Tirana – si u “varfërua” në një ditë

0
160

Tirana–  Rritje e papunësisë, shtim i familjeve me ndihmë sociale, më shumë varësi nga të ardhurat e emigrantëve do të jenë “dhuratat” për kryebashkiakun e ri të Tiranës. Ndarja e re territoriale sjell automatikisht një përkeqësim të treguesve të varfërisë

Kryebashkiaku i ri i Tiranës do të ketë një detyrë më të vështirë se paraardhësi. Ndarja e re territoriale, që i shton Bashkisë së Tiranës 13 komuna, sjell automatikisht përkeqësim të treguesve të varfërisë të kryeqytetit dhe rritje të papunësisë, duke e vënë drejtuesin e ri të Tiranës përpara një sfide të madhe. INSTAT, bazuar në ndarjen e re territoriale-administrative, me 61 bashki, ka publikuar online të dhënat e Censusit të Popullsisë dhe Banesave 2011. Nga këto të dhëna rezulton se, me ndarjen e re, Bashkia e Tiranës do të përballet me më shumë të papunë, si meshkuj ashtu dhe femra, rritje të familjeve që marrin ndihmë sociale, varësi më e lartë nga të ardhurat e emigrantëve, popullsi më pak të arsimuar etj.

Me ndarjen e re administrative, sipërfaqja e Bashkisë së Tiranës rritet ndjeshëm” nga 40 km2, në 1.110 km2, por popullsia rezidente e saj rritet me ritme shumë më të ulëta: nga rreth 420 mijë, në 660 mijë apo 33% më shumë, sipas Censusit 2011.

 

Shtohet papunësia

Ndërsa premtimet nga të gjitha kampet nuk munguan për potencialet e kryeqytetit dhe programet për nxitjen e punësimit, në Tiranën e zgjeruar papunësia në total do të rritet me 1.8 pikë përqindjeje, për të arritur në 24.3%. Do të ketë më shumë të papunë, si femra ashtu dhe meshkuj, por edhe të rinj, që janë në kërkim të një pune. Norma e papunësisë tek femra, p.sh. do të arrijë në 25.6% me ndarjen e re territoriale. Megjithatë, në tërësi, papunësia në kryeqytet do të vijojë të mbetet më e ulët se mesatarja e Shqipërisë.

 

Rritet pesha e bujqësisë në punësim

Futja e 13 komunave në Bashkinë e Tiranës shton në listë më shumë të punësuar nga sektori bujqësor. Nga 0.6% që ishin të punësuar gjithsej në bujqësi, tashmë kjo peshë do të rritet në 3.4%. Megjithatë, në kryeqytet, dominojnë shërbimet ku punësohen rreth 80% e banorëve, një peshë kjo më e lartë se mesatarja e popullsisë, prej 53.5%.

 

Rritet numri i banesave bosh

Ndërsa ndërtimet e pafundme në zonën e Kasharit nuk figuronin zyrtarisht në hartën e Tiranës, tashmë ato do t’i shtohen Bashkisë së re. Sipas të dhënave të INSTAT-it, përqindja e ndërtesave të pabanuara ndaj totalit të banesave rritet në gati 20%, nga 15% që ishin më parë. Këto banesa kanë mbetur në pjesën më të madhe të pashitura, për shkak të rënies së fuqisë blerëse, mungesës së kredisë nga bankat, infrastrukturës së papërshtatshme apo dhe ofertës më të lartë sesa kërkesa.

 

Më shumë familje me ndihmë sociale

Më pak të arsimuar, shtim i familjeve të varfra, që e shtyjnë muajin me asistencë sociale apo që varen nga paratë që u sjellin të afërmit, një numër më i lartë të kthyerish nga emigracioni, më pak familje me një makinë, është rezultati “i padukshëm” i ndarjes së re. Të dhënat nga harta e INSTAT-it tregojnë p.sh. se gati 5% e familjeve do të marrin asistencë, nga 4.5% që ishte më parë.

Edhe numri i makinave për 1.000 banorë zbret nga 112.6 në 104.6, por gjithsesi duke qenë shumë më i lartë se mesatarja prej 71.1 e gjithë vendit.

