Ditëlindja e 24-t e PS-së/ Ben Blushi injoron festën, fatos Nano refuzon. Opozita dërgon sërish Tritan Shehun

0
282

Gëzim Saliu

Mbeshtetes te PS, gjate ceremonise se 24 vjetorit te themelimit te Partise Socialiste te Shqiperise, organizuar ne ambientet e Teatrit Kombetar.	/r/n/r/nSupporters of Socialist Party during the 24th anniversary ceremony of the founding of the Socialist Party of Albania, organized in the premises of the National Theatre.

Pakënaqësi me socialistët, Meta në festën e PS-së: Po flisni në emër të atyre mbi 1 milion shqiptarëve që votuan ASHE-në? Në këtë 24-vjetor kemi marrë rezultate të papara

Partia Socialiste festoi dje në ambientet para Teatrit Kombëtar 24-vjetorin e themelimit të saj, ceremoni së cilës iu shtua edhe fitorja në zgjedhjet vendore të 21 qershorit. Në ambientet ku mbizotëronte ngjyra vjollcë, mikpritës të miqve ishin ministrat Blendi Klosi e Lindita Nikolla si edhe nënkryetari Taulant Balla, të cilët ishin vendosur në pjesën e përparme të Teatrit dhe pas tyre qëndronin dy ekrane me urimin për PS-në. Në festën e socialistëve ishin të pranishëm krahas deputetëve të kësaj force e të zgjedhurve vendorë të ASHE-së, edhe aleatët e PS-së si kreu i LSI-së Ilir Meta, ai i FRD-së Bamir Topi, kryetari i PDS-së Paskal Milo si edhe “i rikthyeri” Skënder Gjinushi. Ndonëse ishte “i kërkuari” kryesor nga mediat ashtu si Rama, Meta nuk la mëdyshje në fjalën e tij para festës së PS-së, duke pohuar se bashkëpunimi vazhdon më së miri. I pyetur nëse ka keqkuptime pas zgjedhjeve vendore ai pohoi: “Pse ju po flisni në emër të atyre mbi 1 milion shqiptarëve që votuan ASHE?” Ndërkohë, në festë ra në sy prania e ish-ëve si Arben Malaj, i cili ende është ende në marrëdhënie të ngrirë me Kryeministrin Rama apo edhe ajo e Ndre Legisit, që ka luajtur një rol parësor në FRESH. Nga ana e saj opozita, sërish si në 2013-ën zgjodhi të përfaqësohej në ceremoni përmes Tritan Shehut, i cili nuk u la pa falënderuar nga kreu socialist Rama. Ndërkaq, në këtë ceremoni u vu re mungesa e deputetit socialist Ben Blushi, i cili së fundmi ka folur shpesh për mungesën e zgjedhjeve në parti, për detyrimin e mbledhjes së forumeve apo edhe për respektimin e statutit. Anëtari i kryesisë së PS-së ka pasur një përplasje të fortë me Kryeministrin dhe njëkohësisht kreun e forcës më të madhe në vend, Rama, për këto çështje, gjë e cila ndikoi dje edhe në mos praninë e tij në festën e partisë ku bën pjesë prej shumë vitesh. Po ashtu në festime mungoi edhe lideri historik i PS-së, ish-kryeministri Fatos Nano, i cili sërish refuzoi ftesën e Ramës për t’u bërë pjesë e ceremonisë përkujtimore të lindjes së partisë që ai vetë e drejtoi për vite me radhë. Ndërkaq, një prej njerëzve të tij të ngushtë, Ylli Dylgjeri, shkruante dje në FB: “Pyetjes, a do jeni pjesëmarrës në festimet e 24-vjetorit të themelimit të PS, z. Nano iu përgjigj shkurt: Po pres 25 vjetorin…”

 

Fjalimi i Ramës

Në ceremoninë e PS-së, Kryeministri Rama mbajti fjalën e rastit ku përmes batutave falënderoi mbështetësit e forcës më të madhe në vend, por edhe aleatët. Po ashtu një falënderim të veçantë ai ia dërgoi edhe kreut të PD-së, Lulzim Basha, duke mos kursyer ironinë ndaj rivalit politik. “Gëzuar ditëlindjen edhe kreut të opozitës, që e ka ditëlindjen në një datë me PS-në, se edhe këtë herë nuk e falënderova në kohën reale. Doja ta falënderoja personalisht jo për fitoren tonë, por për referendumin që ndërmori personalisht. Jo se qytetarët janë të lumtur me qeverisjen, por e refuzojnë kategorikisht opozitën pa vizion derisa të vijojë e të thotë kam një alternativë të re për atë që dështoi me 1 milion shuplaka”, – tha Rama. Më tej në fjalën e tij, kreu socialist bëri thirrje për një hapje të re të PS për shtuar numrin e anëtarëve të partisë më të madhe në vend. “Koha për një hapje të PS në çdo qytet dhe fshatë është ideale. Le ta bëjmë PS përgjatë këtij viti, mes një ditëlindjeje dhe një përvjetori jubilar, një hapësirë të re për forca, mendësi dhe mundësi të reja që vijnë nga të gjitha territoret e Shqipërisë dhe jashtë saj”, – theksoi Rama. Pas mbylljes së fjalës së tij, Kryeministri iu drejtua direkt tavolinës së parë ku qëndronte aleati kryesor Ilir Meta dhe bashkëshortja e tij Monika Kryemadhi, me të cilët trokiti gotat dhe shkëmbeu fjalët e rastit. Më pas Rama zhvilloi një “tur” takimesh me të pranishmit në festë, ku nuk ngurroi të bënte “selfie” si me të rinjtë ashtu edhe me anëtarët tradicionalë të PS-së. Ishte kreu i PS-së, që pasi iu rikthye edhe një herë tavolinës së parë, ku po diskutonin Meta, Majko dhe Ruçi, u largua nga festa së bashku me bashkëshorten. Këtë herë kreu i LSI-së ndryshe nga festa e kaluar e socialistëve, jo vetëm që nuk u largua më herët, por ishte ai që thuajse bëri “mbylljen” e saj së bashku me deputetët socialistë Balla e Klosi.

