BE demonton zgjedhjet/ Kukan: Zgjedhjet të kriminalizuara dhe të blera

0
102

Jetmir Olldashi

Eduard KukanDisa vëzhgues kanë raportuar për manipulime, shitblerje votash dhe deri për votim në shkëmbim të ushqimit

Vazhdon diskutimi i zgjedhjeve shqiptare të 21 qershorit në Bruksel. Komiteti për Politikën e Jashtme në Parlamentin Evropian diskutoi parimisht për situatën e zhvillimit të zgjedhjeve dhe parregullsitë e ndodhura në të. Eurodeputeti Eduard Kukan i quajti problematike dhe të kriminalizuara zgjedhjet. Ai theksoi rëndësinë e këtyre zgjedhjeve për proceset integruese të Shqipërisë. “Shqipëria është një vend i rëndësishëm dhe këto zgjedhje ishin një test për negociatat e saj për anëtarësim në BE. Zgjedhjet patën parregullsi, por mund të them se që nga fushata deri ditën e votimit nuk pati incidente. Ana pozitive është se u pranua rezultati nga humbësit dhe ata e uruan fituesin. Unë mendoj se diskutimet për parregullsitë mund t’i vazhdojmë pas marrjes së raportit nga OSBE/ODIHR-i. Por dy çështje janë të qarta për mua. Procesi i dekriminalizimit, që ishte pjesë e marrëveshjes, por që nuk u zbatua plotësisht, pasi në zgjedhje morën pjesë persona me rekorde kriminale. Gjithashtu , mendoj se edhe blerja e votës është problem”. Eurodeputeti që ishte nismëtar dhe pajtues i palëve politike dhjetorin e vitit 2014, theksoi se pavarësisht nga problemet e evidentuara deri më tani është e rëndësishme të pritet dalja përfundimtare e raportit të vëzhguesve të OSBE-së. “Ne ishim atje për Krishtlindje dhe arritëm që të përpilonim një marrëveshje mjaft të mirë që pajtoi mazhorancën me opozitën. Mirëpo ajo nuk u zbatua në të gjitha pikat e saj. Unë isha vetë në Shqipëri dhe jam takuar me shtetarë dhe ambasadorë të huaj. Kjo është e vështirë për t’u hetuar se edhe ai që e ka shitur votën është pjesëmarrës në krim dhe nuk bashkëpunon me policinë. Gjithashtu edhe politizimi i administratës dhe KQZ-ja, që nuk ishte në lartësinë e duhur shumë herë, janë probleme. Por unë mendoj se duhet të presim raportin e OSBE/ODIHR-it”. Më radikal në qëndrimet e tij ka qenë kreu i Komisionit të Jashtëm në Parlamentin Evropian, Elmar Brok, i cili ka shtruar për diskutim zgjedhjet e së dielës së 21 qershorit në Shqipëri. Nëpërmjet një rezymeje, zoti Brok ka bërë një listë të gjatë të problemeve, të cilat, sipas tij, u konstatuan në këto zgjedhje. Zoti Brok e ka mbështetur rezymenë e tij në raportimet e opozitës, në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it dhe kontaktet me diplomatë evropianë në Tiranë. Diplomati evropian theksoi rëndësinë e madhe që kanë këto zgjedhje për procesin e integrimit evropian të Shqipërisë. Zoti Brok i cilësoi si me probleme zgjedhjet dhe iu referua medias dhe administratës blerjes së votave dhe dekriminalizimit. “Media u përdor në shumë raste. Disa vëzhgues kanë raportuar për manipulime, shitblerje votash dhe deri për votim në shkëmbim të ushqimit. Gjithashtu flitet për trysni dhe presion ndaj administratës, për të votuar ose për tu përdorur në fushatë. “Më rezulton se 35% e administratës ka qenë nën presioni”. Zoti Ermal Brok deklaroi javën e kaluar se zgjedhjet lokale në Shqipëri ishin të falsifikuara. Për zgjedhjet e së dielës së shkuar të 21 qershorit kanë diskutuar edhe eurodeputetët Eduard Kukan dhe raportuesi për Shqipërinë, Knut Fleckenstein. “Përgjithësisht ishin zgjedhje pak më të mira se të tjerët dhe këtë e kam dëgjuar nga shumë ambasadorë të huaj në Shqipëri. Por le të presim raportin final të OSBE ODIHR-it përpara se të dalim në përfundimet tona”. Opozita qëndroi deri në fund duke u bërë pjese e procesit ligjor të zgjedhjeve ndërsa kryetari Basha dhe eksponentë të tjerë të saj kanë deklaruar se do të ketë një betejë ligjore dhe politike për të çmontuar procesin e blerjes së votës dhe kandidimin e elementëve me rekorde kriminale në 21 qershor. Raporti paraprak i OSBE/ODIHR-it vërejti një sërë problemesh të cilat u pasqyruan. Saga e ankimimeve të brendshme dhe të jashtme sapo ka nisur dhe pritet të vazhdojë sidomos me faktorin ndërkombëtar për të pasur një vlerësim se standardet e zgjedhjeve të lira e të ndershme nuk u arritën.

