Analiza e zgjedhjeve në grupin e PS-së/ Mesazhi i Ramës: Në darkën e Surrelit s’ka vend për të gjithë. Në fushatë na tradhtuan drejtorët tanë, na mbështetën ata të PD-së

0
93

Gëzim Saliu

rama ne grupPas dy vitesh pa mandat të strukturave të PS-së, Rama vendos të mbledhë Asamblenë në shtator dhe Kongresin në dhjetor. A do të votohet për kreun e ri të PS-së?

Në mbledhjen e grupit parlamentar socialist, Kryeministri Rama paralajmëroi dje marrjen e masave për një sërë drejtorësh të emëruar nga ana e të majtës në qytete të ndryshme të vendit, pasi, sipas tij, ata nuk dhanë ndihmën e kërkuar në fushatën elektorale për zgjedhjet e 21 qershorit. Në fjalën e tij të parë para grupit kuvendor pas fitores në zgjedhje, kreu i qeverisë vlerësoi rezultatin e arritur në shumë bashki të vendit, duke deklaruar se në disa zona deputetët ia kanë dalë të fitojnë bindshëm, por shprehu rezerva për disa zona të tjera, ku PS humbi, madje edhe në bastione. Në këtë pikë, kryesocialisti mësohet se ka pohuar se faktor ndikues ka qenë edhe indiferenca e treguar nga ana e drejtorëve të administratës të emëruar nga PS-ja. “Në disa qytete drejtorët tanë nuk treguan gatishmëri për të ndihmuar për fushatën elektorale, gjë e cila rezulton relativisht në raport të kundërt me drejtorët e emëruar nga PD-ja dhe të mbajtur në administratë nga ana jonë. Këta në pjesën më të madhe të tyre e bënë punën”, – mësohet të jetë shprehur Rama në mbledhjen e grupit të mbajtur me dyer të mbyllura për mediat. Po ashtu, Kryeministri nuk ka ngurruar të përcjellë mesazhin e mbajtjes së përgjegjësive për zgjedhjet edhe tek deputetët e ministrat, ku përmes ironisë për darkën që ai pritet të shtrojë në shtëpinë e tij në Surrel, bëri të qartë se një pjesë e tyre nuk do të jenë të ftuar aty. “Për darkën, kur të vijë ftesa, ma konfirmoni do vini apo nuk do vini, se fshat i vogël është Surreli dhe nuk ka për të ngrenë për të gjithë”, – tha ai.

 

Zgjedhjet në PS

Ndërkaq, një tjetër lajm i mbledhjes së grupit parlamentar ishte edhe lajmërimi i Kryeministrit për mbajtjen në shtator të Asamblesë Kombëtare për riorganizimin e partisë si edhe finalizimin e procesit përmes punimeve të Kongresit në dhjetor të këtij viti. Kur kanë kaluar më shumë se dy vite nga skadimi i mandatit të të gjitha strukturave të Partisë Socialiste, duke përfshirë edhe vetë kreun e saj Rama, duket se ky i fundit është “ndërgjegjësuar” për mbajtjen e këtyre zgjedhjeve, kjo edhe si pasojë e kritikave të vazhdueshme brenda radhëve. Deputeti Ben Blushi, i cili mungoi dje në mbledhjen e grupit parlamentar, ka qenë një ndër zërat më kritikë lidhur me këtë pjesë, duke denoncuar me forcë shkeljen e statutit për mosmbajtjen e zgjedhjeve në parti si edhe mosmbledhjen e forumeve për një kohë të gjatë. Por ndërsa në shtator me shumë siguri strukturat drejtuese do të përfshihen nga procesi i zgjedhjeve, nuk dihet nëse të njëjtin fat do të ketë edhe kryetari i partisë. Rama shpeshherë i është shmangur kësaj pyetjeje duke deklaruar se në partitë e mëdha në Evropë, kur forca fiton dhe kreu i saj zgjidhet Kryeministër, nuk ka domosdoshmëri për zhvillimin e zgjedhjeve për kryetarin e partisë. Por në mendim krejt të kundërt ka qenë anëtari i kryesisë së PS-së, Blushi, i cili ka theksuar se Rama ka shkelur statusin e PS-së, duke mos zhvilluar zgjedhjet për kryetar që para dy vitesh. Nga ana tjetër, në mbledhje, Kryeministri nuk ngurroi t’u kujtonte deputetëve se pushimet nuk kanë filluar ende, duke kërkuar angazhim maksimal në jetën parlamentare. Sipas Ramës, prioriteti i shpallur në ceremoninë e 24-vjetorit të PS-së për zgjerimin e partisë me 150 mijë anëtarë realë brenda vitit të ardhshëm duhet të përmbushet përmes angazhimit si të deputetëve ashtu dhe të gjithë strukturave të partisë.

 

Mesazhet e Kryeministrit për përgjegjësitë e zgjedhjeve

– Në disa qytete drejtorët tanë nuk treguan gatishmëri për të ndihmuar për fushatën elektorale. Drejtorët e emëruar nga PD-ja dhe të mbajtur në administratë nga ana jonë në pjesën më të madhe të tyre e bënë punën.

– Për darkën, kur të vijë ftesa, ma konfirmoni do vini apo nuk do vini, se fshat i vogël është Surreli dhe nuk ka për të ngrënë për të gjithë. S’do jeni të gjithë të ftuar.

– Në shtator thërrasim Asamblenë Kombëtare, ku do të bëjmë analizën e plotë të zgjedhjeve vendore të 21 qershorit si edhe do mbyllim procesin e riorganizimit të partisë. Në dhjetor përfundojmë të gjithë procesin me mbajtjen e Kongresit.

 

Me vëzhguesin e ODIHR-it/ Dule: Zgjedhjet e 21 qershorit si vallja e Echternach-it, 2 hapa para dhe 3 hapa mbrapa

Kryetari i Partisë Bashkimi për të Drejtat e Njeriut, Vangjel Dule, priti dje në një takim përfaqësuesin e Misionit të Vëzhgimit të Zgjedhjeve të OSBE/ODIHR-it, Andrew Bruce. Pas falënderimit të kontributit të veçantë të Misionit të OSBE/ODIHR-it, Dule theksoi se në vlerësimin e tij dhe të partisë që ai drejton, këto zgjedhje ishin 2 hapa para dhe 3 hapa mbrapa si vallja e Echternach-it. Në këtë kontekst, Dule u ndal në problematika të hasura gjatë procesit zgjedhor ku u konstatuan precedentë antiligjor duke pasur përballë struktura qeveritare si dhe struktura shtetërore të cilat u implikuan në këtë proces”. Fakte, si blerja masive e votës, retorika ekstreme nacionaliste, mos përputhja e vulave të sigurisë si dhe shkeljet të tjera flagrante që sollën diferenca të theksuara midis votave për kryetar dhe atyre për këshillë, çuan tjetërsimin e rezultatit të zgjedhjeve”, – tha ai.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here