 

Batutat e Ramës

Për Pandeli Majkon: “Gjysmës së shekullit i afrohet edhe Pandi, megjithëse ka pothuajse çerek shekulli që duket sikur e ka mbushur gjysmën e shekullit”.

Për Gramoz Ruçin: “Ndërsa Gramozit duket sikur i ka rënë për pjesë ilustrimi i atij vargut, “vitet tutje, ti tëhu”, të cilit unë do t’i shtoja “të tjerët vejnë e vijnë, ti mbete këtu”.

Për Arta Daden: “Nuk e di a është Arta, se do të ikte jashtë, por në qoftë se është, Arta mos u nxeh, nuk e diskuton njeri që edhe ti këtu je dhe tek “këtu”-ja hyn, jo tek ata që vejnë e vijnë”.

Për Erjon Braçen: “Bashkë me Erjon Braçen, pa diskutim, që duke përfituar nga gjatësia, ecën më shpejt dhe konsumohet më ngadalë”.

Për Ilir Metën: “Fituam së bashku, që të gjithë dhe nuk fituam vetëm, por edhe me socialistët e Ilirit, i cili vazhdon heq peshë nga vetja për t’ia shtuar LSI-së”.

Për Shpëtim Idrizin: “Me çamët e Shpëtimit që në çdo palë zgjedhje na jep me sukses provën e devizës së tij “çam nuk lind po bëhesh”.

Për Bamir Topin: “Me demokratët e Presidentit Topi, që këtë herë fitoi, sepse besoi tek shprehja “trimi i mirë me shokë shumë”.

Për Skënder Gjinushin: “Sikur Skënderi, që i ka mësuar si të joshin sedërlinjtë tanë, të mos kishte dalë këtë herë dhe i vetëm trim në luftë, s’do të kishte mbetur asnjë sedërprekur nga tanët jashtë trenit të gjatë të fitores”.

Për Spartak Ngjelën: “Ju detyrohem një bluzë nga të miat me numër 23, në kujtim të fitores dhe në vend të fjalës së urtë “qengji i butë pi dy nëna”. Përveç avokat Ngjelës, natyrisht, që nuk ishte qengj, as në moshën e qumështit dhe ka edhe ai kontributin e vet në këtë fitore, si anëtar unikal i koalicionit”.

 

Për Kurbinin/ KQZ pranon kërkesën e PD-së për përsëritjen e zgjedhjeve: Do ta shqyrtojmë nesër në mbledhje

Komisioni Qendror i Zgjedhjeve pranoi kërkesën ankimore të Partisë Demokratike për Bashkinë Kurbin dhe vendosi ta shqyrtonte atë në mbledhjen e ditës së nesërme. PD kërkon që zgjedhjet ne Kurbin të shpallen të pavlefshme dhe të përsëriten. Ajo ka ankimuar procesin zgjedhor në KZAZ 15, me argumentin se KQZ ka ndërhyrë ne mënyrë te paligjshme ne veprimtarinë e kësaj KZQAZ, ku brenda 2 orësh janë shkarkuar 8 komisionerë të propozuar nga opozita. Procesi zgjedhor ne KZAZ në 21 qershor vazhdoi punën vetëm me komisionarët e mazhorancës, duke mos plotësuar asnjë dokumentacion, procesverbal, madje duke mos shënuar as kodet e sigurisë me te cilat pajisen qendrat e votimit. Sipas Partisë Demokratike kjo paligjshmëri ka sjelle qe ne këtë KZAZ te votonin persona ne emër te dikujt tjetër, te kishte votim familjar, apo te votonin persona qe nuk ishin te regjistruar ne listat e zgjedhësve. Ndërkaq brenda dy ditëve pritet që LSI t’i drejtohet me kërkesë ankimore këtij institucioni për procesin zgjedhor në Vorë.

 

Vizita e Kotzias në Tiranë/ Bumçi: E papranueshme që Greqia të kërkojë përjashtimin e PDIU-së nga qeveria

Komisioni i Jashtëm parlamentar kërkoi dje informacion për situatën e rendit në vend, duke pasur në fokus ngjarjet e fundit në fshatin Lazarat. Duke nënvizuar se çështjet e politikës së jashtme janë të lidhura me ato të sigurisë, kryetarja e Komisionit Arta Dade kërkoi një informacion edhe për masat e marra nga shteti shqiptar lidhur me luftëtarët e huaj. Nga ana tjetër në këtë mbledhje u diskutua edhe për vizitën e pritshme të ministrit të Jashtëm grek, Nikos Kotzias, në fund të korrikut në Tiranë. Si Dade ashtu dhe deputeti demokrat Aldo Bumçi u shprehën se e mirëpresin këtë vizitë e cila sipas tyre është “konfirmim se pala greke ka vullnet për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull mes Greqisë e Shqipërisë”. Ndërkaq ligjvënësi i PD-së ka kërkuar më shumë informacion nga ministria e Punëve të Jashtme në lidhje me çështjen e PDIU-së. “Do ishte e papranueshme që Greqia të kërkojë daljen e PDIU nga qeverisja”, – mësohet të jetë shprehur Bumçi.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here