 

Vokshi: PD, betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore manipuluesit

Deputetja Albana Vokshi e cilësoi të manipuluar dhe të cenuar procesin zgjedhor në 21 qershor. Në forumin e grave të Partive Popullore Evropiane që u mbajt në Maltë, zonja Vokshi u bëri me dije kolegeve europarlamentare, deputeteve dhe politikaneve të vendeve të BE-së se ka pasur një proces masiv të shitblerjes së votës, klimë shantazhuese të qeverisë dhe mazhorancës mbi vullnetin e lirë të shqiptarëve, angazhim në proces kandidatë me rekorde kriminale, të gjitha të evidentuara edhe në raportin paraprak të OSBE/ODIHR-it. “Në një skenar të mirëpërgatitur me ndarjen e re territoriale, PS dhe LSI minuan standardet e zgjedhjeve, duke e kthyer votimin, në një proces diktatorial, ku votuesit fotografonin votën në këmbim të parave dhe të vendeve të punës”, – tha zonja Vokshi. Deputetja e selisë blu vuri theksin te klima kërcënuese për të marrë votën e grave dhe të nënave me vendin e punës, te parregullsitë e shumta që lidheshin me organizimin e infrastrukturës zgjedhore, si kutitë, shpërndarja e fletët e votimit, vulat dhe terma të tjera teknikë, të cilët ndikuan drejtpërsëdrejti në mbarëvajtjen e procesit. “Partia Demokratike ka depozituar të dhëna të shumta me fakte dhe argumente pranë OSBE-së, ODIHR-it dhe të gjithë organizmave ndërkombëtare për fenomenin e blerjes se votave, për presionin dhe klimën shantazhuese ndaj administratës dhe biznesit në favor të një rezultati manipulues të mazhorancës në zgjedhjet lokale”, – tha Vokshi. Presidentja e Forumit të Grave të Partive Popullore, Doris Pack, dhe lideret e vendeve të BE-së në referencë të raportit paraprak të misionit të vëzhguesve OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet në Shqipëri shprehën shqetësimin e madh për cenimin e standardeve, manipulimin e zgjedhjeve, të cilat mund të kenë ndikim në proceset integruese të vendit. “Demokracia dhe shteti i së drejtës është më në rrezik se kurrë nga qeverisja dhe mazhoranca e inkriminuar, e cila ka sfiduar sistemin dhe me vendosjen e kandidatëve të lidhur me krimin”, – tha më tej Vokshi. “Partia Demokratike, – deklaroi deputetja Vokshi, – do të nisë një betejë frontale për të vënë para përgjegjësisë politike dhe ligjore manipuluesit e zgjedhjeve në Shqipëri. Opozita do të vazhdojë e pa lëkundur në betejën e saj me antiligjin dhe pushtetin e inkriminuar i cili ka kapur çdo institucion dhe strukturë të pavarur”.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here