 

Tirana, zemra ekonomike e Shqipërisë

Tirana është jo vetëm kryeqyteti i vendit, por edhe i ekonomisë. Infrastruktura e përshtatshme, pozicionimi në qendër të Shqipërisë, afërsia me portin dhe aeroportin e kanë bërë Tiranën vendin më të preferuar për të bërë biznes. Statistikat e INSTAT-it konfirmojnë se Qarku i Tiranës (ku qyteti i Tiranës mban peshën kryesore) kontribuon në 38% të Prodhimit të Brendshëm Bruto. Po aq i rëndësishëm është dhe për punësimin, me rreth 50% të totalit. Në Tiranë ushtrojnë aktivitetin e tyre rreth 50 mijë ndërmarrje, me numrin e tyre që ka ardhur në rritje vit pas viti. Pjesa më e madhe e tyre ushtrojnë aktivitetin në tregti dhe shërbim ushqimor e akomodim. Kryeqyteti vijon të sjellë prurje të reja, me 40% të ndërmarrjeve të reja të hapura në 2014, që zgjodhën pikërisht Tiranën. Ndërtimi ka qenë një sektor i rëndësishëm, me Tiranën që kontribuon me 56% të këtij sektori në të gjithë vendin.

Tirana është dhe kryeqyteti i emancipimit, me përqindjen më të lartë të pronareve femra ndaj totalit.

Marrë nga “Monitor”)

 

Vijon rënien kreditimi bankar për ekonominë

Kredia për ekonominë vijon të bjerë, duke shënuar në muajin prill rënien më të lartë që prej vitit 2013. Për herë të parë në këto dy vite, stoku i huasë që japin bankat ka marrë vlera negative, duke e bërë gjithnjë e më shqetësuese situatën. Sipas të dhënave që raporton Banka Qendrore, kreditimi në ekonomi për muajin prill ka rënë me 60 milionë dollarë. Banka e Shqipërisë thekson se arsyeja kryesore që ka ulur këtë financim është niveli i lartë i kredive të këqija. Pjesa e parave që bankat kanë dhënë hua dhe nuk kanë shpresa më t’i kthejnë ka kapur vlerën 12% të totalit të kredisë së tyre, çka bën shqetësuese situatën financiare.

Për herë të parë bankat kanë ulur edhe normat e interesit të kredive, të cilat rezultonin statike dhe të palëvizshme, kjo për të nxitur edhe bizneset që të kërkojnë më shumë para. Në tre muajt e parë të këtij viti, bankat kanë ulur shpenzimet që paguajnë për interesat e depozitave, por po ashtu në rënie janë edhe fitimet që ato marrin nga kreditë e dhëna.

Ajo që mbetet shqetësuese është fakti që biznesi po merr gjithnjë e më pak financim nga bankat, vetëm për muajin prill kjo vlerë ra me 10 milion dollarë, ndërsa janë rritur paratë që sipërmarrësit marrin në formën e overdrafteve. Moskreditimi i ekonomisë sjell jo vetëm bllokim të hapjes së ndërmarrjeve të reja duke frenuar punësimin, por një fenomen shqetësues mbetet edhe marrja e parave borxh në forma të tjera. Huatë informale janë rritur ndjeshëm, si për individët ashtu dhe për bizneset.

 

 

Guvernatori: Ja pse euroja mbetet e fortë në Shqipëri

“Politika monetare në ekonomitë më të zhvilluara, të cilat aktualisht po kalojnë një periudhë të zgjatur me normë interesi praktikisht 0 dhe sasi të bollshme likuiditeti, në mënyrë jo të qëllimshme ka shkaktuar pasoja në tregjet ndërkombëtare të këmbimit valutor”, – ka pohuar guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Genti Sejko, në samitin e ministrave të Financave dhe guvernatorëve të bankave qendrore në Mal të Zi, më 12-13 qershor, me temë “E ardhmja financiare e rajonit”.

Sipas tij, lëvizjet e paprecedenta gjatë viteve të mëparshme kanë nisur një zhvendosje të rëndësishme në terma të luhatjeve të kursit të këmbimit ndër monedhat e aktorëve kryesorë të ekonomisë globale.

Në rastin e Shqipërisë, jemi të lidhur kryesisht me monedhën euro dhe dollarin amerikan vetëm për shkak të faktit se, Shqipëria ishte ekonomia e fundit që përqafoi lehtë frangën zvicerane. Në kohën që ajo u fut në treg, Banka Qendrore ishte tashmë e shqetësuar nga pesha më e madhe e huave në monedhë të huaj dhe ndaloi zgjerimin e mëtejshëm nëpërmjet rregullores makroprudenciale (provigjione më të larta dhe kolateral i detyrueshëm), tha ai. Duke shtuar se, nga ana tjetër, zhvillimet e monedhës euro janë veçanërisht të rëndësishme në lidhje me veprimtarinë e ekonomisë reale, konkurrencës së eksporteve dhe zhvillimeve financiare, përderisa një sasi e konsiderueshme e tregtisë së aktiveve dhe detyrimeve të bankave (pothuajse gjysma e kursimeve dhe më shumë se 50% e huave) mbahen në monedhën euro. Ndërkohë, dollari amerikan është gjithashtu i rëndësishëm si mjet i tregtisë dhe si monedhë për mbajtjen e kursimeve.

