitër Zogun, Kasnecin Guljelm Blinishtin. Karlit I Anzhu i erdhën kërkesa të përsëritura nga fisnikët shqiptarë për të liruar Muzakën, pasi me sa duket, Gjin Muzaka gëzonte pozitë e autoritet të veçantë dhe nëpërmjet tij mbreti anzhuin u përpoq të ndikonte mbi krerët shqiptarë. Ndërkohë që ushtria e Hugo de Sully,e përforcuar nga kontingjentet e ardhura nga Durrësi, Vlora e Butrinti, kishte mbyllur rrethimin e Beratit, shqiptarët anti-anzhuin sulmonin kështjellat e anzhuinëve në bregdet, duke detyruar vetë komandantin anzhuin t’i shpërqëndronte forcat e të niste përforcime në drejtim të atyre kështjellave”.

Kasnecë të shumtë u nisën nga Berati në Konstantinopojë të informonin perandorin Mihal Pelologu VIII për gjëndjen e vështirë. Garnizoni i Beratit, i komanduar nga Mihal Engjëlli (Ange), dhëndri i perandorit, ishte i vogël e i mbrojtur mirë, me ushtarë të sprovuar. Megjithatë, perandori e dinte se nëse binte Berati, për pak javë anzhuinët mund të mbërrinin në Selanik dhe që andej do të mësynin drejt Konstantinopojës. Kështu, ai nisi me urgjencë një ushtri të kryesuar nga nipi i tij Mihal Tarkaniotes, i cili do të mbërrinte në malet shqiptare në mars të vitit 1281. Prej disa muajsh, pas një lufte të vazhdueshme dhe duke përparuar gjithnjë, anzhuinët kishin arritur të afroheshin deri në lagjet e jashtme të qytetit, pra që në dhjetor të vitit 1280. Madje ata kishin dhe makineri luftarake që t’i përdornin për sulmin, meqë kështjella e Beratit ngrihej mbi një faqe shkëmbore, çka ishte vështirë të pushtohej. Por beteja e vërtetë mes anzhuinëve dhe bizantinëve do të zhvillohej në pranverë të vitit 1281.

Hugues de Sully, shtatlartë dhe me flokët e tij të kuqe,të lëshuara mbi supe, ishte në anën tjetër të lumit Osum, ndërkohë që përballë tyre, u vendosën në anën tjetër trupat e ardhura nga Konstantinopoja. Komandanti bizantin Tarkaniotes, bëri gjoja se do të tërhiqej dhe një çast pararoja anzhuine,bashkë me prijësin e tyre, u sulën përpara. Por gjatë përleshjeve të para,Hugues ra nga kali dhe bizantinët e kapën rob. Kur morën vesh këtë, ushtria anzhuine u sul drejt bregut tjetër që të shpëtonte prijësin e tyre, por atje u gjetën në pritë dhe të hutuar nga goditja u shpërndanë. Rreth kësaj beteje,historianët e mëvonshëm i janë referuar përgjithsisht shkrimeve të Georges Pachymères, i cili thotë se pas kësaj beteje, Charles d’Anjou-së i mbeti vetëm Durrësi, Butrinti dhe Himara. “Robi gjigand i lidhur me hekura Hugues de Sully, u nxorr në rrugët e Konstantinopojës,por më pas në sajë të një shumë e madhe, ai mundi të kthehej në Pulje. Por ndërkohë, forcat e tjera ia kishin mbathur drejt brigjeve shqiptare, Durrësit,Kaninës dhe Vlorës. “Kalorësit latinë,- shkruan John Julius Norwich, në librin e tij Historia e Bizancit, – kishin mburoja të rënda dhe ishin të mbrojtur nga shigjetarët bizantinë, por ata u vranë kuajt me shigjeta, duke sjellë që pjesa më e madhe e ushtrisë anzhuine të vritej dhe të kapej rob”. Nga ana e tij, historiani Marin Sanudo Torsella, shkruan se bizantinët i ndoqën anzhuinët gjer në Vlorë, ku ishte kapiteni anzhuin Drivon de Vallibus, pikërisht ai që kishte mbajtur pak kohë më parë si peng djalin e Andrea Muzakës, por që ishte liruar me urdhër të Charles d’Anjou-së.

Duke iu referuar këtij momenti historik, në librin e tij Rënia dhe vdekja e Konstantinopojës, historiani Jean Heers shkruan: “Më 1281, ushtria e Charles d’Anjou, me 200 kalorës dhe 6.000 ushtarë këmbësorë nën komandën e Hugues de Sully ndërmorrën sulmin në drejtim të territoreve që ishin në duart e grekëve të Bizancit, por ata u thyen nga bizantinët e Mihal Tarkaniotes para fortesës së Beratit. Për të festuar këtë fitore strategjike, Mihal Paleologu porositi mozaikun e hyrjes së pallatit Blanchernes, ku t’i bëhej jehonë kësaj ngjarje të madhe…”

Në vitet e mbretërimit të tij dhe në Arbëri, Charles d’Anjou filloi të favorizonte më shumë elementin e huaj sesa vëndas në drejtimin e pushtetit, edhe pse ai kishte ndarë jo pak ofiqe. Në qytetet e Arbërisë drejtonin më shumë fisnikë frankë e italianë, sesa shqiptarë. Kishte gjenovezë, qytetarë nga Piza, nga Firence,Katalonja, etj. Ndoshta sepse ai kishte më shumë besim tek ata, sesa prijësit vendas,të cilët ndoshta një ditë mund t’i kthenin krahët. Me thyerjen në bedenat e kështjellës së Beratit dhe sulmin e furishëm e të papritur bizantin, mori fund dhe ëndrra e Charles d’Anjou për të sulmuar e pushtuar Konstantinopojën. Atij imbetej veçse të konsolidonte mbretërinë e tij nga Siçilia e Napoli,në brigjet shqiptare e Moré, si dhe në tokat e shenjta latine të Orientit…

 

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here