Guvernatori deklaroi se shpërthimi i krizës shkaktoi shumë shqetësime në Shqipëri, veçanërisht në lidhje me çështje të stabilitetit financiar (meqenëse 75% e portofolit të tepricës së huave ishte në monedhë të huaj, kryesisht në monedhën euro). Gjithsesi, leku shqiptar ka qenë një nga monedhat më të qëndrueshme ndër monedhat me kurs të lirë këmbimi në vendet e Evropës Qendrore Lindore dhe Juglindore ose në vendet në zhvillim në Evropë.

Ndoshta në mënyrë befasuese, leku u shfaq si monedha më pak e luhatshme nga të gjitha monedhat e tjera. Në pesë vitet e kaluara, koeficienti i variacionit të tij ishte më pak se një, ndërsa ai i monedhave të tjera varion nga tre deri në trembëdhjetë herë më shumë se sa koeficienti i monedhës së Shqipërisë. Kjo ecuri ka ndihmuar shumë stabilitetin financiar dhe atë të çmimeve (norma e inflacionit në Shqipëri gjithashtu është dukshëm më pak e luhatshme), por nga ana tjetër, ka parandaluar/shtyrë një rregullim tepër të nevojshëm në flukset tregtare të lidhura me konsumin dhe investimet.

Në përgjithësi, tha Sejko, analiza jonë tregon se luhatjet e kursit të këmbimit të lekut ndaj dollarit amerikan dhe frangës zvicerane kanë pasqyruar kryesisht pozicionin e tyre ndaj monedhës euro, e cila është monedha kryesore dhe më e rëndësishme e transaksioneve tregtare dhe financiare. Aktualisht, ekonomia është më shumë dhe kryesisht më e ndjeshme ndaj goditjeve në Eurozonë, ndërsa përgjigjja ndaj politikave ekonomike të ShBA-së ose të vendeve të tjera ndjek atë të Eurozonës.

Sipas këndvështrimit tonë, ecuria e monedhës lek ndaj monedhave të forta/kryesore, pavarësisht deficitit të huaj të lartë, dërgesat e emigrantëve në rënie dhe politika monetare lehtësuese janë pasqyruar në ngushtimin e hendekut të normave të politikës monetare midis Shqipërisë dhe Eurozonës (diferenca ishte 4% katër vjet më parë dhe sot është më pak se 2%), tregon, sipas guvernatorit, dy fakte të rëndësishme:

Së pari, ndryshe nga vendet e tjera të Evropës Qendrore e Lindore dhe Juglindore, Shqipëria si vendet partnere në rajon nuk ka integruar prodhimin dhe strukturën e saj industriale me Eurozonën. Përveç kësaj, ndërmjetësimi financiar pothuajse është mbështetur plotësisht nga depozitat vendase, të cilat kanë mbuluar vazhdimisht më shumë se 100% të tepricës së kredisë. Kështu që, në kohën e shpërthimit të krizës, ne nuk përjetuam rrjedhje të mëdha dhe të rëndësishme të kapitalit.

Së dyti, mekanizmi relativisht i ngadaltë i transmisionit (për shkak të problemeve të bilancit dhe pritshmërive pesimiste në lidhje me situatën në Greqinë fqinje) nuk i është përgjigjur proporcionalisht reduktimit të normës së interesit. Në këto kushte, programi sasior lehtësues i Bankës Qendrore Evropiane ka mbështetur më tej qëndrueshmërinë e monedhës lek ndaj monedhës euro.

Në përfundim, dua të them se ky stabilitet i ruajtur i monedhës lek ndaj monedhës Euro është aset i çmuar. Megjithatë, stabiliteti afatgjatë do të varet nga rritja e ardhshme ekonomike, inflacioni si dhe nga modelet dhe kushtet e tregtisë. Monedha lek do të vazhdojë regjimin e kursit të lirë të këmbimit valutor për të pasqyruar forcat e tregut dhe qëndrimin përkatës të politikës monetare.

Web Agency, Digital Agency, Web Development Agency

LEAVE A REPLY

Please enter your comment!
Please enter your name here